Kulturë
Nebi Dragoti: Baladë e gjallë
E diele, 31.01.2016, 02:57 PM
NEBI DRAGOTI
BALADÊ E GJALLË
Baladë me diell,
diell e purpur Dardanie
performuar
me gjakun e Adem Jasharit,
ngritur
me gjakun e Adem Kosovarit…
Ademi,
Paqa
-një bozhur madhështor
ngre Kosova e lirë,
bozhur fantastik qiellor!
Qe Ademi…
Qenë Ademët…
Êshtë Ademi,
janë Ademët,
të gjallë, të gjallë!
Ooo, ju të tillë sokola
jeni, kosovarë!
KARAKTER
Shqip: besës
i them besë;
trimërisë trimëri,
nderit
nder i them.
Bëhem tendencioz në jetë e në art,
argasur e brumosur mish e kockë e gjak;
virtytet i kemi aliazh qëndrese e jete.
Kemi në këtë aliazh…
Karakter shqiptar!
PAQÊ
Shqiptari i lindur për liri e paqë:
rron në paqë, rreze paqe përhap.
Vargjeve u qëndis hënëza për krah,
për kontinentet ide jete vargjet janë.
Vargjeve xixëllonja e hënëza u dhash,
për paqën njerëzimit t’i përcjellin mesazh.
FÊRSHÊLLIMÊ
Sa kot me fërshëllimë dal në rrugë
për të harruar se xhepat i kam bosh;
shtymë, moj erë, përkëdhelmë në fushë
si unë edhe ti në xhepa s’ ke një groshë.
Të dy tek bredhim si varfanjak,
ooo,ti me një selvi bëke dashuri
e vargjet e Kahjamit ia var në qafë,
e zjarre dashurie i mëkon në gji.
Blirit kapeleja ç’u zverdh krejt,
ç’ ëndërronjës ish në blerimin e parë,
tani vjeshta flakët shtyn e ndez
e loz në pyje me klithma si e marrë.
Ty fshat me rreze të ngrohu mëngjesi,
veç unë s’po të josh ty me asnjë varg
dhe sot,kur prapë zë këndon këndezi
me ç’gjë të mburrem unë poeti nuk kam.
Gjallë, me gëzim romantiku mbeta gjallë,
askujt s’i jam qarë si shpirt i ligë;
shelgjishtetve kam trembur, shaluar kuajtë
e,me ty moj erë,ia marrë me fërshëllimë.
KAÇURRELJA TJETÊR
Çobankës bukuroshe s’ia kam varur,
netëve dumrerake s’e përgjova në çair,
tantellë qëndisur fustanin e përflakur
dikur asaj ia lagu vesa në lëndinë…
Godiste me purtekë mëzkën larushe,
tjetrës kaçurreli i varej mbi ballë,
në qiell si zogj yjet mblidhte Arusha,
kur unë provova të parën disfatë…
Dashuria dhe qyrramanit i buzëqesh,
edhe ai ka shanse në jetën e gjatë(…)
Po prapë këndoj,fërshëllej e s’hesht
e, buzë lumit me këngë ia marrë
Bredh po s’e gjej më kaçurrelen e verdhë
dhe yjet e prushëruar m’u ulën mbi ballë,
teksa fustan i përflakur i çobankës në kujtesë,
prapë më rri i lagur nga vesa mbi bar.
***
Të thjeshtë jemi tek ky vend,
pse ti gjithë naze vjen më çmend?
Zhaurin dallga, shtrihet, qesh,
kur pulpat lan ti në liqen,
ma tund,ç’ma shkund atë gërshet?
Lindja e diellit shtron brilant
siç shtron dhe perëndimi xhevahirë;
afromu,dumrerake, sa jemi gjallë
këndojmë plot afsh të ritë
për ç’jetë me diell, purpur, brilant!
Të thjeshtë jemi dhe me mend,
asgjë të re më s’thur unë, jo,
Tasha e Tushajve përse u çmend,
pra, për atë ezmerin, domosdo,
ai, kur më s’e desh, u mbyt ajo.
Atëherë ish si sot, si ky mëngjes
që flakëron purpur e ne na ndez…
KÊNGÊ DIMRI
Vis i vendlindjes, shkurtin me serm,
bëma kollare a rrip mezi ma jep…
Prehërin me liqene me brymë pudrosur,
vallë flokun tim ti ke çngjyrosur?!
Kodrat e buta ngjyen dimri me serm
si vashat faqet e bardha me krem.
S’më dhe kollare e rrip zbukurimi,
veç, nesër, mbulomë me vello qefini!
***
Dehem, hutohem, rrënqethem krejt,
ti rakinë ç’ma zbutke me limon,
peshkun ma servirke me kripë.
Meshollë,ti buzagas e hire plot,
rakinë mos ma zbut, moj, me limon;
dehem, lumturohem, dashurohem krejt!