Kulturë
Nebi Dragoti: Njëshi
E merkure, 03.02.2016, 07:33 PM
NEBI DRAGOTI
NJÊSHI
Njëshi le të jetë ushtar
edhe kur ngjit shkallët e karrierës lart.
Njëshi për popullin e vet
arkitekt
e kaluar arkitektit
si poeti të jetë!...
A s’është njëshi më bukur kështu?...
Njëshi le të punojë për popull,
se pa popull…dakort,
është “zero, fyl”,
dakort dhe me ty, Majakovsk.
Largoj qëndrime herezie si heretik,
se nuk desha që njëshi
ta mbajë veten për lider karizmatik
e të mos jetë njeri
dhe kurorë meritash pastë me bollik
e të nderohet si perëndi!
Njëshi-kult (?!)
Për demokracinë
është ujk…
LODÊRTAR POEZIE
Vë në kurriz daullen e poezisë,
i bie dhe unë
e bares kodrave valëzore të Dumresë
si eksploruesi lirik
i më të bukurës rivierë.
Do të thoshin 84 liqenjtë:
-Nga zbriti,
nga mbiu ky qafir,
ky djallo poet?!
Për sot e për nesër
mbaj në kurriz këtë daulle
mbushur me ajër e rreze Shqipërie
dhe i bie e i bie si lodërtar
me shufra vargjesh të artë.
DETAJ POETIK
Përshtypje më bëri bariu i tufës me dhi:
dhitë s’i linte të mrizonin vapës tek stani,
me thuprën e thanes i ngiste vërri më vërri,
që koha e kullotjes më e gjatë të ish;
kështu do t’u fryheshin , do t’u rëndoheshin gjinjtë.
Këtë, o kritik, unë e quaj detaj poetik;
zilkat dhe këmborët të tunden i dua,
se, kur dëgjoj ato, mendoj: kullosin dhitë
dhe qumështi na shtohet si uji në krua.
Këtë, o kritik, unë e quaj detaj poetik.
NÊ ATDHE
Mbi pluhurin e vjeshtës hapat hedh,
tok me shtergët era rend e rend;
nga kjo lëvizje veç një gjë unë di:
më shumë nga era nuk shtegton njeri!
S’i kam aspak largimet e kota
larg strehës prindërore, viseve të ngrohta:
qumësht dallandysheje tek vatra na prêt…
Mëkona qumësht dashurie, strehëz e shenjtë!
MATEMATIKÊ
+,
Për mirëqënie u shtofshin prodhimet!
-,
U tëharrshin të këqijat njerëzore!
:,
Të mirat sociale u barazpjestofshin!
x,
U shumëfishoftë paqa ndërshtetërore!
Katër shenjave matematikore,
u realizofshin, u realizofshin
veprimet e foljeve dëshirore!
KAM DASHUR
E di sa kam dashur,
sa më kanë dashur s’e di;
për ç’muzgje të spërkatur
me margaritar e me magji
s’e di sa më kanë dashur.
Më lodhi vërtet kjo jetë,
kjo jetë dhe më gëzoi;
dikur, ah, ezmerkë,
diku pylli me fletë
gjithë zjarr na përqafoi.
Sa më kanë dashur s’e di,
veç e di sa kam dashur;
vallë prapë krahëhapur
prêt një plep, një lajthi,
prêt fushë e përmallur?!
LIRIKÊ
Hallakatur mbrëmjeve të heshtura,
vonë, kuaj azganë e hamshorë
kam ndjekur viteve të qeshura
në Dumre, në visin përrallor.
Ujin e kaltër të liqenjëve dua,
dua njerëzit, lisat, arat me grurë,
unë grushte me ujë pi në krua
dhe freskia më buron në buzë.
Dumre baltëëmbël, Dumreja ime,
ti këmbëzbathurin e bëre poet;
në një steh tëndin ti më linde,
këtu prindët më nxorrën në jetë…
Poezi,ty të jap tonin e pastër
edhe zjarrin që ngrohtë të mbanë;
mëngjeseve, mes thëllimit të ashpër,
dimrit më skuq gjaku në damarë.
Si gjithë poetët thur këngë
në udhëtim me jetën në lulëzim,
me zemër, që fëmi , ju kam thënë:
gjithçka e dua thellë me shpirt!
TANGO
Luan tango shelgu i xhveshur në korije,
ç’i lutet të qëndrojë pak lejlekut në ikje.
Era si vagabonde me gjuhë i gudulis
me gishtrinjtë gjethe e pupla shpupuris.
Paqë rash në këta tinguj i dehur krejt
me një të dytë…me belkëputurën vjeshtë!
KRUTANE
Boçet e gështenjave kopshtit janë pjekur,
të të ftoj, krutane, bashkë për t’i vjelur.
Në bisedën time shkurt mos m’u përgjigj:
desha të të kem mike e të më kesh mik.
Moj, në bisedën time kot ti skuqesh,kot;
pa gostitmë me rrush e gostitmë me mollë!
Shih se si, tutje, thanat kuqëlokan,
moj, me raki thane le të mbushen gotat!
BALADÊ E HERSHME
Varfëria kaltërsinë e mbrëmjes e trazoi,
si ta lante borxhin dumrerakja veten mundoi…
I tha djalit, tek i jepte lopës ujë në liqe:
“Bëmë ç’të duash, s’kam ç’të jap për be!”
Liqeni rruthte dallgët në sytë e zezë të saj,
me gjuhë valësh fliste: “Në gjirin tim të marrë,
engjëll do të mbetesh, ti, bukuroshe, në legjendë,
zgjidhe tani: me nder a të mbetesh pa nder!”…
Vrënjtur buzë liqenit djalit mendimi i shkrepi,
ç’panë çafkat, kur thikën nxjerr nga xhepi…
Ziente mbarë e mbrapsh fjala në katund,
ah, ëndrra vashërore tretet, ja si merr fund!...
Kaltërsi e mbrëmjes u çmend, u ça gjithkund,
nga gjaku njëri-tjetrit pinë tri pika me fund:
nderi gjallë të mbanë, si ai në botë nuk ka,
dumrerakë qenë të dy; mbetën motër e vëlla!...