Kulturë
Albert Habazaj: Kujtim Mici - Dragoi i këngës labe
E diele, 31.01.2016, 03:55 PM
ELEGJI PËR DRAGOIN E KËNGËS LABE
(Kujtim MICI i Tërbaçit)
Nga Albert R. HABAZAJ
- “Shqipëri, nuse bregdeti”
Pse të shoh me lot në sy?
- më ka ikur i vërteti,
Kujtim Mici, që s’kam dy…
- Këngë moj, ç’ t’u bë Kujtimi?
Profesori yt me firmë,
Folkorin kapi trishtimi,
Pikëlloi polifoninë.
Djal’ të vetëm e pat’ Nëna,
Yll të bukur; s’kish’ të dytë,
Zot të vetëm e pat’ Kënga,
Këngën e desh’ si dy sytë…
Kënga u ngjye në bojë
Dhe vuri shirit të zi,
Si zambak të bardh’, të njomë
Thur me lot një elegji.
Dragoi i Këngës Labe,
Kujtim Mici i Tërbaçit,
Në krah’ të një shtojzovalle
Shpirtit i gjeti ilaçin:
Thur me mjalt vargje me yje,
Nektar për t’i pirë në kupë,
S’bëri këngë, po thuri himne
Me trëndafila të kuq…
Në Universin e Mallit -
Diamant sinqeriteti,
Dragoi këngë na fali,
Bëri Hartë Dinjiteti.
Me një profil burrëror
(dhe për koh’ me suferinë)
Si Konstelacion yjor,
Firm’ e tij qe vetëtimë.
Div i Këngës, që s’vjen më,
Si meteor u këput,
Mbi rrudhat e lisit flë,
Ka ikur vetëm si trup…
Vigan hijerënd’ me dritë
Qe një jetë e ashtu mbeti,
Mbajti peshë…që një kreshnik
Do dridhej si zog, i shkreti…
E shushatur Kënga Labe
Dhëmbur, mbajti tri ditë zi,
Për Kujtimin “hane - hane!”,
Testamentin për Liri.
Burrat e mëdhenj të Këngës,
Si Kujtim Mici me shokë
Janë burra të lartë kuvendi,
Ngjajnë si male me borë.
Janë dafina me kurorë,
Shkëlqimtarë që në ngjizje
Ngjajnë si male me borë,
Ngjajnë si male në lëvizje.
Burrat e lartë të Këngës
I përkasin Paharrimit,
Me lotët e nxeht’ të zëmrës
Kujtoj Ëngjëjt e Kujtimit…
…Rruzuj kristali më shkasin
Kur marr udhën drejt Kujtimit,
Janë lotë që dinë të flasin,
Janë lule pikëllimi…
Prizren, e diel, 17 janar 2016 - Vlorë, e mërkurë 20 janar 2016