E hene, 29.04.2024, 08:54 PM (GMT+1)

Faleminderit

Albert Zholi: Koloneli që shpërfilli vdekjen

E hene, 04.08.2008, 07:59 PM


Arben Zylyftari
Koloneli që shpërfilli vdekjen

Rekueim për Kolonel Arben Zylyftarin në tetë vjetorin e vrasjes

Nga Albert Zholi

Me 3 gusht 2000, mbushen plot tetë vjet nga dita, kur në qytetin e Shkodrës, në një përpjekje të armatosur me botën e krimit dhe mafies, humbi jetën Drejtori i Policisë së Prefekturës, komisari i hekurt, kolonel Arben Zylyftari. Në lagjen me një emër disi të çuditshëm për një kohë pa mure, si kjo që po përjetojmë në këto vite postkomuniste, -“Guerrile”-  në mesditë, plumbat e dalë nga arma e një personi të kërkuar nga policia për dy vrasje të kryera në vitin 1998, përshkuan trupin e atij, që brenda një kohe të shkurtër, qe bërë simbol i antikrimit në kryeqendrën e veriut dhe kudo ku pati shërbyer në strukturat e uniformave blu. Ishte hera e parë gjatë tranzicionit tonë drejt një shoqërie të stabilizuar, që dhëmb për dhëmb me kriminelët, binte në krye të detyrës një oficer i lartë, një kolonel i shërbimeve policore, emri i të cilit, pa kaluar shumë kohë, u kthye në një mit të qëndresës së idealistëve, në emër të shtetit të së drejtës dhe lirive e të drejtave njerëzore.Sa ishte gjallë, ai dëshmoi se profesionalizmi dhe qytetaria ishin alfa dhe omega, të cilat e udhëhiqnin në punën e tij. Kurajoja për t’iu shkuar gjërave deri në fund, qoftë dhe  me vetëdijen e një sakrifice sublime, e motivuan në çdo çast të karrierës së tij. Me jetën e tij, ai tregoi se si duhet të punonte një oficer i lartë i policisë, me vdekjen e tij u bë një simbol i uniformave blu, në luftën e tyre të përçdoçastshme për të mbrojtur lirinë e qytetarëve.   Vrasja e kolonel Zylyftarit nuk ishte një krim i zakonshëm. Vrasja e tij ishte një përpjekje e krimit ordiner, atij të organizuar dhe mafies, të cilëve, me sa duket, ky idealist iu kishte shkelur në kallo, për të gjunjëzuar shtetin dhe për të dekurajuar guximtarët. Ishte një atentant ndaj rendit publik dhe institucioneve të lirisë, një atentant ndaj paqës së qytetarëve, të cilën e kishte marrë përsipër ta siguronte me çdo çmim Arbeni dhe kolegët e tij.  Dhimbja për njeriun që u ngrit mbi intersat e tij vetjake në emër të qetësisë së qytetarve dhe frymëmarrje së shëndetshme të ligjit kaloi në kufijtë e një legjende. Ai ishte një Falkone i këtij vendi, vend i cili, duke u ngritur mbi plagët e rënda vitit të mbrapshtë ’97, mbi krimin dhe ndëshkimin e bandave të rrugës, që patën bllokuar shtetin, kishte aq shumë nevojë për njerëz të tillë kurajozë, guximtarë, profesionistë dhe  të përkushtuar si kolonel Zylyftari.Tani, tetë vjet pas rënies së Komisarit të fortë, aktet qytetare të së cilit në mbrojtje të stabilitetit qytetar kanë kaluar në kufijtë e legjendës, shërbimet tona policore kanë një model se si duhet luftuar dhe guxuar në emër të ligjit dhe të së drejtës, në një vend që, si  Sizifi, bën përpjkje për të dalë nga rrethi i të keqes. “Atë e vrau mafia”, -tha një funksionar i lartë i shtetit të asaj kohe, duke vënë gishtin mbi atë kuçedër gjakatare me një emër të frikshëm, të cilës, me sa duket, Komisari Arben Zylyftari i kishte prishur  folenë e rehatshme, ku ajo thurte ëndrrat e saj ogurzeza. Në të gjithë humbëm një oficer të shkëlqyer policie, një njeri aksioni që përcillte shpresë e besim tek ligji dhe e drejta tek të gjithë qytetarët e këtij vendi. Por siç u shpreh kryeminsitri i atëhershëm Meta, fituam një simbol të ri të fuqishëm në luftën për një shoqëri pa krime, paqësore dhe me dinjitet. “Kam përshtypjen se Arben Zylyftari shpërndau tek çdo shqiptar shpirtin e  sakrificës, shkruante në mesnatën Njujorkeze një shqiptaro-amerikan, natën e 3-4 gushtit, ndërsa trupi i pajetë i atij burri që më shumë se ditë pati vepra dashurie për njerëzit përcillej për në banesën e fundit.  “Kam mendimin, - vijon idenë shqiptaro-amerikani, - se Arben Zylyftari na dha të gjithëve diçka nga përkushtimi dhe ndershmëria e tij në detyrë. Kam sigurinë se vrasja e Arben Zylyftarit ka prekur çdo zemër shqiptare, pavarësisht nga partitë e idetë, mendimet e rreshtimet politike”. Ky është një mesazh i madh që Koloneli Zylyftari i dha një kohe të sëmurë nga sindromat e gjithëfarshme, sidomos ato politike, mesazhi që ai i dha klasës politike shqiptare, policisë, gjithë atyre që nuk e duan vendin e tyre nën thundrën e krimit dhe mafies. “Nëse nuk na bashkon jeta e përditshme me hallet jo të vogla që ka populli ynë në përditshmërinë e tij, - shkruan shqiptaro-amerikani nga Nju Jorku, - të paktën të na bashkojë vdekja e një heroi në ditët tonë, me emrin Arben Zylyftari".A e mori shoqëria shqiptare këtë mesazh?Tetë vjet pas vrasjes së Heroit, kur policia e ka ngushtuar jo pak rrezen e veprimit të skalioneve të krimit, kur policët tanë shfaqin çdo ditë akte trimërore në ruajtje të normalitetit të jetës sonë, mund të themi se mesazhi i jetës dhe i vdekjes së kolonel Zylyftarit është thithur dhe përvetësuar nga uniformat blu.Por në këtë vend, ende polici nuk ka një status të lartë moral e material, nuk është një figurë emblematike e shtetit dhe nuk respektohet aq sa duhet, (siç ndodh në botën demokratike), ende vriten policë. Ende policëve iu bëjnë karrshillëk horrat me makina superluksoze, të cilët sapo bien në grackat dhe aksionet e policisë, lirohen në disa rate nga gjykatës të papërgjegjshëm, të cilët nuk njohin atdhe tjetër, veç atij të parasë. Ende kjo tokë, ku livadhisin çianët e krimit i kërcënon me jetë komisarët si Zylyftari, të cilët shpesh bëhen viktima të lojërave politike. Kolonel Zylyftari ishte nga ata ushtarakë që i duhej shumë Shqipërisë së lodhur nga anarkia, destabiliteti dhe krimi, nga korrupsioni dhe pesimizmi se ky shtet dhe kjo shoqëri nuk mund ta çajnë rrethin fatal. I duhej kësaj kohe, e cila kërkon njerëz me vullnet, kurajë dhe dashuri të shkojnë kundër rrymës së të dëshpëruarve dhe nihilistëve, të korruptuarve dhe burracakëve. Me jetën e tij aktive dhe, ende më shumë, me vdekjen e tij heroike, Kolonel Arben Zylyftari na dha mesazhin e besimit tek shteti, tek ato vlera qytetare të shoqërisë sonë, që edhe pse duket sikur janë në minorancë në raport me sistemin e antivlerave, prap na joshin të besojmë me shpirt në shpalosjen e plotë të tyre, siç besonte idealisti Arben Zylyftari.        



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora