E diele, 28.04.2024, 02:11 PM (GMT+1)

Faleminderit

Aleksandër Meksi: Mehdi Frashëri dhe kufijtë e shtetit të parë shqiptar

E enjte, 31.07.2008, 01:05 PM


Aleksandër Meksi
Mehdi Frashëri dhe kufijtë e shtetit të parë shqiptar

Nga Aleksandër Meksi

Ndodhitë e viteve të fundit dhe botimet e shumta historike, si   nga autorë vendas ashtu  dhe të huaj kanë hedhur dritë të re për historinë tonë, veçanërisht  atë të gjysmës së parë të shekullit të XX. Edhe pse   të natyrave të ndryshme ato botime kanë vlera për vetë kompleksitetin e historisë sonë, e cila deri dje ka qenë e shtrembëruar. Sidomos me vlerë është hulumtimi në arkivat e huaja dhe botimi i këtij dokumentacioni, po aq edhe botimi i kujtimeve dhe shkrimeve të protagonistëve të historisë së atyre viteve.
Parë nga këndvështrimet e ndryshme që të ofrojnë botimet  dhe për vetë aktualitetin e problemit është me interes të shqyrtosh historinë e caktimit të kufijve të shtetit të parë shqiptar  që nga shpallja e Pavarësisë më 28 nëntor 1912  e deri  në Konferencën e Paqes së Parisit më 1919 dhe më vonë, në zgjidhjen përfundimtare. Faktet mund t`i  qëmtosh që nga kronikat e kohës , raportimet e kancelarive të Fuqive të Mëdha, si dhe nga librat e historisë , veçanërisht të autorëve perëndimorë. Por një histori  e plotë , kronika e saktë e kalvarit të caktimit të kufijve janë  edhe vëllimi ?Kujtime?, (1913-1933),  i Mehdi Frashërit, i njërit prej figurave më të shquara të politikes shqiptare të kohës,  që nga Pavarësia e deri  në ardhjen e komunistëve në pushtet. Si i tillë Ai është pjesëmarrës dhe protagonist i shumë ngjarjeve në historinë tonë dhe do të ishte në të mirë të historiografisë shqiptare, të historisë së shtetit dhe diplomacisë që të ndërmerren kërkime për gjetjen e plotë të kujtimeve dhe shënimeve të tija, që botimi i kujtimeve të ishte i plotë kur dihet që ai  ishte skrupuloz në mbajtjen e tyre. Ruajtja dhe botimi i këtyre Kujtimeve është meritë e nipit të Mehdi Frashërit, e Tefik Çelos, i cili i  mbajti dhe i  fshehu e tyre gjatë kohës së diktaturës, çka përbënte për kohën “krim të rëndë” që mund ta paguaje  edhe me jetë, ishte një kurajë dhe trimëri e vërtetë
Karakteri i kujtimeve, i fakteve që ata përmbajnë i bëjnë ato të veçantë dhe tepër me interes jo vetëm për specialistët por edhe për lexuesin e zakonshëm që historinë e lexon me ëndje. Në to  kemi jo vetëm mbresa vetjake  dhe fakte por edhe analiza  të kohës tepër konfliktuoze, me rëndësi të jashtzakonëshme për fatet e kombit shqiptar. Është periudha  kur po merrte formë shteti i parë shqiptar, që ndonëse i tkurrur e ruajti kombin nga shpërbërja dhe asimilimi. Pikërisht këtë veprim me rëndësi të jashtëzakonshme për shqiptarët dhe shqiptarizmën kishte kuptuar politikani dhe diplomati i shquar. Le të bëhej njëherë një shtet shqiptar se e ardhmja nuk dihej çfarë sillte.
Mehdi Frashëri (1874 Frashër-1963 Romë),  ndryshe nga shumë politikanë të kohës që ishin  me mendësi feudale dhe të prapambetur, falë origjinës, familjes, formimit dhe përvojës në administratën turke ( në 1912 guvernator i Palestinës), u orientua drejt në veprimtaritë e tij diplomatike dhe politike . Gjuha e tij e vetme në bisedime dhe marrëveshje tejet të vështira ishte argumenti dhe arsyetimi i qetë , pa pasione inatçore. Ai kërkonte dhe bënte miq edhe antishqiptarët më të përbetuar sepse dinte t`i bindte me forcën e logjikës. Prandaj jo rastësisht  u zgjodh në postet më të larta të piramidës shtetërore  të vendit (deri kryeministër në 1935) , dhe u mor me zgjidhjen e problemeve më të ndërlikuara të të gjithave fushave të shtetit të ri . Ai ishte një shtetar i kompletuar që  i ka të rrallë  shokët në këto tetë dekada të ekzistencës së Shtetit Shqiptar. Dëshmi për këtë janë edhe këto kujtime të pjesshme prej të cilëve jo vetëm informohesh me saktësi por edhe ke çfarë të mësosh në artin e drejtimit.
Pjesa më e madhe e ?Kujtimeve? janë fokusuar  rreth zbatimit të vendime  të Konferencës së Londrës të vitit 1913, në përcaktimin e vendeve nga do te kalonte vija kufitare me të cilën u mor Mehdi Frashëri  si Ministër i Brendshëm (1918), delegat i Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris(1919), dhe më pas si Ministër i Punëve të Jashtme, dhe kur përfaqëson Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve (1923-1939). Si Komisar i Lartë në Komisionin  Ndërkombëtar për caktimin e kufijve shqiptarë,   Mehdi Frashëri kontribuoi më shumë se të katër delegacionet shqiptare (Qeveria e Durrësit, Esad Pasha. Stambolli dhe Rumania) që shkuan në Konferencën e  Parisit. Ai arriti të bindte shumë kundërshtarë për ruajtjen e kufijve të caktuar në Konferencën Londrës të vitit 1913, duke kundërshtuar atë të Londrës (1915) kur ishte hartuar  traktati i fshehtë famëkeq midis Francës, Rusisë, Italisë  dhe Anglisë, që e ndante Shqipërinë midis fqinjëve duke lënë vetëm pjesën qendrore  në sundimin e Esat Pashë Toptanit. Italia merrte Vlorën dhe Sazanin  kurse territoret e tjera  Greqia(Jugun) dhe Serbia   (Veriun).
Më mire se shumë atdhetarë të tjerë Mehdi Frashëri kishte ndjekur me vëmendje politikën e Fuqive të Mëdha evropiane ndaj Ballkanit që konsiderohej tokë e kontradiktave  dhe në të çdo gjë ndodh ashtu sikundër nuk duhet të ndodhi. Megjithatë, secili nga vendet e kishte përkrahësit dhe   tutorët e vet kurse Shqipëria duhet t`i dilte për zot vetes. Ajo ishte kthyer në një monedhë këmbimi të vyer në pazaret e Fuqive të Mëdha. Madje këtë e kishte pohuar haptas edhe ministri  i jashtëm  anglez Edward Grei kur dha shpjegime në Dhomën e Komunave  për çështjen e caktimit të kufijve të Shqipërisë:?Jam i bindur se, kur të dihen të gjitha, ky veprim do të kritikohet me të drejtë nga shumë anë, prej çdo njeriu që e njeh vendin dhe e shikon çështjen vetëm nga pikëpamja e popullsisë së tij. Por duhet  të kemi parasysh se, në bisedimet rreth kufijve të Shqipërisë, qëllimi kryesor ishte të mos hapej konflikt midis Fuqive të Mëdha. Prandaj, në qoftë se marrëveshja mbi Shqipërinë u arrit duke mbajtur harmoninë midis Fuqive të Mëdha, mund të themi se ka qenë një sukses i plotë për interesin jetësor të paqes në Evropë.? Kjo nuk duket të jetë dhe aq e vërtetë po të konsiderojmë paqen në Ballkan dhe në shtëpitë e shqiptarëve nën zgjedhë të huaj.
Me këto disavantazhe shkonin delegacionet shqiptare në Konferencën e Parisit, ku në tryezat e bisedimeve të komisioneve dhe nënkomisioneve u shtruan mjaft opsione, veçse asnjëri në favor të Shqipërisë.
Më 30 maj 1919  nënshkruhet Traktati  i Paqes në Paris, ku Shqipëria shpallej shtet i pavarur, kufijtë e të cilës do të përcaktoheshin më vonë. Ky qe një paragraf i traktatit shumë i vështirë për t`u zbatuar  Nuk zbatohej sepse trojet shqiptare  konsideroheshin nga fqinjët (serbët, grekët , malazezët, bullgarët) si pikëmbërritje e synimeve të tyre ekspansioniste, nuk  zbatohej se kishte grindje midis Fuqive të Mëdha sepse secila synonte zona influence.
Siç na kumton Romeo Gurakuqi, studimin e të cilit e njohim nga një përshkrim i shkurtër i tij, procesi fillon më Nëntor 1918 kur rivendoset administrata ndërkombëtare në Shkodër, dhe përfundon më 9 Nëntor 1921 kur bëhet vendimi përfundimtar për statusin dhe kufijtë e shtetit të parë shqiptar.
Duhet të përmendim këtu dy ngjarje të mëdha historike, të pavlerësuara  ashtu si duhet deri tani në këtë aspekt, të cilat përshpejtuan zbatimin e vendimeve  të Konferencës së Parisit : Kuvendin  e Lushnjës dhe Luftën e Vlorës. Kuvendi i Lushnjës u mblodh më 21 janar 1920, nën kryesinë e Aqif Pashë Elbasanit. Kuvendi shpalli krijimin e Shtetit të Ri Shqiptar nën drejtimin e një këshilli të lartë regjence  dhe shpalli të rrëzuar  Qeverinë e Durrësit  dhe nuk pranonte asnjë formë mandati dhe protektorati të të huajve. Në telegramin që i dërgoi Fuqive të Mëdha dhe Konferencës së Paqes në Paris thuhej se,…? populli shqiptar do të luftonte deri pikën e fundit të gjakut kundër çdo vendimi që vinte në rrezik tërësinë tokësore të atdheut dhe pavarësinë…?
Deri ahere (1919-1920) çështja shqiptare nuk u diskutua si më vete  por si një aspekt anësor i problemeve me të cilat u morën bashkëbiseduesit. Ndryshimi ndodhi me qëndrimin e  njohur të Presidentit amerikan Willson për të drejtën e popujve për vetëvendosje dhe notën e qeveris amerikane të 6 Marsit 1920 sipas së cilës kërkohej që çështja shqiptare nuk duhet të ishte subjekt i bisedave ndërmjet Italisë dhe Jugosllavisë e aq më tepër që Presidenti kishte kundërshtuar që tokat shqiptare në jug dhe veri të vendit të përdoreshin për kompensim të të tjerëve. Siç vëren me të drejtë Romeo Gurakuqi, ndërhyrja e qeverisë amerikane ishte një goditje për  Traktatin e fshehtë të Londrës (1915). Nuk duhet mohuar gjithashtu kontributi i shqiptarëve të Amerikës për një qëndrim të tillë ashtu dhe pranimi i vendit tonë në Lidhjen e Kombeve (Dhjetor 1920), që e njohu përfundimisht si vend të pavarur.
Qeveria e dal nga Kuvendi i Lushnjës më 11 Shkurt u vendos në  Tiranë që u caktua kryeqytet i Shqipërisë. Jehona e Kuvendit qe e madhe dhe e menjëhershme në Perëndim, prandaj mendimet në Konferencën e Paqes në Paris filluan të ndryshonin. Kështu më 11 mars 1920 – Forcat e  Fuqive  të  Mëdha largohen nga Shkodra dhe i dorëzojnë qytetin autoriteteve të Qeverisë Shqiptare.
Pra Kuvendi i Lushnjës dhe Lufta e Vlorës shpëtuan vendin nga asgjësimi. Sigurisht ato që ndodhën më vonë kanë nevojë për shpjegime që nuk është as vendi dhe rasti për t`i analizuar. Veçse odiseja e përcaktimit në terren e kufijve të Shqipërisë do të vazhdonte gjatë..
Në vitin 1923, siç thamë, Mehdi Frashëri caktohet Komisar i Lartë në Komisionin Ndërkombëtar për caktimin e kufijve shqiptarë. Falë aftësive të jashtëzakonshme diplomatike të Mehdi Frashërit, të këtij shtetari  dhe politikani  të madh, këtij juristi dhe negociatori të shkëlqyeshëm me kontribut historik në mbrojtjen e çdo pëllëmbe të kufijve e kemi Shqipërinë sot, se mund të mos ishte kaq. Dhe diktatura e shpalli ?armik? patriotin e madh, pasardhës i drejtpërsëdrejti i derës së Frashëllinjëve.
Jo rastësisht në maj të vit 1919 Presidenti amerikan në Konferencën e Paqes në Paris  kur fitimtarët ishin turrur mbi të mundurit, shpalli idenë e madhe të  vetëvendosjes   së   popujve,  ide që pak kush e kuptoi atëherë por që u bë orientimi bazë i politikës së jashtme amerikane. Qysh nga ajo kohë ka kaluar afro një shekull dhe ende ajo nuk po  bëhet realitet për kombin shqiptar.
Itinerarin e përcaktimit të kufijve të shtetit të parë shqiptar, i cili u përpunua në kancelaritë e Fuqive të Mëdha ku kontributi vendimtar ishte i amerikanëve e përcaktojnë këto piketa kryesore:
-Tetor 1913, vjen në Shqipëri Komisioni Ndërkombëtar për caktimin e kufijve .Mehdi Frashëri ishte kryetar i përfaqësisë shqiptare pranë këtij komisioni. (Veprimtaria  e këtij Komisioni është e pasqyruar me imtësi  në Kujtimet)
-26 prill 1915 – Traktati i Fshehtë i Londrës e copëtonte në mënyrë drastike Shqipërinë .
-30 maj 1919-Në Konferencën e Parisit caktohen kufijtë e Shqipërisë.
-1921 përmbyllet marrëveshja për caktimin e kufijve aktuale që kërkoi dhe disa vite punë në terren.
Vite më vonë Richard Hollbruk, negociatori  i Marrëveshjes së Dejtonit  dhe i Konferencës së Rambujes , në parathënien e veprës ?Paris, 1919? të historianes kanadeze Margaret Mackmilan midis të tjerave shkruan se në konferencën e Parisit Katërshja e Madhe  kishte synuar  të vinte rregull  jo vetëm në Evropë por në të gjithë botën , por në të vërtetë, vetëm 20 vjet më vonë, u provua se ajo kishte mbuluar krizën me krizë.   Një nga këto ?kriza? ishte dhe krijimi arbitrar i Jugosllavisë, burimi më i  madh i konflikteve në Evropën e sotme.
Duke bërë këtë ekskursion  kohor në përcaktimin e kufijve të Shqipërisë nëpërmjet leximit të veprës ?Kujtime(1913- 1933)” ne kishim për synim të kuptojmë  rëndësinë e madhe historike për kombin  tonë të ngjarjeve dhe zhvillimeve të fundit për Pavarësinë e Kosovës . Është pikërisht triumfi i  Politikës Amerikane për lirinë dhe pavarësinë e popujve  që bëri të mundur shpalljen në Vjenë të ?Paketës  Ahtisaari? që e çon Kosovën drejt Pavarësisë.
Dëshiroj të ve në dukje se po mbushet një shekull që nga ajo ditë që Shqipëria, siç shkruante me dorën e tij Mustafa Kruja në Aktin e Kuvendit të Vlorës më 28 Nëntor 1912, “ .. bahet më vehte, e lirë e e mosvarme”. Në fakt shteti që ju njoh shqiptarëve nga Fuqitë e Mëdha dhe të tjerët nuk përfshiu gjithë tokat e banuara nga shqiptarët –Shqipërinë. Si për një koincidencë ishin po amerikanët (nën flamurin e NATO-s) ata që çliruan shqiptarët e Kosovës nga zgjedha dhe dhuna  e Serbisë, e cila arriti kulmin dhe përmasat e një gjenocidi nën marrëzinë e Millosheviçit.
Jemi në kohën kur po krijohet shteti i dytë shqiptar, prapë në një pjesë të tokave shqiptare dhe në kufi me shtetin e parë shqiptar, e jo vetëm me të. Është një zgjidhje që po duhet ta pranojmë dhe të gëzohemi, jo pa vërejtur se miqtë dhe  dashamirët e shqiptarëve po mundohen të mërzisin sa më pak miqtë e të tjerëve, e të lëndojnë sa më pak ata që po humbin pushtetin e padrejtë mbi shqiptarët, duke kontribuar dhe për stabilitetin e rajonit. Mbetet veç të shpresojmë në përfshirjen e të gjithëve neve në Bashkimin Evropian dhe se ahere do të kemi kuptuar se bashkësia dhe jo përçarja feudale bije përparimin.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora