Kulturë
Ukshin Morina: Eja nën tingujt e botës së humbur
E diele, 31.01.2016, 03:05 PM
EJA NËN TINGUJT E BOTËS SE HUMBUR TË KËNDOJMË!
Nga Ukshin MORINA
Mbi dritën e një rreze dielli shtrihej jeta ime,
si një lis, që më duhej ta mbaja për një kohë tjetër,
kur lëngu i zi me ngjitet në zgavrat e shpërthyera të shtatit.
Kjo dritë e fikur në retinën e syve më përkulet në formën e një
harku,prej ku shigjetë e fatit më shpon zemrën.
Eshtrat e mia nën lirishtën e zallit hallakaten nëpër rrëpira,
ku gjethet e luleve të fjetura përkunden nëpër lëndinat e vetmuara.
Eshtra, rrënjë, lis e gurë ngjishen pas këtij lëmçi të vdekur
duke zënë vend nga skremitja e kafkave të mbledhura brënda një
kohe qindra vjeqare.
Kjo rreze e beftë mes këtij verbimi të harlisur, që ngadalë leviz
në drithijen e përmotshme të vdekjes, ka aromën e pjekur të kohës
sime e cila ngjitet nga vegime të brishta si një limfë.
Koha ime i njeh vitet mbi të cilat u përplasën ditët e mia mbi shumë
fjalë të mbetura pas çdo rrahje të zemrës, ashtu si kafkat e të
vdekurve të mbledhur rrodhe në këmbët e mia që vrapojnë.
Dielli derdhet mbi trungje pemësh, mblidhet e derdhet si valë në
dete, mbinë si barë mbi eshtrat që vallëzojnë në fluturimin e erës
së ngrohtë dhe tërshitet në tehun e hënës.
Dhe kjo është koha ime, drita e një rreze që përthyva si harku i një
lastari të ri në një pemë të rritur në sgripin e një krateri kockash.
Qielli im, në kuben e yjeve rri varur , sakaq në kafkën time ndizen
yjet e gjithë jetës së shkuar dhe digjen në gjumin e thellë.
Rrezja ime e rrahur prej erës vërshon tutje duke ndritur ëndrrat e
Pafundme, që me to mbusha një mal dëshirash të pagjetura për
shumë aposionant të kërkimeve.
Ti dhembje a trishtim i shkuar mbi rrezen e një drite të përgjakur në
gropëzat e një filli kocke, eja këtu mbi një qendër meteori të ndezur
dhe bëhu dekor i syve të hapur në dhomën e dagtisur në boshllëk.
Eja me dhembjet e atyre që kanë mbaruar së ngrëni hënën e vjetër
të marsit, bashkë me shiun e fushës së harruar, këtu nën tingujt e
humbur të botës sime të këndojmë!
I vetëm s’jam me idhujt e mi nën coprat e lisit të kalbur, ku bie
shi mbi eshtrat e bardha, rroj bashkë me gjethet e vjeshtës që bien
mbi kalldrëmin e shkelur të dheut tim.
I zgjas duart e mia mbi degët o mollës dhe marr frutat e pjekur për
idhujt e mi, që më ndoqën nëpër shiun e ftohtë të dimrit dhe
shtrihem nëpër rrënjë zallit duke kafshuar gishtrinjtë që zgjaten
përtej detit në pafundësi.
I vetëm s’jam, nën vëshgimin e dritës së një vashe ngjeshur jam,
ku në fytyrën e saj lexoj faqet e pahapura të një libri kurrë më parë,
në sytë e saj dëshpërimet e mbetura të ashpra, si një gurë i rrëzuar
nga maja e një shkëmbi tutje në lartësi, ku retë vrapojnë si kuaj të
bardhë dhe shqyhen mbi fusha të gjelbërta.
Këtu mund të vështroj gjithçka të mbetur jashtë kohës sime,
në errësirën e ngjeshur thell në shkëmb, apo fluturimet e gjata të
shqiponjave të stampuara në muzgun e përgjumur të horizontit larg.
Arrij të dëgjoj, të prek e të shoh, të ndiej e të nuhas dhe aromën
e qindra vjetëve që lëviz sipas rregullit të vdekjes, brenda retinës së
syrit të verbër që loton në stalagmitet e shpellës në krahëror,
apo lart në yllin Kanopus mbi gurë, ku shiu i meteorëve s’ka të ndalur.
Arrij ta njoh veten, se jam ai që kam mundur ta rikthej në jetë shpirtin,
brenda kullave të mbushur me eshtrat e stërgjyshërve, që brenda
meje vrapojnë posht e lart nëpër trup.
Arrij ta dëgjoj dhe fjalën e mbetur në përvijimin e lëvisjes së vdekjes
dhe bashkë me ta, të këndoj për dashuritë e mbetura në shpërthimin
e zgjuar të pranverës,ku gjithçka merr trjatën dhe formën e saj të
dikurshme që i ka rritur dhe latuar dora ime.
Arrij të rëndi fushave sërish dhe të kthehem në djenë dhe pardjen e
shkuar, vjetin dhe parvjetin e harruar, atje ku më parë era i ka shpën’ në
hone hijesh tjetërkund.
Unë s’di të fle, por shoh ndërsa qielli përgjumet mes akujsh
që shtrihen nën yje që pulsojnë shpirtin në një gurë a trung peme,
që shkundet nga drithërimat e shqyera prej erës së shpejtë,
ku të vdekurit shtrojnë me gjethet e rëna shtratin e amshimit.
Ata rrijnë zgjuar dhe besojnë ndërsa me dhjetra sy më shohin,
se unë jam përsoni i dalun prej shpirtrash që përzihen me argjilorën
e baltës së thellë, ku idhujt e mi punojnë në gjithkundin e natës
dhe ditës derisa eshtrat e tyre të bëhen mburojë e një ngrehine prej guri
dhe bari të gjallëroj mbi to, e unë të mbetem zot i orëve të gëzuara të
qetësisë.
Unë dhe pse i vdekshëm jam i lëvizshëm, ngrihem dhe zgjohem në
gjumin e thellë të natës, shtrohem fushave si një puhi e ngrohtë
dhe bëhem rreze në diellin e mëngjesit tjetër dhe shtrihem sërish
hije mbi rrënjët e pemëve.