E hene, 29.04.2024, 07:20 PM (GMT+1)

Faleminderit

Aleksandër Kondo, kampioni i peshëngritjes

E premte, 01.08.2008, 06:49 PM


Peshëngritësi që u largua nga Shqipëria tregon të gjitha detajet e largimit të bujshëm për në SHBA

"Aleksandër Kondo, historia e arratisjes"

Flet Muharrem Berisha: Ju rrëfej të gjithë aventurën tonë. Ndarja me Sandrin në Titograd

Nga Dritan Lundra

Të mendoje ikjen nga Shqipëria që në vitin 1983 apo edhe disa muaj më vonë ishte një utopi. Shumë kishin menduar një gjë të tillë, po kaq shumë kishin tentuar, por pak ose aspak kishin arritur të realizonin një gjë të tillë.

Idetë kanë qenë të shumta, mendimet po të tilla, por realizimi ka qenë shumë i vogël për t’u marrë i besueshëm. Megjithatë, në një palestër të vogël mes kampionëve, të cilët shikonin rezultatet, por aspak frytin e punës së tyre, kishte kohë që ziente një bisedë. Një bisedë për largim dhe ikje nga vendi i mallkuar i komunizmit kishte kohë që piqej nga katër kampionë të mëdhenj. Ishin Aleksandër Kondo, kampion i padiskutueshëm dhe njeriu që për herë të parë kaloi limitin e 200 kilogramëve në shtangë; kampioni i vogël, por edhe ai absolut në peshën e tij, Muharrem Berisha; mjeshtri më i madh në përvojë, por dhe në rezultate, Asim Belinova dhe më i riu, por me shumë ambicie, Xhelal Sukniqi. Të gjithë donin të iknin, donin të ishin të lirë në një botë të lirë, donin të ishin kampionë të mëdhenj në një botë që respekton kampionët, por vetëm Sandri dhe Xhelali patën kurajon të mos ktheheshin më në Shqipëri. Një histori, e cila pavarësisht shumë fjalëve, shumë thashethemeve e po kaq shumë hamendjeve, sot për herë të parë në gazetën “Panorama” zbardhet një prej atyre që fatin e kishte të arratisej, por që po ai e ktheu përsëri në Shqipëri. Është Muharrem Berisha, një prej pokerit që duhej të ikte e madje ishte një prej protagonistëve, por që nuk u largua. Ai flet e tregon ngjarjen që nga ideja, nisja e deri në detajet më të fundit e nostalgjia për mikun e tij Aleksandër Kondo.

Berisha, si u njohët me Sandrin?

Një gjë normale, ishim të dy shtangistë të Dinamos e së bashku me Agron Haxhihysenin dhe Asim Belinovën, nën drejtimin e trajnerit të madh Ferid Berberi, bënin stërvitje së bashku. Unë isha më i vogli i grupit, por të tre së bashku arrinim dhe triumfin e Dinamos. Ky ka qenë impakti i parë me Sandrin.

Vetëm kaq pra, të qenit në të njëjtin grup?

Jo, jo vetëm kaq, shumë shpejt ne pamë se kishim shumë gjëra të përbashkëta. Më kryesorja ishte pasioni, ideali që të kërkonim maksimumin dhë bërjen kampionë të mëdhenj, si dhe puna e jashtëzakonshme në stërvitje.

Deklarata shumë teorike. Vetëm kaq ju lidhte?

E kuptoj ku doni të dilni, por duhet të kini parasysh se unë isha më i vogli i grupit. Dëgjoja shumë herë nga Sandri që më thoshte se e ardhmja jonë në Shqipëri është e zymtë. Mbaj mend se pas kampionatit evropian në Spanjë, Sandri më thoshte se gjithçka në Shqipëri kishte marrë fund. Kishte ngritur 200 kilogramë, peshë të cilën të gjithë, madje dhe në botë, do e kishin zili e vendi i tij nuk e përfillte. Ai ishte i pakënaqur. Një ditë, duke diskutuar bashkë ai më thotë: “Shikoji këta njerëz, si të duken ty”. Pashë fshatarë të drobitur, pashë njerëz të cilët vuanin për bukën e gojës, por nuk thashë asnjë fjalë. Isha vetëm 20 vjeç dhe shumë gjëra nuk i kuptoja.

Jemi në vitin 1984...

Pikërisht, megjithatë, prej kohësh edhe unë isha mërzitur shumë me mënyrën e të trajtuarit nga sporti. Të gjithë bashkë mbaronim stërvitjen dhe shkonim në shtëpi ku hapnim edhe një herë dollapet për të ngrënë. Ishte e tmerrshme, nuk ngopnim dot barkun me bukë. Pra, gjithçka të shtynte që të largoheshe.

Një vit mendime dhe asnjë tentativë?

Jo, nuk është e vërtetë. Thashë më lart se me Sandrin kishim kohë që diskutonim. Jo një herë, por shumë shpesh gjatë vitit 1984, por sidomos në vitin 1985, kemi bërë plane për t’u arratisur. Kemi detajuar gjithçka, kemi parë e vëzhguar pikat e kufirit, por nuk kemi vendosur thjesht, sepse e dinim që një ditë do kalonim kufirin me peshëngritjen e aty do ishte më e thjeshtë. Nuk e di, por personalisht kam pasur frikë, duke shpresuar në një dalje jashtë edhe me shokët kishim vendosur që më mirë të mos rrezikonim kaq shumë.

Të kthehemi të arratisja e bujshme e Kondos

Nuk e harroj atë ditë. Ka qenë 48 orë para nisjes për në kampionatin evropian në Katovicë të Polonisë. Sandri fliste shumë e pas shumë pëshpëritjeve atij i ishte hequr e drejta të dilte jashtë shtetit. Jo, më mirë isha dhe unë, por Sandri babanë e kishte shef dege të gardës. Mbaj mend se gjithçka ia kishte rregulluar Mihal Qipo, atëkohë kuadro i lartë në pushtet. Kemi qenë në qendrën e grumbullimit dhe Sandri erdhi me pasaportë e pa një pa dy na tha: “Do ikim në Poloni e që aty do arratisemi”. Në ato momente kemi qenë unë, Asim Belinova dhe Xhelal Sukniqi. Asimi tha po dhe kjo fjalë më ngrohu dhe mua. Ai kishte familje dhe unë isha vetëm 20 vjeç. Besova dhe duke qenë mik i Sandrit thashë edhe unë fjalën time, po.

Pse Sandri kishte vendosur arratisjen

Për mendimin tim për shumë arsye. Pa dashur të them ato që kam thënë më lart më duhet të kujtoj se një vit më parë, në çantën e tij, pas kthimit nga kampionati ballkanik, u gjetën disa fotografi e revista porno. Që atë ditë atij iu pre trajnimi i posaçëm, iu deklarua se nuk do të dilte më jashtë shtetit (gëzimi dhe premio e vetme për sportistët), si dhe pavarësisht rezultateve fantastike, gjithmonë ai kishte persekutimin prapa.

Pse vendosi Katovicën?

E thashë dhe më lart, ishim të katër bashkë, por më entuziasti ishte Sandri. Kur erdhi në qendrën e grumbullimit me pasaportë në dorë e na tha se mora viston për t’u nisur u gëzuam të gjithë. Megjithatë, Sandri ishte dhe shumë besimtar. “Ka ardhur dita, më tha, por më parë të njohim dhe fatin tonë”.

Çfarë do të thoshte kjo frazë e tij?

Në fillim nuk e kuptova, por menjëherë me natyrën e tij shumë ekspresive më tha ta ndiqja. Shkuam afër rrugës së “Fortuzit”, aty ku sot quhet “Dervish Hatixheja”. Nuk hyra brenda dhe nuk e di fallin që u hodh me letra, me filxhan kafeje, apo diçka tjetër. Sandri hodhi një triko (kështu ishte riti) e pas disa minutash doli me një fytyrë të ngrysur.

Përse kështu?

Sapo doli, mbaj mend se ishte natë dhe Sandri më tregoi edhe fatin që do na ndiqte. Nuk e di a të vërteta do jenë fjalët e fallxhores, por ajo më tha teksualisht kështu: “Ti do ikësh dhe shumë shpejt. Ke menduar të ikësh me katër veta; ke menduar me atë që ke shumë afër dhe ke bërë shumë plane, por ai nuk do vijë. Ke menduar të ikësh me një person më të madh, por edhe ai nuk do vijë. Do ikësh me një person, inicialet e të cilit janë XH.S. Nuk e ke parashikuar, por me të do të ikësh”.

Po më pas?

Më pas mbaj mend që Sandri për një moment heshti. Nuk tha më asnjë fjalë, por në ecje e sipër tha dhe diçka tjetër nëpër dhëmbë. Një fjalë që mua më tronditi dhe nuk mund ta harroj dot.

Çfarë tha?

Në fillim ndoshta nuk donte ta thoshte, por më në fund u zbraz. Ne do ikim më tha, por sipas fallxhores, unë do kërkoj të iki larg, por do jem shumë afër. Do vuaj disa muaj e më pas do iki shumë larg, por do vdes shumë shpejt. Miku yt, me të cilin je shumë i lidhur, nuk do vijë, por nëse ti do kesh lirinë, por shumë të shkurtër, ai do jetë gjallë, do ketë jetën, por do vuajë.

Këto fjalë ishin për ty?

Në fillim i mora si të përgjithshme, por në momentin e ikjes së tij në Titograd, kur unë nuk pranova e kjo dhe si pasojë e tërheqjes së Asim Belinovës, Sandri m’u drejtua: “Muharrem, unë po iki. Fatin e di, por më mirë një vit si luan sesa një jetë prej miu. Mirupafshim. Nuk e besova se po ikte, por treni që largohej më krijoi edhe idenë se Sandri po shkonte larg, aq larg sa unë nuk mund ta kapja dot më.

Të kthehemi tek arratisja, kishit bërë ndonjë plan?

Përpara se të mbërrij te plani (në fakt nuk kishim bërë ndonjë plan të madh) dua të them disa gjëra për karakterin e Sandrit. Një muaj para se të shkonim në Katovicë të Polonisë erdhi në shtëpinë time. Të gjithë e njihnin e Sandri fliste dhe e kishte zakon të mos kishte frikë. Babai ishte turni i dytë dhe në shtëpinë time ishte vetëm nëna. Sapo hyri, jo se nuk e kishte parë ndonjëherë, u irritua kur pa fotografinë e Enver Hoxhës varur në mur (kështu ishte koha) e mori dhe e theu. Mamaja ime u llahtaris dhe menjëherë kërkoi të lajmëronte policinë. Sandri me një ton të qetë iu kthye: “Mbaj fotografinë e burrit tënd, jo të këtij krimineli, qetësohu se ne jemi djemtë e t’u”. Në moment mbërriti babai. I lodhur nga puna na tha të bënim ç’të doni, por të kishim kujdes veten.

Keni ikur në maj të vitit 1985, një muaj pas vdekjes së diktatorit, çfarë bëri Sandri atë ditë?

Nëse një muaj më parë theu fotografinë e Enver Hoxhës në shtëpinë time, të njëjtën gjë bëri me të gjitha fotografitë e tij në Qytetin Studenti. Kishte urrejtje e për më shumë, kur kam shkuar ta takoj në dhomë e gjej me magnetofon të ndezur e me zë të lartë dhe ai me një kënaqësi të jashtëzakonshme. Ky ishte Sandri, njeriu rebel ndaj regjimit. Donte me çdo kusht të ikte. Në ato ditë, pasi unë isha i lëkundur ai më drejtohet: “Shikoji këta njerëz (ishin fshatarë të rropatur nga puna), shikoji, ti je kampion i madh, por një ditë edhe ti si ata do të përfundosh. Nuk e besoja në atë kohë, por realiteti ky ishte e Sandri kishte të drejtë.

Edhe një herë te momenti i arratisjes.

Që para nisjes mes nesh nisën polemikat. Unë një natë përpara ika dhe nuk u duka në qendrën e grumbullimit… Kur u ktheva shokët më hapën çantën e filluan kontrollin, nuk kuptova se ç’donin. Megjithatë, plasja kishte ndodhur. Kisha një ide se në vendin organizator nuk të mbanin, por të kthenin. Pikërisht për këtë arsye u thashë miqve se në Poloni nuk mund të kërkonim strehim politik. Duhej të gjenim një vend tjetër. Ngaqë Sandri kishte folur shumë e gjithë Qyteti Studenti e dinte se ne do të iknim dhe duhet të ishim shumë të sigurtë në veprimet tona. Në Poloni zhvilluam garën ku dolëm me rezultate të jashtëzakonshme e të mrekullueshme e duke përfituar prej tyre u drejtuam në një sportel polak për të prerë bileta për në Amerikë. Unë kisha rreth 100 dollarë, po kaq edhe Sandri, ose nëse nuk gaboj të dy bashkë kishim reth 300 dollarë, ndërkohë që Xhelal Sukniqi kishte një çek prej 1000 dollarësh.

Me kaq do shkonit në Amerikë?

Një natë para nisjes për në Beograd u mblodhëm të gjithë në dhomën ku ishte Sandri dhe Sukniqi. Vendosëm të pyesim për biletat për në Amerikë dhe më pas të vepronim. Në këto momente Asim Belinova u tërhoq. Ndikimi i tij ishte i madh, megjithatë vendosëm të pyesnim. Në sportelet e Katovicës, meqë dija fare pak rusisht, mësova se çeku i Xhelal Sukniqit prej 1000 dollarësh vlente vetëm për Shqipërinë dhe ishte i pavlefshëm për jashtë. U pezmatuam dhe u kthyem prapa. Unë me mendjen e dyzuar, pas tërheqjes së Asim Belinovës, Sandri me mendjen top se do largohej.

Nuk kishin rënë në sy përpjekjet tuaja?

Mbase, por të gjithë e dinin se Sandri kishte një idhull në jetën e tij e vdiste për të, ajo ishte e fejuara e tij. Për të mos rënë në sy, si Sandri ashtu edhe unë të gjithë dollarët që kishim me vete i blemë plaçka. Sandri të gjitha për të fejuarën e tij, gjë e cila mbuloi gjithçka. Të gjithë, duke ditur dhe debulesën e tij, menduan se mendja e tij është në Shqipëri. “Ai bleu plaçka për nusen, vdiste për të, edhe kur më kanë pyetur në hetuesi, gjithmonë kam thënë se asnjëherë nuk kam menduar se Sandri mund të arratisej. Kështu mendoja atëherë dhe kështu mendoj edhe sot”. (Ferid Berberi, trajneri i asaj kohe)

Ç’ndodhi pas largimit nga Polonia?

Unë personalisht nuk isha i vendosur, por më shumë anoja nga mosikja, ndërkohë që Sandri e kishte ndarë mendjen. Mbërritëm në Beograd e prej andej me tren u drejtuam për në Titograd, ku na priste dhe autobusi për të na sjellë në Shqipëri. Mbaj mend se ishte ora 6 e mëngjesit. Unë prisja, ndërsa ai i hipi trenit tjetër. “Ti lemë gjërat që kanë ndodhur, më tha. Për gjithçka kërkoj falje, por t’i mos gabo më. Kujto fjalët e fallxhores, unë do iki, fati qoftë me ty”. U largua dhe sot e kësaj dite e kam parasyve ikjen e trenit dhe dorën e Sandrit që vazhdonte të më përshëndeste. Ai iku, ta kthejmë edhe një herë në tokën tonë sot.

A u lidhët më me të?

Që nga ajo kohë më shumë kam qenë i lidhur me hetuesinë dhe kam ndjerë represionin se sa jam marrë me sportin, apo ,me familjen time. Megjithatë, këto nuk i përkasin kësaj historie. Nuk u lidha më me Sandrin, por në vitin 1987, një telefonatë nga Xhelal Sukniqi më habiti. Zëri i dridhej, më lajmëroi për vdekjen tragjike të Sandrit dhe më pas më dorëzoi një kasetë filmike nga ceremonia e varrimit. Ende më duket se jam në ëndërr. Nuk kam besuar kurrë në vdekjen e tij, madje edhe sot, kur po mundohemi të gjithë bashkë për të sjellë eshtrat e tij, më duket se shikoj edhe një herë Sandrin gjallë.

Çfarë ndjeni tani që eshtrat e tij do të vijnë?

Ka tetë vjet që të gjithë përpiqen për një gjë të tillë. Do të jem i qetë vetëm kur të kryhet ky mision. Kjo është një iniciativë e disa personave, në radhë të parë e trajnerit të tij, Ferid Berberi, e miqve të tij, e presidentit të peshëngritjes dhe besoj e gjithë njerëzve që duan sportin. Vetëm kur ky mision të ketë mbaruar, pra eshtrat të kthehen në tokën mëmë edhe unë do jem më i qetë.

Kush është Muharrem Berisha

Lindur në vitin 1964, në moshën 15-vjeçare Muharrem Berisha shpallet për herë të parë kampion. Që nga ajo kohë, pra në vitin 1979, ai bëhet kampion absolut në pesë pesha, duke nisur nga ajo 52 kilogram për të përfunduar në peshën 75 kilogram dhe duke thyer 100 rekorde kombëtare. Ai është bërë kampion absolut i pesë peshave. Në vitin 1984, në Spanjë zuri vendin e pestë, duke sjellur për herë të parë në Shqipëri një rezultat të tillë. Në kampionatin ballkanik në Shqipëri në vitin 1987, në peshën deri në 67 kilogram arrin të marrë për herë të parë në historinë e Shqipërisë tri medalje ari. Kishte deklaruar një muaj më parë rezultatin, por qenia e tij në dhjetë rezultatet më të mira të botës për vitin, ishte tjetër sukses. Ka titullin Mjeshtër Sporti, Mjeshtër i Merituar Sporti, por edhe medaljet për merita të shquara në sport, të marra pas lënies së karrierës, por rezultati më i mirë i tij është në vitin 1983, vetëm 19 vjeç, kur Muharrem Berisha ngre 140 kilogram, dy më shumë sesa kampioni i botës së atij viti. Një jetë e gjatë, shumë e lodhshme mes triumfit dhe dështimit, si pasojë e politikës. Një karrierë, e cila i ka dhënë shumë sadisfaksione, por dhe shumë frikë, sidomos një shterpësi e lodhje psikike, pas arratisjes së shokut e mikut të tij, Aleksandër Kondo. Një kalvar i gjatë vuajtjesh më shumë psikologjike, të cilat Berisha nuk i harron. Ai i kujton me një përpikmëri të rrallë të gjitha ngjarjet, të cilat flasin për arratisjen e Kondos. Për herë të parë publikohen të gjitha detajet që nga nisja dhe ideja e më pas tek arratisja e bujshme e majit 1985.

Flet Gjelosh Biku, 83-vjeçari nga Tuzi i Malit të Zi

“Unë pashë vrasjen e Sandër Kondos”

Nga Luan Kondi

Rreth 2 kilometra larg qendrës së Tuzit, pak pasi lë gjimnazin e këtij qyteti, ndodhet shtëpia e Gjelosh Bikut, personazhit tonë.

Ai i ka kaluar të 83-at dhe jeton në një shtëpi njëkatëshe, ndërtuar sipas stilit të njohur shqiptar. Mbahet mirë dhe, madje, thotë se do të jetojë aq sa e ka shkruar zoti. Në shtëpinë e malësorit Gjelosh Biku gjithçka është shqiptare, pritja sipas traditës sonë e, madje edhe përkujdesja gjatë gjithë kohës. Edhe pse ka vite që është larguar nga Shqipëria, ai e ruan të gjallë gjuhën shqipe në familjen e tij. E ke të lehtë ta gjesh edhe pse pyet shqip Bikun, pasi atë e njohin me emrin “emigranti”, sepse është larguar nga Shqipëria në vitin 1953, menjëherë pas arratisjes nga burgu i diktaturës, ku vuante prej tetë vjetësh dënimin. Gjykata komuniste e shtetit të Hoxhës kishte vendosur për të burg të përjetshëm. Historia e arratisjes së Bikut dhe e dy bashkëvuajtësve dhe vendosja e tij në Jugosllavi, është subjekti i tërë i një romani, por na duhet të ndalemi në një moment të veçantë të kujtimeve të Bikut, në dëshminë e tij për vrasjen e Aleksandër Kondos, peshëngritësit që u arratis në 25 maj të vitit 1985, në Titograd (Podgoricë) kur ekipi kombëtar i peshëngritjes kthehej nga Kampionati Evropian në Katovicë të Polonisë. Gjelosh Biku thotë se e ka parë me sy momentin e ekzekutimit të Kondos, aq sa ka mbetur i shokuar nga ajo që i ka ndodhur peshëngritësit të mirënjohur shqiptar. “Nuk e di në ka të afërm në Shqipëri, por them se ajo ngjarje ishte vërtet një tragjedi”, thotë Gjeloshi. E ka ruajtur të fshehtën e tij për 17 vjet me radhë, e, megjithatë, sot mendon se ka ardhur koha të rrëfejë për “Panoramën” gjithçka di për të zbardhur misterin e vrasjes së Kondos më 1 maj të vitit 1987. I urtë dhe fjalëpak, ai rrëfen pa u nxituar ngjarjen më të hidhur të jetës së tij.

Zoti Gjelosh, ju keni lindur dhe jeni rritur në Malësinë e Madhe. Çfarë kujtoni nga fëmijëria juaj?

Dua t’ju them se u linda në vitin 1921 dhe jetova si të gjithë fshatarët e asaj kohe. Kryesisht ne malësorët merreshim me blegtori. Pra edhe unë me bagëti e punë të tjera të fshatit jam marrë. Në vitin 1938, kur isha vetëm 17 vjeç më ka marrë Prengë Cali, njeri i dëgjuar në Malësinë e Madhe, së bashku me motrën dhe më pas jemi bashkuar me të familjarisht. Ai na tha se duhet të jetonim bashkë. Prengë Cali ka pasur një vajzë të cilën e kishte martuar. Pas kësaj jetonte vetëm me gruan. Vendosi të jetonte me ne, pasi nuk kishte njeri tjetër e malësorët nuk rrinë me dhëndrin.

Familjet e malësorëve ishin të mëdha, a qëndron kjo edhe për tuajën?

Them pak a shumë, pasi ishim një familje e vogël që përbëhej nga katër persona, unë, motra, nëna dhe babai. Nëna dhe babai erdhën në emigrim më vonë dhe me ardhjen e tyre jeta u bë dhe më e lehtë për ne. Prenga na tha se pas vdekjes së tij çdo gjë e tija do të na mbetej neve.

Përse e bëri Prengë Cali këtë me familjen tuaj dhe jo me ndonjë tjetër?

Ne me gruan e Prengës ishim kushërinj, kishim lidhje gjaku dhe ai duke parë që ishim një familje e vogël donte të na bashkonte me atë të tijën. Pra, me këtë rast ai donte të bashkonte familjen tonë Vikaj që ishim me të tijën që ishte prej tjetër bajraku, prej Selcës, ndërsa ne prej Niktit. Prengë Cali i tha babait tim se duhet të vdisnim së bashku dhe se gjithçka kishte pasuri do ta gëzonte djali i tij, pra unë.

Ju sa vjeç keni qenë atëherë?

Unë në atë kohë kam qenë rreth 16 - 17 vjeç.

Prengë Cali njihet si udhëheqësi i kryengritjes antikomuniste të Malësisë së Madhe të vitit 1945. Ju çfarë kujtoni nga kjo ngjarje?

Me sa mbaj mend, në vitin 1944 shtëpia e Prengës u rrethua prej ushtarëve serbo-malazezë, atëherë nuk ishte çliruar akoma Shqipëria. Kështu, në atë kohë donim të merreshim vesh me një roje të afërt të Prengë Calit, që e thërrisnim “Cubi”, e që në të vërtetë quhej Filip, se çfarë po ndodhte. Ai lajmëroi Prengën se malazezët donin ta sulmonin. Prenga organizon parinë e Vermoshit që të shpërndante rojet rreth e rreth kufirit të Vermoshit. Dhe kështu u bashkuan nja tetë krerë të zonës së Vermoshit te shtëpia e Prengës. Prenga urdhëroi të shtrohej darka për miqtë. Më pas kanë ndodhur shumë gjëra, për të cilat duhen netë dimri për t’i kujtuar. Në vitin 1945 e pashë veten në burgjet e diktaturës. Gjykata, kryetari i së cilës ishte Aranit Çela, më dënoi me burg për jetë. Por pas tetë vjetësh në burg u arratisa nga burgu dhe kalova kufirin për në Jugosllavi. Që prej asaj kohe jam këtu ku më shikoni dhe kam plot fëmijë, nipër e mbesa. Dy prej të cilëve edhe sot ndodhen në Amerikë.

Sa herë keni qenë në Amerikë?

Në Amerikë kam qenë dy herë. Kam qëndruar në Nju-Jork, pasi atje jetojnë dy djemtë e motrës. Njëri prej tyre ka jetuar këtu, në Tuz. Atë, kur ishte vetëm një vjeç e gjysmë, ia kam dhënë motrës, sepse ajo nuk kishte fëmijë. Një tjetër nip e kam mbajtur këtu, kur erdhi nga Shqipëria për të shkuar në Amerikë. Ai ka jetuar te ne deri kur doli urdhri që kush do të largohej drejt Amerikës, mund të ikte, dhe ai s’e bëri dy, madje e kam përcjellë vetë. Me Amerikën më lidh edhe një kujtim tjetër, atje jetonte edhe një shok i vjetër burgu, që quhej Sami Rrepishti. Ai ishte doktor profesor dhe një njeri shumë i mirë. Dikush pati thënë për mua se isha spiun jugosllav, por Samiu ka thënë: Ai është engjëlli i burgut. Nëse është fjala për shërbim, ai e ka bërë këtë vetëm në dobi të Shqipërisë.

Në ç’vite keni qenë në SHBA?

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës isha në vitin 1971 dhe në vitin 1987. Herën e parë kam ndenjur atje tre muaj, kurse herën e dytë dy muaj. Në qëndrimin tim të dytë atje kam asistuar rastësisht në vrasjen e një shqiptari, që atë kohë kishte bërë emër në Amerikë, quhej Aleksandër Kondo. Edhe pse ishte arratisur dy vjet më parë nga Podgorica, ndërsa ekipi shqiptar kthehej nga një aktivitet ndërkombëtar, unë e kam ndeshur për herë të parë emrin e tij në SHBA. Nuk e di në ka njerëz në Shqipëri, por për herë të parë dua të them atë që kam parë ditën e ekzekutimit të tij. Kam lexuar në shtypin shqiptar se kur shkruhet për të shkohet deri te vdekja, e atje thuhet se ajo ishte aksidentale. Por them se kjo nuk është e vërtetë. Unë kam një tjetër mendim, nga sa kam parë me sytë e mi ditën e “aksidentit”.

Si jeni ndodhur në vrasjen e Aleksandër Kondos?

Kam qenë rastësisht. Mbase fati i keq është ai që të çon të asistosh në ngjarje kaq tragjike. Mbase askush nuk e mendon kur del për shëtitje se mund të bëhet dëshmitar i një vrasjeje. Po ju them se unë isha bujtës te njerëzit e mi, te nipërit në Nju-Jork, të cilët mundoheshin të më plotësonin çdo dëshirë, pasi nuk ua kisha lodhur derën, siç themi ne malësorët. Kështu, ata më nxirrnin të shëtisja në qytetetin e madh të Nju-Jorkut. E kam parë me sy se si e kanë ekzekutuar Alksandër Kondon. Me sa më kujtohet, ngjarja ka ndodhur pak para mesditës. E kam parë se si e morën dhe e “pushkatuan”. Edhe pse ishte e vështirë të merrej vesh se si ishin ato “punë”. Nga shqiptarë të Amerikës kam mësuar se Aleksandri ishte njeri i përmendur në grupimin e tyre, për karakterin, mirësinë dhe të qenit kundërshtar i betuar i regjimit komunist. Aleksandri kishte dalë në një manifestim me flamurin shqiptar pa yllin mbi shqiponjë, pra pa simbolin e komunizmit. Këto ide që manifestonte dhe shprehte ishin ndoshta arsyet për ekzekutimin e tij. Duhet të dini se shqiptarët në Amerikë ishin të ndarë, ka pasur të djathtë dhe të majtë. Aq thellë ishte futur ndër ta Sigurimi i Shtetit. Kishte mes tyre të kuq, komunistë që dukej sikur kishin lindur në një ditë me Leninin. Këta madje ishin njerëzit më të favorizuar ndër shqiptarët, pasi gjenin punë më lehtë dhe, për rrjedhojë, stabilizoheshin pa shumë probleme. Ndryshe ndodhte me të tjerët, të cilët e kishin të vështirë, qoftë dhe gjetjen e një vendi pune. Duhet të thuhet tashmë se kush influenconte për të bërë këtë dasi.

Si e vranë Aleksandër Kondon?

Në një karburant ka ndodhur tragjedia, ekzekutimi makabër i Aleksandrit. Ndërsa ky furnizonte makinën një krep e mori përpara dhe e përplasi në mur. Ishte shumë e dhimbshme. E pamë trupin e të ndjerit të dëmtuar, të shtypur plotësisht. Më pas me një barrelë e morën dhe e hodhën në një makinë. Ishte një gjë e paligjshme dhe dukej që ishte një vrasje e pastër. U fol shumë për këtë ngjarje në Amerikë, por asnjëherë nuk doli në shesh e vërteta. Askush nuk dilte të kërkonte apo të thoshte publikisht se kjo ishte një vrasje e pastër. Edhe unë nuk kam dashur të flas mbi këtë ngjarje për vite të tëra me radhë. Kur isha në Amerikë, miq dhe shokë më thanë të heshtja, sepse isha edhe i dënuar me burg të përjetshëm nga sistemi i Enver Hoxhës dhe mund të kisha probleme, nëse flisja për të vërtetën e ngjarjes ku vdiq Aleksandër Kondo.

Gjelosh Biku, 83-vjeçari nga Tuzi i Malit të Zi, dëshmitar okular i eliminimit të Aleksandër Kondos, më 1 maj të vitit 1987, nuk di të ndalet së treguari për ngjarjen e bujshme.

Vizita e tij e dytë në SHBA nuk ishte e këndshme si e para, në vitin 1971, pikërisht për faktin se pa të vritej një njeri. Me Sandrin nuk ishte njohur apo takuar më parë, por për të kishte mësuar sapo kishte vënë këmbën në Nju-Jork, teksa kishte shkuar të vizitonte njerëzit tij të afërt. Biku thotë se Aleksandri kishte bërë një veprim tejet të guximshëm, kur kishte dalë të manifestonte me shqiptarët e të valëviste mbi kryet e tubuesve flamurin shqiptar pa yllin, simbol të komunizmit. Kjo bëri jehonë ndër shqiptarët e Amerikës dhe njëkohësiht u bë një shkak më shumë për ekzekutimin e tij, pasi Kondo duhet të ketë qenë me kohë objekt i goditjeve të shërbimit të fshehtë të diktaturës. Ajo që i ka mbetur në mendje Gjeloshit, ende sot e kësaj dite, është transmetimi i lajmit në mediat amerikane. Vdekja e Kondos u quajt aksident dhe askush nuk hodhi dyshimin se emigranti shqiptar kishte ardhur në Amerikë për një jetë më të mirë, të ndryshme nga ajo që bëhej nën komunizëm dhe se për këtë ai mund të ishte në shënjestër të Sigurimit të Shtetit. Duke shpjeguar ngjarjen e vitit 1987, Biku thotë se pas ardhjes së policisë në vendngjarje aty nuk mbeti thuajse asnjë dëshmitar, të gjithë ishin u larguan në punën e tyre. Askush nuk dëshmoi apo u mor në pyetje për atë ngjarje. Ndiqni në vijim intervistën e Gjelosh Bikut.

Të nesërmen gazetat shkruanin se vdekja e Kondos ishte aksidentale apo jo?

Gazetat u munduan ta fshehin të vërtetën, duke thënë se vdekja e Kondos ishte aksidntale, por për mua, që e pashë, ishte një vrasje e pastër. Të bën përshtypje kjo, aq sa mund të lërë shteg të mendosh se shërbimi famëkeq shqiptar mund të ketë paguar shuma të majme për të mos lejuar publikimin e së vërtetës në media. E atëherë ky shërbim nuk duhej neglizhuar, pasi ishte në gjendje të bënte gjithçka, aq sa njerëzit i ruheshin shumë. Sigurimi i Shtetit e kishte manipuluar situatën mes komunitetit shqiptar në Amerikë aq sa ata ishin të ndarë në dy grupe, të majtë dhe të djathtë, kjo nuk ishte pak.

A e patë trupin pa jetë të Aleksandër Kondos?

Trupi i tij ishte shtypur plotësisht, por unë nuk mund të afrohesha e ta shikoja, pasi nuk mund ta duroja një skenë të tillë të llahtarshme.

Ju ku ishit në këtë kohë, si u ndodhët në vendngjarje?

Isha atje, pasi kisha shkuar me pushime te njerëzit e mi.

Kumuniteti shqiptar atje kishte organizuar një demonstratë. Ju asistuat në të?

Nuk kam qenë në demonstratë, por më thanë se ishte zhvilluar një e tillë. Në atë kohë shqiptarët që jetonin atje ishin të ndarë në dy rryma. Një ishte rryma që përkrahte regjimin komunist dhe thërriste Parti - Enver ndërsa tjetra ishte kundër atij regjimi. Në qoftë se shkoje te grupimi i parë dhe u thohe se ishe me ta, ata menjëherë të siguronin punë, në të kundërt, ata ishin të gatshëm të bënin gjithçka të keqe. Paguante sitemi komunist për të krijuar situata të tilla në atë kohë. Thonë se me flori paguheshin njerëz të tillë atëherë. Grupi i dytë u trishtua shumë nga vdekja e Sandrit.

A ia keni treguar ndokujt atë që patë në vendngjarje?

Askujt. Kjo ka ndodhur edhe për faktin se askush nuk më ka pyetur për të. E kam bieduar pas viteve ‘90 me mikun tim nga Malësia e Madhe, Gjon Kaçajn. E ky më ka mbushur mendjen se duhet ta them gjithçka që di. Dhe po e them për herë të parë për një gazetë shqiptare.

E keni njohur më parë, apo kishit dëgjuar për Kondon?

Të jem i sinqertë, nuk e dija se kush ishte. Si emër e kisha dëgjuar të lakohej në komunitetin shqiptar të Nju-Jorkut. Nuk më është dhënë rasti të bisedoja ndonjëherë me të.

A është diskutuar nga njerëzit e tu në Amerikë vrasja e Aleksandrit?

Po. Menjëherë pas ngjarjes njerëzit e mi dhe miqtë e tyre, që ishin kundër sistemit të Hoxhës, ndryshe nga të tjerët që ishin enveristë, mendonin si edhe unë që vdekja e Kondos erdhi nga atentati që kishte kurdisur Sigurimi i Shtetit. Me të u bë një krim i cili u kalua lehtë dhe ngjarja u mbulua qëllimisht me mister. Flitej atëherë se Aleksandri kishte paguar një veprim të tij, ngritjen e flamurit pa yllin e komunizmit në një tubim të shqiptarëve të Amerikës. Për këtë nuk mund ta falte krahu tjetër, i manipuluar nga shërbimi i fshehtë shqiptar. Unë nuk mund të them se cili ka qenë plani për eliminimin e ish-sportistit, por ngjarja që ndodhi më 1 maj të vitit 1987 ishte kriminale.

Përse nuk e denoncuat këtë krim?

Kjo që po bëj është të themi një denoncim. Dua t’u them njerëzve se në atë kohë ishte e vështirë ta bëj një gjë të tillë. Nëse do të kisha folur, kjo do të kishte pasoja për mua. Edhe pse Hoxha kishte vdekur, pasuesit e tij do të bënin gjithçka për të më eliminuar. Ata paguanin shuma marramendëse për ta bërë një gjë të tillë. Edhe shokët e miqtë e mi më porositën me këmbëngulje të heshtja, pasi kisha qenë dhe i dënuar përjetë nga regjimi diktatorial, për shkak të të cilit u detyrova ta lë vendin në vitin 1953. Kjo përbënte edhe një motiv më shumë që ata (Sigurimi) të ishin të interesuar për vdekjen time. Shokët më thoshin se nuk duhet të paraqitesha si dëshmitar i ngjarjes në fjalë. Pra, me të drejtë, shokët mendonin se, po të veproja ndryshe, do të kisha fatin e të ndjerit Aleksandër Kondo dhe i thashë arsyet që më duket se më justifikojnë disi. Dua të them diçka që m’u kujtua. Menjëherë pasi trupin e Aleksandrit e hodhën në një makinë që nuk e di për ku shkonte, mbërritën patrulla të shumta policie dhe në moment gjithkush u largua që andej, pra s’mbeti kush. Me ta ika edhe unë, që hipa në një makinë për të jetuar për rreth 17 vjet me radhë me atë çka kisha parë në vendngjarje.

Gjelosh Biku në SHBA

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka qenë dy herë, në vitin 1971 dhe në vitin 1987. Herën e parë ka qëndruar atje tre muaj, kurse herën e dytë dy muaj. Në qëndrimin e tij të dytë në SHBA është ndodhur rastësisht në vrasjen e një shqiptari, që në atë kohë kishte bërë emër në Amerikë, e që quhej Aleksandër Kondo. Biku, edhe pse Sandri ishte arratisur dy vjet më parë nga Podgorica, ndërsa ekipi shqiptar i peshëngritjes kthehej nga një aktivitet ndërkombëtar, e kishte ndeshur për herë të parë emrin e tij në SHBA, sapo kishte mbërritur në Nju-Jork. Ai madje nuk e di në ka Alekandri të tjerë njerëz në Shqipëri, e, megjithatë, ai për herë të parë është shprehur rreth asaj që ndodhi më 1 maj 1987, ditën e ekzekutimit të peshëngritësit. E këtë e Biku thotë që e bën pasi ka lexuar në shtypin shqiptar se vdekja e Kondos ishte aksidentale. E kjo, sipas tij, nuk është e vërtetë.

Karrieria e luanit të shtangës shqiptare

Aleksandër Kondo, shqiptari i parë që ngriti 200 kg

Në mesin e viteve ’80, Aleksandër Kondo hyri në histori si njeriu i parë në Shqipëri që ngrinte 200 kg. Atë ditë pallati i sportit “Partizani” (sot “Asllan Rusi”) ishte plot, dhe entuziazmi, i jashtëzakonshëm. Disa vjet më vonë, durrsaku Erlin Nikolla mbërriti në 210 kilogram, pesha më e madhe e ngritur nga sportistët para viteve ’90. Që nga ajo kohë Ilir Kafarani kishte arritur ta thyente atë rekord, deri në 212,5 kg. Kjo peshë ishte tabu, deri më 3 shtator 2003. Kafarani, i bëri një përmirësim të denjë për librin “Guinness”, duke shtuar në një ditë të vetme 7,5 kilogramë, ndërsa për 12,5 kg ishin dashur rreth 20 vjet. Bashkësportitët e Kondos e mbajnë mend mirë çastin kur ai dhe Xhelal Sukniqi u larguan nga ekipi kombëtar, duke lënë në stacionin e autobusit të Titogradit çantat e tyre. Atëherë data shënonte 25 maj 1985. Ekipi kombëtar po kthehej nga Polonia ku kishte marrë pjesë në Kampionatin Evropian. Shqiptarët e përfaqësueses sonë të peshëngritjes fillimisht udhëtuan me tren nga Katovica, vendi ku u zhvilluan garat e evropianit, për në Varshavë, më pas me avion udhëtuan për në Beograd, dhe me tren ose autobus deri ne Titograd. Në orët e paradites skuadra, trajnerët dhe shoqëruesit po prisnin autobusin shqiptar që do të vinte që nga Hani i Hotit, për t’i kthyer ne atdhe. Mungonin Aleksandri dhe Xhelali që u larguan për në SHBA. Kondo kishte kohë që përgatitej për largimin e tij nga Shqipëria, pasi urrente sistemin.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora