E hene, 29.04.2024, 08:39 PM (GMT+1)

Faleminderit

Liza Laska, vlonjatja që portretizoi nënën labe

E diele, 03.08.2008, 02:34 PM


Liza Laska
Nga Anila Peçi

Ambienti i shtëpisë, ku jeton me familjen e të birit Aleksandrit, është qoshëza e vetme ku aktorja Liza Laska gjen qetësinë. Dita e zakonshme është pak shikim në televizor, ku ndjek telenovelën e preferuar dhe shumë libra. Të pret me një pamje fisnike, por nuk harron të citojë shprehjet, për të cilat të thotë më pas se nuk janë të sajat, duke u bashkangjitur dhe emrat e të mëdhenjve që i kanë thënë. Ndonjëherë kujtesa vonon paksa, por ajo është këmbëngulëse dhe ndoshta kjo jep ngacmimin të kthjellohet shumë shpejt. Është 82 vjeç, por mosha ende nuk e ka mposhtur

Në shumë role ka qenë mishërimi i figurës së nënës, ndoshta pasi në tiparet e saj kjo konkretizohet më mirë. Edhe sot që është gjashtë herë gjyshe, do i vinte mirë nëse mbesa e madhe 25 vjeçare do e bënte stërgjyshe, por nuk është vetëm kjo që do e bënte të ndihej mirë. Ajo do të ndihej shumë komode nëse do të ngjitej edhe njëherë në skenë.

Mbi 50 vjet në skenë, kur i thua për rolet dhe kur ka lindur ndjesia për skenën, të përgjigjet, se është ndjerë kështu tërë jetën, që në fëmini. “Që në shkollën fillore kam nisur dhe nuk jam shkëputr nga arti”. “Për mua them që kanë influencuar shumë tregimet që më tregonte babai im, unë kisha një lidhje mjaft të fortë më babanë tim.

Prej asaj kohe mbaj mend që kur shtrihej, ai më tregonte, jo përralla me mbret, por më tregonte që nga Lufta e Trojës, detaje dhe përshkrime të ndryshme dhe unë kisha nisur imagjinatat. Kur hyra në shkollën tregëtare i mbaja mend fabulat e historisë dhe detaje të tilla me nguliteshin në mendje, të cilat i tregoja: Mbretin e Tebës e histori të tjera si Sfinksi, të cilat i kam mësuar që fëmijë. Që atëherë më janë ngulitur histori të personazheve të njohur, çka edhe recitoja apo interpretoja sipas imagjinatës sime. Babai më thotë një ditë: Ti nuk do merresh me këto përralla të vogla.

Në shtëpi kishim shumë libra, pasion për të cilin unë e trashëgova. Më thotë babai, do të të jap një vjershë shumë të bukur “Zogu dhe djali”. Unë e mësova, e recitoja dhe përsërisja derisa qaja, kur ishte pjesa prekëse që më bënte gjithmonë të lotoja. Por plotësimin e ndjeshmërisë aktoreske, unë e kam ndjerë në shkollën Tregëtare, atje filloi mbushja e të ndjerit artistik.

Neve atëherë bënim aktivitet revolucionar, por për të mbuluar këtë aktivitet, duhet të bënim aktivitet artistik. Psh: atëherë kam kënduar në kuartet me Lef Sallatën, që ka qenë në këtë shkollë. Këtu ka qenë edhe ajo mbushja, që mua më pëlqente shumë. Pas çlirimit u zhvillua edhe më shumë dëshira. Vlora kishte grupe diletante dhe u krijua një traditë e mirë”.

Pjesa e parë që ka interpretuar ishte që në shkollën tregëtare, atëherë kur si thotë ajo, zemra e femrës është e padjallëzuar. “Është shumë e rendësishe dashuria që ekzistonte mes kolegësh atëherë, pa djallëzi dhe kjo kishte shumë rëndësi”.- tregon Liza,- në shkollën tregtare isha edhe soliste, edhe në kuartet. Shoqëria që kisha atje, kuarteti ishte me Kristo Papajanin dhe nje vajzë nga gjirokastra, shumë e talentuar si dhe me dëshmorin Lef Sallatën”.

Aktorja 82 vjeçare rrëfen fillimet në aktrim me Teatrin popullor dhe rolet e para në Shqipërinë e pas luftës

“Pandi Raidhi ishte i veçantë, me të ndihesha mirë”

“Në 46-ën, Teatri Popullor kërkonte aktorë, nga gjithë rrethet. Ata erdhën në rrethe, më përzgjodhën dhe kujtoj aso kohe erdhën edhe Besa Imami dhe Violeta Manushi, me të cilat ishim shoqe. Pas një viti nuk kishte fonde dhe u pezulluan kryesisht disa artistë nga rrethet dhe një nga to isha edhe unë, kështu që u riktheva në Vlorë. Gjithsesi lëvizjet vazhduan. Më vonë u bë teatri i ushtrisë dhe ndenja nja dy vjet atje, më pas më emëruan në Shkodër, ku bëra disa role, role të vogla, pasi nuk doja të rrija atje, doja të kthehesha. Kishte një problem aty. Unë nuk e njihja mirë gegërishten dhe kjo përbënte problem për mua, aq sa doja të hiqja dorë. Ka qenë një regjisor që i ndërritë shpirti atje ku ka qenë, Andra Malo, ishte regjisor në Shkodër, dhe më tha: Mos bëj gabim të largohesh nga teatri, pasi për mua ti je e talentuar. Kështu vajta në Korçë. Aty pata përshtypje nga më të mirat. Nuk gjeta shokë e shoqe, gjeta motra e vëllezër. Familja Malaveci më futi në familjen e saj, ku bashkë me mua u bëmë vetë i shtatë. Po kështu ndenja edhe në familjen e Dhimitër Trajçes, më pritën shumë mirë.

Në Korçë pata fatin e mirë të gjej një trupë të formuar, me një regjisor me kulturë të gjerë, shumë të zotin, që kishte dhënë mjaft dhe kishte formuar trupën e Korçës. Fillova herën e parë me dublime. Një nga këto aktoret u largua, kështu që u desha unë të marr rolet e saja. Mbaj mend që për “Martesën e Gogolit”, kam dalë në skenë vetëm për 5 ditë. Unë e di si kam dalë, me atë pasigurinë e teksitit, me shumë emocione, por doli mirë. Unë kam patur fat se kam patur role të mira dhe partnerë shumë të mirë. Kam patur partnerë kryesorë, mbaj mend Pandi Raidhin”.

Liza nuk e fsheh një ndjesi të veçantë për Pandin. “Ai ka qenë i veçantë thotë. Nuk kam ndjerë lodhje kurrë. Kemi bërë shumë punë, jo vetëm në qytet por edhe në fshatra”. Këtu ajo tregon se ishin vitet 50, kooperativat sa ishin formuar, nuk ishte sistemuar asgjë. “ Mbaj mend që kemi shkuar një herë në një fshat katër orë në këmbë. Shkonim në shkolla që jepnim shfaqje. Ne na çuan për të fjetur në një familje që kishte katër fëmijë, i kishte vdekur burri dhe kishte vetëm një krah pune. Mbaj mend se kur po hanim, fëmijët na shikonin në sy. Më thotë ajo shoqja ime, shikoji fëmijët si po e shikojnë vezën. Na bëri përshtypje ata fëmijë, fukarallëk. Por kam të fiksuara edhe episode të tilla, Në një fshat tjetër që Pandi Raidhi ishte hoxhë dhe unë isha familja e krishtere. Ishte problemi i feve në këto role. Mirëpo ishte koha që ishin prishur kishat dhe xhamitë. Influencat bënin punën e tyre, pasi ishin prishur kishat e xhamitë, por jo në zemrat e njerëzve, na kanë qëlluar me gurë në atë fshat”,- tregon aktorja.

Ajo shpjegon se shpesh herë edhe është paragjykuar sepse ashtu ishte koha. “Por të ishe aktore pas çlirimit nuk ishe e lehtë. Fshatra të largët kishin shumë paragjykime. Mbi ty do të binin edhe vështrime shpotitëse, edhe dyshuese. Kishte një mentalitet që ne ishim femra jo shumë të ndershme. Pasi lëviznim me meshkuj të tjerë, të cilët ishin në përbërje të trupës me të cilën luanim. Kjo sidomos në zona pak më të thella, madje në raste të tilla na është dashur që për aktorët e tjerë të thoshim, ky është kushëriri, ky tjetri është kusheri i dytë e me këtë tjetrin jemi krushqi. Edhe të tilla justifikime kemi thënë atje ku nuk mund të kuptohej si një femër mund të lëvizte me të panjohur. Na ndodh njëherë që në një familje në një fshat ku kishim shkuar për shfaqje, gruaja e shtëpisë vetem zgjat duart për të na sjellë darkën. Ajo nuk duhet të merrte kontakt me ne, dy aktoret që kishim shkuar aty, pasi për të zotët e shtëpisë ne nuk ishim dhe aq të zakonshme”, shpjegon ajo.

Çfarë është aktori për Liza Laskën

Aktori nuk gëzon familje, nuk gëzon fëmijë, se ditën kur fëmija ka pushim, ne jemi në skenë, ditën kur neve kemi pushim, fëmija janë në shkollë. Edhe i duhet aktorit të “harrojë” çdo gjë në skenë. Mbaj mend një herë kur kam shtruar vajzën e vogël në spital dhe kam dhënë shfaqje me të qeshura. Do ndryshosh, do heqësh veten tënde dhe do vesh rolin. Kur ka qenë i ndjeri bashkëshorti sëmurë, më thoshte: Ik në punë. Po çke ti- i thosha unë,- mua më japin leje ata. D.m.th të të vdesë njeri i afërt dhe ti të vesh të këndosh në skenë. Mbaj mend Thimi Filipin, ati i kishte vdekur, po ashtu nëna dhe e kishte rritur gjyshja. Ditën që i vdiq gjyshja, njeriu që e kishte rritur, ai erdhi dha shfaqje. E shumë e shumë të tjerë që kanë patur probleme te ndryshme familjare që u duhej pavarësisht të interpretonin në skenë. Të harronin gjithçka, pavarësisht shpirtit që mund të shkulej brenda.

Si priteshin aktorët në fshatrat e prapambetura

Dua të ndalem pak si influenconte në publik ideja e autorit, por e interpretuar nga aktori. Një herë, më kujtohet një rol i tillë që të rinjtë duhet të martoheshin dhe te njiheshin më parë. Kur e dhamë shfaqjen në nje fshat dhe më erdhi një vajzë në një fshat ngjitur më tha e di që unë kam dashur një djalë tjetër dhe familja më martoi me këtë tjetrin. I bëra një pyetje: Si të trajton? Më mban në pëllëmbë të dorës. I thashë ku e ke burrin dhe ma tregoi dhe unë i thashë, po ti paske marrë alamet djali, çfarë duhet ti thosha. I thashë mundohu ta duash ta duash burrin tënd. Një grua tjetër më thotë: Të keqen moj motër ç’më ka gjetur. Ai burri im do të martojë vajzën me atë që nuk do. Vetëm nga problemet biografike. Çfarë përgjigjesh të jepje?! Një çikë raki e një zog të vogël dhe shtroja burrit dhe mbushja mendjen. Ato kujtonin se ne i luanim rolet dhe ishim vërtetë të përgatitur për çdo situatë. Në një farë mënyre të shikonin si idhull. Na kujtonin njerëz të perëndisë. Na kërkonin mendime. Kishin besim. Ka shumë influencë në publik. Dhe kjo të jep forca për të bërë më të mirën para publikut. Por më kujtohet edhe një histori tjetër. Ajo ka qenë një ngatërresë që u desh ndërhyrja e personave të tjerë të zgjidhej.

Kam qenë në Korçë dhe kishim dhënë një shfaqje “Motra Katerinë”. E dhamë në hidrocentral dhe kur mbaruam shfaqjen, erdhi një burrë dy metra i gjatë, tërë inat dhe duke më bërtitur. - Po ti kështu e trajton ti vjehrrën tënde... po si mund të sillesh kështu? Unë fillimisht kujtova se bënte shaka, por kur e pamë keq, pasi ai po më drejtohej me një inat të papërmbajtur, ndërhyri Vangjel Grabocka. Jo vijonte ai, kjo kështu sillet edhe me të vjehrrën, e mezi i mbushën mendjen që unë nuk isha e tillë. Isha thjesht aktorja, e cila kishte luajtur një rol të tillë dhe në jetë isha shumë më ndryshe.

Problemet dhe frika nga skena

A e kam ndjerë veten ndonjëherë keq në skenë? Ajo tregon se është ndjerë keq më shumë se një herë. “E para një herë se unë kam patur migrenë që ka patur raste kur kam qenë në një situatë të tillë, mezi kam dalë në skenë edhe mbaja xhepin me aspirina. Ka patur momete që më zinte dhimbja në skenë. Por e keqja ishte se unë emocionohesha shumë në skenë, këtë më thonte edhe Sokrat Miho, ma ka vënë në dukje. Isha në një rol dhe me emrin e personazhit që interpretoja më tha: Bela, kjo nuk duhet të qajë, kjo akuzon. Por kur unë thosha: Biri im, nuk i pushoja dot lotët. Unë qaja. Edhe tani kur kujtoj role të tilla prekem shumë. Sensibilitet të jashtëzakonshëm”,- thotë Liza Laska teksa i mbush sytë me lot. “Kënaqësia më e madhe e aktorit është respekti dhe dashuria e publikut, nuk barazohet me asgjë. Kur eci rrugës, më thonë: O labja jonë, o nëna e Vlorës, e shumë emra të tjerë, por të thëna me një ndjenjë të veçantë. Një oficer më thotë një ditë “Më lejon të të përqafoj. Të pashë mbrëmë në një film shqiptar. Edhe mbrëmë më ke ngjallur nënën”. Dhe sytë ju mbushën me lot. Edhe unë si mbajta lotët. Ky është falenderimi i spektatorit, respekti ato që të mbushin”,- tregon ajo.

Liza dhe rolet e gruas labe

“Në role kam luajtur më shumë gruan labe, pasi është një grua e drejtë, sa e ashpër, aq edhe embël. Me një shpirt të madh. Për gruan labe, ndoshta ishin shumë role, por kam luajtur edhe të tjerë. Te “Lulja e kujtimit”, roli i Sandës. Ajo ishte një grua shërbyese, që unë nuk e ndjeja veten të aftë, kështu që mu desh të dal në rrugë dhe ulesha dhe pyesja për të hyrë në biseda me to. “Ua sa bukur e ke bërë këtë triko”, u thoja, ose hyja në biseda me to. Shikoja si silleshin, si bënin punën dhe bisedoja me ato, grumbulloja material që të shikoja rolin dhe doli një rol shumë i bukur dhe kur kam mbaruar lojën në Tiranë, më kujtohet që më përqafoi Sokrat Miho. Duhet ta plotësoja rolin. Ishte si një skelet që duhej ta vishja. Aktori e plotëson rolin jo vetëm në tavolinë, por ka edhe atë magazinën e tij, në filan fshat, apo në një ambjent tjetër, kam parë një personazh të tillë dhe këto janë të grumbulluara instiktivisht tek aktori”,- thotë aktorja e moshuar.

Më mirë në teatër apo në ekranin e madh

Për mua teatri qëndron më lart. E dua më shumë teatrin se është në kontakt me spektatorin. Spektatori nuk e kupton sa i vlefshëm është për aktorin. Ai e shikon aktorin dhe ai ndjen. Ndjen preokupimin, vëmendjen. Edhe po fillon të zënë karriget të lëvizin, nuk je në terezi. Aty dicka ndodh dhe duhet të shikosh brenda vetes se nuk je në rregull. Më ka ndodhur thua?! Po, më ka ndodhur, por shumë rrallë. Shumë rrallë se isha qenja e punës. Pasi dal në pension kisha kohë pa dalë në skenë. Dola në 82-shin, por kam vijuar të jem në skenë edhe më vonë. Kisha kohë pa dalë në skenë, por ishin ato kohët që nuk jepeshin shumë shfaqje edhe me jep një regjisor i ri një rol të një murgeshe. Mu lut dhe do dilja sa hapej skena. Dëgjoj nga spektatori: U Liza, Liza... Kur dal në skenë duartrokitën dhe unë mbaj mend që më hidhej zemra fort. Ka qenë ngjarje e vërtetë ajo që mbeshtetej drama, “Kristali Blu”, është edhe roman.

Kinematografi

Unë tani që krahasoj nënën labe me nënën e Plumba perandorit, me nënën e Çerçiz Topullit, me role të nënave me fëmijë, por këto të filmave që i shikoj jam munduar që nga një rol te tjetri të ketë ndryshim. Rolin e nëns te “Dimri i fundit”, psh: unë shumë herë kam qenë nëna labe, por duhet të sillje gjithmonë një gjë të re që të dalloheshin nga njëri rol te tjetri. Ndjeshmëria është e natyrës sime, por është një punë e madhe që të bësh të dallosh një nënë nga një tjetër. “Tek “Dimri i fundit” temperaturat ishin -13 ndërsa unë kisha rënë nga skena dhe për disa muaj ngela me allçi”

Vështirësitë në xhirime dhe aksidentet

“Te “Dimri i fundit”, minus 12, minus 13 ishin temperaturat. Kemi patur jashtëzakonisht ftohtë. Por kur aktori e do rolin, kur çdo punonjës e do punën e tij, çdo gjë i duket lule. Do vinim do xhironim në Korçë. Unë kisha thyer dhe krahun, kam rënë nga skena atëherë dhe për disa muaj ngela me allçi. Më propozuan për rolin te “Dimri i fundit” dhe një prej tyre ishte Kristaq Mitro. Tjetri Ibrahim Muça. Unë kisha probleme me krahun, por unë do i vij i thashë, kudo që të jeni pasi më keni zgjedhur. U nisëm me makinë, por përfunduam në këmbë. Atje ishte vetëm dëborë ishte një mrekulli kur shikoje një pamje të tillë. Dëborën e çanin korcarët. Dëbora deri në gju”,- thotë Liza Laska. Ajo tregon se gjatë dimrit qëndruan atje. Shkuan në janar dhe ikën në mars. “Po asnjë nuk të kupton çfarë vështirësie ka të jesh aktor. Vetëm ai që ka punuar, vetëm ai e kupton. Kishën e kishin kthyer në hotel. Qendrën e kishim afër. Në Dardhë të Korçës, sa herë kalonim para tyre, do hapej porta e do na sillnin diçka. Kush e kush na ftonte pasditeve. Më kujtohet sa vëshirë e kishim kur duhet të ribëheshin skenat. Te pjesa qe thërrisnin në korr psh: deri në sheshin e xhirimit do vinim në këmbë. Do të të ngrinte loti te syri. Do kishe ftohtë, do mbëshitelleshe, gratë korcare figurantet ndiznin zjarr. Ishte një punë e lodhshme, por me shumë sadisfaksion. Por megjithëse lodheshim, gazi nuk na ikte nga buza. Momenti që thërritej dhe ne shkonin pastaj zinim vendet. Ne do rrinin më këmbë, sado përsëritej, nuk duhet të lëvizej. Pasi duhej të mos linim gjurmë, dëbora duhej të mos shkelej. U rikthyem të nesërmen për atë skenë. Pasi përveç kësaj regjisorët na thanë se mua e një tjetër aktoreje na ishte bërë fytyra mavi”, kujton aktorja.

Roli i fundit

Ai është nga “Aziloidi”, kisha rolin e një që ndodhej në një azil. Dhe atje njihesha me dikë. Unë kisha rolin e një të pamartuare që ndodhej në azil. Duhej të mendoja, si do ta plotësoja. Ajo ishte e pamartuar, dmth pa fëmijë, duhej të mendonte vetëm për vete. Pra mendova, një femër e veshur mirë. Por do i bënte edhe çorape të dashurit, të mbuloj dobësinë time që të mos dukem e pasigurtë, të jetë korrekte në çdo gjë. Ishte Atixhen Bendo, një aktore dhe grua shumë e mirë edhe ajo ishte drejtoresha, këtë rol kishte. Edhe gjërat e vogla, ishin të rëndësishme për të mbushur rolin dhe ne u kujdesëm edhe për detajet më të vogla. Kryesore në rol është edhe partneri. Unë kam patur shumë në skenë, port ë vecantë, kam patur që do të veçoj, Pandi Raidhin, gjë të cilën e ka shprehur dikur edhe ai vetë. Por më kanë ndodhur edhe partnerë të dobët, që më kanë shqetësuar. Që ndoshta për të dalë vetë, kanë prishur edhe punën e tjetrit.

Dëshira

Kur e pyet nëse do të donte të ngjitej në skenë, përgjigja vjen e menjëhershme, ndërsa sytë ndriçojnë. “I thashë drejtorit të teatrit të Vlorës, edhe ndonjë rol të vogël por nuk kanë dramë, që të mund të luaj. Do të doja të ngjitesha në skenë. Rol të madh nuk mbaj, pasi nuk mbaj mend tekstin, por një rol të vogël do ta doja. Me shpirt do ta doja”,- tregon ajo.

Njohja me të shoqin në skenën e teatrit

Liza Laska edhe të shoqin e ka njohur në skenë. “Ose më mirë të them, në skenë më njohu fillimisht ai”, tregon Liza. Ajo kishte shkuar në një fshat të Korçës. “Ishte verë. Ishte një repart ushtarak aty. Para se të jepnim shfaqje, po rrinim në një vend dhe po bisedonim, por kur shikojmë një ushtarak që vente dhe vinte. Më falnin tha se duhet të gjej përgjegjësin tuaj, që të japim një shfaqje për ushtarët. Dhamë një shfaqje ne për një pjesë të ushtarëve. Kisha rolin e një vajze ruse, kisha një gërshet të gjatë atëherë, isha dhe e hollë. Në darkë dhamë shfaqje për pjesën tjetër të publikut për ushtarët. I tha një shokut tim që më pëlqen kjo vajza. Por i thashë, nuk dua oficer, nuk dua të jetë oficer, por shoku vijoji se ai është edhe nga anët tuaja, e ke nga Himara. Fillimisht më kërkoi aty ku isha, te familja ku rrija në Korçë, pastaj erdhi këtu në Vlorë, në familjen time te vëllai im. Më ngeli peng atëherë kur u bëra nuse. Se nuk duheshin ceremonira atëherë”,- tregon aktorja.

Çmimet

Urdhri “Naim Frashëri” i klasit të dytë
Medalje pune klasi i parë
Medalje pune klasi i dytë
Në vitin 1973, artiste e merituar



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora