Kulturë
Qazim Shehu: Shqetësim
E diele, 31.01.2016, 03:00 PM
SHQETËSIM
QAZIM SHEHU
Rrathë ujë, zjarri, dheu, gjethesh,
Rrathë tërmetesh në brendësi,
Rrathë i vura kokës të gënjehem
Nga një dashuri.
Me bindje se duart e fatit
Do i lirojnë për mëshirë,
Një rreth u vura fjalëve,
Një rreth një kodi të mpirë.
Po atë rrethin e kujtesës
Kush do ma lirojë
Me shpresë që e djeshmja
Të vijë në këtë çast e të më qetësojë?...
LULET
Ti solla lulet sa për dekor,
Po lulet janë më të bukura kur nuk këputen,
Për dhunën që u dhashë më vjen zor,
Shoh si kryet në dhimbje ulën…
Shpesh nxitojmë dhe për të bukurën
Një bukuri tjetër vrasim,
Jemi kaq të nxitur për t`u dukur,
Kaq të mëkatuar për t`u dashur…
NJË QEN MË VJEN PAS
Ai nuk është Mefisto ,unë jo Faust,
Dhëmbët nuk i skërmit,
Është një qen i bardhë
Veshët ul dhe sytë ndrit.
Ç`mall e ka zënë
Bishtin kur tund,
Eja i dashur dhe bishtin ma jep
Me të një dredhi të mund.
Ti je më i besueshëm se njëri
Më fal kur i thashë se ishte qen,
E shoh mallin tënd dhe dridhem i tëri,
Kur fjala para mendjes nuk ia vlen…
HIRI
Feniksi më dridhet në hirin e kujtesës
Ai nga hiri dot nuk ngrihet,
U bënë hi ëndrrat e mbijetesës,
Kur në rrënjë hijesh trazohen vitet.
Nga hiri dhe hija e tij
Me hir e pahir do shkëpusim diçka,
Një ëndërr feniksi po të mbijë,
Në këmbë hiri na mba…
NË LAJMET E PASDITES
Nga lamjmet e pasditës rrodhi,
Një pizgë e shfryrë indiference,
E keqja po na sjell në vete ndodhi,
S`paskam qenë unë në atë hije pretence.
Njeriu para se të fantazojë
Për tmerret që në lajme përcillen,
Veten e vet e fut në lojë
Në rrathë të prushtë fantazitë shkrihen…
Ç`pështymosje hidhen në lajmet e pasdites,
Duke i pritur ato më ngjan se afrohen,
Në mungesë të shiut nga ajri bërtitës
Për tmerret që nuk tregohen…
KUQËLIM
Në mollëza u afrua kuqëlim i mollës,
Në dhëmbë një agim që pritet të vijë,
Shenjat e dashurisë janë kaq të holla,
Ato afrohen dhe vetëm shpirti jot për to
Kërkon të dijë..
Molla do hahet dhe buzëqeshja jote
Do shkrijë a ndezë një shpirt të ashpër,
Jeta siç nuk e pret do ndërtohet,
Dhe kuqëlimi do i dalë mangët…