E hene, 29.04.2024, 09:08 PM (GMT+1)

Faleminderit

Luan Gashi, një jetë në shërbim të Kosovës

E shtune, 02.08.2008, 04:49 PM


Nga Eugen SHEHU

Atdheut i shërbehet me jetë. I shërbehet me pushkë e me pendë. I shërbehet me dëshira të ndezura në gji dhe me shpresa që nuk fiken asnjëherë. I shërbehet ndoshta me të gjitha këto, pa gjetur askurrë prehje. I tillë është prof. Luan Gashi, biri i Kosovës martire, që e shpëtoi emrin e shenjtë të vendlindjes, ç’prej fëmijërie e deri më sot, kur decenie janë veç dëshmi e një trimërie pa skaj.

Lindi në qytetin e Elbasanit, në vitin 1922. Baba i tij , Ahmeti ka qenë ndër figurat e rralla të intelegjencës shqiptare, në fillim të shekullit të 20-të. Ai pat lindur në Prishtinë, ngase familja e tij kish zbritur prej Leskocit, për t’iu shpëtuar barbarizmave sllave. Pasi pat mbaruar shkollën e mesme në Prishtinë, Ahmeti ka shkuar në Stamboll duke përfunduar kualifikimet e larta. Ka qenë një prej studentëve më të shkëlqyer shqiptar. Ka nisur punën si mësues në Prishtinë, për të shkuar në Vlorë në vitin 1912. Ahmet Gashi, pak punon në strukturat e shtetit të parë të shqiptarëve. Me porosi të Ismail Qemalit dhe Luigj Gurakuqit, shkon në Elbasan, në detyrën e drejtorit të shkollës, shkollë të cilën e pat udhëhequr pak më parë, vetë Luigj Gurakuqi. Ai ka mbetur në mendjet e normalistëve shqiptarë, si pedagogu që fliste shtruar, i rreptë në orën e mësimit, por edukator shembullor në çdo pikpamje. Këtë edukatë, natyrisht do ta merrte edhe Luani.
Shkollën fillore dhe ate të mesme Luan Gashi i vazhdon në qytetin e lindjes në Elbasan. Rezulltatet i ka tejet të larta. Në mbrëmje, Ahmeti, anipse dukej i lodhur nga ngarkesat mësimore dhe administrative, gjente kohë t’u fliste djemve Fatonit dhe Luanit, për Kosovën martire, për betejat madhore të saj kundra hordhive serbo-malazeze dhe Portës së Lartë. Por gjente gjithshtu kohë, t’u fliste edhe për bukuritë e mëdha natyrore të krejt viseve shqiptare. Në fillim të viteve 30-të, Ahmet Gashi transferohet në Tiranë në detyrën e drejtorit të Institutit Femëror „Nëna Mbretëreshë“, me ç’rast merr me vete edhe familjen, Tani djemtë e tij, fatoni dhe Luani janë më të rritur dhe profesori-baba, përpiqet të bisedojë se si me miqtë vet, ai ka ditur gjithmonë të repsektojë të tjerët dhe nxënësit i ka parë kurdoherë me syrin se sa do të mund t’i shërbenin nesër atdheut të tyre. Me po këtë këndvështrim shihte kurdoherë edhe e bija e vet. Në vitin 1937, Luan Gashi nis mësimet në Gjimnazin e Tiranës. Duhet thënë se gjimnazi i asaj kohe në Tiranë, ishte jo vetëm vatër e dijeve por edhe e shqiptarizmës. Drejtori i këtij gjimnazi, atdhetari i shquar Safet Butka, kurdoherë ka qenë përpjekur që nxënësit e tij, përpara se të ishin të dalluar në dije, vlente të ishin të parët, që të sakrifikonin kur the¨rriste zëri i atdheut. Luan Gashi, që në vitin e parë të gjimnazit, dëftehet si djalë më vullnet të çeliktë dhe intelegjencë të spikatur. Ngase i jati, Ahmeti, kishte miqësi të veçantë me profesorin e gjimnazit, Eqrem Cabejt, Luani merr aty mësimin e gjuhës gjermane. Por së toku me gjermanishten, shkenctari Eqrem Cabej transmeton tek nxënësit e tij etnogjenezën e ilirëve, paraardhësve tanë. Me dokumenta e fakte historike, mësuesi i gjermanishtes i spjegon sidomos marëdhëniet e lashta me sllavët, të mbushura me mllefe ballkanike. Ndërsa në vitin 1940, Luan Gashi ndonëse gjimnaziste, përqafon idetë nacionaliste të cilat parashihnin pos të tjerave, bashkimin e trojeve shqiptare, të coptuara padrejtësisht në Londrën e vitit 1913. Tashmë ai është bërë mik i madh i librarisë „Lumo Skendo“ madje është në grupin mësimor të të rinjëve nacionalist të Tiranës. Për më tej, këta të rinj, kishin filluar të debatonin edhe me „profesorët“ komunist. Kështu, vite më vonë, për këto debate, Luan Gashi do të kujtonte :

„Më 13 mars 1940, në kafe „Kursal“ kishim shkuar nga 10-15 studentë të pinin nga një gotë birrë, ashtu fshehtaz, sepse ishin tepër të rinj. Aty erdhi Enver Hoxha i cili ate kohë kishte mbetur pa punë dhe shiste duhan në një qoshe, tek Pusi i Zlizit. Talat Karagjozi që e kishte të afërt i tha Enverit ;More profesor, sikur të merreni vesh me anglezët, t’u biem italianëve nga të dy anët dhe të çlirohet njëherësh Shqipëria dhe Greqia, të bëjmë një Vlorë të dytë ? Enver Hoxha iu përgjigj :Lere more, mos u merrni ju me ato punë. S’i kuptoni juve ato gjëra. Nuk e shihni ju se kjo që bën Italia është një luftë e drejt, sepse lufton kapitalizmin ndërkombëtar ?“. (Luan Gashi , Dëshmi , autentike e Historisë Shqiptare, “Zëri“6 mars 1993 ). Anipse gjinazist, Luan Gashi tashmë i pjekur dhe nacionalsit me vizion të gjërë, vazhdon të punojë për shtimin e radhëve të rinisë të cilët nuk mund të duronin as zgjedhën e huaj por as komunizmin që disa mjeranë shqiptarë po e importonin prej Moske. Ndonëse mjaft gjëra ata nuk i kuptonin si duhet, ndofta nuk mund të parashihnin ngjarjet e trazuara në Evropë e Ballkan , stufentët tiranas të asaj kohe, së paku e kann patur kuptuar një gjë : se ata duhej të ecnin nga hidhte këmbët idhulli i tyre Mid’hat Frashëri. Po në revistën „Zëri“ më 6 mars 1993, Luan Gashi kumton ; „Unë bëja pjesë në rininë e Ballit Kombëtar. Ne ishim një grup studentësh që i shërbenim direkt Mid’hat Frashërit. E siguronim, efshihnim dhe e shpinim nga një vend në tjetrin. Sa e sa herë kam kaluar lumenjtë duke e bartur në shpinë Mid’hat Frashërin“. Këtij apostulli të shqiptarizmës , Luan Gashi do t’i detyrohej deri në fund, ngase mori prej pjekurisë dhe gjakftohëtissë së tij, aftësinë për t’i përceptuar realisht ngjarjet, pa emocionet e çastit.

Luan Gashi, në krye të rinisë nacionaliste, merr pjesë edhe në kuvendin e Mukjes. Ai, do të njihej me përpjekjet e Frashërit, Oraollogait, Dostit e të tjerëve për të futur në proklamatë idenë e vetvendosjes së Kosovës pas çlirimit nga pushtuesit. Dhe natyrisht që do të ligështohej kur përfaqsuesit e Partisë Komuniste kundërshtonin. Por e vërteta është se proklamata u firmos, me ç’rast forcat politike shqiptare e shihnin Kosovën si problem parësor kombëtar. Gëzimi i Luan Gashit nuk kish të sosur. Ai bir i denjë i Kosovës martire, parashihte të realizuar ëndrrën e mijëra kosovarëve për t’iu bashkuar shtetit amë përfundimisht, si edhe ëndrrën madhore të babës së vet Ahmetit Por krejt ndryshe i patën bërë planet, komunistët e Tiranës. Dihet se këta i mblodhi, organizoi, madje i vendosi në poste, komunizmi ortodoks sllav, nëpërmjet të dërguarve të tij Dushan Mugosha e Milladin Popoviq. Ata kurrsesi nuk mund të pajtoheshin me çka u arrit në Mukje ngase i trembeshin fatit të Kosovës, me ç’rast mund t’iu shpëtonte nga duart e tyre të përgjakura. Lidhur me Mukjen, komunsitët mëndej pas tradhëtie shum shpejt e pat kuptuar se kishin rënë prlotësisht në kthetrat e Serbëve. Kështu vetë diktatori komunist, Enver Hoxha, në plenumin e Beratit në vitin 1944 ka pohuar me gojën e tij ; „Ne zgjodhëm rrugën më të gabuar. Nga oportunizmi i parë u hodhëm në një sektarizëm të egzagjeruar, nga një qëndrim luajal, u hodhëm në një qëndrim të ashpër, ne u hodhëm në luftë me Ballin. . . Labinoti ishte mbledhaj karakteristike që tregonte panikun tonë përpara situatës së krijuar dhe njëkohësisht mospërfilljen as të Ballit, as të popullit, i cili ishte vënë në korent të vendimeve që ishin marrë në Mukje dhe priste me padurim rezulltatet“. (A. Q. Sh. –Tiranë, Fondi 14, dos. 2/9, fl 7).

Nga tetori 1943 e më pas, Luan Gashi, nisi të jetojë në kushte ilegale. Më pas në marsin e vitit 1944, kur mjaftë mësues nga shteti amë kishin ardhur të përhapin arësimin shqip në viset e Kosovës dhe Maqedonisë shqiptare, ai shkon në Prishtinë. Në ate kohë, drejtor i gjimanzit të Prishtinës „Sami Frashëri“ ishte profesor Ahmet gashi i cili me dashuri e priti birin e vet. Por në detyrën e kujdestarit të këtij gjimanzi, Luani do të forconte lidhjet sidomos me profesor Vasil Andonin, Adem Gallavicën, Ymer Brishën dhe Haki Tahën. Ndërkaq ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore, po ridhnin me shpejtësi të madhe dhe komunizmi sllavo ortodoks po vendoste shtylla të hekurtë në Ballkan. Një re e zezë, si murtajë po pllakoste trevat shqiptare të cilat ishin futur paradoksalisht në rrjedhat më të rrezikshme ç’ka përgaditej sërish coptimi i Shqipërisë. Disa muaj të qëndrimit të Luan Gashit në gjimnazin „Sami Frashëri“, se si ai mundi të grumbollojë rreth vehtes, dhjetar nxënës me bindje nacionalsite, të cilët më pas udhëhoqën çetat e nacionaliste shqiptare. Por edhe vetë Luan Gashi, nuk mundi të rrinte duarkryq, përballë halleve që kalonte Shqipëria. Në krye të disa qindra bijëve të Kosovës, ai për disa ditë me radhë luftoi në pikat më nevrallgjike të konflikteve etnike shqiptaro-bullgare, Vetë Luani, kujton ; „Në shtatorin e vitit 1944, ne kemi luftuar ushtrinë bullgare në Gjilan, në Preshevë dhe në Prapashticë, ku edhe i rrënuam dhe i mundëm, duke iu dalë befas. Kam dalë me 800 vetë në Prapashticë ku kishte një divizion bullgar. Ata nuk dinin se po dilnim ne. Me mua ka qenë Abdyl Henci, Adem Selimi, Ibrahim Kelmendi, Ymer Berisha. Me një të rënë, i dualëm, dhe ata ikën“. (Luan Gashi, Dëshmi autentike e historisë shqiptare „ Zëri“ 20 mars 1993 ).

Më pas, Luan Gashin, Ymer Berishën, Abdyl Hencin dhe Adem Selimin, do t’i shohim në Drenicë, me ç’rast i vijnë në ndihmë Shaban Polluzhës. Në drejtim të Drenicës, Shabani pat zbuluar se ishte kryer një plan i fshehtë i cili donte të rrënonte krejt këtë kështjellë të antikomunizmit të Kosovës. Ata ndërrmarin aty veprime të përbashkëta luftarake dhe pas dy javësh luftime të rrepta, në tetorin e vitit 1944, nacionalçlirimtarët shqiptarë e serb, tërhiqen duke rikthyer në masakrën e madhe 3-4 muaj më pas. Në verën e vitit 1944, ngase komunistët e paktë të Kosovës, po shihnin reputacionin e madh tek Luan Gashi, i përgaditin atij një kurth, duke e denoncuar në GESTAPO-n gjermane si komunist. Ata e dinin se me të dëgjuar emrin komunist, gjermanët vërsuleshin menjëherë, pa pritur gjykime efakte. Në qeli, ate e mori në pyetje njëri prej kolonelëve gjerman, me anë të një përkthyesi shqiptar. Pyetjeve të para, Luani ju përgjigj qetësisht por kur pa se përkthyesi shqiptar po shtrembëronte qëllimisht përgjigjet, atëherë iu kthye kolonelit gjerman në gjuhën gjermane, se mund të bisedonin vetëm. Koloneli esesist, u çudit nga gjermanishtja e bukur e Luanit dhe e pyeti se ku e kishte mësuar ate. Ky i foli për gjimnazin në Tiranë dhë mësuesin Eqrem Cabejn. Koloneli gjerman, me ç’rast pat dëgjuar për Cabejn i shprehet „veç një nxënës i Cabejt s’mundet me kenë komunist !“. Pas edhe disa verifikimeve të tjera gjermanët e lirojnë Luanin nga burgu. Firmën dhe trimërinë e Luan Gashit, mban edhe çelja e burgut të Prishtinës ku gjermanët patën mbyllur bijtë e Kosovës martire si nacionalistë ashtu edhe komunistë. Shumicën e këtyre të burgosurve, gjermanët i patën çuar në kampin famkeq të Dahaut, e tashmë, këta që patën mbetur donin t’i pushkatonin. Pikërisht mëngjezin që u hapën gropat kolektive brenda burgut, një xhandarm shqiptar njoftoi guerilët të cilët vrapuan tek Luan Gashi. Ky së bashku me Shefqet Shkupin dhe Adem Selimin (Gllavica) në krye të 300 burrave kryen aksionin kundër garnizonit gjerman, efektivi i të cilit nuk bëri ndonjë rezistencë të madhe. Të burgosurit, shumë syresh miq të Luan Gashit, përqafuan plot mall vllaun e tyre. E vërteta është se Luani kish bërë gati për këta të burgosur të drobitur edhe konviktin e shkollës Normale të Prishtinës ku kishte rezervuar veshje dhe ushqime për disa ditë. Po në vjeshtën e vitit 1944, guerillët nacionalsitë të udhëhequra prej Luan Gashit dhe Abdyl Hencit, kryejnë aksiopnin e marrjes së armatimit dhe municionit gjerman që ndodhej në Fushë-Kosovë. Rreth 200 vagone me materiale luftarake, ishin të destinuar të hidheshin në erë prej gjermanëve, pse rrezikonin të binin në dorë të ushtrisë së kuqe bollshevike. Luan Gashi me ndihmën e disa miqve, bënë një takim me komandën ushtarake gjermane të vendit duke iu spjeguar atyre se krejt ky municion do t’u duhej nacionalistëve shqiptarë që nuk kishin asgjë të përbashkët me komunizmin, përkundër, ishin në luftë të papajtueshme me ta. Gjermanët pas disa bisedave, dërguan oficerët e tyre, i hoqën minat prej vagonëve duke i dorëzuar nacionalistëve një material luftarak shumë të madh. E vërteta është se në këto armatime luftoi plot 4 muaj, Shaban Polluzha në krye të 200 burrave. Për më tej, këtu u furnizuan me armatime, municione dhe veshmbathje edhe çetat e Mefailit të Madh dhe Xhem Gostivarit, me ç’rast shkruan epopenë e lavdishme antikomuniste të Maqedonisë shqiptare. I bindur se krahas luftës me armë në dorë kundër çetnikëve serbosllav, bullgarëve emaqdonasvesllav, duhej gërshetuar me një propagnadë konkrete, gjatë kësaj kohe Luan Gashi dhe Ibrahim Kelmendi organizojnë marrjen e Radio – Shkupit dhe fillojnë aty emitimin e emisioneve në gjuhën shqipe. Për rreth 3 muaj, deri në ndërhyrjen e nacionalçlirimtarëvë sllavomaqedonas, Radio-Shkupi, i drejtuar prej këtyrre dy burrave nacionalsit, jo vetëm që foli në gjuhën shqipe, por u kumtoi krejt banorëve të Maqedonisë shqiptare, të ngriheshin në këmbë për të fituar të drejtat elementare njerzore të tyre. Përkitazi me tërë këto veprimtari, Luan Gashi në bashkëpunim të ngushtë me atdhetarët e tjerë të Kosovës formojnë Organizatën nacionalö Demokratike Shqiptare, me urdhër të Mid’hat Farshërit. Për këtë flasin shumë dokumenta burimore. Po xitojmë vetëm njërin :

„Themelues i kësaj organizate ishin :Profesor Ymer Berisha, ideolog i lëvizjes për ruajtjen e tërësisë etnike shqiptare dhe inicues për formimin e organizatës ilegale në Kosovë e Maqedoni, pastaj profesorët e gjimanzit „Sami Frashëri“ në Prishtinë, Luan Gashi, Hajdar Maloku – Pllana, Gjon Sereqi, agronomi Adem Selimi, gjykatësi Limon Staneci, që të dy kryeshefa të rretheve. . . “( S. Basha „Lëvizja Ilegale Patriotike Shqiptare në Kosovë 1945-1947“ faqe 38 ).

Organizata në fjalë, lindi si die e një kundërvënie që i duhej bërë komunizmit i cili po zaptonte krejt trevat shqiptare. Programi i saj ishte tejet i qartë dhe vlen të thuhet se në këtë program ishte edhe mendja e guximi i Luan Gashit. Për më tej, ai ka qenë ndër hartuesit e thirrjes së Komunistetit të Rinisë së shkollave në Kosovë e cila kërkonte prej krejt shqiptarëve, të shtërgonin radhët e ONDSH-ës, ngase vetëm kjo do të mund t’i mbronte të drejtat e popullit shqiptar që në mënyrë të pashmangshme po shkonte drejt kthetrave serbosllavomaqedonase. Organizator i talentuar, por edhe konspirator i mrrekullueshëm, Luan Gashi do të dinte të vepronte më së miri në radhët e udhëheqjes së ONDSH-ës si për shtimin e radhëve të saj, ashtu edhe për organizimin e aksioneve të ndryshëm. Gjatë vitit 1945-1946, vepron ilegalisht ngase OZNA ka rënë në gjurmë të veprimtarisë së tij dhe ndjek ate këmba – këmbës. Për dy – tri muaj, Luan Gashi shkon në Itali ku mban lidhje të vazhdueshme me nacionalsitët që patën shkuar aty si Mid’hat Farshëri, Vasil Andoni, Hasan Dosti etj.

Energjitë djaloshare, vizioni largpamës i një nacionalisti veprues, i shfrytëzon për të mbajtur lidhje të vazhdueshme e për të vepruar aktivisht në radhët e ONDSH-ësë. Në pranverën e vitit 1946 e shohim sërish në Kosovë. Është ndër organizatorët e guerilës shqiptare në viset e Kukësit dhe Gjakovës, mandej duke shfrytëzuar artin e konspiratorit vazhdon të mbledhë rreth vehtes, të tjerë gueril duke i armatosur në shërbim të ideve nacionaliste. Ngase OZNA pat rënë në gjurmë të ONDSH-ës, ngase udhëheqësit e saj po gjendeshin çdo ditë përballë pritave vdekjeprurëse, në pranverën e vitit 1946, mbahet në Maqedoninë shqiptare kongresi i IV-të i ONDSH-ës ( ngase dy të parat u quajtën ata të Ballit Kombëtar). „Nga ky kongres doli një udhëheqje e re e ONDSH-ës. Kryetar u zgjodh Halim Orana, Qemajl Skenderi u zgjodh zëvendës kryetar dhe Azem Morana, sekretar organizativ. . . Kongresin e përshëndeti edhe Luan Gashi që enkas kishte ardhur nga Perugja e Italisë dhe njëherit ishte sekretar i komitetit të Ballit Kombëtar“. ( Dr. S. Basha , „Lëvizja ilegale shqiptare në Kosovë 1945 – 1947 „, faqe 74 ).

Me udhëheqësit e rinj të ONDSH, Luan Gashi do të ndante jo vetëm detyrat por edhe hallet e brengat. Treva e Maqedonisë shqiptare, çdo ditë e më shumë do t’i nënshtrohej me dhunë, organizimit serbosllavomaqedonas të pushtetit, me ç’rast do të humbiste të drejtat më elementare të një kombi të qytetëruar. Luan gashi, në Shkup, Tetovë, Gostivar e Kërçovë, u përpoq së bashku me Halim Oranën dhe Azem Moranën, të ngrinte lart moralin e popullit. Për më tej, ky bir i Kosovës u përpoq sa mundi edhe për organizimin e guerilëve nacionalsitë në këto treva të cilat ishin tulatur pas vrasjes së Xhem Gostivarit. Veprimtaria e thellë e tij nacionale, bëri që ndjekjet prej OZNËS të shtohen nga dita në ditë. Në arretsimet e Azem Moranës dhe të Halim Oranës, veçmas vazhdojnë pyetjet për Luan Gashin. Ndonëse të dy këta burra nuk flasin asgjë, tashmë OZNA ka në duar shumë dokumente që vërteteojnë se Luan Gashi është ndër udhëheqësit kryesor të ONDSH-ës e p¨r më tej ai mban lidhje të vazhdueshme me liderët dhe ideologët e Ballit Kombëtar. Për të gjitha këto, dënohet me vdekje në mungesë si prej gjyqit të Prishtinës ashtu edhe atij ushtarak të Shkupit. Në fund të vitit 1946, së bashku me dhjetar nacionalsitë të tjerë, Luan Gashi u drejtohet kufijve grek. Ata patën marrë porosi nga Mid’hat Frashëri e Muharrem Bajraktari, të hidhen në Greqi për t’u riorganizuar e për t’i shpëtuar vdekjes së sigurtë në male, ku për të kapur rreth 200 nacionalsitë ishin vënë në ndjekje mijëra ushtarë e oficerë të formacioneve të rregullta serbo-sllavo-maqedonase. Nga 200 vetë që u nisën për të kaluar kufirin grek, vetëm 30-40 mundën të realizonin qëllimin. Të tjerët metën në pritat e nacionalçlirimtarëve serbe shqiptarë, duke vaditur tokën arbërore me gjakun e tyre të pafajshëm.

Pothuaj dy vjet, Luan Gashi i kalon nëpër kampet e punës në Greqi. Shpresa e tij tashmë është thyer. Në Shqipëri ka lënë prindërit të cilët përndiqen, ngase djemtë e tyre Fatoni e Luani janë „ballistë“. Bashkëvuajtësi dhe burri tjetër i nacionalizmit të Kosovës, ndër miqtë e çmaur të Luanit, Adem Gllavica kujton ; „Në vitin 1948, IRO (Internacional Refuges Organization) i rregjistroi të gjithë shqiptarët dhe i transportoi për në Itali. Neve si intelektual, si oficerë dhe nënpunës të lartë në Shqipëri, na mbajti qeveria greke. . . Por ne s’donim të jetonim si parazitë, ndaj gjetëm punë. Unë e Luan Gashi, gjetëm punë në një lavazh amerikan“. (A. Gllavica, kujtime nga Kosova , „Rilindja“ 12 dhjetor 1995 ).

Mbas shumë peripecis, Luan Gashi emigron në Evropë e prej andej shkon në Amerikë. Gjatë qëndrimit në Greqi dhe në Evropë, ky burrë i shquar jo vetëm mësoi disa gjuhë të huaja por mbaroi disa kualifikime duke jetuar me moton se librat nuk duhen harruar askurrë. Në fillim, detyrohet të bëjë punë të rënda edhe në Amerikë e mandej i kushtohet tërësisht veprimtarisë intelektuale. Në fillim të viteve 60-ta, Luan Gashi së toku me Jusuf Azemin, Ajet Rushitin etj, formojnë organizatën „Lidhja Kosovare“ me ç’rast Luani zgjidhet sekretar i përgjithshëm i saj. Për vite e vite më radhë, kjo organizatë është përpjekur të bëjë sa më shumë të njohur problemin kosovar në opinjonin publik amerikan. Janë me qindra takimet që Luan Gashi ka bërë me personalitetet e larta të administratës amerikane për të sensibilizuar ata lidhur me tragjedinë kosovare. Në shtypin e shqiptarëve të Amerikës, diku në festimin që i ishte bërë datës simbol të 28 Nëndorit , lexojmë ; „Kryetari i mbledhjes, paraqiti pastaj zotin Luan Gashin, folësin e ditës. Zoti Gashi është Sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes Kosovare dhe një nga të rinjtë intelektual të mërgimit. Zoti Gashi i mallëngjeu të gjithë në fjalimin e tij të goditur që u mbajti në gjuhën anglishte. Fjala e tij u pre nga duartrokitjet e gjata“. ( Gazeta „Flamuri „ më 28 Nëndor 1962 ).

Intelektual me horizont, Luan Gashi do të jetonte kurdoherë me shpëtimin e vazhdueshëm të kombit të vet. Por ndërsa në shtetin amë, sundonte errësira komuniste, jetonin terrorin e vazhdueshëm serb. Nër nëndorin e vitit 1968, në Gostivar e rrethina, u shkëndijua një revoltë tejet e madhe për liritë themelore, por ajo u shtyp me masa dragoniane, si aty, edhe në Shkup e Prishtinë. Luan Gashi, ka mbajtur lidhje të vazhdueshme me këtë revoltë dhe në verën e vitit 1969, kur me dhjetra organizatorë të saj, u dënuan me burgime të rënda, ai bëhet inicues i një mitingu të madh në Cikago ku marin pjesë mijëra vetë. Zëri i fuqishëm i Luan Gashit, në këtë miting proteste, pos të tjerave, do të kumtonte ; „Mbas largimit të Rankoviqit dhe të veglave të tija, terrori policuer kundrejt shqiptarvet u qetsua disi, por nuk u qetsuan provokimet e Serbo-Malazezëve dhe Maqedonasvet. Sepse ishin këta vetë simbas dëshmisë së shumë gazetarëve të huej që i provokuen manifestimet e rinisë shqiptare në Prishtinë e në Tetovë, më 27 nanduer dhe 23 Dhjetuer 1968, për me nxitë ndjekjet policore kundrejt kësaj popullsie. Tue marrë si shkak disa manifetsime të theshta, gjyqet e Prishtinës dhe të Shkupit kanë denue me burgim të randë qi shkon deri me shtatë vjet 36 shqiptarë, të zgjedhun midis qindrave t’arrestuem. Kjo masë dragoniane kunder menifestimesh të theshta, në nji shtet t’shtuquajtun socialist e demokratik, asht edhe më pak e justifiukueshme kur dijmë se asnji masë e tillë nuk muer kundrejt studentëve serb qi kishin ba demostrata në Belgrad e gjetiu disa muaj ma parë. Kjo provon në mënyrë të pakundërshtueshme dallimin anmiqsues që iu bahet vazhdimisht shqiptarvet në Jugosllavi „. ( Gazeta „Flamuri“ nr. 169-172, 28 gusht 1969 ).

Edhe vitet që rodhën më pas, ai do të mbetet një luftëtar i palodhur i kauzës së popullit të rrobëruar. Krejt veprimtaria e Lidhjes Kosovare dhe ajo e Ballit Kombëtar, do të shihet e kuptohet kurdoherë realisht, përmes punës vetmohuese të Luan Gashit. Ai ndikoi vrullshëm në proceset demokratike në Shqipëri dhe në Rimëkëmbjen e forcimin e vetë organizatës më të vjetër nacionalsite Ballit Kombëtar, duke mbledhur rreth vehtes nacionalistë të gjenereatve të reja, duke iu ndarë detyra dhe duke i mbështetur ata në kryerjen edetyrave gjatë viteve 1989 – 1994, dhe ende sot brenda shpirtit të atij burri gjallon shpresa për rilindjen e Shqipërisë Etnike.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora