E hene, 29.04.2024, 08:07 PM (GMT+1)

Faleminderit

Mustafë Xhemaili: Hysen Tërpeza, një legjendë për Kosovën

E premte, 01.08.2008, 08:57 PM


Hysen Tërpeza, një legjendë për Kosovën

(10.06.1910 - 23.06.2002)

Nga Mustafë Xhemaili

GJENERATË E ARTË E VETERANËVE TË LËVIZJES KOMBËTARE TË KOSOVËS

Në Zvicër pata rastin, dhe fatin e mirë, të takoj e të punoj me emra të shquar të gjeneratës së veteranëve të Lëvizjes Kombëtare të Kosovës për liri e pavarësi. Ata, në Zvicër, ishin për qëllime pune me mërgimtarët dhe organizatat e tyre patriotike të cilave u erdhën në ndihmë në momentet më të rënda por edhe më vendimtare për fatin e Kosovës.

Ndër ta, këtu, po veçoj, Ahmet Haxhiun i cili organizonte radhët militante në Kosovë, mbante dhe regjeneronte lidhjet e LPRK-në (sot LPK), në Kosovë dhe Disaporë, dhe, ishte delegat në kuvendet e Degës së kësaj organizate jashtë vendit; Anton Çettën, i cili erdhi në kohën kur edhe mërgimtarët falën gjaqet dhe plagët. Ai edhe jashtë vendit i printe me sukses Lëvizjes Gjithëpopullore për faljen e gjaqeve, sepse lufta e armatosur në Kosovë ndihej në erë; Arif Seferin, një tjetër delegat i spikatur nga radhët militante të LPRK-së, që sillte impulse të fuqishme për mërgimtarët nga Kosova dhe viset e saja të robëruara nën ish-Jugosllavi; Shaban Halitin, një veteran i shquar e i papërkulur në luftë për lirinë e Kosovës, i cili në ilegalitet të thellë sillte lajme, informata, vlerësime të sakta mbi gjendjen dhe lëvizjet politike në Kosovë dhe Jugosllavi, si dhe Hysen Tërpezën.

Këta, dhe të tjerë, ishin gjenerata e artë e veteranëve të Lëvizje Kombëtare të Kosovës, ishin dhe mbetën shtylla të papërkulura për lirinë e saj, duke e merituar një respekt të jashtëzakonshëm nga ana e mërgimtarëve, me të cilët bënë aq shumë punë.

KOMANDANT HYSEN TËRPEZA -USHTAR I SHQIPNISË ETNIKE

Siç do të shihet në këtë botim, Hysen Tërpeza, Komandant i forcave luftarake për mbrojtjen e Kosovës nga ripushtimi serbosllav në vitet 1944-45, do të bëjë luftëra të ashpëra e të njëpasnjëshme. Ai do të detyrohet të arratiset dhe me armë në dorë t'i çajë rrethimet si dhe ta shpërthej kufirin në Greqi në fund të vitit 1945, për të kërkuar më në fund strehim në këtë shtet bashkë me një grup jo të vogël bashkëluftëtarësh. Nga Greqia ai shkoi në Itali, ndërsa në SHBA Hysen Tërpeza shkoi në vitin 1956. Aty, më 24 korrik 1967, e merr shtetësinë amerikane. Pas një veprimtarie të dendur dhe mjaft efektive në Diasporën tonë në SHBA, Hysen Tërpeza për të qenë më afër Kosovës, vjen në Evropë në fillim të viteve 80-ta. Ardhjet e tij në Evropë shpeshtohen veçanërisht pas Demonstrateve Gjithëpopullore në Kosovë të vitit 1981. Por, vetëm pas rënies së Murit të Berlinit, dhe përfundimit të Luftës së Ftohtë, e veçanërisht pas vitit 1992, ai vendos të jetoj dhe veproj në Zvicër. Vendosja e tij në Zvicër ishte një mbështetje e konsiderueshme për mërgimtarët. Ata e pritën kudo me entuziazëm, në banesat e tyre, në festat dhe vdekjet e tyre, në gëzimet dhe pikëllimet e tyre. E ftonin dhe ai me kënaqësi shkonte nëpër manifestimet e ndryshme. Ai nuk bënte dallime politike, fetare e krahinore. Përvoja e tij e jashtëzakonshme në luftëra të armatosura, në përleshje fytafytas me armiqë, në përleshje politike me kundërshtarët, në debate dhe organizime politike mbi çështjen e Kosovës, Hysen Tërpezën e bëri një personalitet të rrallë me njohuri solide mbi problemet e së kaluarës dhe problemet aktuale. Para mërgimtarëve tanë në Zvicër, mbante fjalime historike, politike, moralizuese, mbante fjalime trimërie e guximi, shembulli e sakrifice. Ai u bë krah i fuqishëm i Diasporës sonë në Zvicër dhe në Gjermani u bë një referencë e shkelqyer, shembull dhe prototip i luftëtarit të guximshëm e i vendosur i popullit të vet, që ishte ngritur në luftë për lirinë e tij kombëtare.

Në vitin 1997, në përvjetorin e 87-të, të jetës, nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, pikërisht, në ditëlindjen e tij më 10 qershor, iu nda me dekret Presidencial

URDHËRI GJERGJ KASTRIOTI SKENDERBEU:

„NACIONALIST DHE DEMOKRAT I PAMPOSHT-UR, SHEMBULL I GJALLË I LUFTËTARIT DHE VEP-RIMTARIT KONSEGUENT E TË PATREMBUR PËR ÇLIRIMIN E KOSOVËS DHE TROJEVE TONA TË ROBËRUARA".

Themelimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe fillimin praktik të Luftës së Armatosur për çlirimin e Kosovës, Hysen Tërpeza, e përjetoi si ngjarjen më të rëndësishme në jetën e tij. Ndërsa më 24 mars ditën kur filluan bombardimet e NATO-s mbi Serbinë, Hysen Tërpeza ishte në banesën time në Bienne. Ishte planifikuar të vinte një ekip i televizionit të regjionit të Bernës për të bërë një reportazh me reagimet e një familjeje shqiptare me rastin e fillimit të bombardimeve. Pikërisht në orën 19,40 minuta, kur kishin filluar bombardimet mbi Beograd, në atë reportazh televiziv, edhe Hysen Tërpeza do të japë deklaratë, e cila gjatë 12 orëve të ardhshme do të emetohej pandërprerë: „Populli shqiptar ka vuajtur shumë. Shqiptarët e kanë pritur këtë ditë. Ata e meritojnë lirinë, sepse UÇK-ja bashkë me aleatët tanë Amerikën dhe Evropën përparimtare do ta heqin Serbinë pushtuese nga Kosova".

Pas 55 vjetësh mërgimi, Hysen Tërpeza, ushtari i Shqipnisë Etnike, me 89 vjetët e tij mbi supe, u kthye në Kosovën e tij të dashur. Ishte një ditë korriku, ditë e nxehtë e vitit 1999, pa pushtuesit sllavë. Ditë e lirë, e gëzuar. Një ditë e bardhë si shpirti i luftëtarit të paepur, e triumfues, si shpirti i Hysen Tërpezës.

Pò, në një tjetër ditë, poashtu të bardhë, ndërroi jetë në tokën dhe dheun, për të cilin kishte luftuar gjithë jetën e tij shekullore.

Ajo ditë ishte 23 qershori i vitit 2002.

Hysen Tërpeza kishte mbushur 92 vjetë e 13 ditë!

Ushtari i Shqipnisë Etnike ishte kthyer përgjithmonë në Kosovë.

„LUM KOSOVA QË JU KA!"

Me Hysen Tërpezën pata një njohje tjetërfare. Të veça-ntë. Ai në jetën time hyri definitivisht në vitin 1992, kur kishte vendosur, përfundimisht, të më rrëfente gjithçka për jetën e tij. Për punën e tij, të mirat dhe të këqijat, të bërat dhe të pabërat e tij që kur kishte dalur nga Kosova, në vitin 1945, vitin e largët e të egër, të zymtë e plot masakra. Ai ndjente, me instiktin e një luftëtari të stërvitur në situata të rënda, se në Kosovë po fillonte ajo që ai e kishte përjetuar në rininë e tij dhe që kishte ëndërruar gjithë jetën e tij mërgimtare: lufta e armatosur për liri! Por ishte i shqetësuar deri në kulm. Nuk e shihte të bashkuar në Kosovë faktorin NJERI kundër ofansivave serbe, të cilat i njihte mirë. Ai e paramendonte se çfarë ploje mund të bënte Serbia kundër popullit shqiptar në kushtet e reja dhe me armët moderne që ajo kishte në përdorim.

Hysen Tërpeza, i cili jetonte me nipat e vetë në Zvicër, vinte te unë në Biel-Bienne, dhe rrinte me dëshirë nga 10-15 ditë rresht. Bisedat tona të gjata mbi luftërat, përpjekjet dhe aktualitetin në Kosovë filluan të marrin një rrjedhë interesante. Dëshirën time për intervista të plota, shterruese, por edhe hulumtuese, ia shpreha si një detyrë timen që duhej ta kryeja ndaj, jo vetëm Hysen Tërpezës, por edhe ndaj gjithë atyre bashkëluftëtarëve e shokëve të tij që kishin rënë fushave të betejës, apo ishin tretur nëpër rrugët e botës mërguar e harruar. Thellohej në mendime, me një dhembje të theksuar në fytyrë. Më në fund shpërthente rrëmbyeshëm, por i gëzuar:

«Ju të gjeneratës së re jeni më të mirë se neve të gjeneratës së vjetër! Sepse, bre mixhë, ju keni shkollën! Lum Kosova që ju ka!»

Besimi i tij i patundur në shkollën shkonte deri në besim si te Zoti!

REGJISTRIMI DHE FILMIMI I BISEDAVE

Fillimi i regjistrimit të bisedave në manjetofon është bërë më 12 dhjetor 1992, në Friburg, të Zvicrës. Por gjatë vitit 1993, në banesën time në Biel-Bienne, janë bërë dhe kompletuar në audiokaseta bisedat e gjata të Hysen Tërpezës për kohën që nga Lufta e Parë Botërore e deri në vitin 1945, kur ai detyrohet të dal nga Kosova e të strehohet në Greqi me grupin e vogël të bashkëluftëtarëve të tij, si dhe bisedat për kohën që ka kaluar në Greqi, Itali dhe në SHBA.

Në arkivin tim janë 8 audiokaseta 90 minutshe (SKC-CD-Super Chrome) me gjithësejt 12 orë regjistrim biseda me Hysen Tërpezën.

Nga këto biseda të gjata, në vitin 1997-1998, në revistën KOMBI, në Prishtinë, kam botuar fejtoni me titull: «Hysen Tërpeza, luftëtar i Shqipërisë Etnike».

Në vitin 1997, kam bërë intervistë me Hysen Tërpezën me kamerë profesionale, ku është filmuar gjithë rrrëfimi mbi jetën e tij. Xhirimet janë bërë në Gjenevë, Nyon, Lozanë dhe në Balstal. Ato i kam kryer në bazën e skenarit që e kam shkruar për një seri emisionesh dokumentare televizive mbi figurën dhe personalitetin e Hysen Tërpezës, duke e lidhur me ngjarje, kohë, rrethana e vende të caktuara. Kameramanët ishin Agron Sedllari dhe Milazim Salihu, xhiruesë filmik.

Të gjitha bisedat janë të filmuara në teknikën profesionale, me kamera BETACAM, në 10 shirita, ku përbëjnë një material prej 300 minutash.

Nga ky material kam përgatitur vetëm një dokumentar aktualiteti 30 minutësh me Hysen Tërpezën, me titull „Toka nuk përfaqëson njerëzit, por njerëzit përfaqësojnë tokën",

i cili në vitin 1998, është emetuar në Program et satelitore të redaksisë së Televizionit të Prishtinës në Tiranë, si dhe është ritransmetuar dy herë, në qershor të vitit 2002, në RTK, me rastin e vdekjes së Hysen Tërpezës.

Bisedat që kam zhvilluar me Hysen Tërpezën janë shterruese. Është vërtetuar me kohë, se një pjesë e bisedave të tij, ende nuk është koha të jipen për publikun e gjerë.

Hysen Tërpezën, shumë veta e kanë regjistruar apo filmuar kur ai ka rrëfyer jetën e tij në biseda të shlira në oda të mbushur me njerëz, apo në shoqëri me miqë e shokë. Një pjesë e këtyre intervistave pastaj janë botuar apo emetuar duke mos e plotësuar asnjë elementë të intervistës, as për lexuesit e gazetës as për shikuesit e televizionit. Fatkeqësisht ato biseda edhe janë keqpërdorur. Në një rast, Hysen Tërpeza, reagoi shumë ashpër, kundër një interviste të botuar në një revistë në Prishtinë, ku thuhej se Hysen Tërpeza ishte pjesëmarrës në Mbledhjen e Mukjes!

Ndërsa pas vdekjes së tij, për një emision dokumentar, në qershor 2003, është emetuar një bisedë e gjatë, e bërë në një odë burrash në Stamboll në vitin 1991, e cila ishte regjistrua në teknikën më të thjeshtë VHS.

Për fat të mirë, materialet e regjistruara dhe të filmuara që janë bërë me Hysen Tërpezën, në një periudhë kohore 6 vjeçare (1992-1997), sa unë pata nderin e madh të jem afër dhe bashkë me të, përbëjmateriale të pasura e profesionale, mbi këtë figurë të jashtëzakonshme të historisë sonë kombëtare.

PUBLICISTIKA

Hysen Tërpeza është i njohur edhe si publicist. Më 1976, në Nju-Jork, ai boton librin-dokument me titull: „Ka me na gjykue Nana Kosovë". Përshkrimi i sakt i ngjarjeve dhe rrethanave bëri që ky libër t'i qëndroj kohës dhe ende të përdoret si një referencë. Hysen Tërpeza, veç me veprimtari organizative politike e luftarake, në Kosovë është i njohur edhe përmes këtij botimi. Në vitet shtatëdhj eta, libri "Ka me na gjykue Nana Kosovë", është lexuar në Kosovë dorë më dorë, fshehtas. Ai është shpërndarë si një material propagandastik i dorës së parë në radhët e Lëvizjes Ilegale të Kosovës. Pjesë të ndryshme të tij janë përshkruar edhe me dorë për t'u shpërndarë sa më shumë e vërteta e krimeve dhe gjenocidit mbi shqiptarët si dhe për t'i denoncuar qëllimet e errëta të një pjese të emigracionit shqiptar në SHBA.

Ky libër është ribotuar në vazhdime në revistën "Republika", Lubjanë, ndërsa në këtë botim për Hysen Tërpezën libri-dokument, botohet si tërësi.

Në vazhdim të kapitullit mbi shkrimet publicistike të Hysen Tërpezës, botohet edhe shkrimi me titull „Tradhtia serbe, planifikimi i qeverisë jugosllave për shpërnguljen e shqiptarëve", maj 1979, Gjermani.

Në vitin 1979, Hysen Tërpeza boton dhe shpërndanë për të parën herë, në gjuhën shqipe Elaboratin e Vasa Çubriloviçit, manifestin për asgjësimin e shqiptarëve "Shpërngulja e shqiptarëve".

Shkrimin e vet sqarues prej shtatë faqe A4, ia bashkangjet këtij Elaboratit të Çubrilloviçit dhe e shpërndanë në qindra e qindra adresa anembanë Gjermanisë, Zvicrës, Francës, Italisë, Belgjikës, SHBA si dhe depërton në Kosovë.

NJË PËRMBYLLJE

Në kapitullin Dokumente botohen për herë të parë letra dhe telegrame me rastin e 87-Vjetorit dhe marrjes së Urdhërit "Gjergj Kastrioti Skenderbeu" nga Republika e Shqipërisë, më 10 qershor 1997. Një manifestim madhështor u organizua për nder të Hysen Tërpezës në Münzingen (Bernë), Zvicrës.

Në kapitullin Fotoalbum, j anë vetëm nj ë pj esë shumë e vogël e fotografive, që nuk kanë të bëjnë me një përgjithësim të rrugës së gjatë të Hysen Tërpezës. Sepse me Hysen Tërpezën janë fotografuar me qindra e mijëra vetë, e më së shumti mërgimtarë shqiptarë që nga Stambolli, Parisi, Gjeneva, Cyrihu, Berlini, Stokholmi, Londra e Nju-Jorku. Prandaj, një album ku do të përfshinte jetën e dhe veprën e tij në fotografi - për këtë rast është i pamundur.

Deri tash, përveç shumë intervistave të ndryshme nëpër gazeta dhe revista, publikime dhe transmetime televizive më serioze mbi jetën dhe veprën e Hysen Tërpezëz janë:

1. Hysen Tërpeza: „Ka me na gjykue Nana Kosovë", Nju-Jork, 1976,

2 Hysen Tërpeza: „Tradhtia serbe, planifikimi i
qeveris jugosllave për shpërnguljen e shqiptarëve", ,

Gjermani, maj 1979

3 .Mustafë Xhemaili: "Hysen Tërpeza, luftëtar i
Shqipërisë Etnike", intervistë në 13 vazhdime, Kombi,
Prishtinë, 1997-1998

4. Ilaz Metaj-Ali Llunji: "Hysen Tërpeza - histori

e gjallë", monografi, Prishtinë, 1992

Emisione dokumentare televizive:

5. „Toka nuk përfaqëson njerëzit, por njerëzit

përfaqësojnë tokën", M. Xhemaili, emision dokumentar, 30 minutësh, emetoi TVSH Satelitor dhe RTK.

6. „Hysen Tërpeza- një jetë për atdhe", A.Llunji, I. Metaj dhe N.Bytyçi, 3 pjesë nga 40 minuta, emetoi RTK.

Edhe ky libër që po botohet tash "HYSEN TËRPEZA - NJË LEGJENDË PËR KOSOVËN", nuk mund të thotë gjithçka për Hysen Tërpezën, njeriun që gjithë jetën e vet ia kushtoi çështjes së pazgjidhur kombëtare të shqiptarëve në Ballkan.

Hysen Sahit Tërpeza, një njeri i fortë nga Katundi Tërpezë i Komunës së Vitisë, autodidakt, me një intelegjencë të theksuar natyrore, me një mbamendje të jashtëzakonshme, një luftëtar me pushkë në dorë, Komandant i forcave të armatosura për mbrojtjen e Kosovës nga ripushtimi i Serbisë më 1944-45, arritti të bëhet edhe një politikan dhe organizator i shquar dhe me ndikim në Mërgatën shqiptare në botë, u bë një figurë emblamatike e shqiptarizmës, një figurë që mbetet të ndriçohet plotësisht, nga historianët.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora