E enjte, 19.09.2024, 03:28 PM (GMT+1)

Kulturë

Hasko: 10 vjet pa shkrimtarin e madh, Vath Koreshi

E marte, 02.02.2016, 09:11 PM


Vathë Koreshi, modeli i mbijetesës esetike në prozën moderne shqipe.

NE DHJETE VJETORIN E VDEKJES TE SHKRIMTARIT TE MADH.

Nga Hyqmet Hasko

Duke kërkuar në gjurmët e prozës së re moderne shqiptare, të gjitha rrugët dhe shtigjet të çojnë tek katër a pesë emra të përveçëm, krejt të përveçëm, që me artin e tyre shkrimor, me stilin, tematikën e përcjellë, mjetet shprehëse të përdorura, teknologjinë dhe strukturat shkrimore, iu dhanë një impuls të ri letrave kombëtare shqiptare.

Njëri ndër ta ishte Vathë Koreshi, një prozator i standardeve të epërme, një mjeshtër rrëfimi, i cili e lëvroi arën e prozës shqipe me një teknologji të re estetike, që i kapërcente sinoret kanonike të metodës krijuese të soc-realizmit.

Me Vathë Koreshin lidhet, padyshim, një nga kulmet e prozës së re shqiptare, një zë përfaqësues dinjitoz i së cilës ishte dhe në të cilën mbolli pemë të shëndetshme krijimtarie, që do t’iu qëndrojnë kohërave dhe epokave.

Vepra e gjërë dhe e larmishme e shkrimtarit Vath Koreshi zë një vend të merituar në fondin e artë të krijimtarisë më elitare të letërsisë shqipe në kapërcyell të dy epokave.

Të paktë janë ata shkrimtarë që me vlerat që mishëron vepra e tyre, arrijnë të përballojnë sfidat seleksionuese në përqasje me prirjet dhe drejtimet letrare që shoqërojnë procesin evolutiv e të pandalshëm të ndërrimit të shekujve. Koreshi ishte ndër këta të paktë, që me veprën e tij të çmuar u bë një shkollë e prozës, veçaënërisht e prozës së shkurtër, tregimit shqptar, i cili gjeti në penën e tij dorën e një mjeshtri të vërtetë e të sprovuar. Po kështu një dorë mjeshtërore gjen tek ai novelistika dhe romani, të cilat i lëvroi me zell, pasion e teknologji të admirueshme dhe la në to gjurmë të pashlyesme në kohën dhe hapësirën mbarëkombëtare të letrave tona, në një kohë kur akrepat e estetikës punonin në kahje e drejtime të kundërta me normalittein.

Me veprën e Koreshit letërsia jonë kombëtare dhe shoqëria shqiptare shënon një kulm, një nivel të ri zhvillimi intelektual dhe emancipimi shpirtëror. Tek ai më mirë se tek cilitdo autor tjetër, vihen re qartë ndikimi i drejtpërdrejtë që pati nga letërsia e traditës, kultivimi i saj në forma të reja në përqasje me frymën e kohës, duke depërtuar në hapësira të tjera jashtë barrierave të ndryshme estetike dhe ideologjike që ngrinte sistemi totalitar. Në këtë rrafsh këndvështrimi vlen të përmenden veprat e tij të njohura si romanet “Mars”, “Mali mbi kënetë”, apo novelat “Dasma e Sakos”, “Haxhiu i Frakullës”, “Balada e Kurbinit”, si edhe vëllimi me tregime “Kur zunë shirat e vjeshtës” etj.

Në përgjithësi, vepra e Koreshit, sidomos ajo e botuar pas viteve ’90, periudhë kur Shqipëria u përfshi nga lëvizjet e mëdha social-politike, ashtu si edhe shumë vende të tjera të Evropës Lindore, mund të themi se krahas veprës së Kadaresë dhe të ndonjë tjetri, që tentuan të thyenin kornizat e ngurta të kohës, proza e Koreshit ishte arti dhe letërsia tjetër, që u përgjigjej synimeve, shijeve estetike, si edhe gjykimit të ashpër të kritikës dhe të publikut të gjerë këtej dhe matanë kufirit, për një art dhe letërsi të vërtetë, ku vërehej shkëputja nga format tradicionale dhe arkaike të të shkruarit, jashtë skematizmit kompozicional, i cili për fat të keq vazhdonte të kultivohej dhe të përhapej si një epidemi edhe në krijimtarinë e mjaft autorëve të tjerë shqiptarë, të cilët vazhdonin të shkruanin edhe pas rënies së komunizmit, duke e kthyer këtë të fundit në një profil tjetër simetrik me modelet pararendëse, nga Letërsia e Realizmit Socialist në Letërsinë e Kriticizmit Antisocialist, si sintezë e papajtueshmërisë dhe mospërshtatjes me stadet bashkëkohore për lëvrimit e një letërsie ndryshe, në përputhje me kërkesat e kohës.

Nga ana tjetër, l;ypset të kihet parasysh që ishte tejet e vështirë për një shkrimtar të njohur, me fizionomi krijuese e stil të konsoliduar, që vepra e tij tashmë të përcillte vlera dhe prurje të reja si në anën stilistikore, në atë semantike si edhe në mesazhin që do të përcillte kjo vepër në përputhje me aspiratat e epokës që po lindëte, duke ndikuar në këtë mënyrë në thyerjen e mentalitetit që ekzistonte në ato vite, në një vend ku patriarkalizmi dhe kufizimet ideologjike patën formuar tek individi një karakter solid e të papërshtatshëm me vizionet dhe principet bazë të një shoqërie të lirë.

Në këtë mënyrë, në këto rrethana, vepra, e Koreshit na shfaqet e plotë, dinamike, e mbrujtur me frymë postmodernise dhe njëkohësisht, duke shfaqur dendur elementë thelbësorë të identitetit kombëtar.

Kjo vepër u bë në të njëjtën kohë bartëse e mendësisë përparimtare dhe e prirjeve për ndryshim që kërkonin të gjenin mishërim në artin e shkruar shqiptar duke ruajtur në të njëjtën kohë fizionominë, origjinalitetin dhe dallueshmërinë etnike që e karakterizonte kundrejt letërsive të tjera, qofshin ato ballkanike, europiane apo botërore.

Në këtë mozaik të ndërtuar mbi bazën e faktorëve të sipërpërmendur do të përmendnim veprat e tij kryesore si romanet “Requiem për një Grua”, “Ulku dhe Uilli”, “Një Grua me të Verdha në Pyllin e Budës”, “Çafka’, si edhe përmbledhjen me novela “Konomea”, në të cilat realizmi përzihet me postmodernizmin dhe me anë të një stili dinamik, plot kolorit gjuhësor dhe stilema të forta estetike, jepen realitete të përndezura të një bote sa tokësore, reale e të njohur, aq dhe fiksative dhe fantastike, me elementë të spikatur mistikë dhe transhendentë.

Gjithashtu prirja dhe talenti i Vath Koreshit, spikat ndjeshëm edhe në fushën kinematografike. Është bërë si refren tashmë fraza në të cilën Vath Koreshi cilësohet me të drejtë si mjeshtri i skenarit në Shqipëri. Padyshim që Koreshi është ndër ata kineast, të cilët hodhën bazat dhe lëvruan me sukses gjininë e skenarit e cila ndryshe nga letërsia, deri në atë kohë kur doli kjo plejad krijuesish, mund të themi me bindje të plotë dhe bazuar në fakte konkrete se në Shqipëri nuk kish patur një traditë të mirëfilltë mbi të cilën të ndërtoheshin modele të reja në përputhje me frymën dhe me kërkesat e kohës.

Koreshi është prijëtari dhe modeli më i përkyer i krijimit të kësaj tradite të suskseshme në Kinematografinë Shqiptare por njëkohësisht, edhe një ndër figurat kryesore në këtë zhanër, i cili pas një përvoje të gjatë dhe të sukseshme në këtë fushë, mundi të ridimensionojë format dhe koncepet që ekzistonin për mënyrën e të shkruarit dhe të pasqyruarit të realitetit shoqëror shqiptar që nga zanafilla e tij e deri në ditët e sotme në mjaft nga veprat më të suksesshme artistike dhe kinematografike në Shqipëri.

Vlen për t'u theksuar se Vath Koreshi si personalitet i shquar i kulturës kombëtare, dha një kontribut të vyer në reformimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të pluralitetit të mendimit dhe forcimit të frymës demokratike në politikën shqiptare. Ai ishte një ndër ata intelelektualë të cilët nuk qëndruan indiferentë ndaj ndryshimeve të mëdha shoqërore dhe politike që po zhvilloheshin në Shqipëri, përkundrazi ky brez krijuesish me potencialin intelektual që bartnin në vetvete dhe popullaritetin që gëzonin në publikun e gjerë të jetës së vendit, ushtruan një ndikim të ndjeshëm për krijimin e një klime demokratike dhe të përparuar në kordinancë me normat morale e juridike, drejtimet politike si edhe me aspirimet intelektuale që përsilleshin nga vendet e ndryshme europiane.

Në këtë kontekst, mund të themi se tanimë vepra dhe figura e Vath Koreshit, kontributi dhe roli i jashtëzakonshëm që ai luajti në përsosjen dhe konsolidimin e mëtejshëm të këtyre tri komponetëve të rëndësishëm e aq të domosdoshëm për stadet e zhvillimit të një shoqërie, në mënyrën e pasqyrimit objektiv të procesit të saj në kalimin nga epoka feudale, në atë totalitare dhe së fundmi në epokën moderne, janë veçori kyçe që e sendërtojnë imazhin e këtij personalitetit të shquar në dimensionet e duhura, mbi të cilat ai ngrihet me një individualitet të qartë.

Kjo prirje e brendshme, shpirtërore, psikolgjike dhe në thelb mentale, që buronte nga njohja e thellë e jetës, nga kultura e gjërë dhe diapazoni po aq i gjërë i mjeteve shprehëse që vinte në shërbim të synimeve të tij narrative, e bëjnë Koreshin një kërkues të pasionuar të së bukurës, një mbartës të filozofisë ekzisenciale të dashurisë njerëzore, e cila ishte dhe mbeti kryefjala e artit të tij rrëfimor.

Mjafton të kujtojmë prozën brilante “Dasma e Sakos” ku Koreshi shkëlqen në krijimin e situtave sa reale aq dhe sureale dhe fantazmagorike, ku me një teknologji të përkryer rrëfimore krijohen gjendje dehëse midis paradoksit dhe groteskut, gjendje haluçinative, sureale dhe absurde, për të kuptuar

fuqinë e artit të tij dehës e trallisës, freskinë e mesazheve dhe mjeshtërinë e përdorimit të koloritit stilistik, gjuhësor dhe semantik.

Ai e ndërton fabulën narrative në formë mozaiku, duke na dehur me çdo gur të tij, aq me shumë na deh dhe ngazëllen me të tërën, e cila vjen në veprën e Koreshit si një mesazh për një shoqëri më të mirë, për një botë më të mirë, si një realitet alternativ, në një botë mundësishë sa të mundura aq dhe të pamundura dhe absurde.

Koreshi do të mbetet një shkollë e prozës së re shqipe, jo vetëm për talente e reja dhe ata që dalin për herë të parë në rrugën e shkrimit estetik, por për të gjithë brezat e krijuesve shqiptarë, të rinj e të vjetër, për sot dhe kohët që do të vijnë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora