E premte, 19.04.2024, 01:16 PM (GMT+1)

Kulturë

Gjon Keka: Pajtimi i gjaqeve, pasqyra e shpresës

E marte, 02.02.2016, 09:47 PM


Me rastin e 26 vjetorit te nismes per pajtimin e gjaqeve

Pajtimi i gjaqeve, pasqyra e shpresës për të ardhmen

Nga Gjon KEKA

Me të drejtë Anton Çetta shfaqi një koncept të etikës së vjetër të kombit tonë, por që gjuha jonë e sotme nuk mund ta reflektojë plotësisht këtë nderim dhe dhembshuri për të arritur te kuptueshmëria e plotë e gjuhës ligjore, e kanuneve, zakoneve, dokeve etj. Nga të gjitha këto ai arriti të shkojë deri te pika e krijimit të marrëdhënieve të veçanta të pajtimit dhe faljes.

Është e rëndësishme të dihet se si ai burrë i urtë e dinte saktësisht vlerën e gjërave, të kulturës, të gjuhës, të dokeve dhe zakoneve të popullit shqiptar. Ndaj dhe ai donte që të fitonte e mira kundër të keqes në vetë brendësinë e secilit që mendonte për hakmarrje dhe gjakmarrje, sepse ai donte që në gjoksin e tyre të lindte më tepër dëshira e madh për pajtim dhe falje sesa për hakmarrjen e gjakmarrjes. Shpesh, kur mblidhej me miqtë e tij në familje për t’i pajtuar ata dhe për të ndezur midis tyre dëshirën e zjarrtë për falje e pajtim thoshte: “Le të përpiqemi që të shpëtojmë jo vetëm jetën e brezave, por edhe fytyrën tonë! Armiqtë tanë i gëzohen kësaj, por le të na ndihmojë Zoti që ta arrijmë këtë sukses të pajtimit dhe faljes. Pse me u vra vëllezër prej gjaku të njëjtë? E di se është e vështirë, por gjakmarrja na çon në shkatërrim, ndërsa falja dhe pajtimi, edhe pse i vështirë, na çon në jetë dhe fitore kundër të keqes”.

Nga këto fjalë të mençura burri të thëna prej gojës së tij shihet se ai donte që më tepër njerëzit të mendojnë dhe të reflektojnë si popull dhe palë, në vend të qëllimit për të kryer ndonjë sulm ndaj njëri-tjetrit, për t’u armiqësuar me vëllezër apo për t’u vrarë për arsye të ndryshme mes vedi. Ai kërkonte të mbisundonte mbi gjithçka paqja, pajtimi dhe liria. Kështu ai, me dritën e pajtimit, faljes dhe lirisë përpiqej që të ndriçonte mendjet e errëta të palëve, individëve, familjeve dhe shoqërisë që mendonte për hakmarrje e gjakmarrje. Nisur nga këto vlera që ai kërkonte mes shqiptarëve, mund të nënvizoj edhe historianin anglez Thomas Fuller kur shkruan se “ai që nuk mund të falë të tjerët shkatërron urën mbi të cilën ai vetë duhet të kalojë. Prandaj gjithkush ka nevojë për falje”.

Nisur nga këto thënie të vyera, duhet theksuar me logjikë se nuk është e lehtë t’u thuash palëve në gjakmarrje apo hakmarrje shkoni në paqe, duke u pajtuar dhe falur njëri-tjetrin, apo mendoni për pajtimin dhe faljen, në vend të vrasjeve gjakmarrëse të njëpasnjëshme në mes vete. Por do të thosha se Anton Çetta, së bashku me miqtë e tij ka bërë një punë që ka prekje vertikale dhe horizontale, që nënkupton një veprim të lartë në mbrojtje të jetës e, aq më tepër, të mbrojtjes së vetë qenies shqiptare në Kosovë dhe në mbarë shoqërinë shqiptare. Ashtu siç është i vështirë pajtimi mes një populli me një popull tjetër, po aq e vështirë është edhe pajtimi mes një individi, një familjeje, një klani e për më tepër mes njëri-tjetrit. Është e ditur që pajtimi mes popujve është i vështirë, pasi “një pajtimi është i mundur vetëm për shkak të së vërtetës dhe drejtësisë. Unë nuk mund të imagjinoj një pajtim tjetër”. Po ashtu edhe në rast të hakmarrjes dhe gjakmarrjes një pajtim dhe falje është i vështirë e se kjo duhet të ndodhë për shkak të së vërtetës dhe drejtësisë nga të dyja palët.

Kjo frymë e pajtimit dhe e faljes zbriti mbi ta, jo vetëm nga lidhja e secilit me vendin amë të cilit i përkisnin të njëjtit gjak dhe racë, por edhe të thelbit të së vërtetës së popullit dhe mundësisë që ai t’i shërojë plagët, të kuptojë thelbin e jetës dhe të faljes e të punojë për të ardhmen e tij dhe të brezave pa frikën e gjakmarrjes apo hakmarrjes. E gjithë kjo ishte një përpjekje për të mësuar, për të promovuar dritën e faljes, pajtimit dhe njohjes së vetes, sidomos aty ku errësira kishte depërtuar dhe, si pasojë e saj, derdhej gjak mes të njëjtit gjak. Por, nga ana tjetër, armiqtë paguanin homazhe për demokracinë dhe pluralizmin e sapo themeluar në këtë hapësirë, por edhe në humanizmin shqiptar, sepse ata i druheshin ardhjes së saj, ardhjes së dritës, së lirisë. Edhe përkundër kësaj, me anë të të gjitha forcave pozitive, intelektuale dhe patriotike vendi dhe shoqëria jonë njohu veten, e pa dritën e faljes, të pajtimit, demokracisë e pluralizmit dhe me gjithë fuqinë e saj u ngrit lart me vitalitetin e vet krijues dhe buzëqeshjen ndaj të ardhmes për brezat dhe vendin.

Hakmarrja është fytyra e dobësisë dhe demonizmit, ndërsa pajtimi dhe falja janë fytyra e fitores ndaj të keqes, pasqyra e shpresës për të ardhmen. Nisur nga kjo, vepra e madhe e Anton Çettës në pajtimin dhe faljen e gjaqeve përbënte thelbin e kësaj se, nëse një popull duhet dhe jeton në paqe me njëri-tjetrin, ashtu si vëllai me vëllanë, si familjet me njëra-tjetrën e kështu me radhë, kjo do të thotë se në brendësinë e tyre mbretëron dashuria dhe paqja, pasi njerëzit qëndrojnë larg urrejtjes, gjakmarrjes e hakmarrjes, si dhe dukurive e veseve të tjera negative që e gërryejnë dhe e shembin shoqërinë.

Çfarë kanë fituar gjer më sot popujt, individët, familjet dhe shoqëria që ishin dhe janë akoma në gjakmarrje e hakmarrje? Mund të thuhet se asgjë tjetër, përpos shëndetit të helmuar, shkatërrimit të paqes dhe lumturisë së individit dhe shuarjes së njëri-tjetrit. Pra shfaqjes së vëllait armiqësor brenda tij, i cili nxit hakmarrjen, fyerjen dhe poshtërimin kainian, jo vetëm të popullit shqiptar, por edhe të Zotit të shqiptarëve. Akti poshtërues i gjakmarrjes e hakmarrjes ishte dhe vazhdon të jetë edhe në ditët e sotme i neveritshëm dhe demoniak. Në raste të caktuara, duke parë hakmarrjet e shpeshta të gjakmarrjes ndër shqiptarë, shumë popuj të tjerë të civilizuar dhe demokratikë i kanë cilësuar popujt e tillë si popuj të rrezikshëm dhe primitivë, të ngërthyer nga veset dhe zakonet e këqija. Ndërkaq, siç e thekson një shkrim në një gazetë ndërkombëtare, “praktika e kohës së vjetër të gjakmarrjes vazhdonte në mesin e shqiptarëve etnikë, por në anën tjetër një fushatë është në proces për t’u dhënë fund masakrave të gjakmarrjes dhe hakmarrjes. Motivi që pjesërisht ata thonë ka të bëjë me atë se është nevoja për unitet shqiptar... në këtë rajon me shumicë dërrmuese shqiptare. Kështu intelektualët dhe studentët shqiptarë kanë dalë në mesin e familjeve rurale të rajonit për t’i bindur ata për ta braktisur traditën e hakmarrjes. Ky ekip thotë se ka pajtuar rreth 150 familje klanore në konfliktet që nga 1 shkurti, dhe se ajo është e bindur se këto mund të zgjidhen edhe më shumë prej 450-550 rasteve të mbetura”1.

Kështu që Anton Çetta ishte i vetëdijshëm për përgjegjësinë e madhe që mbante, dhe se ky mision i tij për shpëtimin nga e keqja mund të arrihet vetëm nëpërmjet drejtësisë, pajtimit dhe faljes. Pra e tillë ishte kjo mënyrë e fitores ndaj së keqes: vetëm nëpërmjet faljes, pajtimit dhe drejtësisë, me qëllimin e vetëm që të ndalej gjakderdhja dhe që populli të qëndrojë fort pas “besëlidhjes”, si garanci e fitores ndaj të keqes, hakmarrjes e gjakmarrjes, me qëllimin e vetëm që e ardhmja e brezave të jetë jo nën frikën e njëri-tjetrit, por nën ndikimin e paqes, pajtimit dhe faljes, duke e parë të ardhmen së bashku dhe duke ecur gjatë në rrugën e përbashkët si popull i një kombi.

Për më tej, mund të nënvizoj se Anton Çetta gëzonte një reputacion të madh në të gjithë vendin dhe më gjerë; ai ishte i nderuar dhe i respektuar nga të gjithë, pasi pajtimi i gjaqeve ishte sprovë për të në misionin e shpëtimit të familjeve, individëve, klaneve, të popullit nga gjakmarrja dhe hakmarrja e vazhdueshme ndër breza. Vepra e tij e ktheu atë në një Plak të Mençur që këshillon me urtësinë e tij, një mësues i popullit, një urë lidhëse dhe një ndërmjetës në pajtimin dhe faljen e palëve në këto gjakmarrje dhe hakmarrje.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora