Kulturë
Namik Selmani & Baki Ymeri: Dielli i Gostivarit
E hene, 01.02.2016, 09:15 PM
NJERIU QË PËRJETON VAZHDIMISHT NOSTALGJINË DHE ARDHMËRINË
(Namik Selmani & Baki Ymeri, Dielli i Gostivarit, Amanda Edit, Bukuresht 2016)
Nga Namik Selmani
Besoj se titulli i një libri “Dielli i Gostivarit” është një kurorë shkronjore që i shkon saktësisht emocionalisht vetë jetës dhe veprës së rilindasit shqiptar të kohëve moderne të kombit tonë dhe mikut tim shpirtëror që ende kërkon në këto kohë disa shtigje të pashkelura ( përherë ka shtigje të tillë për të mençurit, kulturëdashësit e patriotët e vërtetë) për këtë vend që, për fat të keq ende përcjell për në botën moderne me autobuzë, me avionë apo në portëkalimin e doganave djemtë për larg. Vërtet nuk kanë pamjen tipike të refugjatëve të dikurshëm të leckosur, me një trastë të vjetër në krahë duke u ndarë në Lëndinën e Lotëve duke lënë pas çarçafët e pazhubrosur, kujtimet fotografitë e fëmijërisë lodrat e ndyshkura. Edhe Sadulla Zendeli atje në Suedinë e largët ka këtë status ndaj në shkrimet e tij ka shumë mall. Ai është mbi 80 vjeç. Të paktën këtë ia tregon pasaporta në gjuhën suedeze.
Këtij kombi për shumë vite i ka kushtuar një jetë tjetër duke e bërë gjuhën suedeze pas asaj shqip një pronë bisedore, shpirtërore për atë bashkëpunim të bashkëkombasve të tij që jetojnë e do të jetojnë në këtë tokë, në këtë vend vërtet të bekuar. E në këtë moshë secili prej atyre, prej nesh, që e ka në supe këtë pasaportë, ka të drejtën e së drejtës që të kthejë kokën pas. Ka të drejtën që të këshillojë e t’i dëgjohet fjala kudo ku ai e thotë në bisedë e në libër. Pse jo, dhe të përlotet paksa për trishtimet që bien në Pemën e Jetës si gjethet e vjeshtës që ashtu, të zverdhura bien një ditë, një natë, një agim a një muzg, nga dega në tokë. Ka të drejtë që të flasë e të tregojë fitoret e arrritura me djersë e ndershmëri. Kurora shkronjore e fjalëve për Dajën nuk vyshket kurrë. Nuk i ngjan asaj kurore me lule nga më të freskëtat që mund të ketë në duar. Kurora që mund t’i blesh në shitoren më të shtrenjtë, që mund t;i mbledhësh më një letër të tejdukshme, që mund t’i shoqërosh me buzëqeshjet më të çiltra. Jo, vetëm pak minuta më vonë, disa ditë më vonë ato thahen trishtueshëm.
Pas vyshkjes së një ditë ditë gjejmë vendin ku do t’i hedhim. Joo, kurora shkronjore për njerëz të mitë të jashtëzakonshëm në motivet e jetës që ata kanë kaluar e që do të jetojnë si është dhe miku ynë Daja, do të jetë përherë e freskët. Në këtë rrëfim që do ta shoqërojnë dhe disa krijime letrare dua që të kujtoj sot një detaj jetësor për vete e pëer mikun tonë. Mbase është një sekretet që mbahet thellë vetes apo një ditë vjen më tej në jetë, kur heshtim përgjithmonë. Librin e dytë në radhën e 38 librave të botuara deri tani, ia kam kushtuar fëmijëve të mi djalit dhe vajzës që tashmë janë rritur dhe kanë ambicje të reja për jetën. Në faqen e parë të librit që atëherë e titullova “Zërat e brigjeve të mia” shkrova saktësisht: “ Këtë libër ia kushtoj fëmijëv të mi” Kohët moderne që ngjajnë si dallgët që rrahin brigjet e largët si furrëtarët e botës që gjithmonë do mbrujnë brumë e do të ndezin furrat me dru, me gaz, me energji elektrike për të bërë bukë.
Natyrisht nuk mund të profetizoja me veten se një ditë një libër ku në fletën e parë do të shkruaj një përkushtim të veçantë për një mik, me të cilin kam ngrënë pak bukë, kam folur pak, por e ndiej se duhet folur më shumë për të. Sot më duhet që të shpirtëzoj sërish frymën e brigjeve të mia çame të tokave të largëta me ca brigje ku miku i letrave shqipe e ndien veten po kaq shqiptar, po kaq evropian dhe ka ende ca borxhe , ka ca pengje për kulturën e kombit të tij, për Gostivarin e dashur, për Tetovën Kumanovën, për Shkupin Prishtinën, Tiranën ku ka botuar shumë libra të tij, për Bukureshtin ku ka patur shumë intelektualë shqiptarë dhe ku miku ynë i përbashkët Baki Ymeri ia ka qëndisur fort mirë shumë botime. Ooo, po ç’kuptim do të kishte jeta e një njeriu pa ARDHMËRINË? Ndaj kjo fjalë është vënë në pjesën e parë të ballinës. Mbase simbolika e Plakut të Mollëve e marrë nga folklori i pasur shqiptar, do t;i shkonte për shtat një libri kushtuar Dajës. Gjithsesi ai punon, si më i riu ndër të rinjtë. Si më i moshuar ndër më të moshuarit. Pa harruar që në çdo ceremoni ai të marrë kostumin më të bukur, e të vërë një fjongo në xhepin e djathtë të kostumit si një zotëri fisnik evropian dhe të marrë flamurin e kombit të tij.
Këtë libër për Dajën e kemi ndërtuar paksa ndryshe. Kudo e kurdoherë ai ka qenë dhe mbetet mes njerëzve. Edhe në qetësinë hyjnore të punës në bibliotekë, ai ka një portë të hapur për miqtë e tij, për shqiptarët e mirë në botë që nuk janë takuar pranë me njëri–tjetrin, po i bashkon e sotmja dhe e nesërmja e kombit. Bashkë me mjaft shkrime në vite, që kemi bërë për të, janë dhe poezitë që kemi qëndisur për të, së bashku me një buqetë shkrimesh e poezishë të disa shqiptarëve të mirë që e mbajnë lart flamurin e shqiptarizmit. Sot dhe dje. Sot dhe nesër. Të na ndiejë miku ynë i mirë për fjalën e pathënë në këtë libër! Unë nuk jam biografi i tij edhe ose e njoh atë jetë shumë mirë në çdo hap që i ka frymuar në këto 80 vjet.
Shumë miq të tij e kanë bërë fort mirë këtë gjë. Gostivari ka bërë detyrën që në përvjetorin e 80-të tij i ka dhënë titullin e nderit “Qytetar Nderi i Gostivarit”. Ne duam të japim në këtë libër shpirtin e tij të madh, njerëzor dhe atdhetar. Ne duam që t’u tregojmë miqve tanë dhe vetë europianëve që e njohin dhe nuk e njohin atë, se Europa duhet që të ulet në gjunjë e t’ua puthë duart shumë çiltërsisht një njeriu të tillë. Se Europa duhet t’i kërkojë falje baballarëve dhe gjyshërve tanë për kohën e shkrimit dhe të lëçitjes së shqiptarëve që shpesh ngecin në vend. Se Europa duhet të na kërkojë pak falje edhe për një lloj gardhi që i vuri fjalës sonë të shkruar. Se sa herë e nisnim këtë rrugë nga më të bukurat që kalon në jetë një njeri e një komb, do të na vinin sa e sa gurë, sa e sa ferrë për të na penguar. Rrofsh sa fjala e mençur, Sadullah Zendeli (Daja)! (Tiranë, Nëntor 2015)
PËRMBAJTJA E LIBRIT
NJERIU QË PËRJETON VAZHDIMISHT NOSTALGJINË DHE ARDHMËRINË / 5
RIZGJIMI I ARBËRISË TE POEZIA E SADULLA ZENDELI (DAJA) / 9
MISIONI I NJË JETE / 15
GOSTIVARI NË ZEMRËN TIME / 30
NËNA SHQIPTARE E GOSTIVARIT / 35
FISNIKU I GOSTIVARIT / 36
GËZIMI I NJË DEKORIMI / 38
LUM E LUM PËR DAJË MENTARIN / 40
ANËS LUMIT TË VARDARIT / 42
GJENERALI I SËRMNICËS / 43
LULET E GOSTIVARIT / 44
RRUGËTIMI I SHQIPES / 45
JU DUA MË SHUMË SE VETEB... / 48
NJË MISIONAR I GJUHËS SHQIPE / 59
DAJA, ATDHEU, NDERI DHE DINJITETI / 62
PARAJSË / 67
KËNGË KUSHTUAR SADULLA ZENDEL DAJËS / 69
ATJE LARG / 73
DAJË TË DUAM SHUMË / 74
PENA E SADULLA ZENDELIT / 75
FJALËNDRITURI / 76
KUR LIBRIN E SHKRUAN ZEMRA.../ 77
KALORËSI I LIRISË / 84
SHKREPËTIMAT SENTIMENTALE TË BAKI YMERIT / 95
PËRMBAJTJA / 108