E hene, 29.04.2024, 08:11 PM (GMT+1)

Faleminderit

Kapidani Ndue Gjon Marku me histori dje dhe sot

E premte, 01.08.2008, 07:57 PM


Lavdia e shekujve që ruan fisnikërinë dhe mençurinë e Kapidanëve të Mirditës në rrjedhat e historisë shqiptare

Nga Tomë Mrijaj, New York

Sa herë jam i lodhur ndjehem i çlodhur, sa herë jam i etur më shuhet etja si me magji, sa herë jam larg ndjehem afër në mishërim me historinë e popullit tim, kur marr në dorë "Lahuten e Malcis", qerpiku ma tret gjumin, peshë më ngrihet qënia, zemra më ndizet flakë dhe syri më kthjellon dritën, kur endem mes vargjeve homerike të Lahutës, tek ndalem të marr vesht në një majë mali, në Orosh të Mirditës, në Sarajet e Kapidanit, kur lexoj trinitetin Nacion - Kanun - Kishë Katolike. Mitet dhe lëgjendat zgjohen prej honeve të bjeshkëve dhe si shtojzovalle zbresin me ujëvaret e krenarisë së kullave me sytë e shqipes roje në frëngji dhe poeti i madh Fishta, nis të këndoj vargjet:

 "... Prenk Bibë Doda, djalë zotni:
Për kah mosha, mjaft i ri,
Por i vjetër për pleqni,
Kur të dojë me folë urti:
Aj asht, Zanë, njaj Kapitani,
Kapitani prej Mirditet,
Per të cillin larg perflitet,
Larg perflitet, larg kallzohet,
Zi edhe bardh per te shartohet ..."

At Gjergj Fishta O.F.M.
("Lahuta e Malcis", Romë 1958, fq. 148)

Makina ime ecën me shpejtësi sa herë që unë i jap drejtimin në qytetin e njohur Queens të New York-ut, për t'i bërë vizitë të zakonshme mikut tim të nderuar Kapidanit të Mirditës Ndue Gjon Marku. Sapo afrohesh pak metra pranë shtëpisë së Kapidanit, të del përpara një burrë i gjatë, i veshur hijshëm dhe me elegancë, me një ecje krenarie si lisat e bjeshkëve të maleve tona kreshnike, që me vështrimin si shqiponja të fton pranë hyrjes kryesore të shtëpisë. Kur e takon çlirohesh nga ndonjë emicion i çastit dhe ndihesh si në shtëpinë tënde, për vetë thjeshtësinë e të komunikuarit me të gjithë njerëzit njësoj.

Në mjediset e shtëpisë spikat sfondi shumëngjyrësh i librave dhe dokumentave origjinale të shekullit XX, korrespondencë, me bashkëatdhetarë që kanë qenë përsonalitete të jetës politike, shoqërore dhe kulturore, me studiues të huaj, shokët e universitetit dhe miqtë e shumtë nga Europa dhe Amerika.

 Je përpara një mirditori, të mbrujtur me visarin e traditës së vendlindjes dhe i formuar në shkollimin e mesëm e të lartë në Shkodër, Itali e Austri, i qytetëruar me vlerat e përparimit perëndimor, i cili ia del mbanë të realizojë misionin e tij (Qershor 1944 - 13 dhjetor 1990), në sajë të kurajos të jashtëzakonshme, vullnetit të hekurt, dijës së thellë, pragmatizmit dhe zgjuarësisë për të realizuar nisma të guximshme në vendlindje, Itali dhe ShBA, të cilat sëbashku plotësojnë figurën e madhe të tij në të gjitha pikëvështrimet, për të cilat do të shkruaj më poshtë.

Sipas traditës së moçme shqiptare të mikpritjes, në shtëpinë e tij ruhen ende zakonet e të parëve nga Oroshi i Mirditës. Gjuha e tij shqipe në gëgnisht është shumë e pastër dhe e pasur me fjalë autoktone shqiptare, që do ta kishin zili edhe studiuesit bashkëkohorë në vendlindje dhe në trojet e tjera etnike shqiptare. Me një buzëqeshje dhe fjalët "Mir se t'ka prue Zoti", më ofron paketën e cigareve dhe kafe, të cilat sikurse thotë ai i konsumon shumë.

 Biri i Oroshit, ka një shtat të lartë me një prezencë, njësoj sikurse burrat e shquar diplomatë apo artistë europianë e amerikanë. Pamja e tij të kujton artistët e kinematografisë, ku spikat portreti i fytyrës së tij me tipare të pastra antropologjike të genit shqiptar dhe malësive tona. Ka një kulturë të gjërë dhe të thellë dhe respekton me mall zakonet e të parëve të trashëguar nga kullat kreshnike dhe të respektuar në të gjithë Shqipërinë.

Mes shtëllungave të tymit të duhanit të fortë amerikan (që i kujton duhanin e Sheldisë në Shkodër), pasi mendohet mirë, flet saktë dhe qetë njësoj sikur ngjarjet kanë ndodhur pesë minuta më parë... Kapidani me shumë respekt ngrihet shpejt nga kolltuku dhe për të treguar se është i fortë si më parë, kërkon të më ofrojë ndonjë dokument origjinal historik dhe me një humor të mprehtë mirditori, nis të buzëqesh me gjithë zemër...

 Me një mikpritje të sinqertë thotë, se "me pak meze me raki rrushi Shqipnie asht mir me kuvendue s'bashku" dhe me elegancë mbushë gotat me raki, duke thënë: "Kjoft levdue Kreshti (Krishti)" e "Mir se ke ardh!". E shoh me kujdes Kapidanin, që matet shumë dhe flet pak e saktë, ku çdo rrëfim ka peshën e argumentit dhe logjikën e shëndoshë për kohën dhe moshën e tij 90 - vjecare. Ai ka një diksion e timber të ëmbël në të folur, me një muzikalitet, që vjen nga gjuha e ëmbël gegë e trevave të pasura të Veriut, me të cilën u shkruajtën librat e parë në gjuhën shqipe. Çdo fjalë e tij, ka një gegnishte të përpunueme dhe me nuanca të pellgut të Mirditës, duke shprehur edhe fjalë të moçme shqipe, të ruajtur me fanatizëm gjatë shekujve në tërë krahinën e njohur të Mirditës.

Tek fliste Kapidani për ngjarjet historike dhe bashkëmoshatarët në vendilindje (Orosh), periudhën e udhëheqjes së Mirditës, sipas ligjeve të Kanunit të Dukagjinit (të cilat i kushtohen Derës së Dinastisë të Kapidanëve të Mirditës), unë tresja shikimin tim nëpër fotot e shumta origjinale, që ishin të ekspozuara në faqet e mureve në shtëpinë e tij.

 Familja dhe njeri pas tjetrit Kapidanët e Mirditës dhe deri tek vëllezërit e tij në shekullin XX, ishin ruajtur me shumë kujdes në shtëpinë arkiv në New York. Dhe nuk ka se si të ndodhte ndryshe, mbasi Kapidani i Mirditës vinte nga Mirdita "... tokë katedralesh, sic të kanë quajtur, liman i madh, ku u thyhen si kërthinja tallazet balozezinj. Galun i pathyeshëm, ku ka hedhur spirancën anija e krishtërë, e cila me bashin e çeliktë prodhim i rrënjëve të saj i ka përballuar rrëbesheve e fortunave të historisë edhe kur mbi krye i ka ndejë shpata e "Demokleut" të Osmanllisë, edhe kur komunizmi i ngriti kurthe e pusi, edhe kur fqinjët shovisnitë iu afruan kullës së lashtë prej guri të verbuar nga prushi i lisit në vatër e nga plisi i bardhë në krye. Mirditë, tokë që e përpinë hordhinë, tokë kristalesh bilur në vezullimin ku reflekton vetëm një dritë, Drita e Krishtit përmbi Dhe..." (Zef Përgega, "Vigan në Krisht e në Vatan" Libër kushtuar Mons. Zef Oroshit, prelat i kishës katolike "Zoja e Shkodrës" në New York, Detroit 2003, fq. 19).

Këtu e kanë zanafillën kryengritjet për liri kundër Portës së Lartë, që kurrë nuk i ra nga dora flamuri nacional, ku zënë fill shumë mite e legjenda historike, ku fjala bujare shqiptare e përshëndetjes (Mirdita) ruan të gjithë simbolikën e saj ndër shekuj, duke mbetur deri më sot pengu i shpirtit të Kapidanit të saj Ndue Gjon Marku.

 Një foto e Oroshit, e vendosur përballë hyrjes kryesore në shtëpi të Kapidanit Ndue Gjon Marku, i sjellë shumë herë kujtime të freskëta, për kohën e viteve të shkuara, trojet që ruajnë themelet e hershme të gurit të parë shtatëshekullor, pikërisht të kullës që mizorisht u rrënua nga fitili i dinamitit të drejtuar nga gjenerali komunist Petrit Dume. Por sadizmi, nuk mundi të zhgulë nga rrënjët themelet e historisë dhe as imazhin e jehonës së thellë të shpëndarë ndër shekuj dhe në të gjithë vendin për Derën më të pamposhtur nga cdo hordhi dje dhe në gjysmën e dytë të shekullit XX.

Miku im nga Mirdita, studiuesi e gazetari Zef Pergega, mes mallit dhe dashurisë për trojet e veta, nga Detroiti (Michigan), i kushton Oroshit një hyrje tek flet për Dr. Mons. Zef Oroshin (1912 - 1989), ku ndër të tjera vlerëson Derën e famshme të Kapidanëve të Mirditës, tek fton çdo visitor që të shkojë në Orosh, se atje mund ta etiketojë shkatërrimin e kullës, ku dëgjoheshin tingujt e violinës e të pianos si një mbetje të një kalaje të lashtë të jeshiluar nga myshqet. Muret e saj vende - vende lartohen deri në katër metra dhe syri të zë gurë të latuar dhe të gdhendur nga mjeshtri popullor me ide arkitektonike. Nëse dikush vendos të gërmojë, mund të zbulojë planimetrinë e vendosjes së Sarajeve dhe mund të dallohet oda e miqve, ku darkonin shpesh burra nga të gjitha krahinat e Veriut, apo miq të huaj, përmes një debati të kujdesshëm. Porta kryesore që shikonte nga Veriu, ka patur të gdhendur një shqiponjë dhe emrat e djemve të Gjomarkut, si: Mark, Ndue, Llesh, Ded dhe Nikoll, të këtij fisi. Shtëpia e Kapidanit të Mirditës dhe Abacia e Oroshit, janë dy nga vlerat më të mëdha në historinë nacionale për Liri e Pavarësi, për organizimin e rezistencës antiosmane, për ta rikthyer Shqipërinë në dritën e Gjergj Kastriotit, apel që kanë firmosur 13 krahina të vendit.

 As unë nuk e di, se si vitet kanë kaluar, duke sistemuar thellë në kujtesën time të freskët ngjarje, përsonalitete, kontribute, episode interesante, që lidhen me jetën dhe veprën e fytyrave të ndritshme të komunitetit shqiptaro - amerikan. Ato lanë emër shumë të mirë, duke mbetur të nderuar dhe respektuar për bashkëkohësit, bashkëluftëtarët e idealeve të pastra nacionaliste dhe antikomuniste, atdhetarë të mirë, që zemra e tyre gufoi vetëm për simbolet nacionale, traditat, doket, zakonet, kujtimin e të parëve në trojet amtare, ruajtjen dhe ushtrimin e gjuhës nënë në emigracion, zmergjerësinë dhe frymën e thellë të humanizmit për të gjithë njerëzit në nevojë, fisnikërinë e shpirtit, që vjen nga tradita e hershme familjare e tyre, e shumë virtyte të tjera pozitive, që i zotërojnë edhe sot ndonëse në moshë të thyer.

I tillë ishte dhe është edhe sot përsonaliteti i madh i botës shqiptaro - amerikane prej shumë dekadash, burrë i urtë deri në madhështi, fisniku dhe erudisti i thellë në kulturë, emërmiri dhe zemërmiri Kapidani i Mirditës Ndue Gjon Marku.


* * *
Në Orosh të Mirditës para 90 - të vjetëve, do të lindë më 29 shtator të vitit 1914 Ndue Gjon Marku, që i shton gëzimin prindërve të vet dhe vëllait të parë Markut. Kjo familje e madhe oroshase, do të ketë 10 fëmijë, pesë djem dhe pesë vajza. Aty lindën fëmijët njëri mbas tjetrit, duke filluar me Markun, që është fëmija i parë dhe më pas u lind Ndoja, Lleshi (Aleksandri), Deda, Nikolla dhe motrat: Dava, Gjela, Marta, Dila dhe Bardha. Kapidani Ndue Gjon Marku, nga nëna ishte nipi i Bajraktarit të Kurbinit i Gjok Pjetër Pervizit, një personalitet i njohur askohe për besë, burrëri, zakone e tradita të hershme e bashkëkohore shqiptare.

Babai Gjoni përkujdeset që djemtë të ndjekin shkollën fillore, ku midis tyre edhe Ndue Gjomarku vijon pesë vitet e para fillore dhe gjimnazin pranë shkollave private katolike të Fretenve Françeskanë dhe Jezuitve në vitin 1934 në qytetin e lashtë kulturdashës Shkodër, në kohën kur Ministër i Arsimit në Qeverinë e Mbretit Zog ishte Dr. Mirash Ivanaj. I prirur pas botës së librave dhe kulturës civilizuese perëndimore, adolishenti Ndue niset në vitin 1937 për studime të larta sëbashku me vëllaun Lleshin në Universitetin (College) në Terezianum të Vjenës në Austri. Pas disa vitesh kthehet në Shqipëri dhe pas disa muajsh shkon në Universitetin e Firences (Itali) për të ndjekur studimet e larta në Jurisprudencë. Ai për asnjë çast nuk e shkëputi lidhjen me vendlindjen, miqte e huaj dhe vendas, të cilët e donin dhe respektonin, mbasi gjithnjë Dera e Kapidanit të Mirditës ka respektuar popullin e Mirditës dhe krahinat të tjera të Atdheut. Me anije i riu Gjomarkaj në vitin 1943 kthehet në Shqipëri. Jeta studentore, miqtë e rinj dhe shokët në vendindje bëjnë që ai të zgjerojë rrethin e të njohurve. Kështu sikurse kujtojnë disa bashkëkohës që ende jetojnë sot në qytetin e Shkodrës dhe në Orosh të Mirditës, familja dhe ai vetë ka pasur nderin, fatin, privilegjin dhe kënaqësinë të marrë pjesë në shumë ngjarje dhe evenimente atdhetare, fetare dhe kulturore në qytetin e njohur të Shkodrës dhe qytetet e tjera, duke kuvenduar me krerët, parinë e qytetit, klerikë të lartë katolikë, konsuj dhe udhëtarë të huaj, që vinin shpesh në Shqipëri dhe në veçanti në trevën e Veriut.

Gjatë bisedave të lira e pyes Kapidanin, se a keni përjetuar ndonjëherë në jetën tuaj, një çast i cili ju ka mbetur thellë në kujtesën tuaj. Dhe ai me një buzëqeshje fisniku m'u përgjigj: "Isha shum i ri, rreth 16 - 17 - vjeçar e m'kujtohet casti kur n'Shkoder po pergaditej nga Kleri Katolik shugurimi i Ipeshkvit të qytetit dhe Primat i Shqipnis imzot Gaspër Thaçi (1882 - 1946). Paria e Shkodres vjen në shtepin time dhe me thon t'ju prij në ket rast ceremonie të randsishme për qytetin dhe besimtart e devotshëm katolik. U thash se baba gjindet n'Mirdit. Ata me than që Ju mund ta zavendsoni Kapidan Gjonin. Un me shum knaqsi mora pjes ne shugurimin e Ipeshkvit. Paria e qytetit, ku banin pjes krent e familjeve ma të njohuna të qytetit, si: Çoba, Muzhani, Pistulli, etj., ku mua ma caktuan vendin n'krye të sofres n'mesin e dy konsujve atij Italian dhe Jugosllav. Isha shum i ri të merrja pjes në at rreth të madh, në mesin e atyne figurave të nderueme të qytetit, por e kalova mir proven e par, pasi në Kullen e Oroshit kishim mësue të dëgjonim e jo të flasim..."

Edhe studiuesi i njohur në diasporën shqiptaro - amerikane Idriz Lamaj, në shënimet biografike për Kapidanin Ndue Gjon Marku shkruan, se: "... Ndojt i paraqitën raste me pritë e përcjellë përsonalitete të shqueme shqiptare dhe të hueja dhe me perfaqsue oxhakun e tij të njoftun... Por simbas tij, në Mirditë në kontakt me popull e krenë, dhe të krahinave të ndryshme, formohet në pikpamje tradicionale e kanunore. Të gjitha këto kontakte e formojnë moralisht e politikisht me kuptue realitetin e gjendjes të ndërlikueme të kohës". (Idriz Lamaj, "Komiteti Kombëtar "Shqipëria e Lirë" 1949-1956", New York, USA, 2000, fq. 101).

Në bisedë e sipër e pyes me interes Kapidanin, se si e kalojshe kohën në ato male të pashkeluna të Mirditës. Ai si zakonisht me një buzëqeshje fisnike më përgjigjet: "Mirdita për mue asht vendi ma i bukur në botë e ma i dashtuni. Populli fisnik i krahines së Mirdites na ka dasht e respektue edhe ma shum. Na nuk kena prit asnjiher qi populli me na pershndet ne, por na i kena pershendet përpara të gjithë, pavarsisht se a kan ken të rij apo ma të vjetër se ne. Na kena shkue shum mirë me popull dhe kena ken tamam si nji familje e madhe. E prandaj Oroshi e tan krahina e Mirditës asht gjithçka për mue e Deren tonë".

Më kujtohet, një ditë tjetër më kishte ra në dorë një libër nëpërmjet një miku, që ishte e shkruar nga z. Pal Doci, e që fliste për Mirditen e Deren e Kapidanit. Gjatë leximit vura re se z. Pal fillim e mbarim kishte nxjerrë vrer ndaj Derës së Kapidanit të Mirditës. Mbasi e pashë edhe një herë librin, u nisa për t'ia dërguar Kapidanit që ta lexojë edhe ai. Kapidani, me gjakftohtësi sapo e pa titullin e librit dhe emrin e autorit, ma riktheu librin, duke më thënë këto fjalë: "Për Palin e shokë si ky, Mirdita do ta thotë nji ditë fjalën e vet".

Kapidani Ndue Gjon Marku
ishte alfa dhe omega në luftën kundër komunizmit

E gjithë treva e Veriut dhe qarqet diplomatike e shoqërore të komunitetit shqiptar në atdhe asokohe e kanë njohur e vlerësuar lart figurën e madhe të Kapidan Gjon Marka Gjoni dhe të birit të tij të madh Dr. Mark Gjon Marku (Ministër i Brendshëm), kanë qenë shumë aktiv dhe janë marrë përherë me politikë, kurse Ndoja sikurse e thotë edhe vetë ka pas më shumë kënaqësi në jëtën private e familjare.

At e bir, duke nuhatur afrimin e furtunës së tërbuar komuniste, që kishte bërë kërdi në Europën Lindore dhe kryesisht në Rusi, fillojnë të përgatisin terrenin për të rizgjuar ndërgjegjën e forcave nacionaliste, që t'i bëjnë ballë komunizmit, që ishte një ideologji e shkatërrimit, moral, material, filozofik, ateist dhe paatdhe të njerëzve që jetojnë historikisht në trojet stërgjyshore autoktone. Koha kërkonte, që bijtë e shqipes më shumë se kurrë të tregojnë atdhetashurinë, për të ruajtur vlerat e lënë trashëgim nga të parët, dinjitetin e shqiptarit, fenë, pasuritë private të individit, pluralizmin e mendimeve, përparimin ekonomik dhe lidhjen shpirtërore, ekonomike dhe politike me vendet e Europës Perëndimore. Për të bërë një politikë më të konsoliduar Kapidan Gjoni, në pranverë (mars) të vitit 1944 i jep jetë themelimit të "Grupit Nacional Indipendent", ndërsa i biri Dr. Marku, duke gjetur përkrahje dhe mbështetje në nismen e vet krijon "Lidhjen e Shkodrës", duke mbledhur rreth vetës të gjithë eksponentët kryesorë antikomunistë, që ishin rreshtuar në organizatat e mirënjohura nacionaliste "Legaliteti", "Balli Kombëtar" dhe "Grupi Nacional Indipendent".

Jo rastësisht, por interesat e larta patriotike, e bëjnë Ndojën që të përfshihet menjeherë në politikë dhe sapo merr vesht se forcat e ashtëquajtura partizane po i afrohen vendlindjes së tij të dashur Mirditës, lajmëron vëllain e vet në Tiranë, se krahina dhe e gjithë Shqipëria e Veriut po sulmohet nga bisha e kuqe, që për fat të keq kishte emër e gjak shqiptari. Ai ndër të tjera kërkon të lëshojë kushtrimin e qëndresës me vullnetarët e vendosur antikomunistë. Menjëherë i vjen përgjigjia pozitive dhe inkurajuese e vendosmërisë nga i vëllai i tij Dr. Marku, që ishte shumë i shqetësuar për fatet e brishta të vendit. Ai, sikurse kujton Kapidani Ndue Gjon Marku dhe shkruan edhe studiuesi i mirënjohur Idriz Lamaj për këtë cështje i thotë se: "Ndue i dashtun, sot fillon nji kthesë e re në historinë e Derës sonë, të Mirditës e Shqipnisë mbarë. Mbledh sa më shumë vullnetar e fillo qëndresën kundër brigadave komuniste. S'kemi rrugë tjetër". (Idriz Lamaj, Vep. e cit., fq.102).

Organizimi i forcave politike dhe luftëtarëve nacionalistë bënë që një ditë Ndoja të takohet me përfaqësuesit më të lartë të grupimeve nacionaliste të "Legalitetit" dhe "Ballit Kombëtar", të cilët gjatë përleshjeve të tyre të mëparshme kishin pësuar humbje në forca, por që nuk iu dorëzuan komunistëve. Ata tashmë kishin arritur në Veri të Shqipërisë. Udhëheqësi i Organizatës "Balli Kombëtar" patrioti Mit'hat Frashëri dhe drejtuesi i "Legalitetit" Abaz Kupi, kishin mbërritur në shtëpinë e Gjon Fushës në Bulger të Mirditës. Mit'hat Frashëri, që mbetet në Mirditë, sëbashku me ballistët e tjerë shkojnë në Sh'Pal, ku i pret Ndue Gjomarku atë natë dhe të nesërmen i përcjellë me besnikët e tij për në Shkodër. Me shërbestarin e kombit Mirt'hat Frashërin (i biri i patriotit të flaktë të Rilindjes Kombëtare Abdyl Frashërit), Ndoja do të ketë edhe takime të tjera dhe bashkëpunime të frytshme në luftën e rezistencës kundër komunizmit në Shqipëri, Europë dhe ShBA.

Ngjarjet asokohe zhvilloheshin me shpejtësi. Si gjithnjë truri dhe kryet e lëvizjes antikomuniste mbetën në Veri të Shqipërisë me seli në Mirditë. Nga ana e tjetër Dr. Mark Gjonmarkaj, me të gjithë forcat vullnetare që kishte nën kontroll, duke mos u demoralizuar më 26 nëntor 1944 len qytetin e Shkodrës dhe merr rrugën drejt maleve të Veriut. Tashmë Ndoj me bashkëluftëtarët e tij për pesë muaj në shi e dëborë, luftojnë pa u mposhtur me të gjithë brigadat partizane të drejtuara nga Mehmet Shehu me urdhër direkt të gjeneralit e komandantit asokohe Enver Hoxha. Forcat e brigadave komuniste, duke pasë ushtri të madhe në numër dhe të armatosur mirë pushtojnë krahinën e Lumes dhe Lurën, duke iu afruar shumë pranë trevave të Mirditës. Forcat nacionaliste, të drejtuar nga Ndue Gjon Marku gjenden para një rrethimi shumë të vështirë, kur brigadat komuniste sulmojnë në tre drejtime menjëherë, pa i dhënë mundësi nacionalistëve që të organizohen mirë. Në këtë situatë të rëndë të krjuar, sikurse kujton Kapidan Ndoj, asokohe nuk i mbeti asgjë tjetër vecse të ngujohet në Sh'Pal. Nis një luftë e ashpër midis komunistëve, që kërkonin të gjunjëzonin e pushtonin me dhunë krenarinë e historisë së lavdishme të Mirditës dhe nacionalistëve, që kërkonin të mbronin vlerat demokratike dhe lirinë e popullit nga një robëri internacionalistëve proletarë, që ishin për një botë pa Zot dhe robëri, nata e zezë e së cilës filloi më 28 nëntor 1944 në tërë Shqipërinë.

Megjithë rezistëncën e madhe për tre ditë me radhë, duke parë edhe humbjet e mëdha në radhët e forcave nacionaliste Ndue Gjomarkaj jep urdhër për tërheqje në drejtim të Shkodrës, një qendër e madhe e rezistencës antikomuniste. Kapidan Gjoni, Dr. Marku dhe Ndoj takohen dhe zhvillojnë bisedën e fundit për planin e ri që kishte menduar Dr. Marku. Kështu, ai kishte vendosur sipas logjikës së tij të shëndoshë, që i ati Gjon Marka Gjoni dhe vëllai i tij i dytë Ndoja, duhet të largoheshin nga Atdheu, me arsyetimin, se nuk duhet të shuhet dera e tyre nga përpjekjet që do të bëhen me komunistët. Vërtetë e dhimbshme, por e domosdoshme kjo zgjidhje e menduar shumë mirë nga Dr. Marku, të cilën pas 9 dekadave mbi supe Kapidani Ndue Gjon Marku e kujton me dhimbje, kur flet për momentin e ndarjes me antarët e tjerë të familjes. Ka qenë pikërisht Kisha e Kastratit në Malësi të Madhe, kur Ndoj ka shtrënguar dorën për herë të fundit me Dr. Markun.

At e bir nisën prej Kastratit në Tuz, Kolashin, Vishegrad, Sarajevë, Zagreb, në Vjenë, Linz dhe në Insbruk, në një dimër të ashpër dhe nën breshërinë e bombardimeve të shpeshta nga forcat e aleatëve. Nga qëndrimi për disa ditë në Insbruk me një makinë udhëtojnë drejt Italisë, duke kaluar në "Passo di Resia" afër kufirit të Zvicrës. Për pesë muaj ata qëndruan në Merano deri në gusht të vitit 1945 dhe më pas morën drejtimin drejt Romës, që mbetet edhe stacioni i fundit i tij. Me të mbërritur në Perëndim (Itali), Kapidani Ndue mendoi për të bashkuar forcat nacionaliste dhe antikomuniste, për të hedhë bazat e krijimit të një organizate të mirëfilltë politike kundër rregjimit të kuq të Tiranës zyrtare, që po e zhyste popullin në mjerim. Fryt i këtyre përpjekjeve është edhe krijimi i partisë politike me emrin "Blloku Kombëtar Indipendent" në vitin 1946, e cila do të ketë jetëgjatësi deri me përmbysjen e komunizmit në Shqipëri më 13 dhjetor të vitit 1990, duke qëndruar me dinjitet deri në fund.

Gjatë vitit 1948 në bashkëpunim me aleatët perëndimore anglo-amerikan, Kapidan Ndojt i paraqitet rasti për të dërguar vullnetarë për të përmbysur komunizmin në Shqipëri, duke krijuar në këtë mënyrë Komitetin Kombëtar "Shqipnia e Lirë", ku bënin pjesë shumë anëtarë të Bllokut. Në lidhje me këtë mision Kapidani kujton: "Në pikëpamje morale ishem kryenalt, tue marrë në konsiderim luftën kundër rregjimit komunist, vendosa me ftue dy luftarë besnikë të cilët pranuen pa kurrfarë kundërshtimi. Kështu filloi ndërmarrja e jonë kundër rregjimit komunist në Shqipni".

Blloku bëri hapin e parë dhe ruajti linjën e përpjekjeve qëllimmirë për të bërë bashkimin e të gjithë forcave antikomuniste shqiptare në mërgatë, që ishin ndarë dysh në Komitet dhe jashtë Komitetit. Kjo inisiativë synonte afrimin e grupeve të ndryshme dhe harmonizimin më të plotë e të qartë të veprimtarisë së tyre në dobi të atdheut dhe në një front të përbashkët kundër komunizmit. Mirëpo rruga e nisur nuk ishte e kollajt mbasi fillojnë polemikat dhe pengesat ndaj inisiatorit të saj mirditor.

Përpjekjet e Kapidanit Ndue Gjon Markut hasin në pengesë për mospranimin e tij në Komitetin e parë nga ana e përfaqësuesve të organizatës Balli Kombëtar, që zotëronte asokohe të gjitha postet e organizatave. Ndërhyrja energjike e diplomacisë angleze dhe amerikane (ku përfaqësuesit amerikanë këmbëngulën që Kapidani të pranohet pa kushte), bëri të mundur që të zgjidhet ky problem dhe kështu Kapidani i Mirditës bëhet një ndër drejtuesit e Komitetit, falë kulturës së shëndoshë perëndimore, vizionit largpamës për të ardhmen, origjinës me emër shumë të mirë të familjes nga ai vinte, kontributi me armë në dorë që kishte dhënë drejtpërdrejtë kundër komunizmit etj. Ndoj do të ketë takime të rëndësishme në Itali, me ushtarakë të lartë italianë, sikurse ishte admirali i marinës italiane zotin Talarigo dhe të misionit anglo - amerikan, përfaqësues të lartë të Ministrisë së Jashtme Italiane. Takime të tjera ka pasur edhe me z. Herbert, një përsonalitet i njohur britanik për çështjen shqiptare, amerikanin z. Mc Lean etj. Gjithashtu Ndoj këmnguli, që në këtë Komitet duhet të përfshihet patjetër edhe intelektuali i shquar ing. Xhafer Deva, mbasi ai ishte një njeri me influencë të madhe në Kosovë dhe në malësitë e Shqipërisë politike. Kapidan Ndoj, ka organizuar hedhjen e parashutistëve të grupit të ing. Xhafer Devës në Shqipëri.

Kapidani kishte dhe ruan ende sot një respekt të veçantë për atdhetarin e flaktë Mit'hat Frashëri. Për figurën dhe veprën e tij Kapidani flet me një admirim të vecantë, për arsye sikurse thotë se "ishte nji njeri me nji prestigj të naltë kombtar dhe pinjoll i nji familje me merita të mëdha atdhetare".


* * *
Duhet venë në dukje se gjithnjë shqiptarët në mërgatë nuk kanë gjetur gjuhën e bashkëpunimit të përhershëm me njeri-tjetrin dhe grupin apo partinë ku bënin pjesë, cka ka sjellë për pasojë edhe mungesë serioziteti dhe besueshmeri nga ana e qeverive perendimore dhe asaj amerikane për krijimin pse jo më pas të një qeverie paralele në ekzil, që me përmbysjen e komunizmit në Shqipëri do të kishin marrë frenat e pushtetit në dorë. Kështu është vepruar shpesh herë me shtetet e tjera ish - komuniste apo diktatoriale asokohe. Kjo shpiegon edhe një nga arsyet pse komunizmi u rrëzua i fundit në Shqipëri dhe se populli duhet t'i besonte e mbështeste më shumë forcat nacionaliste se sa fjalët e bukura të ideologjisë ateisto - komuniste mbi kurrizin e së cilit ra shtypja, varfëria, mjerimi, që zgjati për 50 vjet me radhë.

Në vitin 1956 Kapidani Ndue Gjon Marku hap familje të re, duke u martuar me zonjushën romane Maria Teresa Agustini, një vajzë e diplomuar në gjuhët frëngjisht dhe anglisht në Universitetin Internacional "PRO DEO" në Romë. Çifti i ri do të gëzohet me lindjen e tre vajzave Kristina, Bardha, Aleksandra dhe Gjoni djali i vetëm, që ruan emrin e gjyshit të vet shumë të mirënjohurit Kapidanit Gjon Marka Gjonit. Kapidan Ndue u interesua qysh në fillim që të shkollojë fëmijët në të gjitha nivelet. Kështu vajzat dhe djali mbasi përfundojnë shkollën e mesme, ndjekin dhe përfundojnë me rezultate shumë të larta kolegjet më të njohura në ShBA.

Me vdekjen e prindërve të gruas së Kapedanit dhe të babait të tij Kapidanit Gjon Marka Gjoni, në vitin 1966, familja e tij emigrojnë në ShBA. Edhe këtu fillon një etapë e re e lëvizjes antikomuniste, ku aktiviteti i tij zgjerohet dhe respekti për kontributin e tij rritet edhe më shumë kur zgjidhet si Kryetar i Bllokut dhe për vetë faktin tjetër, se ai tashmë është trashëgimtar i Derës si Kapidan i Mirditës, krenari dhe nder të cilën e mban edhe sot në moshën 90-vjecare.

Në New York Kapidani humb bashkëshorten, dhimbje e cila, nuk e mposht në luftën kundër komunizmit. Veprimtaria e Kapidanit është shumë e madhe me shkrime publicistike në organet zyrtare të Bllokut, gazetat: "L'Albanie Libre" dhe "Lajmëtari i të Mërguemit", që asokohe botoheshin në New York dhe Rome.

Famlja do të ruajë marrëdhënie shumë të mira me klerikët katolikë shqiptarë në emigracion, një traditë e trashëguar edhe nga të parët e kësaj Dere brez pas brezi dhe shekuj pas shekujve në Mirditë. Kështu qysh në Itali, ruajti lidhje të ngushta me atdhetarët e antikomunistët konseguentë, studiesin e meshtarin e palodhur në "Fe - Atdhe e Përparim" At Daniel Gjecaj OFM dhe bashkëvendasin e bashkëemigrantin, klerikun e nderuar në të gjithë komunitetin shqiptaro - amerikan, nacionalistin e madh, që luftoi me pushkë e pendë, themeluesin e Kishës së parë shqiptare në ShBA, të nderuarin e respektuarin Dr. Mons. Zef Oroshin.

Gjatë këtyre viteve, ai po merret me saktësimin e disa interpretimeve të gabuara, që janë bërë gjatë kohëve të ndryshme veprës së At Shtjefen Kryeziu Gjecovit me titull: "Kanuni i Lekë Dukagjinit", të cilin e ka në dorëshkrim dhe shumë dorëshkrime të tjera që priten së shpejti të dalin në botim. Fryt i këtyre hulumtimeve serioze është edhe botimi në vitin 2002 në New York të veprës së parë me titull kuptimplotë: "Mirdita Dera e Gjomarkut Kanuni".

Ajo që më nxiti si shtysë, qysh në fillim edhe të vetë titullit të shkrimit tim: "Mirdita krenaria dhe lavdia e dinastisë së Derës të Kapidanit", është vetë historia e pasur e Mirditës dhe Derës së Kapidanit bijtë e nderuar të së cilës njeri pas tjetrit bënë një epokë të lavdishme gjatë shekujve. Ata sëbashku plotësojnë njera tjetrën dhe janë dy anë të së njëjtës medalje të çmuar në xherdanin e pasur të historisë së popullit shqiptar.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora