Kulturë
Përparim Hysi: Pushteti
E diele, 31.01.2016, 11:10 AM
Një cikël me poezi
Nga Përparim Hysi
Pushteti
Nuk ka gjë që më frikëson se sa pushteti
NJësoj si provimi dhe ca më keq: lufta!
Ta dini ç'kam hequr! Eh, çfarë sikleti!
Sa herë e kujtoj, gati më zë krupa.
Halle ka shumë: si pesha e elefantit
Mundësitë qesharake: fjalë dhe veç fjalë
Pushteti më fut ethet e alarmit
Sikur mbi kurriz më ka hipur një kalë.
Pushtetin e pëlqejnë vetëm sharlatanët
Që bëjnë dallavere dhe nxjerrin fitime
Ata që dinë mirë ta shalojnë kalin
Dhe nuk zbresin prej tij deri në ndaljefryme.
Kur shkruaj kështu, pushtetin e provova *
Dhe, pas disa muajësh, dhashë dorëheqje
M' u duk atëherë sikur u çlirova
Sa qeshë në pushtet, si zogu ndër leqe.
* kam qenë kryetar i pushtetit pluralist në vitin 1991 dhe përfaqësoja PD.
Deputeti
As nuk e njoh fare deputetin
(Po si mund ta njoh, kur zgjidhet me listë?!!!)
Nuk e njoh dhe nuk dua t'i shoh syfetin
Kur për ne që votojmë, është vetëm IKS!
I shoh me radhë deputetët e rrethit
Kur gjoksin në parlament e bëjnë "vrimë"
Zënë e zihen "gjasme për hallet e miletit"
Por si mal për vete, e kanë pasurinë.
Secili shënjt... kundërshtari- djall
(- Ju e kini fajin që qeverisët dje!!!!)
Dhe, po t'i gjykosh nga të tyret fjalë,
Secili "zë e ngjyret vetëm për ne!!!"
Dhe nuk i veçoj: të majtë e të djathtë
Se derrat kanë veç një turi
As që dallon një djall nga djajtë.
Si kamzhik për ta, kjo imja poezi.
Peizazhet e Mios*
Vivaldi i mori "Katër stinët" i vuri në muzikë
Ti, me penelin tënd, stinëve u dhe shpirt.
Pranverën të harlisur si vajzë që gazin s'mban.
Verën të "ujdisur" me tërfil dhe sanë.
Vjeshtën plot me fruta dhe gjethet ngjyrë floriri
Deri sa zbardhi bora në një peizazh dimri.
* Vangjush Mio
Akuarelet e Helidonit *
Pse më duken si fati i KOMBIT
"Akuarelet" e Helidonit?
Sa i shoh dhe relaksohem
Them të drejtën:- Me to s'ngopem!
Bëj të iki, po s'më lënë
Zë e bëhem si i "lënë"
Dua t'i marr ato me vete
Pak zevzek sikur kam ethte.
I shikoj... sa më pëlqejnë!
Sytë s'ua ndaj dhe më mbërthejnë
Fluturoj në tjetër botë
Gati bëhem Don Kishot!
* Helidon Haliti- Mjeshtër më në zë i Akaurelit.
Biblioteka ime
Në katërsh e ndava bibliotekën time
Kur ika nga Shqipëria në Amerikë
Në katërsh u nda dhe zemra ime
M'u duk atë ditë sikur humba një mik.
Jo. Nuk humba një mik, por gati dymijë miq
Dyqind e pesëdhjetë copë i mora me vete
Atë ditë qeshë mu si Krishti i vënë në kyq
Dhe fare nuk isha në vete.
Pjesën dërmuese tek miku Lulzim Omari
Një pjesë tek çupa dhe një pjesë tek imembesë
Tash e kuptova ç'ka hequr Silvestër Bonari *
Dhe unë do t'i "vidhja" dhe s'e kisha për pesë.
* Silvestër Bonari, personazh i Anatol Frans që, pasi i dhuroi të mbesës librat, ngrihej natën dhe ia vidhte.
Tiranë, 29 janar 2016