E premte, 01.11.2024, 12:59 AM (GMT)

Faleminderit

Shefki Sejdiu: Nëna Tereze - Personaliteti më i pakontestueshëm i shekullit XX

E merkure, 06.08.2008, 05:21 PM


NËNA TEREZE - PERSONALITETI MË I PAKONTESTUESHËM I SHEKULLIT XX

Nga Prof. dr. Shefki Sejdiu, Prishtinë

Zonja dhe zotërinj, viti 2003 është vit i madh për ne shqiptarët dhe për mbarë botën humaniste. Është vit i shenjtërimit të personalitetit më të pakontestueshëm të shekullit njëzet, i shenjtërimit të Nënës Tereze që u lind në Shkup të Arnautllëkut, siç quheshin atë botë tokat shqiptare nën Turqi, nga prindërit shqiptarë të besimit katolik, babait Kolë Bojaxhiu, i lindur në Prizren, dhe nëna Drane e lindur në një fshat të rrethinës së Gjakovës.
Babai, Kolë Bojaxhiu nga Prizreni me familje u vendos në Shkupin e atëhershëm, qytet prej 45 mijë banorësh, nga të cilët 25 mijë ishin shqiptarë, 15 mijë bullgarë e 5 mijë të tjerë. (Louis Jaray, “L’Albanie inconnue”, Paris 1913, deuxième édition.) Kolë Bojaxhiu punoi dhe zhvilloi një aktivitet të dendur kulturorë, humanitar e kombëtar: intelektualist, materialisht dhe politikisht i ndihmonte bashkëkombësit e vert në periudhën më vendimtare të luftës për çlirimin e tokave shqiptare akoma nën okupim të Turqisë. Shtëpia e kolës ishte vend ku mblidheshin veprimtarë humanistë e atdhedashës të periudhës para vitit 1912 deri në vdekjen e tij në vitin 1919. Ndër këta atdhedashës ishin edhe Hasan Prishtina, Nexhip Draga, Bajram Curri. Ne nje familje te tillë pra u lind Gonxhja, bija kosovare, motra dhe nëna e të gjithë skamnorëve të botës. Aty, në atë familje bujare, Gonxhaj mori edukatën e parë dhe në qytetin e lindjes! mori edhe mësimet e para ku u dallue për cilësi të lartë intelektuale, morale dhe njerëzore.
Edhe pse baba Kolë vdiç mjaft i ri dhe në rrethana fort të dyshimta, ngase gjithnjë ishte i angazhuar në mbrojtjen e bashkëkombësve të vet nga shtypja e pushtuesve antishqiptarë, njëherë turq pastaj sllavë, nëna Dranje arriti t’i rrisë tre fëmijë në mënyrën më të mirë., kurse Gonxhja, e cila kishte trashëguar shpirtgjerësinë e t’et dhe fisnikërinë dhe qëndresën e s’amës, për vokacion zgjodhi bamirësinë dhe vendosi të bëhet motër nderi, motër e të gjithëve. Mirëpo edhe dëshira tjetër e saj e fëmijërisë që të mësojë dhe të bëhet mësuese u realizua në Kalkutën e largët të Indisë. Që të mund t’u ndihmonte sa më shumë njerëzve ajo dëshiroi t’i thellonte njohuritë, andaj edhe i vijoi studimet universitare që të bëhej profesoreshë, pastaj edhe drejtoreshë e Kolexhit shumë të njohur të Shën M’risë në Kalkutë.
Mirëpo, njeriut si homo rationalis i lind dëshira e shtyrë nga një forcë e pashpjegueshme dhe e brendshme që të përcaktohet përjetësisht për një vokacion dhe, pasi që te familja e saj tradicionalisht ishte e pranishme dhe e kultivuar mirësia si ndjenjë dhe mirësia si veprim, te Gonxhja, pastaj motra Teresë, këto kishin mbështetje edhe mbi baza të tjera morale e intelektuale e të përcjella edhe nga një urtësi e thellë humaniste. Këto virtyte të lindura e të fituara e përcaktojnë përjetësisht vokacionin e saj prej bamirëseje. Andaj në vitin 1948, kur motra Terezë kishte vetëm 38 vjet, braktisë edhe profesurën, edhe pozitën e drejtoreshës dhe tërësisht i kushtohet bamirësisë, kur filloi t’i vizitojë lagjet e varfra të Kalkutës, për t’u bërë mësuese edhe nënë e skamnorëve. Për t’u ardhur në ndihmë të sëmurëve dhe të varfërve Nëna Tereze formoi Rregullat e Motrave të Dashurisë, përkatësisht Shoqërinë e Mi! sionareve të Dashurisë që, pastaj të themelojë më tepër se katërqin institucione bamirësie (strehimore, shkolla, spitale) në anë të ndryshme të botës, ku pikëllimi shndërrohej në shpresë, vaji dhe loti në buzëqeshje, molisja në këndellje dhe forcë.
Fama e saj bamirëse përhapej në të gjitha kontinentet, adhurimi gjithashtu. Shumë individë, personalitete dhe institucione të botës mbarë e çmojnë punën e Nënës Terezë dhe korrespondojnë me të. Për veprimtarinë e saj bamirëse jipen shumë mirënjohjeje dhe diploma nga institucione të shumta të botës. Ndër to është edhe Çmimi Nobel për Paqe, që jepet edhe për veprimtari humanitare, që, njëkohësisht ishte edhe mirënjohjeje e mburrje edhe për ne, për popullin nga doli Nëna Terezë. Kjo bijë dhe motër jona, që si fëmijë dëshironte të bëhej mësuese, u bë edhe mësuese, edhe profesoreshë, edhe humaniste e madhe, edhe doktor nderi e Universitetit të Nju Jorkut, por Ajo do të flasë edhe nga foltorja e sallës së madhe universitare e Oslos, nga Katedra e Paqes. Të gjitha këto veprime dhe vepra i bëri për të mirën e të tjerëve, për të mirën e njerëzimit. Të gjitha ato mirënjohjeje që iu dhanë, edhe pse me dekada jasht! ë vendlindjes e atdheut, Nëna Terezë nuk e harroi gjakun dhe popullin e vet. Pas dorëzimit të Çmimit Nobel më 1979 në Oslo, pyetjes së një gazetari jugosllav se Ajo “ e lindur në Jugosllavi e jeton në Indi, si e ndjen veten?”. Ajo i përgjigjet: “për sa i përket gjakut unë jam shqiptare, indiane jam për kah nënshtetësia, motër- murgeshë katolike, për kah thirrja (vokacioni) që i përkas gjithë botës”. (Shih, Dom Lush Gjergji, “Nëna jonë Tereze”, f. 210). Në një deklaratë dhënë Radio Prishtinës më 10 dhjetor 1979, Nëna Terezë thotë: “... unë gjithmonë e kam në zemër popullin tem shqiptar...”.
Shumë individë, të vegjël e të mëdhenj, të varfër e të pasur, të anëve të ndryshme të botës, shkrimtarë, intelektualë e humanistë, shtetar e institucione dhe asociacione humanitare, kulturore, shkencore dhe nacionale i kanë shprehur admirim, i kanë thurur vargje e këngë dhe e kanë uruar e përgëzuar për veprimtarinë e pashembullt humanitare si edhe për mirënjohjeje e shumta që mori, sidomos me rastin e ndarjes së Çmimit Nobel.
Ndër të shumtit, për këtë rast do të përmendja Bashkësinë Shqiptaro-Ameriakne nga Nju Jorku që i drejtohet Nënës Tereze me këto fjalë: “Ne anëtarët e Bashkësisë Shqiptarto-Amerikane, të përbërë nga tri grupet fetare: myslimanë, katolikë dhe ortodoksë... mendojmë në ju me respekt dhe falënderim. Kjo me të vërtetë është mrekulli, posaçërisht për Ju dhe për ne... sepse jeni bartëse e dashurisë dhe e mirëkuptimit, në dobi të të varfërve të tjerë të botës dhe për shërbimin e madh humanitar”. (Shih, Gjergji, ibid, 173).
Te ne në Kosovë dhe më gjerë ndër shqiptarë nuk e di se sa është përcjellë më përpara veprimtaria e Nënës Terezë dhe sa është ditur të vlerësohet veprimtaria bamirëse e saj. Personalisht mendoj që nuk kemi ditur ta vlerësojmë dhe ta çmojmë sa duhet veprën madhore humanitare të saj. Ndoshta për arsye se më përpara ishim të preokupuar rreth sigurimit të ekzistencës individuale e kombëtare, pastaj ndoshta kishte edhe momente dhe raste të egoizmit dhe të individualizmit të tepruar, e ndoshta, edhe të ngarkesave të tjera ideologjike e religjioze, por, mendoj që, në tri dekadat e fundit edhe masa e gjerë ndër ne, e edhe të tjerët, duket të jenë ndërgjegjësuar duke parë se njeriut për ta bërë një jetë dinjitoze i duhet jo barbaria por civilizimi, jo urrejtja por dashuria, jo lufta por paqja, jo injorimi a përbuzja por respekti, jo intoleranca por mirëkuptimi jo indiferenca po dëshira dhe përpjekja për harmoni, bashkëpunim! dhe bashkëveprim për të mirën e të gjithëve pa dallim race, kombi, gjuhe, kulture e besimi. Njeriut, që të bëjë jetë dinjitoze, i duhet jo skamja e uria por begatiaedhe materiale, edhe kulturore, edhe morale, edhe shpirtërore, pra o mjerimi, por lumturia, mesazhe që dalin nga vepra madhore e Nënës Tereze, Nënës që nuk i përkiste më vetvetes, por bashkësisë, moralit, religjiozit, njerëzimit. Ajo duke bërë vepra bamirësie si ndjenjë dhe si veprim, krijoi një filozofi veprimi mbi bazë të mirësisë, pra bamirësinë si vlerë morale e njerëzore të shkallës më të lartë.
Nëna Terezë me filozofinë dhe veprimtarinë e Saj mirëbërëse e bamirëse bëhet sinonim dhembshurie e mëshire, butësie e dashamirësie, mirësie e bamirësie, durimi e mirëkuptimi, shpirtmirësie e shpirtmadhësie, zemërbutësie e zemërgjerësie, thjeshtësie e fisnikërie,, alturizimi e humanizmi – të gjitha këto atribute shenjtësie.

(Kumtesë e lexuar në Stubëll të Vitisë, në tribunën “Ditët e Dom Mikelit”, 20 shtator 2003)



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora