E shtune, 27.04.2024, 05:25 PM (GMT+1)

Kulturë

Ahmet Selmani: Kërkimi i katarzës

E shtune, 06.02.2016, 05:00 PM


Kërkimi i katarzës

(Mehmetali Rexhepi “ Dhimbje e bardhë”); “ Flaka e Janarit”, Gjilan, 2016

Nga Ahmet Selmani

Ballafaqimi me tregimin “Dhimbje e bardhë” që në krye na del ndoshta si një eufemizëm ngushëllues, ose thjesht si një dëshirë apo klithmë njerëzore për ta përjetuar një dhembje të bardhë. Nëpërmjet rrëfimit që zhvillohet kryekëput në rrafshin vertikal, autori zhbiron gradualisht psikologjinë e qenies njerëzore në një situatë të ndërlikuar; ikja ngulmuese nga realiteti dhe përplasja me vetveten si një gjykim i vetëshqiptuar. Depërtimi në thellësinë e ndërgjegjes së rrëfimtarit bëhet me një  përqendrim maksimal, mbase për ta përshkuar gjithë vijën kauzale të ndodhive dhe për ta determinuar atë në mënyrë gnoseologjike. Në esencë kjo duket si një zonë e errët tematike, misterioze për syrin e njeriut, por zbulimet e saj vijnë në mënyrë hipotetike. Kjo do të thotë se ai krijon një rrethanë të caktuar për ta vendosur veprimin fiktiv, vizionin e gjërave, ndjesinë reale etj. Dhe rrëfimtari na del si vrojtues dhe zhbirues, i dyzuar në rolin e tij; në njërën anë shfaqet me fizikun dhe shpirtin e tij teksa është futur në një lojë (dehje), pra si një animal ridens, sipas Aristotelit, kurse në anën tjetër, është edhe dytëshori i tij, ose ndërgjegjja e cila vepron njëkohësisht, pra si një kundërvënie e vetvetishme ose si një paradoks i natyrshëm psikologjik. Kështu, gjithë ecuria e kësaj lufte të brendshme merr përmasa tepër dramatike dhe arrin kulmin e vet, duke kërkuar një lloj katarze (dhembje e bardhë). Në këtë kontekst vetë koncepti i ndërgjegjes është i brishtë, shfaqet dhe rishfaqet me të gjitha lëkundjet e veta, me dëshirat dhe mëdyshjet e shumta. Prandaj, detyrimisht ajo e ka rrjedhën e vet semantike e determinuese ku dalin në shesh thirrjet e brendshme, plasaritjet morale, goditjet e dhimbshme, shmangiet nga realiteti. Në të vërtetë, e gjithë kjo shtrirje kontekstuale shndërrohet në një lloj gjykimi moral; në njërin skaj të ndërgjegjes qëndron Fisnikja, kurse në anën tjetër qëndron Pushti. Dhe kjo disi është e vetëmjaftueshme për ta perceptuar luftën e mundshme që zhvillohet midis tyre. Por i mbetet ndërgjegjes së rrëfimtarit për ta kristalizuar me anë të rropatjeve të tij shpirtërore, duke rrëshqitur herë në suazat e qenies së vet, e herë në atë të dytëshorit të saj. Në fakt tërë komunikimi me dytëshorin është gati i padiktueshëm, një lloj simbioze psikologjike e cila vepron në të njëjtën hapësirë përkatëse. Vetëm realiteti objektiv është i njëjtë, ai është probabil e hipotetik, pra vetëm mund të përfytyrohet, por assesi nuk është i huaj e i panjohur. Kështu, e gjithë kjo luftë e brendshme që zhvillohet në qenien e personazhit, është dhembje e pafund e cila mëton të ketë një shthurje, ndoshta edhe traumatike e fatale, por gjithsesi me dëshirën e vetme që të jetë e bardhë. Sipas kësaj na bëhet e qartë se zëri i ndërgjegjes së njeriut është përcëllues, shkallmues, tronditës, i pamëshirshëm, madje edhe tragjik. Autori na e shpalos atë me mjeshtëri nëpërmjet personazhit të tij për të na mishëruar thellë dhe për të na vënë në sprovë me qenien tonë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora