E shtune, 27.04.2024, 04:42 PM (GMT+1)

Kulturë

Kurora e Ballkanit, roman humoristik nga V. Saro

E enjte, 04.02.2016, 09:00 PM


Libri, i publikuar këto ditë nga Amazon, vizaton me humor botën e sotme të letrave, duke përqeshur provincializmin dhe grafomaninë

…Në Tiranë, krejt papritur e në rrethana të habitshme, humbet një letrar i ardhur nga diaspora për pak kohë. (Quhet Qako Proçka.) Zbardhja e çështjes i ngarkohet hetuesit Hasan Rrenga, një profesionist i paangazhuar me politikën, njeri me humor dhe i përkushtuar. Për të marrë vesh se çfarë ka ndodhur, midis të tjerave, hetuesi përqëndrohet në letërkëmbimin e të humburit me një kolegun dhe mikun e tij, që jeton në Tiranë. (Ky është Qato Vjeshta.) Njëherësh, investiguesi është i detyruar të zhytet në gazeta, portale e blogje, duke iu qasur veçmas botës virtuale dhe dalldisë së asaj pjese të madhe të shkruesve që tashmë bëjnë presion të vazhdueshëm në treg, si dhe mbi rrjete, gazeta, e gjithçka tjetër që ka të bëjë me letrat. “Zbulimet” heraherës komike në këtë “botë” dhe mandej jeta reale dhe kërkesat e rrepta të saj - gjithnjë nën petkun e kërkimeve për të gjetur letrarin e zhdukur - përbëjnë thelbin e rrëfimit. Kjo është pak a shumë çfarë ofron libri më i fundit i shkrimtarit Vangjush Saro.

Subjekti i romanit humoristik “Kurora e Ballkanit”, shtjellohet e gjallon sikur një pazar i zhurmshëm i krijimtarisë artistike dhe i botimeve të sotme, gjithnjë në rritje galopante; ai shtrihet në një sërë linja dhe veprimet e personazheve e zhvillimi i ngjarjeve veprojnë në disa plane. Kështu, nga njëra anë, kemi një qasje plot kujdes në disa komunitete të letrarëve, në Shqipëri dhe në vende e kontinente të tjera, përgjithësisht “re” të vogla të një qielli të gëzuar dhe përherë optimist (!) Nga ana tjetër, shpalosen rëndom jetë të vërteta e të gjalla - gjithherë njëra e pangjashme me të tjerat - dhe që janë ato të njerëzve të pallatit ku banon hetuesi, i cili, me fqinjët e tij ka relacione modeste, por gjithsesi tepër të vëmendshme. Ndërkaq, ngjarjet, herë gazmore e herë dramatike, deri pak të habitshme, lëvizin në kohë në inversion të vazhdueshëm, duke ndërtuar një rrëfim disa dimensionesh.

“Kurora e Ballkanit” është njëlloj “lufte” me narcizmin (letrar) dhe provincializmin, dukuri që kanë mbjellë kudo kakofoni. Përmes letërkëmbimit të të humburit me kolegun dhe mikun e tij, si dhe falë pasqyrimit të ravgimeve të shumëllojshme në relievet letrare, në shtyp e në rrjetet virtuale, kudo nëpër rajon e botë, shpalosen episode interesante nga jeta e shoqërisë së sotme - jo vetëm ajo shqiptare - me ëndrra të marra, me absurditete, pretendime, grafomanira, aventura, grotesk e dhimbje. Deri në “zbardhjen” e plotë të ngjarjes, rrëfimi përplaset në një sërë pikëpyetje dhe në jetë njerëzish të letrave apo asish që luftojnë për mbijetesë, duke zbuluar kështu pamje që ndonjëherë kalojnë pa u vënë re; kanë kaluar pa u vënë re, por jo më tani që kanë marrë pothuaj përmasat e një epidemie.

Faqet e këtij libri i përshkojnë nota humori e grotesku, por në njëlloj paqeje e dashamirësie, prirje që asnjëherë nuk e “lejojnë” autorin t’i shndërrojë përjetimet dhe lëndën e brishtë në furtunë e satirë. Romani është konceptuar si një kërkim në dukje mjaft serioz dhe i rëndësishëm, kurse komedia është krejt sheshit; kjo përkujdesje kompozicionale, e bën tekstin tërheqës, bie natyrshëm suspans dhe kuriozitet për fatin e personazhit kryesor; dhe jo vetëm të atij. E ndërkohë, edhe vetë protagonistët e kësaj proze groteske - përfshi hetuesin që nuk di të bëjë poza e të shtiret - duket se argëtohen dhe habiten me çfarë u ndodh. Kjo atmosferë e veçantë, bën që romani të lexohet me interes dhe të përcjellë të qeshura e gaz, pse jo edhe dëshirë për të medituar.

Romani “Kurora e Ballkanit” është publikuar në Amazon. Shkrimtari Vangjush Saro vjen në këtë libër të ri pas një përvoje të gjatë në fushën e groteskut, si autor i një sërë librave me tregime, novela dhe fabula, si dhe krijimtari të pasur për fëmijë e të rinj në zhanrin e humorit. Autori ka shkruar gjithashtu skenare filmash dhe publicistikë.

__________

Individualisht, libri mund të porositet online, duke shfletuar me parë disa faqe të tij në këtë lidhje/link:
http://www.amazon.com/Kurora-Ballkanit-roman-humoristik-Albanian/dp/1523738383/ref=sr_1_1?s=books&ie=UTF8&qid=1454868883&sr=1-1&keywords=Kurora+e+Ballkanit



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora