E shtune, 27.04.2024, 06:30 AM (GMT+1)

Faleminderit

Aleksandër Meksi: Profesor Selman Riza, Njeriu - Vepra

E hene, 28.07.2008, 07:50 PM


Aleksandër Meksi
Nga Aleksandër Meksi

Në historinë e albanologjisë  bashkëkohëse,  një grup studiuesish shqiptarë, ndër të cilët shquhen Eqerem  Çabej,  Selman Riza, Kostaq Cipo, , Mahir Domi, Shaban  Demiraj, Rexhep Ismajli, jo vetëm që e bënë atë shkencë thellësisht shqiptare por dhe orientuan për kërkime të mëtejshme të gjithë albanologët e huaj. Ndër ta një vend të veçantë zë  Selman Riza tek i cili bashkohen në një  shkencëtari i shquar dhe atdhetari  i madh, njeriu me karakter të fuqishëm dhe i papërkulur ndaj diktaturave, që me vullnet të hekurt arriti në majat e shkencës të cilës iu përkushtua. Njerëz të tillë janë të rrallë në historinë e çdo kombi dhe duhet të mbeten frymëzues për brezat. Për këtë dhe duhet njohur; Jeta dhe Vepra e tyre. Këtij qëllimi i shërben monografia e Engjëll Angonit kushtuar kësaj figure, të lënë qëllimisht në harresë, që është një kontribut i ndjeshëm, por vetëm hapi i parë. Vepra dhe jeta e tij, prej patrioti të madh, duhet të botohet e plotë, duhet të njihet mirë, veçanërisht në kohët me trazime dhe pështjellime të mëdha si kjo e jonë . “Atdheu fillon te fjala“ ka thënë një poet dhe në rrënjët e fjalëve shkoi, si pakkush, Selman Riza.

Jeta

Për të vlerësuar veprën e një shkrimtari a shkencëtari, për ta analizuar atë me objektivitet detyrimisht duhet të nisësh nga jeta. Vepra nuk lind nga hiçi. Është  jeta, rruga e saj e mundimshme, puna dhe sakrificat,  pikësynimet e mëdha që e çojnë një njeri drejt suksesit. Përveç  këtyre  cilësive të domosdoshme, që Selman Rizës nuk i munguan kurrë, jeta i rezervoi shumë peripeci dhe mundime që vetëm një karakter i fortë si Ai mundi t`i  përballojë me dinjitet dhe stoicizëm. E penguan por nuk e nënshtruan. Ai ishte bir i denjë i Kosovës  martire. Ai ka dy vende  në panteonin e kombit, si shkencëtar dhe si patriot, vende që nuk i zë dot kush.
Selman Riza  lindi në Gjakovë  më 21 12. 1909. Lindi në një periudhë luftërash ku shqiptarët, veçanërisht ata të trevave të Veriut, luftuan me armë në dorë për të mbrojtur e mos u coptuar  atdheu. Në një kohë tillë të përgjakshme dhe në një mjedis patriotik u lind dhe kaloi fëmijërinë shkencëtari i ardhshëm. Engjëll Angoni i përshkruan ato me korrektesë dhe logjikë të lakmueshme duke e përshkruar djaloshin e vogël gjakovar që nga arratisja e tij për në “dheun amë”, në Shqipëri, në vitin 1922 , bashkë me të rinj të tjerë kosovarë. Dhe erdhën në këmbë , në Tiranë , ku i priste shkolla plotore “Naim Frashëri, me 130 nxënës, nga të cilët 110 ishin kosovarë, me mësues nga të dy anët e kufirit, që qenë dhe  prindër të vërtetë për këta fëmijë që kishin braktisur vendlindjet me një vetëdije të lartë atdhetare. Selman Riza në vitin 1925 u shpall nxënësi më i mirë i shkollës me vlerësim absolut. Të gjashtë vitet e shkollës plotore ai i përfundoi në tre vjet dhe me rezultate të shkëlqyera. Si i tillë i lindi e drejta për bursë shteti. Më 1925 Selman  Riza nis studimet në Liceun Kombëtar të Korçës, shkolla më me emër për kohën në Shqipëri.
Edhe aty ishte një nxënës i zgjuar, i palodhur, sistematik e këmbëngulës, me vullnet të jashtëzakonshëm, dhe në vitin1931, mbaron po me rezultate të shkëlqyera, në gjashtë vjet të nëntë klasat e Liceut. Pedagogët e tij, francezë dhe shqiptarë, bashkënxënës dhe të njohur, do të flisnin me superlativë për Selman Rizën. Leon Perre , drejtor teknik i Liceut të Korçës, do t`i shkruante kështu ministrit të arsimit: “Selman Riza është një i ri tepër i talentuar, shumë serioz, i cili do të mundë me të njëjtën lehtësi të kryej çdo degë të studimeve universitare, dhe unë nuk dyshoj që të mos i bëjë më vonë nder atdheut me emrin e tij”. Parashikimi i tij qe i saktë. Ministria e Arsimit i siguroi një bursë për të ndjekur studimet në Universitetin e Tuluzës në Francë. Edhe këtu Selman Riza përsëriti suksesin e shkollave të cikleve më të ultë; jo vetëm që i dogj etapat por në tre vjet (1932-1935) mbaroi fakultetin e gjuhës dhe letërsisë franceze, fakultetin e drejtësisë si dhe u specializua për gjuhën gjermane në Heidelberg të Gjermanisë. Në Francë Ai mori jo vetëm një formim të plotë shkencor por edhe kulturë të gjithanshme, parimet e mëdha të lirisë, barazisë të proklamuara së pari në këtë vend që për konstante kishte ndryshimet e vazhdueshme demokratike.
Menjëherë pas kthimit në atdhe u emërua pedagog në Liceun e Korçës, në atë shkollë që pak vite më parë kishte qenë nxënës. Kujtimet e nxënësve për mësuesin e tyre janë të jashtzakonëshme dhe me të drejtë autori i monografisë Engjëll Angoni ka cituar shumë prej tyre që vite më vonë edhe ata u bënë intelektualë të njohur. Në veprimtarinë e tij shkencore – pedagogjike , përveç të tjerash, theksohet kontributi i S.Rizës  në botimin e revistës së shkollës “ Lyceum” në vitin 1936 që u bë ngjarje e rëndësishme në jetën e shkollës. Revista kishte synim “ta baj të njohur ndër të huaj këtë vend të harruem për shumë kohë… me u dhanë të kuptojnë të rinjve shqiptarë mbi domethanjen e vërtetë të  qytetnimit perendimuer”. Kemi pas rastin që vite më pare ta shfletojmë koleksionin e kësaj reviste , që ashtu si autori i saj është lënë në harresë si organ shtypi thellësisht patriotik dhe përparimtarë të viteve`30 .Na  ka bërë përshtypja përmbajtja e saj e kulturuar dhe e kultivuar , kompozimi modern dhe idetë përparimtare që sot e gjithëdita meritojnë vëmendje dhe shqyrtim.  Ja pse  autori për figurën poliedrike të  shkencëtarit të madh thotë: “Autoriteti i tij mbështetej në dashurinë dhe përkushtimin për punën, në qëndrimin e pastër moral, në marrëdhëniet e shëndosha me nxënësit, të cilët i trajtonte si të barabartë…Armik i betuar i arrogancës dhe mendjemadhësisë. i  çiltër, realist, reformator dhe demokrat i mirëfilltë”. Kurse Drejtori francez i Liceut do thoshte për te në vitin 1937: “Me dituritë dhe shpjegimin e përkushtuar, profesor Selman Riza bënte xhelozë jo vetëm profesorët shqiptarë , por edhe ata francezë për shkak të mbresave të pashlyeshme që linte si profesor iluminist me thellësinë dhe enciklopedizmin e tij.”

Vitet e Luftës

Duket sikur ky nëntitull është jashtë natyrës dhe formimit të Selman Rizës. Por, sa studiues dhe shkencëtar i madh që ishte  po aq atdhetar dhe demokrat i madh ishte Selman Riza. Pushtimi fashist e vuri atë në mënyrë të natyrshme në ballë të  rezistencës antifashiste. Në demonstratën e madhe të 28 nëntorit 1939 në Korçë, Selman Riza do të arrestohej dhe burgosej . Që këtej nis edhe kalvari i tij i përndjekjeve që do ta shoqëronin në të gjitha regjimet dhe në të gjitha diktaturat. Sipas një shkrese të hartuar nga organet e milicisë fashiste që ruhet në Arkivin Qendror Shtetëror mësojmë se ”Selman Riza është kundërshtar i vendosur kundër politikës italiane. Propagandist i zoti ndërmjet elementit studentor. I rrezikshëm”
Në shkurt të vitit 1940 Selman Riza  bashkë me profesorë të tjerë patriotë si Abaz Ermenji, Masar Shehu, Stavri Skendi e tje, internohen për një periudhë tre vjeçare në Ventotone të Italisë. Edhe në rrethanat e vështira të internimit Selman Riza nuk pushoi së studiuari. Në internim ai  dallon  për qëndrim  dinjitoz. Internimi  e bëri atë më të paepur, më të vendosur për të mos u pajtuar kurrë me diktatorët dhe diktaturat. Në tetor të  vitit 1941  Ai lirohet nga internimi dhe kthehet në atdhe. Sigurisht që nuk mund të rifillonte në profesionin e tij por punoi në një firmë private në Durrës sa për të mbijetuar. Në këto rrethana ai shpërngulet në Kosovë (korrik 1942) ku punon si përfaqësues në gjyq por njëherazi u mor edhe me studime  dhe, në radhë të parë me veprimtari intensive politike.  Në studimet shkencore ai synonte, ndër të tjera, të vërtetonte shkencërisht tezën shqiptare e autoktonisë së pandërprerë të kosovarëve në trojet e tyre. Pikërisht, për këtë qëllim,  bashkë me patriotë të tjerë kosovarë, ai krijon një qendër të vogël të studimeve shqiptare në Prizren. Qëllimi i saj ishte “T`u krijonte mundësi intelektualëve në përgjithësi dhe  arsimtarëve në veçanti që jo vetëm të studionin në vend historinë, gjeografinë dhe dialektin e Kosovës, por edhe të botonin punimet e tyre”. Po në këtë kohë Selman Riza u shqua  si veprimtar i madh politik, si një nga udhëheqësit kryesorë të  lëvizjes atdhetare, antifashiste dhe antishoveniste në Kosovë. Kjo lëvizje nuk pranoi të bashkëpunonte as me komunistët as me pushtuesit Italian por kishte për synim çlirimin e vendit dhe bashkimin kombëtar. Një nga përfaqësuesit kryesorë të misioneve angleze në Shqipëri  gjatë luftës, majori Piter Kemp, do të raportonte për Selman Rizën se: ” Ai ishte  truri i vërtetë i Partisë  së  irredentistëve, forca më e madhe e së cilës ishin nëpunësit dhe tregtarët e vegjël, që shquheshin për traditat”. Mirëpo kjo parti nuk arriti të fitonte përkrahjen e aleatëve të cilët përkrahën komunistët e Titos, në Jugosllavi dhe në Shqipëri”
Synimet e Lëvizjes  Antifashiste Irredentiste argumentohen dhe  propagandohen në traktatin programatik “Manifesti i Irredentizmit Antifashist” të cilin Selman Riza e botoi në Tiranë, në dhjetor të vitit 1943. Kurse në vitin 1944 Ai përgatiti për të botuar në Tiranë një punim prej 200 fq. me titull   “Për dokumentarin e kundërtezës shqiptare” ( mbi çështjen nacionale të Kosovës ) në të cilin, me argumente bindëse hidhen poshtë pretendimet e shovenistëve serb  rreth përkatësisë së Kosovës. Ky dokument kaq i rëndësishëm natyrisht që u zhduk dhe nuk është gjendur as sot . Përmbajtjen e tij e mësojmë deri-diku në “Shënimet autobiografike” që autori u kushton vëmendjen e duhur në  monografi, si burim autentik informacioni. I rëndësishëm është fakte se albanologu dhe atdhetari i madh nuk u bë “ As bisht i Ballit, as shtojcë e Frontit”. Por, nga ana tjetër Selman Riza  ka përshëndetur çdo platformë që përkrahte çlirimin kombëtar në baza etnike dhe demokratike, pa kushte ideologjike.
Për veprimtarinë e tij politike thellësisht patriotike Selman Riza burgoset në vitin 1945 në Tiranë, vetëm disa ditë pas kthimit në Shqipëri, ku kishte ardhur për t’i shpëtuar genocidit serb. Pas burgosjes dhe internimin nga fashistët Italianë Ai tashmë po provonte një burg tjetër, nga bashkatdhetarët e tij. Vetëm tre muaj qëndroi Selman Riza në burgun e Tiranës se me kërkesën e jugosllavëve ai u transferua në burgjet titiste në Prishtinë “si kosovar antijugosllav” për t’u gjykuar. Bashkënxënësi dhe bashkëmësuesi pa diplomë, Enver Hoxha e arrestoi për t’i u a dorëzuar patriotin e madh  xhelatëve serb. Mbasi shpëtoi nga dërgimi në Jugosllavi në 1945, falë ndërhyrjes së Manol Konomit, atëherë ministër i Drejtësisë, kjo nuk u shmang  në vitin  1948. Selman Riza qëndroi për tre vjet e gjysmë në burgjet jugosllave. Lirohet në gusht të vitit 1951, sepse ishte i sëmur rendë nga skorbuti dhe “rrezikohej t’u mbetej në dorë xhelatëve jugosllavë”. Ndonëse i internuar dhe i survejuar në Sarajevë, Selman Riza iu përkushtuar tërësisht punës shkencore.  1951 -1955 Ai shkroi disa nga veprat e tij që u bënë më vonë korpusi kryesor i krijimtarisë shkencore.
Me gjithë  premtimet dhe kërcënimet , shantazhet dhe intrigat për të marrë nënshtetësinë jugosllave Selman Riza,  në dhjetor të vitit 1955, rikthehet në Shqipëri dhe bashkohet me familjen e tij në Tiranë. Fillon punën menjëherë në Institutin e Historisë dhe Gjuhësisë si punonjës shkencor dhe në fakultetin e filologjisë ku,  si pedagog i jashtëm, jepte lëndën “Historia e gjuhës së shkruar shqipe”.

Vepra

Vitet 1956- 1967 qenë periudha më frytdhënëse në veprimtarinë shkencore të Selman Rizës. Janë disa nga veprat më të mira albanologjike që mbajnë emrin e tij  dhe e ngritën në një shkallë të re cilësore gjuhësinë shqiptare dhe  mendimin shkencor. Ai gjithnjë luftoi për shkencë dhe kulturë të pavarur nga politika. Dhe ia arriti: sepse bëri gjithnjë atë që duhej , atë që i shkonte për shtat bindjeve të tij shkencore dhe politike. Vepra shkencore e Selman Rizës , siç theksohet në monografi, në tërësinë e saj, ” ndonëse në një periudhë të shkurtër, të bie në sy  jo vetëm puna këmbëngulëse dhe kultura e gjerë, përkushtimi i jashtëzakonshëm shkencor dhe logjika e argumentit, forca krijuese dhe origjinaliteti i spikatur, qëndrimi kritik e parimor… shtrirja e interesave në shumë fusha siç janë gramatika, historia e gjuhës,gjuhësia e përgjithshme, tekstologjia,kritika gjuhësore, terminologjia, gjuha letrare etje.” Nuk kemi ndërmend të zgjatemi për këto sepse janë përmbledhur saktë në monografi  nga E. Angoni, dhe , nga ana tjetër, nuk është “specialiteti” ynë për t’i vlerësuar  por na duket me vend të përsërisim fjalët  e shkencëtarit të madh kur me modesti thotë për vetveten se “Unë nuk jam talent por punë”. Kredon e tij të metodës shkencore ai e pohon qartë “Unë jam, në radhë të parë gjuhëtar kritik. Po më hoqën kritikën shkencore unë nuk jam më Selman Riza” . Dhe, siç thonë studiuesit kosovarë Hilmi Agani, Besim Bokshi dhe Rexhep Smajli, në parathënien e botimit të veprës së Selman Rizës në Prishtinë ; “Me të kritika shkencore arrin shkallën e opinionit objektiv shkencor të nivelit të dëshiruar dhe si e tillë përmbush një funksion të rëndësishëm shoqëror”. Selman Riza kritikoi ashpër në kulturën tonë diletantizmin, mediokritetin, konformizmin e tje.  Sigurisht që kritika, edhe pse objektive dhe konstruktive, jo gjithmonë u vlerësua. Dhe  siç  thoshte vetë Ai jo rrallë herë u ndesh me “Dhunë me veshje kritike deri në skualifikim”. Dhe inkuizicioni i kohës nuk mungoi.  Shqipëria kalonte periudhën kineze, me revolucionin kulturor dhe ideologjik që përmbyste edhe ato pak suksese  të albanologjisë, të arritura me shumë mund, nën një diktaturë që ishte armike e të vërtetës, e përparimit dhe e lirisë. U përmbysën plane dhe projekte, u nxorën si reaksionare kryeveprat e artit botëror dhe shqiptar. Pikërisht në këtë kohë Selman Riza  pësoi një goditje të rëndë. Si njeri me karakter, Ai nuk mund të pajtohej me mediokritetin, vetëkënaqësinë dhe servilizmin që karakterizonte Institutin e Gjuhësisë, ku forcat e afta shkencore luftoheshin dhe pengoheshin nga drejtuesit  partiakë. Kritika e tij e guximshme dhe objektive u konsideruar si veprimtari armiqësore. Ai u shpreh se drejtuesit e institucioneve shkencore nuk duhet të kenë disa funksione dhe se filozofia marksiste nuk mund të zbatohej në gjuhësi. Për këto mendime në prill të vitit 1967  profesorin e nderuar, pas fletërrufeve të shumta dhe gjyqeve kolektive në kuadrin e  luftës kundra “ mbeturinave borgjeze”, e largojnë nga Instituti i Gjuhësisë dhe çojnë në Berat, si ciceron në muzeun e qytetit dhe më vonë në Bibliotekën e qytetit. Ai nuk kërkoi ndihmë as dhe mbrojtje nga ndokush lart. Në vitin 1970  Selman Riza del në pension të parakohshëm dhe kthehet pranë familjes së tij në Tiranë, i syrvejuar dhe i ndjekur në çdo hap nga sigurimi i shtetit. Ndonëse shkencëtar i madh , i njohur edhe në qarqet shkencore ndërkombëtare, me vepra dhe tituj, Selman Rizës iu mohua e drejta për t`u kthyer në punë në Institut dhe faktikisht  ju mbyllën të gjitha rrugët për veprimtari shkencore aq sa nuk e lejonin të merrte libra në bibliotekë . Bashkënxënësi dha bashkëmësuesi , që nuk arriti të merrte asnjë provim në universitetin francez , diktatori paranojak, i hoqi emrin nga veprat e tij. Ndoshta ky ishte i vetmi nder që i ka bërë  ai Selman Rizës sepse  në të tilla raste lavdërimet janë më të këqija se sharjet.
Autori , E. Angoni , në hulumtimet e tij për Rizën publikon edhe një fakt tjetër. ”Sa qe gjallë  as një shkrim vlerësues për Selman Rizën , as si gjuhëtar , pa le si atdhetar”. Vitet e fundit të jetës ishte i sëmurë dhe nuk ju krijua asnjë mundësi për t’u dërguar jashtë shtetit për kurim, për t’i lehtësuar dhimbjet e zgjatur jetën dhe studimet. Madje edhe kërkesa për një fjalim nga kolegët e tij në ceremoninë e varrosjes (16.2. 1988) nuk u miratua nga instancat larta të partisë shtet.  Ata nuk  ia falnin Selman Rizës , sfidën e përjetshme. Heshtjen e kobshme zyrtare e prishi në çastin e fundit profesor Aleks Buda, Kryetari i Akademisë. Me një fjalë të shkurtër të improvizuar i dha lamtumirën kolegut, mikut të afërt. Pas tij, mori fjalën dr. Bexhet Reso, i cili i revoltuar nga heshtja zyrtare shpërtheu: “Ç’po ndodh kështu?! Kë po varrosim?! Nuk mund të ndahemi kështu nga Selman Riza. Ai nuk është vetëm një gjuhëtar në zë, por, në radhë të parë, një patriot i shquar, idealet e të cilit janë edhe sot flamur i shqiptarizmit në Kosovë”.
Unë e kam njohur herët Profesor Selman Rizën sepse mbas kthimit nga Jugosllavia ai banoi për ca kohë tek i vëllai në të njëjtë rrugë me ne, rruga Siri Kodra, dhe jo shumë larg prej nesh. Unë e dija kush ishte sepse qe mik i  tim eti dhe se me djalin e tij, Eminin, ishim në njëjtën shkollë, si në të mesme ashtu dhe në të lartën, me ndryshime në vite por ishim dhe shokë. Rasti e pruri të jemi që nga viti 1962 dhe kolegë në studimin dhe restaurimin e monumenteve në Institutin e Monumenteve të Kulturës.
Kam shkruar gjetkë mbi fletërrufenë makabre që i vunë atij dhe nuk u përkul dhe për  shumë prej nesh ai ishte shembull diturie dhe burrërie. Pasi u kthye nga Berati ai shpesh punonte në Bibliotekën Kombëtare dhe unë kisha vërejtur se nuk merrej më me studime gjuhësore sepse tërthorazi, duke e trajtuar për armik, ja kishin hequr këtë mundësi (kontakte në institut dhe botimet). Ai punonte në lëmin e filozofisë, një pasion i vjetër për të, por dhe në themel të kërkimeve të tija gjuhësore. Nuk shoqërohej me njeri sepse dhe i shmangeshin, punonte orë të tëra pa luajtur vendit. Unë e takoja dhe aty por dhe në shtëpinë e tij. Në biseda ishte i rreptë por gjithnjë i sjellshëm dhe tejet korrekt; kritik por dhe i përzemërt; e ndjente dhunën por stoik, për nga bindjet dhe jo nga kryeneçësia. Ai mundohej që, gjithsesi , ta ndjenje veten të barabartë me të. Ai jetoi nën dhunë por i panënshtruar dhe me kokën lart, i ndershëm në të gjitha regjimet antishqiptare.
Para disa ditësh pyeta Eminin në se është e vërtetë se profesori kishte lënë dorëshkrime nga fusha e filozofisë në këndvështrimin e lidhjeve me gjuhësinë dhe më tha se janë disa fletore   që ai dhe gruaja po i hedhin në kompjuter për t’i dërguar në Kosovë, ku do përfshihen në vëllimin e katërt të botimit të plotë të veprave, që po kryen Akademia e Shkencave dhe Arteve e atjeshme. U gëzova sepse është një detyrim që duhet përmbushur.
Selman Riza me jetën dhe veprën e tij mbetet një luftëtar i paepur i çlirimit të Kosovës dhe çështjes shqiptare, ndjekës i papërkulur e sistematik i parimit të papajtueshmërisë së pakompromis me çdo gjë antikombëtare e regresive, për Shqipërinë dhe shqiptarët edhe se për këtë u përndoq dhe dhunua gjithë jetën, por nuk u nënshtrua. Ai mbetet po aq dhe një nga gjuhëtarët më të shquar në lëmë të albanologjisë. Shkenca shqiptare dhe jo vetëm ajo i detyrohen së tepërmi atij dhe kjo gjendje heshtjeje dhe mosvlerësimi duhet të ndryshoj sa më parë.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora