E hene, 29.04.2024, 08:53 PM (GMT+1)

Faleminderit

Ismail Qemali, Ja kontributet për dijen dhe shkollën shqipe

E diele, 03.08.2008, 07:28 PM


Ismail Qemali
Nga Admirina Peçi

Ismail Qemali, jo vetëm që ka dhënë një kontribut kolosal në fushën e arsimit dhe gjuhës shqipe, por ka luftuar me të gjitha mjetet, si përfaqësues i deputetëve shqiptarë, në Parlamentin e Perandorisë Osmane, që Shqipëria të fitonte autonominë dhe të kishte “liri të plotë për të mësuar e përparuar në gjuhën e vet”.
Darling Vlora, stërnip i Ismail Qemalit, na sjell një varg faktesh dhe argumentesh, për të rrëzuar të gjithë pretendimet e pabaza që ngriti rektori dhe senati i Universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë, për heqjen e emrit të plakut të Vlorës nga ky universitet. Kjo bisedë na zbulon një pjesë të mirë të përpjekjeve të Ismail Qemalit, për dijen, publicistikën, studimet dhe shkollën shqipe. Por na sjell dhe fakte krejtësisht të panjohura për shqiptarët. Darling thotë në këtë intervistë se “më 1911, në 12 pikat e Memorandumit të Gërçes (23 qershor 1911), atij dokumenti të rëndësishëm historik që pasi kryengritjet shqiptare me program kombëtar, hartuar prej Ismail Qemalit dhe Luigj Gurakuqit (shkruar frëngjisht nga vetë Ismail Qemali dhe shqip nga i biri i tij, Qazim bej Vlora), pika Nr.4 dhe Nr.8 i kushtoheshin çështjes së gjuhës shqipe. Me tej Darling flet për kontributin e drejtpërdrejtë për hapjen e një varg shkollave në kohën kur ishte në krye të Qeverisë së Vlorës si dhe për disa vepra e studime pak të njohura prej nesh.

Darling, çfarë ndjesie ju shkaktoi lajmi për heqjen e emrit të Ismail Qemalit nga Universiteti i Vlorës?

Unë jam larguar nga Shqipëria më 1998-ën, dhe që nga ajo kohë jetoj në Itali, por, megjithatë, nëpërmjet shtypit on-line kam ndjekur gjithmonë lajmet nga vendi ynë. Propozimin e Rektorit, të miratuar me maxhorancë nga Senati, mbi heqjen e emrit të Ismail Qemalit nga Universiteti i Vlorës, e lexova më 28 korrik dhe, të them të drejtën, nuk u besoja syve... Menjëherë ndjeva nevojën t’i komunikoja direkt z.Shaska indinjatën time më të thellë për këtë vendim kaq absurd dhe fyes. Njëkohësisht dhashë edhe një intervistë, në gazetën online Hermes News, më 30 korrik, ku realisht mund të shikohet ajo ç’kam ndjerë në ato momente tepër shqetësuese. Për mua personalisht, ky vendim, ishte shumë i rëndë: si shqiptar, si vlonjat, por, mbi të gjitha si pasardhës i Ismail Qemalit. Gjatë diktaturës komuniste ne, pasardhësit e Ismail Qemalit, që jetuam në Shqipëri, jemi përndjekur politikisht, në të gjitha format, që nga burgimet e deri në mbylljet e dyerve të shkollave, punërave nga më të rëndat, etj.,etj. Ajo ishte një periudhë e zezë për Shqipërinë. Por, në qoftë se në atë periudhë mund të prisje çdo gjë, sot, në demokraci, veprime të tilla të turpshme dhe antikombëtare, kushdo qoftë shkaku i tyre, por që fyejnë rëndë Simbolet e Kombit, të cilat na bëjnë të ndjehemi krenarë, jo vetëm që s’duhet të ekzistojnë, por duhet të ndëshkohen. Edhe pak vite na ndajnë nga 100 vjetori i krijimit të shtetit shqiptar dhe, në një kohë kur pritet që ngjarja madhore e Shpalljes së Pavarësisë, të dalë në pah me tërë madhështinë e duhur, siç i ka hije çdo kombi të qytetëruar, në Vlorë goditet Ismail Qemali; Njeriu i Pavarësisë; Njeriu i Flamurit...
Megjithatë, ajo që më mbushi me kënaqësi, sepse siç thotë populli, çdo e keqe e ka një të mirë, dhe që sigurisht e prisja, qe reagimi i menjëhershëm mbarëkombëtar, i cili, edhe pse tashmë është mësuar me “çudirat” shqiptare, në këtë rast do reagonte, se me prekjen e Ismail Qemalit, preket sedra kombëtare, preket Shqipëria. I fortë reagimi i medias; i denjë reagimi intelektualëve dhe akademikëve...

Si e komentoni argumentin e dhënë prej rektorit të këtij Universiteti, se Ismail Qemali nuk ka dhënë ndonjë kontribut për shkollën shqipe?

Motivin e vërtetë të këtij vendimi sigurisht që e di vetëm Rektori dhe pjesa e Senatit që votoi pro. Midis “argumenteve” shtrohet motivi se Ismail Qemali “s’ka qenë përfaqësues i arsimit dhe shkencës” dhe, për këtë arsye emri i tij nuk është “i denjë” për të përfaqësuar Universitetin e Vlorës. Përgjigjen e duhur, për këtë këto “argumente” krejtësisht absurde, e kanë dhënë vetë shqiptarët, me shprehjen e indinjatës së tyre ndaj këtij veprimi të turpshëm, si dhe përfaqësues me emër të botës akademike, të cilët sigurisht Veprën e Ismail Qemalit e njohin shumë më mirë sesa ata që morëm këtë vendim. Disa akademikë (në Gazetën Shqiptare, 29 korrik), kanë renditur një sërë përpjekjesh dhe arritjesh të Ismail Qemalit, në krye të Qeverisë së Vlorës, që e bëjnë më se të denjë të quhet “përfaqësues i arsimit dhe shkencës”. Po ashtu mendimi i Rexhep Qosjes i cili, thellësisht i indinjuar për këtë “çmenduri morale dhe historike” i cilëson “Kujtimet” e Ismail Qemalit, këtij “arsimdashësi të madh”, “më të rëndësishmet historike në letërsinë shqipe”, për mos përmendur këtu mendimet e dhjetëra akademikëve të tjerë, profesorëve, historianëve, etj.
Ismail Qemali, jo vetëm që ka dhënë një kontribut kolosal në fushën e arsimit dhe gjuhës shqipe, por ka luftuar me të gjitha mjetet, si përfaqësues i deputetëve shqiptarë, në Parlamentin e Perandorisë Osmane, që Shqipëria të fitonte autonominë dhe të kishte “liri të plotë për të mësuar e përparuar në gjuhën e vet”. Kërkesat e Shqiptarëve, për të pasur gjuhën e tyre, Ismail Qemali do t’i skaliste në flakët e kryengritjeve. Më 1911, në 12 pikat e Memorandumit të Gërçes (23 qershor 1911), atij dokumenti të rëndësishëm historik që pasi kryengritjet shqiptare me program kombëtar, hartuar prej Ismail Qemalit dhe Luigj Gurakuqit (shkruar frëngjisht nga vetë Ismail Qemali dhe shqip nga i biri i tij, Qazim bej Vlora), pika Nr.4 dhe Nr.8 i kushtoheshin çështjes së gjuhës shqipe. Në krye të Qeverisë së Vlorës, ku Ministër i Arsimit ishte patrioti i shquar Luigj Gurakuqi, Ismail Qemali hodhi bazat e arsimit kombëtar, falas dhe laik, duke hapur, në një kohë mjaft të shkurtër dhe të vështirë, dhjetëra shkolla për të mësuar nxënësit dhe për të nxjerrë kuadro të rinj.

Ismail Qemali ka dhënë një kontribut të vyer edhe në publicistikë, si në botimin e disa gazetave por edhe artikuj që mbajnë firmën e tij...Ç’mund të thoni për këtë fushë të veprimtarisë së tij?

Ndodh shpesh herë, përgjatë viteve, vepra madhore e një njeriu duket sikur eklipson veprimtarinë e mëparshme të tij, megjithatë, unë kam mendimin se edhe sikur Ismail Qemali mos kishte qenë protagonisti i Pavarësisë sonë, padyshim do zinte një vend të nderuar dhe të rëndësishëm në Rilindjen Kombëtare shqiptare, për aktivitetin e madh që luajti në të.
I ushqyer që në vegjëli nga iluminizmi francez, nga madhështia e Francës dhe Anglisë, nga historia e Greqisë së lashtë, profesorët e së cilës, siç do kujtonte vetë ai, “kishin qenë nga më të shquarit e kohës”. Ismail Qemali, që në rini, u rreshtua në krahun më përparimtar të rilindësve shqiptarë. Që më 1867 atë e gjejmë në mbledhjet e patriotëve shqiptarë në Stamboll, përkrah Jani Vretos, Pashko Vasës, Kostandin Kristoforidhit, Hoxha Tahsinit, etj. në përpjekje për të krijuar shoqëri kulturore, me qëllim që të përdornin alfabetin latin për gjuhën shqipe; për të botuar libra dhe të hapnin shkolla shqipe.
Gjatë periudhës 40-vjeçare në shërbim të Perandorisë Osmane, ku bënte pjesë edhe atdheu i tij, Ismail Qemali dha një kontribut të çmuar edhe në fushën e arsimit. Për herë të parë, si publicist, atë e gjejmë drejtues të redaksisë së gazetës “Danubi”, që dilte në Rusçuk (Bullgari), qendër e vilajetit të Danubit. Po në këtë qytet Ismail Qemali nxori edhe revistën “Burimi i mendimeve”, të cilën e ribotoi gjatë vitit 1899, në Stamboll. Ribotimi i kësaj reviste përparimtare i acaroi më shumë marrëdhëniet e tij me Sulltanin i cili, personalisht, bëri presion për mbylljen e saj. Pas arratisjes nga Turqia, më 1900, për ti shërbyer çështjes kombëtare dhe për të pasur një organ ku të shpaloste idetë e tij, Ismail Qemali bashkëpunoi me Faik Konicën, i cili nxirrte gazetën “Albania”, në Bruksel. Pas largimit të Faik Konicës nga Belgjika, Ismail Qemali nisi botimin e gazetës “Shpëtimi i Shqipërisë”. Pesë numrat e kësaj gazete (në gjuhën shqipe dhe greqishte), janë shkruar krejtësisht nga Ismail Qemali. Përmbajtja e kësaj gazete, mjaft interesante, ku Ismail Qemali del krejtësisht në një përmasë tjetër, është e panjohur në vendin tonë. Deri dje nuk dihej në mund të gjendej koleksioni aq i kërkuar i kësaj gazete. Sot, një miku im në Athinë, pas një pune këmbëngulëse, ka nisur mbledhjen e mjaft dokumenteve interesante, të panjohura mbi Ismail Qemalin, ku bëjnë pjesë edhe artikujt e gazetës “Shpëtimi i Shqipërisë” dhe po përgatit një studim që, së shpejti do ta publikojë.

A e njohin plotësisht shqiptarët veprën e Ismail Qemalit?

Prof.Jakov Milaj (1911-1997), në artikullin “Një figurë e shkëlqyer - Ismail Qemali” (“Arbëria”, Tiranë 1944), shkruan se “ne shqiptarët i njohim shumë pak farkëtarët e pavarësisë sonë kombëtare. Ismail Qemalin e njohim më pak nga të gjithë, sado që është elementi m’i rëndësishëm i Rilindjes sonë...” dhe, sipas mendimit tim, kjo gjë, edhe pse kanë kaluar shumë vite, është më se e vërtetë. Në veprën “Collected Works”, shteti indian, për të nxjerrë në pah me tërë madhështinë e mundshme, ka përmbledhur, në 100 vëllime (me rreth 50.000 faqe), fjalimet, intervistat, shkrimet, artikuj gazetash, letra, etj., pra gjithë aktivitetin e njeriut të madh Gandi, duke i bërë kështu një shërbim të jashtëzakonshëm historisë së vendit të tyre dhe më gjerë dhe, njëkohësisht, duke respektuar dhe nderuar sakrificat që Gandi bëri për kombin e tij. Unë nuk dua të bëj krahasime, por ky është vlerësimi që meritojnë njerëzit e mëdhenj. Për Ismail Qemalin, Simbolin e Pavarësisë, atë që patriotët, bashkëkohës të tij, e kanë cilësuar Cavour-in e Shqipërisë apo Gladstone, historiografia jonë ka bërë shumë, shumë pak, rreth 5-6 punime që, ndoshta, po t’jua mbledhësh faqet janë më pak se vetë “Kujtimet” e Ismail Qemalit!!! Një punim mjaft interesant dhe krejtësisht i panjohur tek ne, është studimi që Ismail Qemali përgatiti me rastin e Luftës së Transvaal-it (shkruar në frëngjisht, anglisht, arabisht, turqisht). Në këtë studim Ismail Qemali shpjegon arsyet e arratisjes së tij nga Turqia si dhe dëshirën për të shprehur ndjenjat e botës myslimane karshi veprës civilizuese të Britanisë së Madhe. Studimi u botua në revistën prestigjioze angleze “Fortnightly Review” (janar 1901) dhe, po atë vit, u botua në Paris, si broshurë më vete. Një kopje të këtij libri, me shumë vështirësi, unë munda ta blej dhe, së shpejti, do ta paraqes në publik.
Një punim tjetër akoma më i rëndësishëm në fushën publicistike janë “Kujtimet”, që Ismail Qemali shkroi gjatë viteve 1915-18 (kur jetonte në Paris), në bashkëpunim me dy gazetarë dhe shkrimtarë të njohur amerikan: William Morton Fullerton dhe Sommerville Story. “Kujtimet”, luksoze për kohën, u botuan më 1920, një vit pas vdekjes së Ismail Qemalit, në Londër (nga Constable and Company LTD) dhe New York (nga Dutton and Company). Këto “Kujtime” janë përfshirë në bibliografinë e qindra librave historik të autorëve të njohur, ndërsa në Shqipëri nuk lejohej të përktheheshin dhe, aq më keq, të studioheshin. Në Bibliotekën Kombëtare, para viteve 1990, që të lexoje “Kujtimet” e Ismail Qemalit duhet të kishe autorizim. Më 1997-ën, privatisht dhe nuk e di për çfarë interesa, “Kujtimet” janë përkthyer në gjuhën shqipe, por në një nivel dhe cilësi mjaft të ulët: plot gabime drejtshkrimore, deformime frazash e mendimesh, etj.
Mjaft interesant dhe i rëndësishëm është fakti, gjithashtu i panjohur, se, më 1943, shkrimtari i njohur çifut Joseph L.Baron (1894-1960), do përfshinte në antologjinë “Stars and Sand” (Jewish notes by non-jevish notables) mendimet dhe përpjekjet e Ismail Qemalit, për të ndihmuar çifutët e persekutuar të Rumanisë. Në këtë antologji janë përfshirë mendime të njerëzve të shquar, shkrimtarë, filozofë, politikanë, burra shteti, etj. si Victor Hugo, Honore de Balzac, Otto Bismarck, Charles De Gaulle, Georges Clémenceau, Mohamandas Gandhi, William E.Gladstone, Ulysses Grant, Thomas Jefferson, Kemal Ataturk, Martin Luther, Woodroë Wilson, George Washington, e dhjetëra, dhjetëra të tjerë. Ajo ç’ka të jep krenari si shqiptar, tek shfleton faqet e kësaj Antologjie të rëndësishme, është shënimi: “Ismail Kemal Bey, Albanian patriot...”.

Më keni treguar një fakt ngacmues që Liceu i Bolu-s, në Turqi, është ndërtuar nga Ismail Qemali në kohën kur ai ka qene guvernator, gjatë viteve 1884-90. Diçka më shumë mbi këtë histori...?

Ismail Qemali, në “Kujtimet” (të cilat duhet të ishin një objekt i veçantë studimi nga historianët tanë, baza për të njohur siç duhet jetën dhe veprën e tij) shkruan se, më 1884, u emërua guvernator i sanxhakut të Bolu-së (në veri-perëndim të Stambollit). Ismail Qemali, në “Kujtimet”, i lë një vend të konsiderueshëm periudhës 5-6 vjeçare në krye të këtij Sanxhaku. Gjatë kësaj periudhe ai i kushtoi një rëndësi të veçantë edhe çështjes së arsimit. Siç shkruan edhe vetë, mbi kështjellën e Bolu-së u ndërtua një Lice, kurse në qendrat e krahinave u krijuan shkolla sekondare e në të gjitha fshatrat, shkolla fillore. Në vazhdë të kërkimeve të mia, ndesha në një fakt mjaft interesant: Liceu, i ndërtuar nga Ismail Qemali, gjendet akoma edhe sot. Ai mban emrin e nderuar “Liceu Ataturk” dhe, në historikun e tij, shkruhet se u ndërtua pikërisht me nismën e Ismail Qemal beut, gjatë kohës që ishte në krye të këtij Sanxaku.

Çfarë mund të na thuash në mbyllje të kësaj interviste?

Sa herë që kam pstur mundësinë, unë jam munduar të sqaroj opinionin mbi përndjekjen politike që ka kaluar familja ime gjatë periudhës komuniste. Përfitoj nga rasti për ta përsëritur këtë gjë. Në Shqipëri, në vendin për të cilin paraardhësi im sakrifikoi gjithçka (karrierën, pasurinë, familjen), fëmijët dhe nipërit e tij u persekutuan rëndë. E, megjithatë, ne ndjehemi krenarë sepse djemtë dhe nipërit e Ismail Qemalit, duke pranuar vuajtjen, jo vetëm që nuk e njollosën veten e tyre dhe emrin e familjes që denjësisht trashëgonin por, përkundrazi, e lartësuan më shumë atë. Ne asnjëherë, jo vetëm gjatë periudhës komuniste, nuk jemi ftuar në ceremoninë përkujtimore të Festës së Flamurit, për të përfaqësuar Familjen e Atij që Shpalli Pavarësinë, siç bën gjithë Bota e qytetëruar. Im atë, për të sfiduar “pushtetarët komunistë”, shkonte gjithmonë në Vlorë, tek Varri i Gjyshit, për të vendosur një kurorë me lule, në emër të gjithë Familjes, për të demonstruar se pasardhësit e Krijuesit të shtetit shqiptar, gjaku i tij rronte... Sa herë mendja më shkon tek im atë, tek ditët që e shoqëroja në Vlorë, tek Varri i Gjyshit, më kujtohen vargjet e bukura popullore, që duket sikur janë shkruar enkas për të:

 Sa të kem unë këmbë e dorë
Çdo vit do vete në Vlorë
Të shikoj ‘Smail Qemalë
Një kurorë ti vëj mbi varrë



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora