E shtune, 27.04.2024, 10:20 PM (GMT+1)

Faleminderit

Aleksandër Meksi: Një emër që na nderon - At Zef Pllumi

E merkure, 30.07.2008, 06:25 PM


At Zef Pllumi
Një emër që na nderon - At Zef Pllumi

Nga Aleksandër Meksi 

Në kohën tonë kanë parë drirtën e shtypit sprova të shumta për të kërkuar të vërtetat e fshehura apo të “harruara” gjatë 50 viteve të shkuara, historinë, ngjarje dhe njerëz të cilët “bënë historinë” gjatë një periudhe jo të vogël, nga pavarësia deri para Luftës së Dyte Botërore. Duhet pranuar se jane hapur dritare të shumta për ta parë këtë periudhë, deri dje të ndaluar, kur shqiptarët treguan se ishin dhe evropianë, dhe të ditur, dhe të aftë për të ndryshuar vendin dhe njerëzit në rrugën e gjatë nga Anadolli në Evropë (në kuptimin figurativ), nga autokracia në demokraci, nga krahinalizmi dhe klientelizmi fisnorë në meritokraci, nga prapambetja në qytetërim. Sigurisht, jo çdo libër që botohet, apo çdo gjykim i shprehur është i drejtë e i përkryer, rëndësi ka që po flitet e po shkruhet për atë periudhë. Eshtë koha ajo, që si gjithnjë, do të gjykojë me drejtësi të kaluarën . Kjo rrugë duhet të ndiqet me më shumë dije e me më pak paragjykime, në mënyrë më të organizuar e shkencore, me më pak diletantizëm dhe, kryesisht, duke u bazuar në dokumentacionin historik. Nuk mund të mos vërej se nga institutet shkencore dhe studiues të veçantë nuk ka interesim për këtë periudhë , nuk jepen tema nga kjo periudhë e me këtë problematikë, për kërkime reale apo dhe për mbrojtje doktoranture, në mënyrë që dhe këto kërkime të kenë të drejtën e ”qytetarisë”, si shumë të tjera që jepeshin deri dje (madje dhe kur ishin fiktive) por që vazhdojnë të konsiderohen edhe sot. Pra, vazhdohet ende me metodat e deridjeshme, arkaike e të superuara. Gjatë diktaturës vuajtën dhe u persekutuan, u vranë, vdiqën burgjeve dhe u internuan shumë njerëz. Shumë. Një numër i pamasë për një popull të vogël. Ndër ta një grup më vehte, që i qëndroi dhunës me dinjitet dhe stoiçizëm, ishin të përndjekurit për shkak të besimit në Zot, shërbenjës të fesë e besimtarë, të cilët refuzuan t’i bien mohit fesë së tyre, Perëndisë së tyre. Fillimisht ata u përndoqën menjëherë pas luftës, por më mizorisht pas vitit të mbrapsht 1967. Një vend nderi ndër ta ze At Zef Pllumi, i cili, siç thotë në veprën e tij, rron që të na tregojë, por jo për vete, si shumëkush, por për të tjerët, sepse e di fort mirë se po të harrohet, marrëzia e komunistëve rrezikon të përsëritet. Ai, si shumë klerikë të tjerë që dolën gjallë nga ferri i Enverit të parë, nuk kërkoi asgjë nga demokracia, po vazhdoi punën e vet si bari i grigjës së Perëndisë sepse, e kuptoi se përpara duhej ba njeriu e pastaj Shqipëria e demokracia. Ata nuk i shikon tribunave, ata nuk japin intervista, ata vuajnë me vuajtjet e njerëzve, gëzohen me gëzimet e tyre dhe festojnë bashkë me ta. At Zefi është i fundmi ndër etërit e vërtetë të kishës katolike shqiptare, të një brezi i cili qysh me krijimin e shtetit shqiptar, ashtu si dhe më përpara, punoi pa u kursye për një Shqipëri të mirë e të përparuar, është i fundmi i një race edhe më e rallë sot se dje, por që sigurisht do të rikrijohet, nën mësimet e duke ndjek rrugën e atyre që i mbijetuan “në besim” dhunës absurde të deridjeshme. At Zef Plllumi ishte konseguent në bindjet e veta , por jo me kryeneçësi arbërore. Bindjet e tia nuk i tradhëtoi e nuk i mohoi, e për këtë, e pësoi dhe mbajti mbi shpinë, si i pari i fesë së vet, kryqin e rëndë dhe pranoi martirin. Ai nuk u bë as tregtar flamujsh, as kameleon e as i paprincipt, por i mbeti besnik Krishtit Zot. Padër Zefi bashkë me shokët e tij në fe dha një kontribut të çmueshëm në ringritjen e kishës katolike, të shkallmueme në gjithë shfaqjet e sajë materiale, por jo në zemrat e besimin e njerëzve. Në këto vite të vështira, nën robën e thjeshtë të françeskanit ai ka mbetur i njejtë duke mbajt mbi supe peshën e rëndë të viteve dhe mundimeve. Sjellja e tij, qëndrimi dhe zëri i tij rrezatojnë urtësi e humanizëm, besim tek ai dhe respekt për besimin e tij. Atë nuk e gjen asnjëherë vetëm por të rrethuar nga besmitarë e nevojtarë, nga miq e nxënës. Dhe prej tij gjithnë ke çfarë mëson, jo vetëm për besimin e tij. Zef Pllumi shquhet ndër ne jo vetëm për mendimin e tij por dhe për kontributin në kulturën shqiptare. Ai ka lindur në vitin 1924 në Malin e Rencit (Lezhë). Në vitin 1931 hyn në kolegjin françeskan të Shkodrës ku ndjek ciklin e arsimimit klasik me mësues personalitetet e shquara të kulturës kombëtare si At Gjergj Fishta, Pater Anton Harapi, At Gjon Shllaku e të tjerë ku, veç të tjerash, përvehtëson dhe mjaftë gjuhë të huaja. Gjatë viteve 1943-1944 është bashkëpunëtori ma i ri i revistës “Hylli i Dritës” dhe sekretar personal i Pater Anton Harapit. Në fund të vitit 1946 arrestohet dhe dënohet me tre vjet burg, të cilat i vuan në kampet famëkeqe të Bedenit dhe Orman-Pojanit. Në vitin 1956 shugurohet meshtar dhe për 12 vite shërben si meshtar i Dukagjinit me qendër në Shosh. Në vitin 1967 arrestohet dhe për 23 vite vuan dënimin në burgje dhe kampe të ndryshme. Me ardhjen e demokracisë rifillon meshtarinë tek Kisha e Shna Nout në Tiranë (25 Dhjetor 1990). Prej atëhere nuk pushon dhe pasioni i dikurshëm për dijen dhe kulturën. Nga viti 1993 deri 1997 rinxjerrë revistën “Hylli i Dritës”, e cila, pas një ndërprerje ka dal dhe këtë vit. Janë gjithashtu këto vite kohë e një veprimtarie krijuese për At Zefin. Ai shkruan dhe boton trillogjinë ”Rrno vetëm me tregue”, vëllimet “Françeskanët e mëdhenj”, “Frati i Pashallarëve Bushatli, Erazmo Balneo”, “Ut heri diçebamus – siç i thonim dje”, ndërkohë, megjithë moshën e thyer e vështirësit e shikimit, i ndihmuar nga nxënësit e vet po punon për libra të tjera. Një ndër nismat e tij me vlerë të pamasë është dhe ribotimi i kolanës së plotë të veprave të etërve françeskan, të zhdukura barbarisht nga qarkullimi dhe nga raftet e bibliotekave. Një krijmtari e frymëzuar dhe me vlera të mëdha që intelektualë të shquar, pjestarë të klerit katolik, bënë në vitet 20-30 të shekullit të kaluar, për të krijuar Shqipërinë e qytetëruar. Njëkohësisht kjo tregon se çka është me vlerë nuk humb por mbetet, ndërsa ne duhet t’ju përulemi atyre me rrespekt. Në këto vite At Zef Pllumi ka dhënë ndihmesën e tij edhe në fushë e arsimimit të rinisë. Falë ndërhyrjes dhe e këmbënguljes së tij, është bërë e mundur që gati 150 të rinjë të dërgohen për studime të larta jashtë vëndit. Ishte ndërhyrja e tij që mundëson së hapjen së shpejti të shkollës së mesme austriake në Shkodër. Për të kuptuar shpirtin human të At Zef Pllumit po sjell një ndodhi personale me të. Pas një bisede të përzemërt, që zgjati 2-3 orë, ku folëm gjerë e gjatë për probleme tonat, nga politika tek shkenca, nga e djeshmja tek e sotmja, për botime dhe interesa në këto fusha, shkëmbyem libra dhe u ndamë duke shtërnguar duart. Për një çast ai kujtohet dhe më pyet: a keni pas të bani me Gabriel Meksin ? Po i thashë unë, jam djali i tij. Ai më shtërngoi dhe një herë dorën dhe më tregoi një episod nga provimi i tij i maturës në lëndën e historisë. Kur nxënës Zefi filloi të përgjigjet, një nga mësuesit i ndërhyn duke i bërë vrejtje për opinionin e shprehur. Im atë, i pranishëm si përfaqësues i Ministrisë së Arsimit atë vit në Shkodër, ndërhynë duke e marrë në mbrojtje me fjalët: këto përgjigje janë për mua , djali le të vazhdojë. Nxënësi i atëhershëm Zef Pllumi mori në maturë notat më të larta dhe sot 60 vjet e kusur mbante mënd përkrahjen që pati nga dikush, që nuk njihte më parë dhe që nuk e takoi më kurrë. Mirënjohje kjo, e pa interes, mjaft e rallë ndër shqiptarët e sotëm, por jo për njerëz me zemër të madhe si Padër Zef Pllumi. Jeta dhe veprimtaria e At Zef Pllumit gjer më sot, në dobi të njerëzve dhe për të mirën e kombit, tregojnë qartë personalitetin shumëplanësh të tij si njeri që i kapërceu me dinjitet provat e vështira që jeta i kishte rezervuar, si një figurë e shquar e katolicizmit shqiptar, si njeri i shquar i kulturës shqiptare. Emri i tij , puna e tij, janë një nder për kombin shqiptar dhe është detyra e jonë ta shprehim këtë dhe e atyre që janë të ngarkuar, për t’ia dhënë këtë cilësim.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora