Kulturë
Qazim Shehu: Për shenja më të arrira
E shtune, 06.02.2016, 04:21 PM
QAZIM D. SHEHU
PËR SHENJA MË TË ARRIRA
Zogu i zemrës në kafaz të kraharorit
Njeh vetëm alfabetin e morsit,
Kërkon ca vise të përndritura
Ku shenja të fshehta jep.
Dhe nuk e di kush mbetet e papritura
Kur zemra nga ngopja të heshtë.
Në çastin kur të ndodhë kjo,
Kur zemra të heshtë nga lumturia,
Unë do të lë dhe do të shkoj
Për shenja më të arrira…
EMRI JOT…
Si një shtresë vese e jodizuar
U hodh emri jot në pelerinën e muzgut,
Rreze që s`mundi me u shkruar,
Dhe u përvodh
Në fund të zemrës sime për t`u strehuar.
Ish si një perlë që ra në fund të pusit
Aty ku uji kish shteruar…
THELB…
Pa dashurinë e nënës, bota do ishte më e vogël,
Dhe pa dashuritë e tjera nuk do ishte kaq e madhe.
Gogla e fatit bredh pa pritur gongun e shogët,
Si mornicat e punës në fushën e një shuplake.
Cila të çon tek thelbi më i sigurtë,
Gatuar me prush dhe njomjen e ujtë,
Dashuria për nënën na bën më të urtë
Përfytyresën për të
Pa ia dorëzuar askujt…
INXHI…
Argjend i puthjes së panisur
Në pushin e mbrëmjes u shkri,
Buza prej ethes është dirsur,
Dirsja ndrit si inxhi.
Në publikun që kalon ,
Haptas puthen të rinjtë,
Puthja nga morali veten çliron
Por nxihen inxhitë…
GISHTA
Gishtat e flladit sumbullën
Ia shpleksën bluzës verore
Si dy gjarpërinj gjinjtë hurbnin
Një nojmë gjarpërore.
Si dy gjarpërinj kërleshur
Në vallëzim mitik,
Gishtat këputeshin,nxeheshin
Nga zjarrin që arsyen fik…
POETËVE
Para se të lexosh fëshfëritjen e një mëndafshi
Në minifundin e një lozonjarje,
Para se të lexosh rrjedhën përmes barit
Midis dy kodrave bujare,
Dhe para se të lexosh mbrëmjen që bie,
Si një parashutë nga katastrofa e qiejve,
Para se të lexosh guximin për të dalë
Nga kurthi i frikacakëve në hije,
të tjera që tani s`më vijnë në mend,
Poetët ankohen se vargjet nuk ua lexojnë….
UNIFORMITET
Dëbora fshin hapësirat,
Kufijve u jep bardhësi,
Me gjuhëza të ftohta
I shpalos të mirat,
Uniformitetit gjithë hijeshi…
AROMAT
Më rrahën aq e aq erëra të ftohta,
Asnjë ere nuk iu fsheha,
Të gjitha erërave ua fsheha gjoksin
Ato dridheshin para meje këmbëprera.
Nga lotët s`krijova stalagmite
Lotin e fshiva me një shpresë,
Po nga aroma jote tani po dridhem,
Gjithë erat po hakmerren për besë…