E hene, 29.04.2024, 07:32 PM (GMT+1)

Faleminderit

Marie Tuçi, 20-vjeçarja që vdiq në spital nga dhuna e gardianëve

E diele, 03.08.2008, 07:27 PM


Marie Tuçi
Marie Tuçi
Mësuesja që u dënua se këndonte kundër Enverit


Nga Manjola Bregasi
 
E vetmja femër në listën e martirizimit. Quhet Marie Tuçi. Sapo kishte kaluar të 18-at kur u arrestua, pasi ishte pezulluar më parë nga detyra e arsimtares. Akuzohej se kishte mbajtur qëndrim kundër pushtetit popullor, duke zhvilluar takime edhe me persona të arratisur, të cilët i kishte ndihmuar dhe strehuar.

E që nga ky moment, vajza e re do të provonte mbi trupin e brishtë tortura nga më barbaret, të cilat e çuan drejt vdekjes së sigurt. Duke kërkuar mes dosjeve arkivore, për të gjithë ata që u dënuan gjatë regjimit komunist, për shkak të bindjeve të tyre fetare dhe kundërshtimit me doktrinën e kuqe, studiuesi Dr. Pjetër Pepa, nxori veç të tjerave edhe dosjen me numër 6646, që i përket të pandehurës, Marie Tuçi (Gjonmarkaj). Duhet theksuar që në fillim se ajo është mjaft e shkurtër, thuajse as një faqe e plotë celofani, çka do të thotë, rreth 15 faqe letër gjithsej, me hetim, gjykim e vendim. “E ç’krim mundur të kryente një vajzë e re, që futej në kuvend në moshën 18-vjeçare? Kë mund të vriste ajo me rruzaren dhe uratët e saj?”, pyet studiuesi Pepa, në faqet e librit që po përgatitet të nxjerrë për botim. “I vetmi faj i saj: ishte një vajzë e bukur! Preteksti u gjet se ishte edhe murgeshë e vinte nga një familje e rrezikshme, si ajo e Gjonmarkajve. Ajo, me guxim të madh mbronte besimin e vet, Zotin të cilit i besonte, dhe kundërshtonte doktrinën e komunizmit si ateizëm shkatërrues”.

Dosja 6646

Marie Tuçi, e bija e Nikollës dhe e Dilës, 22 vjeç. Nga katundi Ndërfushë i rrethit të Rrëshenit, e pamartuar, me profesion studente, arrestuar me 5.X.1949, e pandehur:
“Për qëndrimin e saj kundër pushtetit popullor është pezulluar nga detyra e arsimtares. Ka pasur takime me të arratisurit Llesh Marku, Bibë Vokrri etj, të cilët i ka strehuar dhe furnizuar me ushqime. Ka bërë edhe punën e ndërlidhëses mes tyre. Ka pasur dijeni për shumë elementë që do të arratiseshin dhe nuk i ka denoncuar. Ka popullarizuar këngën e kriminelëve me popullin e katundit, me anën e së cilës ata ofendonin pushtetin dhe udhëheqësin e tij. Faji provohet plotësisht nga vetë deponimet e saj, të bëra para organeve të hetuesisë, që parashikohen në bazë të nenit 3, nr. 14 e 17 të ligjit nr. 372 e ndëshkohen nga neni 17 i ligjit të mësipërm. Prandaj, kërkoj që e pandehura të thirret pranë asaj gjykate.

Nga deponimet në hetuesi:
Marie Tuçi - 12.X.1949.
...Po, kangën e kam dijtë, por nuk e di se kush e ka qitë...Mue ma ka thane Gjon Mark Ndou... kënga kishte këtë përmbajtje:
“Mbi bishat e kuqe, përmbi komunizëm
do të triumfojë nacionalizmi,
Me armët kreshnike, ecni moj rini,
Për të çliruar nanën Shqipëri!
Neve, Shqipërinë do ta çlirojmë
Dhe para flamurit do t’parakalojmë
Llogari do të japin para atdheut
Enveri, Tuku e Mehmet Shehu….
Kjo këngë këndohej me melodinë e këngës së hekurudhës “Se ç’po çel agimi…”

Hetimet vazhdojnë
Marie Tuçi: Për Markun, tim vëlla, kur janë ba zgjedhjet e Komitetit të Partisë në Rubik, kemi qenë tue shetitë me të e më ka thanë, ec mos të shetisim se janë shumë e po dalin e po na hedhin në lumë. Më ka pyet, a është Gjoni në Sh’palë? Ndër tjera, më ka thanë se edhe mue tash po me arrestojnë, se kam ndie një shok Sigurimi në klub, tue thanë se edhe ky e ka punën ekstra, se babë e axhë i ka pasë në burg. Në kundërshtarët ka kenë Nikollë Bardhoku e të tjerë. Në vitin 1949 kam kenë në Shkodër tek rrobaqepesi Gaspër Tirana, bashkë me Gjon Mark Ndoun dhe kunatin tim, Frrok Pergegen në shtëpinë e tij, për provë rrobash. Aty kam pa dy traktet që, ndër të tjera, thoshin: “Vëllezër e motra, oficerë e nënoficerë, të rinj e të reja, burra e gra, bashkohuni në luftën kundër komunizmit!”. Firmoseshin, njëra nga Organizata Nacionaliste e Maleve të Veriut dhe tjetra Komiteti i Përgjithshëm Nacional.

Deponimet
Për bisedat me Nikollë Bardhokun, pakënaqësitë e shprehura prej tyre ndaj pushimit nga puna të arsimtares etj., deklaron se si Frrok Pergega më ka tregue se nji natë kanë gërsite në dritare në dhomën e burrave, të arratisunit, kanë thirrë emrin e Ndreut, të jatit i cili ka hapë dritaren, i ka dhanë bukë e një tepsi peshk, ndërsa tjerët ishin fshehë në kopsht. Në grup ka qenë Llesh Mark Tuci e Ndre Prenga. I kanë kërkue e ai ka dhanë edhe një danë dhambësh.

Procesi gjyqësor
Gjykata e Lartë Ushtarake, në përbërje të së cilës janë: N/Kolonel Shuajp Panariti – Kryetar; Kap.I Nonda Papuli anëtar; Kap.II- Hydai Legjit- anëtar; nën asistimin e prokurorit Hilmi Telegrafi, jep vendimin:
Me padinë penale të ngritur nga Prokuroria Ushtarake e Ushtrisë Popullore, kundër të pandehurve:
1- Marije Tucit, e bija e Nikollës dhe e Dilës, vjeç 22, lindur e banuese në katundin Ndërfushë të Rreshenit, studente, me arsim 4 klasë të mesme, fshatare e mesme, a pamartuar, e padënuar, arrestuar me 5.X.1949.
2-Gegë Gjini, i biri i Ndout dhe Marijes, vjeç 63, lindur e banues në...analfabet..fshatar i varfër...arrestuar më 10.8.1949....
Të akuzuar se: Marie Tuçi ka bërë takime me të arratisurit dhe ka bërë pjesë në një grup kundërshtar. Prokurori kërkon deklarimin fajtor dhe dënimin me tre vjet heqje lirie e punë të detyruar. Gjykata vendos: dënimin me tre vjet heqje lirie e punë të detyruar. Në bazë të nenit 62 të K.P. ia zbut këtë dënim me privim lirie dhe në bazë të nenit 68 të K.P, i kthehet në dënim me kusht për 2 (dy) vjet kohe. (Për Gegë Gjinin – 2 vjet heqje lirie). Ky vendim është i formës së prerë.

Dëshmite
Maria ishte inteligjente, guximtare, me besim e fe, lutej vazhdimisht edhe në burg, ishte antikomuniste e vendosur. Një herë në muaj merrte ndërresat që ia dërgonte e ëma përmes një mikut të vet e ato, Maria i ndante me shoqet e veta, sidomos myslimane.
Olimbi Baruti - bashkëvuajtëse

Dëshmi:
E kam pasur shoqe burgu për disa muaj. Për të përballuar të ftohtin, rrinim të përqafuara gjatë me njëra-tjetrën, për t’u ngrohur. Qelia ishte e mbushur me ujë, nga shiu që pikonte deri te dyshekët. U shtrua në spital në kushte të mjerueshme e shumë rëndë. Ishte fryrë në bark, ndoshta ascid, ndoshta peritonit tuberkular, kush e mori vesh. Nga spitali i të burgosurve e transferuan në spitalin civil. Gjatë periudhës që ishte shtruar në spital, e vizituan motrat Stigmatine dhe të njohurit, vizita të shpejta e vetëm me pak fjalë. Maria nuk njihej kush ishte e vetë ajo ia tha shoqes së vet, Davidës, pak ditë para se të vdiste: “U vërtetua fjala e Hilmi Seitit, që m’ka thanë “do t’baj që mos t’njofin as familja jote!” I falem nderës Zotit që ditët e fundit po i kaloj e lirë!” Vdiq në spitalin e Shkodrës, më 24 shtator 1950. Trupi i saj u varros në Shkodër, në varrezat katolike, së bashku me të atin.
Vida Matlia - bashkëvuajtëse...

Vajza që u dënua nga Gjykata Ushtarake
Gjykata Ushtarake, që mori në shqyrtim çështjen e të pandehurës Marie Tuçi, e cilësoi atë fajtore për qëndrimin e saj kundër pushtetit popullor dhe ndihmën që familja e saj i kishte dhënë të arratisurve. Në fakt, vetëm pak kohë pas daljes nga hetuesia, Maria vdiq në spitalin e Shkodrës. Ata që e njihnin e mbanin mend të bukur, ndërsa atje, në spital, ndërsa vuante pasojat e kundërshtimit me forcë të komunizmit, pamja e saj ishte tjetërsuar. Thonë që ishte torturuar në mënyrë çnjerëzore. Ndoshta sot është e vështirë të kuptosh dhe të imagjinosh që mendja njerëzore është e aftë të pjellë tortura të tilla, që mendja njerëzore është në gjendje të fantazojë tmerre që shkojnë jashtë çdo logjike. Nga dëshmitë është parë se Motër Marie Tuçi “në gjysmën e trupit e shtinë në një thes, ku kishte brenda edhe dy mace. E rrahën egërsisht, macet u tërbuan dhe e shqyen me thonj. Kështu, gjersa dha shpirt”.

Jetëshkrimi
Kush ishte Marie Tuçi
Marie Tuçi lindi më 12 mars 1928, në fshatin Ndërfushaz Mirditë, si e bija e Nikollë Mark Tuçit dhe e Dilë Fushës. Ka qenë nxënëse e shkollës së mesme të motrave Stigmatine në Shkodër e më pas, aspirante e jetës rregulltare. Në vitin 1946, abati Frano Gjini e dërgoi mësuese në shkollën e Mirditës, së bashku me Davida Gjonmarkajn, si katolike të mira e të afta të luftonin për bindjet e tyre fetare. U arrestua pas reprezaljeve që u bënë në Mirditë nga qeveria komuniste, me rastin e vrasjes së Bardhok Bibës, sekretar i Partisë Komuniste në Mirditë. Për atë vrasje u fajësuan shumë familje mirditore, ndër to edhe ajo e Gjonmarkajve, së cilës Maria i përkiste. Po atë ditë u arrestua edhe i vëllai, Marku, të cilin nuk e pa më, as të gjallë, as të vdekur. Ishte shumë e këndshme, trupmesme, me flokët e lidhur rreth kokës e me një fytyrë fëmije, ku shkëlqenin dy sy të mëdhenj e të kaltër. Shumë u habitën kur princesha e vogël e shtëpisë së Gjonmarkajve zgjodhi rrugën e kuvendit e ndonjë që deshi ta shihte nuse, edhe qau. Por ajo kishte zgjedhur të bëhej nusja e Krishtit. Por ishte pikërisht kjo zgjedhje që do të bëhej shkak që në moshën 20-vjeçare Maria të arrestohej dhe të dënohej. Vdiq në spitalin e Shkodrës pas torturave çnjerëzore, më 20 shtator të vitit 1950.

Historia e motrave Stigmatine u zbardh pas vizitës së Nënë Terezës në Shqipëri
Eshtë kjo dëshmia e Sr. Maria Speranza, e cila vjen për herë të parë në Shqipëri, në vitin 1991, kohë kur në vend ndodhej edhe bamirësja e njohur shqiptare Nënë Tereza. Në kujtimet e saj për këtë udhëtim, ajo thekson mirësinë e varrosur të motrave Stigmatine, kolegjit ku kishte studiuar edhe Marie Tuçi:
Kishim lexuar një artikull “Shqipëria: kthimi tek Zoti” të R. Zichitelies, i cili na dha zemër e na vuri krahë për Shqipërinë. Morëm një adresë të Padër Vinko Malajt, OFM, që vepronte në Tuz (Mali i Zi). I kemi shkruar menjëherë e ai po menjëherë na është përgjigjur, duke na dhënë zemër e listën e shumë motrave, mes të cilave edhe Stigmatine. Më pas, lajmi se edhe Nënë Tereza e Kalkutës dhe Imzot Claudio Celli ishin futur në Shqipëri, na dha guximin të provojmë edhe ne atë dëshirë të madhe që e kishim prej kohësh, por që na dukej e pamundur. Si morëm vizën, ashtu si papritur, më 13.4.1991, në ora 15:40, thuajse dy orë me vonesë, për shkak të shiut, u ngjitëm nga aeroporti “Avianova” nga Roma drejt Tiranës. Na shoqëruan në aeroport, Mr. Madalena, Mr. Jakopa, me shumë valixhe që peshonin me tepri. Kthyem mbrapsht disa nga tonat e morëm pakon e motrave të Nënë Terezës. Zbritëm në kryeqytetin shqiptar, të bekuara nga një shi i mirë pranveror, që e bënte klimën shumë të ftohtë e ajrin e mjegullt. Nuk na priste askush. Një zotëri shqiptar me emrin Telemak, që udhëtonte me ne, na gjeti një taksi me ngjyrë të kuqe të ndezur dhe arritëm kështu te motrat misionare të bamirësisë. Asnjë kontroll në doganë e shumë njerëzi ndaj nesh, nga të gjithë: emri i Nënë Terezës na e lehtësoi mjaft aventurën.
Zoti, i ekspozuar atje, në kapelën e motrave, ishte pritja më e mirë. Shok darke ishte Dom Gjergji, një meshtar shqiptar që ishte në Itali e që Nënë Tereza e kishte marrë si kapelan të kësaj zone. Ajo nuk hapte as edhe një vepër pa praninë e një meshtari. Sapo Dom Gjergji u fut për darkë, unë isha pranë portës dhe e përshëndeta si zakonisht.
-Mirëmbrëma! Jeni Stigmatine? Po unë jam duke shkruar historinë tuaj, këtu në Shqipëri. Eshtë thjesht iniciativa ime, që të dalë në dritë mirësia e motrave tuaja e varrosur me kaq mizori e harresë të gjatë, këtu në Shqipëri.


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora