E diele, 28.04.2024, 07:24 AM (GMT+1)

Kulturë

Xhevahir Cirongu: Si ngjyrat e ylberit mbi det

E shtune, 06.02.2016, 04:34 PM


Poezitë janë derdhur si ngjyrat e ylberit mbi det

(Vështrim rreth librit me titull ’’Po t’ua thoja reve’’, poezi të autores Fatbardha Lile)

Nga Xhevahir Cirongu

Nuk është von që të hedhësh në letër kujtimet e jetës. Vetë jeta jonë është  si një ‘’Gur i çmuar’’ në këtë botë të madhe që na rrethon. Pikërisht, kjo botë ku edhe ne ‘’lundrojmë’’ përballemi me gëzimet e hidhërimet e saj. Ne ecim me hapin tonë të lehtë drejt rrugëve të kësaj jete, dhe si rrjedhojë u marrim erën e bukur petaleve të luleve që na gëzojnë  deri në skutat e shpirtit tonë njerëzor. Por jeta sjell edhe ujra të turbullta që  derdhen në përrenjtë e jetës sonë. E megjithatë, ne nuk ligështohemi, por ecim mbi ata gurë të zjarrtë e i themi kësaj jete: ‘’Jemi këtu bashkë në gëzim e hidhërime!’’. Jemi qënie njerëzore, e si të tillë kemi ndjenja, ato shpërthejnë si vullkan e nxjerrin nga brendia e shpirtit atë llavë fjalësh të bukura  si zjarri që kur shkruhen në letër, të ngrohin shpirtin e trazuar, zgjojnë kujtime të cilat fluturojnë drejt hapsirës qiellore, puthen me yjet ,diellin e hënën .

Për poeten Fatbardha Lile, vargu i poezisë dhe poezia në tërësin e saj, është bërë pjesë e jetës, dhe si e tillë tek ajo ka gjetur ngrohtësi e forca emecionuese e frymëzuese për t’u bërë ballë enigmave të jetës.  Po të hedhësh një vështrim me kujdes te leximi ndjeror  e shpirtëror në  poezitë të saja te libri me titull ‘’Po t’ua thoja reve’’, do kuptosh se ke të bësh me një poete ku vargu poetik është gjallë dhe konkret, sepse figurat e përdorura te poezia kanë mesazh të fuqishëm që e rrëmben pas vetes lexuesin. Në këtë vëllim janë përmbledhur 46 poezi. Tematika është gjithpërfshirëse nga të gjitha temat e jetës.  Poetja përdor metafora e krahësime të fuqishme në vargjet e poezive. Ajo ka ditur të ndërthuri  me mjeshtëri  artistike ndjenjën e botës së madhe që ka  nëna. Sepse, edhe ajo vetë është nënë e gjyshe tashmë, ndaj mesazhi që na përcjell nëpër poezitë në këtë vëllim të parë, lexuesi do gjejë dashurinë e nënës, por s’do mungojë edhe dhimbja që edhe kjo është pjesë e jetës sonë.  Imagjinata e poetes Fatbardha Lile shkon deri atje sa takohet me retë, me dritën e hënës, me yllin polar...!

Te poezia ‘’Po t’ua thoja reve’’ nga ka marrë edhe titullin libri, e shpreh hapur artistikisht ndjenjën e fjalën , e që frymon deri në qiell së bashku me ëndrrat.

   konkretisht:

‘’Ç'kam një hall në zemër

S'di se kujt t'ia hap,

Po t'ua thoja reve

Ato ikin  me vrap.


Po t'ia thoja hënës

Do tallet me mua,

Do më shohë vëngër

As këtë s'e dua.

 

Do t'ia them një ylli

Të ndritur polar,

Me kusht që ta mbylli

Në ndonjë sirtar ’’.

 

Poetja Fatbardha Lile, ka ditur të na sjellë tek ky libër vargje të dlira edhe për nënën. Vargu është i thjeshtë në dukje, por kur e lexon atë, ai të jep ngrohtësi e dashuri. Autorja shkon deri aty kur thotë se nënës po i lype zjarrin e zemrës, ajo ta dhuron me dashuri, sepse është vetëm nëna ajo që jep e fal dashuri në këtë botë.Nëna është qënia e ripërtëritjes së botës njerëzore, prandaj ka atë zjarr të madh brenda shpirtit e që sakrifikon aq shumë për veten e të tjerët.

....Dhe ajo na jep këto vargje magjike që i dalin nga zemra e një nëne që është vetë poetja.

 

‘’ I kërkova dashurinë nënës,

Ajo ma dha menjëherë.

I lypa zjarrin e zemrës

E s'ma kurseu asnjë herë.

 

Ç'i kërkova e s'ma dha

N'ato kohëra me gjëmë...

Si ajo në botë s'ka

Ah, dhëmshuri e dlirë nëne.’’


Vetë poetët kanë shumë ëndrra. Dhe këto ëndrra s’kanë kurrë fund, por udhëtojnë ngado nëpër komzosin krijues të tyre. Poeti është i ndjeshëm ndaj  të gjthave  fenomeneve të natyrës dhe të atyre shoqërore.  Si i tillë ato i hedh në ‘’liqenin’’ e ëndrrave për t’u dhënë jetë si një zambak të bardhë e i kthen në vargje poezie të shkruara në letër. Shpesh ajo i bën pyetje vetes se ku shkuan ëndrrat? Kjo e mundon shumë poeten, sepse vetë jeta qënka një ëndërr, e cila me kalimin e viteve, bëhet më e dhimbshme vetë ëndrra jonë. Në poezinë me titull     ‘’Ku shkuan ëndrrat?’’, na jep shkurt e sakt një pyetje sa metaforike, por edhe të vërtetë , sa kur lexon vargun poetik, ai të rrëmben e të mban në gjirin e vet, ashtu si nëna fëmijën kur i jep qumshtë nga sisa e saj. Poezia e kësaj poetjeje është e shkurtër, s’ të mundon kur lexuon vargun, ai është i thjesht, gjen fjalën e ‘’shtrydhur’’ nëpër vargjet si një centrifug kur nxjerr nga hojet mjalin e bletëve.

‘’ Ku shkuan ëndrrat e mia

Se dua që t’i bëj bashkë,

Copa jete, - historira,

Që rrugëve seç i lashë.

 

Furtuna m'i çoi larg

Pa mëshirë s'di se ku,

Ç'ishte vallë ai hark

Që i flaku tutje ashtu.

 

Pishmanet e mia ç'ju humba

E dot s'ju mbledh më në varg,

Ku bëni tani kollotumba,

Në ç'plazhe, e në ç'dete larg?’’

 

Në poezinë ‘’Natë vjeshte’’ ka një ndërthurje filozofike e artistikoletrare në brendinë e mesazhit kolorit në çdo strofë, me një thirrje të fuqishme që buron nga thellësia e shpirtit të vetë poetes.Poezia ka një ndërtesë të fortifikuar aq bukur, sa të gjitha linjat e saj jepen të kthjellta e janë skalitur fjalët ku ndrisin si vesa e mëngjeseve që bie mbi bar në pranverë.Poetja e ka titulluar kështu, jo pa qëllim, sepse vjeshta ka shumë ngjyra, e si rrjedhojë edhe ëndrrat tona janë të ngjyrosura me këto ngjyra.Pra, jeta njerëzore është si një det, ku aty lundrojnë varkat e mendimit tonë.Më konkretisht poetja Fatbardha Lile shkruan kështu:

(............................................)

‘’Pikturoj,kujtoj ç'më iku...,

Kohën që qenka flori,

Por ëndrrat tona fisnike

S'janë si ato tani.

 

Vëtet ëdrrat e mia

M’u bënë natë vjeshte,

Nuk i vura dot në jetë

Por piktura e poezia

M'u bënë realitet’’.

( ................................)

Ndërsa te ’’ Loti i nënës’’,për poeten është pengu më i madh i kësaj jete.

‘’ Ah, lotët i desha dhe dua

Ata i pata shokë e miq,

Se ilaç ishin për mua

Në botën lavire,eksiq.

Tek mua mbeti

Veç loti i ngrohtë i nënës’’.

Vendlindjen e saj, Lushnja ku edhe ka lindur poetja, e do aq shumë sa atë s’e krahëson me asnjë qytet edhe më të bukurin e botës.Edhe shiprti i digjet për baltën e tij.Shkëputëm disa vargje nga poezia me të njëjtën titull aq domethënës ‘’Në çdo plis dheu’’, ku rrinë fshehur ëndrrat e loti i poetes.

‘’ Pashë Barin e Venecien,                                                                                             Romën,

Zhytur mes artit e industrisë.

Por ato kurrë s'krahasohen

Me Lushnjën time të rinisë’’

(............................................)

Mesazhi që jep poetja është i qartë si drita e diellit që ngroh planetin tonë. Poetja kërkon një gjë të tillë, që edhe poezia të jetë e dashur dhe e ngrohtë për lexuesin e gjithë njerëzit në çdo skaj të globit tonë.Pra, kudo mbretëroftë dashuria njerëzore, dhe ëndrrat e shpresave tona të jenë vetë mrekullia . Ajo na  e përcjell me krenari te poezia ‘’Në skajet e planetit’’, një thirrje prej nëne e poetjeje.

(.......................................)

‘’ Shirat na i qullën teshat

dhe era sërish i thante

po ne s'i humbisnim shpresat

se mrekullia do ngjante..’’

Në libër poezitë janë derdhur si ngjyrat e ylberit mbi det.Dhe së fundi,

poetes Fatbardha Lile i urojmë sukse në rrugën e bukur letrare.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora