E shtune, 21.09.2024, 01:59 AM (GMT+1)

Faleminderit

Ardian Ndreca: Mustafa Merlika Kruja, figurë e ndritun e shkencës shqiptare

E diele, 03.08.2008, 07:51 PM


Mustafa Merlika Kruja
Mustafa Merlika Kruja
Mustafa Merlika Kruja, figurë e ndritun e shkencës shqiptare

Nga Ardian Ndreca

Ndjesía historike e shqiptarëve

Nuk âsht fort e lehtë, sot, kur në Shqipní hapen vorre e groposen kujtime, me paraqitë nji figurë aq të «përfolun» si atë të Mustafa Krujës. Ai bân pjesë në atë rradhë burrash, si Lef Nosi, Dom Lazër Shantoja, Kol Tromara, Mark Gjomarkaj për të cilët nuk flitet gati aspak, edhe pse zânë nji vend nderit në altarin e kombit tonë. Sot në Shqipní zotnon prirja me rehabilitue ata figura të cilat deri dje regjimi komunist i kishte dënue. Shumë e drejtë. Por mâ të parët qi po na dalin atdhetarë e patriotë të përndjekun janë taman ata qi u eliminuen në luftën e mbrendshme midis rrymave komuniste në fuqí. E shkrivanat e sotshëm përpiqen me ngjallë keqardhje në publik tue tregue shortin e padrejtë qi i tokoi për hise Koçi Xoxeve e Mehmet Shehave, tue hesht qëllimshëm faktin se me mija e mija vorre njerzish të vlerët e të pafajshëm u mbollën në çdo kând të vendit shì prej dorës së tyne.
Kur flitet për Mustafa Krujën nuk bâhet fjalë me rehabilitue figurën e tij, pse ai nuk ka aspak nevojë për nji operacion të tillë të mundimshëm, flitet vetëm me bâ të njohtun se kush ishte Mustafa e çka ka kenë jeta e tij. Tash qi prej ngjarjeve të turbullta të Luftës së dytë botnore, e cila për ne përfundoi mjerisht, ka kalue nji gjysë shekulli, mund t'i shohim ngjarjet e njerzit në nji dritë mâ objektive, ashtu si u zhvilluen e si ishin me të vërtetë.
 
Rinija e Mustafa Krujës

Mustafa lindi në qytetin e Gjergj Kastrijotit me 15 mars 1887, në nji familje të thjeshtë qytetare, e cila âsht kujdesue qi ai të kryente shkollën fillore në qytetin e lindjes e mâ vonë të vazhdonte të mesmen në Janinë. Fundi i dhetëvjeçarit të parë të shekullit të XX e gjen Mustafën në Stamboll, të shkruem në institutin superior Mülkiye-i-Sehahané (Fakulteti i Shkencave politike), prej kah do të dalë në vjetin 1910: "licencié en sciences politiques et sociales".
Ishte koha kur lëvizja xhonturke kishte përfshí mbarë Turkín me pretekstin e rivendosjes së Kushtetutës së 1876. Në ketë periudhë Mustafa fillon me u interesue për politikë tue shkrue artikuj të ndryshëm e tue marrë pjesë në nji shoqní revolucjonare. Për ketë arsye edhe pezullohet nga shkolla, por pranohet përsërí falë protestave të deputetëve shqiptarë në Stamboll.
Shpallja e Pamvarsisë e gjên në Vlonë, në krah të Ismail Qemalit e Luigj Gurakuqit, në cilësinë e delegatit të popullit të Krujës, i gatshëm me nënshkrue pamvarsinë e atdheut krahas atdhetarëve mâ të shquem të kombit tonë. Me formimin e qeverisë u emnue zâvendës-prefekt në Vlonë e mâ vonë sekretar i kryesís së Këshillit të Ministrave. Shkruen për tê Karl Gurakuqi: "Kishte nji shpírt arsimtari. Natyra e tij e pat shty qyshë në riní me u marrë me arsimin, pse prej arsimit Shqipnija priste zhvillim e përparim sidomos n'atë kohë kúr duhej me i vû themelet shtetit të rí, të dalun nga errsina shekullore. Auktoritetet shtetnore, tue vrejtë prirjen e tij e tue i ardhë dishirit të çfaqun prej si, e panë të rrugës me i ngarkue drejtorín e arsimit në prefekturën e Elbasanit".1)
Detyra të njejtes natyrë pati edhe gjatë sundimit të shkurtë të Princit Wied, në vjetin 1914. Kjo mund të thomi âsht periudha mâ e gjatë e ndejtjes së tij në Shqipní. Shkruen artikuj të shumtë në të përkohshme të ndryshme, si p.sh. në faqet shqip të "Corriere delle Puglie", te "Kuvêndi" i Sotir Gjikës, te "Mbrojtja Kombëtare" e Dom Mark Vasës, te "Ora e Maleve" e Shuk Gurakuqit e Dom Lazër Shantojës. Në 1920 âsht përfaqsues i Shqipnisë, bashkë me Imzot Bumçin e Luigj Gurakuqin në Konferencën e Paqes në Paris.
 
Mërgimi i parë

Në vjetin 1924, me fitoren jetëshkurtë të Nolit e Gurakuqit, emnohet prefekt i Shkodrës, tue kenë i shtërnguem shumë shpejt me e lanë Shqipninë për me mërgue n'Italí. Vendoset në Zara, qytet i njohtun për tradita arbëreshe, e këtu, rreth tij, grumbullohen edhe intelektualë të tjerë si Xhevat Korça, Ernest Koliqi, Kostantin Kotte. Nuk prânë së luftuemi me pendën e tij të fortë në gazetat e mërgimit si te "Lirija Kombëtare" e Omer Nishanit, te "Ora e Shqipnisë" e Shantojës. Por, mbi të gjitha nuk résht së punuemi asnji ças për atë qi do t'ishte vepra monumentale e jetës së tij: Fjalori kritik i gjuhës shqipe.
 
Idealet e jetës së tij

Vetëm në dy gjana Mustafa do të mbesë gjithë jetën i patundun: nuk do të pranojë kurrë asgja qi âsht kundra interesave të kombit e nuk do të shklasë asnjiherë parimet e tija të nalta morale. Át Zef Valentini ka shkrue qi Mustafa, megjithëse i lindun në fé myslimane, ka pasë të vetat shumë vlera shpirtnore të katoliçizmit2). Krahas virtyteve qytetare, ai do të kultivojë gjithë jetën nji ndjenjë të fortë përgjegjësie e detyre qi ndoshta e ka dâmtue në marrdhânjet me të tjerët, por e ka naltue personin e tij, sa jeta e tij përkon krejtsisht me idealin qi ai ka dishmue. "Tek, Aj, - ka shkrue Tahir Kolgjini,- nuk gjêjshin mirëpritje formulat si «Shif e bân!" e «Shkel e shko!». Nuk i pat pervetuem kurrë këta formula. (...) Dikushi, e kritikoi Mustafën, tue thânun se, në Shqipní, programet, nuk janë të zbatueshme; prandej, Aj, duhet t'ishte nji akrobat politik dhe t'i përshtatej gjendjes. Mirëpo, Mustafa, mendonte krejt ndryshe. Aj, thonte se: - «Në kët botë, nuk ká gjâ mâ kollajt se me bâmë idarei maslahat, qi na tash, po i thomi oportunitet. Un, për të dijtë, e dij këtê, por, nuk e bâj; sepse , «Idare-i Maslahat-i», të lêjon me e pranuem e me e vazhduem gjendjen ashtu si ç'âsht, ani pse nuk mbërrijhet në ndonji përmirësim".3)
Lufta e tij fillon atëherë kur Shqipnija po delte shtet në vete, në 1912, e vazhdon me vjetët e turbullta të konfliktit të parë botnor, për t'u kunorzue në 1920 me njohjen e shtetit shqiptar prej Lidhjes së Kombeve e me tërhjekjen e forcave pushtuese. Në 1924, Mustafa, përkrah Luigj Gurakuqit me shokë do të përpiqet me të tâna energjitë me e ndërtue Shqipninë moderne, europiane, me e shkëput njiherë e përgjithmonë prej mentalitetit oriental qi kishte zânë njàk shpirtin shqiptar. Në këtë drejtim ai njehet si nji ndër etnit e Shqipnisë së re, pse âsht bir besnik i idealeve të Rilindjes e protagonist aktiv në kapërcyell të dy epokave vendimtare të jetës kombëtare.
Pa u ndalë me zhdrivillue shkaqet e fitores së qershorit 1924 e gabimet qi çuen drejt disfatës, duhet nënvizue fakti se Mustafa âsht edhe nji herë në krahin përparimtar e demokrat të politikës shqiptare. Kapitulli i fundit i jetës së tij politike aktive âsht koha e pushtimit fashist të Shqipnísë, janë çasat tragjike qi meritojnë nji thellim të veçantë për me hjedh dritë mbi figurën e tij.
 
Mustafa Kruja e epoka fashiste

Âsht shumë vështirë me e përtrî mendjen e zvetënueme shqiptare prej klisheve të gjykimeve historike me të cilat e ka regjë për nji gjysë shekulli pseudo-historiografija komuniste, edhe pse, siç vërente Ernest Koliqi në të largtin vjetë 1957: "Na Shqiptarët, përgjithsisht, jemi bukur fort të prirun kah epshi i prozhmimit. Jo vetëm levdata na del disi rryeshëm nga buza, por mâ tepër, gjêjmë vishtirsí në vetvete kur arsyeja e lypë qi të shfaqim pelqim e lavd mbi cilsít ase veprat e nji tjetri" – e vazhdon: "Kjo korrnecí shpirtnore ndoshta na rrjedh prej krajatave historike nëpër të cilat u përshkueme na dhe të parët t'onë".4)
Ngjarjet e 7 prillit e gjetën Mustafën në Gjenevë, ku ishte transferue nga Italija qysh prej vjetit 1936. Zogu kishte braktisë vendin e shumë emigranta politikë po u kthejshin në atdhé. Kjo ishte në vetvete nji arsye e mjaftueshme qi krahas dyshimit për italianët me pasë edhe nji simpatí, për faktin se i vetëshpalluni Mbret i Shqiptarëve ishte përzânë.
Lind pyetja: pse shumë patriotë shqiptarë si Mustafa u afruen me regjimin fashist? (Mendojmë se paftësia për të ba nji zgjidhje të ndërmjetme kombëtare dhe demokratike, mes komunizmit dhe fashizmit, për të shpëtue vendin, asht thelbi i gabimit të Mustafë Krujës dhe ndonji tjetri. Të mbështetëshe në strukturat e krijueme nga fashizmi për të shpëtue vendin nga eversioni komunist mbartte në vetvehte të njëjtin gabim sikurse pati më mbështjetja tërësore në komunizmin bolshevik për të luftuar fashizmin dhe për të çliruar vendin. Shën. i red. Phoenix).Shpirtënt idealista të asaj kohe shihshin në mbarë Europën nji rrezik të madh, ekspansionin bolshevik. Provat e përgjithshme të nji lufte vëllavrasëse ishin krye me «sukses» në Spanjen republikane, por t'ikunit prej Republikave sovjetike tregonin tmerret, deri atëherë të panjohtuna, qi provonin popujt nën zgjedhën e Moskës. Nji vend i vogël si Shqipnija, me nji shtet të pakonsoliduem mund të binte kollaj pré e nji eksperimenti të tillë. Në të vërtetë, shêjet e këqija i kishte kuptue edhe Zogu qysh në 1936-en, dhe kishte përdorë grushtin e hekurt kundër eversionit të kuq. Kah ana tjetër shtetet evropiane, q'prej vjetit 1927, i kishin lânë Italisë të drejtën e influencës mbi Shqipní; Anglia e Franca e shihshin pothuejse pa interes vendin tonë. Rreziku vinte gjithnji prej fqinjëve, por ketë herë ishte edhe rrezik ideologjik. Nji element tjetër qi afronte nji pjesë të madhe të intelektualëve me Italinë ishte ideja e krijimit të nji «Perandorije të ré romake», ku ligji, e drejta, dinjiteti i qytetarit, vëllaznimi, kultura – të drejtojshin nji her' e mirë Shqipninë kah Perëndimi. Bâhej fjalë o me lidhë fatin e vendit me traditën perëndimore ose me e lanë në influencën lindore. Taktika jo e goditun qi u zgjodh ishte me përdorë fashizmin për me pështue kombin. Nji tjetër arsye qi shtyu Mustafën e shumë të tjerë me simpatizue për fashizmin, ishte fakti se politika fashiste kishte sigurue përkrahjen e vet për rivendosjen e kufijve etnikë të Shqipnís, pra, tue përfshí Kosovën, Çamërinë e tue rishikjue edhe kufinin verí-perëndimor.
Duhet thânë se Mustafa, me intuitën e tij të mprehtë kishte kenë ndër ata të pakta personalitete shqiptare qi kishin kuptue se aleati mâ i mirë për me rrëzue Zogun ishte Italia. Në vjetin 1927, me rastin e nënshkrimit të Traktatit të Aleancës ndërmjet Shqipnisë dhe Italisë, Mustafa ishte i vetmi emigrant politik qi i telegrafoi Mussolini-t tue vlerësue ketë marrveshtje.5) Edhe Hasan Prishtina në nji intervistë dhânë nji gazetarit të fletores "Giornale d'Italia", me datë 8 dhetuer 1927, e vlerësonte nalt Traktatin, jo për makiavelizëm por tue u nisë prej interesave të atdheut. Duket paradoksal fakti, por në ketë mënyrë ata ekzaltojshin edhe vetë politikën e anmikut të tyne, Zogut. Ky i fundit, tue mendue me përforcue pushtetin e vet, lidhte nji aleancë qi do t'a çonte drejt humbjes së pushtetit.
Mbetë fakti qi jo vetëm propaganda komuniste por edhe qarqe tjera politike janë përpjekë me denigrue figurën e Mustafa Krujës, të Ernest Koliqit e të shumë tjerëve, tue i quejtë "fashista të shitun" e, prej bejtexhive vëllavrasës të regjimit të Tiranës, tue u apostrofue si "tradhtarë" par excellence. Por, sot qi shumë gjana janë fashitë, ja vlen me këqyrë se çka shkruente Dom Lazër Shantoja në vjetin 1941, pak ditë mbasi Mustafa u ngarkue me formue qeverinë e vet.
Pyetjes: Kush asht Mustafa Kruja? - Shantoja i përgjegjet: "…. as nuk asht nji shënjt, as nuk asht nji mrekullbas! Me thanë vetëm se asht nji patriot, asht prap tepër pak. Na prej atyne qi do të na përfaqsojnë para kombit e para botës kërkojmë diça ma teper sesa stolín e nji vërtyti qi tjetër s'asht veç se detyra qi duhet të jetë e përgjithshme për të gjithë ata qi kan lindun prej nji babe e prej nji nane shqiptare.
Mustafa Kruja asht diça ma tepër. Ai asht nji luftar! Luftari intelektual i nacionalizmës shqiptare marke ma të fjeshtë e ma të kulluet. Ai asht nji filiz i asaj dege nacionaliste qi rrâjtë e veta i ka thellë në shtrojet e ma të pastra e ma të paprishuna të racës. Mustafa Kruja – i stolísun me nji mende të hollë, me nji kulturë të gjanë e të shëndoshtë evropjane, me nji vullndet çeliku, me nji ndienjë të spikatun për nderë e drejtësí, me nji dashuní të veçantë për brezet e reja, me nji shtërngesë spartane vërtytesh shtëpijake – asht fytyra politike ma typike e Shqipnís së ré, fytyrë e ngjeshun me at brumë me të cilin fati i Shqipnís desh të ngjeshi fytyrën e shpirtin e Luigj Gurakuqit e të shokvet të tij dëshmorë". vazhdon Dom Lazri: "Jeta e tij asht «lufta e tridhjetë vjetvet»! E gjatë ktyne tridhjetë vjetvet kurrnji triumf! I vetmi, ai qi rrjedh prej zanit të ndërgjegjes: ke krye detyrën t'ande! E kjo detyrë asht nji shumë vuejtjesh e sakrificesh qi nuk njehen as nuk peshohen"6).
Arsyeja për të cilën Mustafa Kruja, Dom Lazër Shantoja, Lef Nosi, P. Anton Harapi morën pjesë në politikën shqiptare të periudhës 1940-1944, âsht vetëm vetëdija e thellë e flijimit të vetvetes për interesat e kombit. Këto persona (qi kah profesjoni s'ishin as teneqexhí kriminela as studenta të falimentuem), para së gjithash ishin të afirmuem si studjuesa sa në lâmije të gjuhës e të filologjisë shqipe, aq në historinë e atdheut, ishin prind të censhëm e udhëhjekës shpirtnorë të panjollë, kishin ideale e interesa ideale qi në vetvete mjaftojshin me u a mbushë jetën me kënaqësina intelektuale e morale. Por, udhëkryqi në të cilin ndodhej kombi e largpamësía i shtynte mos me bâ sehir n'at orë tragjike. E nesermja e atdheut do t'u jepte mâ se të drejtë, mbasi ajo qi kombet perëndimore festuen në 1945, si ditën e lirisë, për ne u bâ çasi fatal i nji robnije qi na pau skllevën e të rrënuem.....
Patër Anton Harapi në fjalimin e tij me rastin e betimit si anëtar i Këshillit të Naltë, do t'u shprehte kështu: "Më rrenë mendja se nuk ka zog shqiptari, qi të mendojë se unë e mora ketë barrë për kulltuk, për interesë a për ndonji intrigë. Mundet veç me drashtë ndokush mos qe ndonji maní e emja qi më shtyni deri këtu. Edhe un po u a vërtetoj fjalën dhe po u thom se po: manija e Shqipnís, po, qe ajo qi më vuni dilemën : a me anarkista për të ba gjak, ase me hjekun dorë prej çashtjes kombtare. Dhe mbi shpirti nuk m'a tha të baj as njenën, as tjetrën, qeshë i shtërnguem të zgjedhi njenën dysh: a të baj nji marrí tue e pranue ketë zyrë, ase të tregoj nji dobsí tue u largue. Vendova ma mirë të baj nji marrí: ase sikurse thonë ata shqiptarë qi duen të ruhen të pastër – desha të komprometohem".7)
 
Opinioni i hierarkisë fashiste për Mustafa Krujën

Gjermanët, siç ka dalë prej dokumentave të botuem (shih librin e historianit R. Morozzo della Rocca), e konsiderojshin P. Anton Harapin si filo-anglez, kurse Lef Nosi ishte i njohtun për idenë e afrimit me Mbretnín e Bashkueme. Po për Mustafën çka mendojshin në Palazzo Venezia, në Romë?
Së pari duhet thanë se ai nuk ishte nji fashist në kuptimin e vërtetë të termit. Dihet se fashizmi lind historikisht prej gjinit të socializmit, për të kundërshtue liberalizmin individualist, për të vû në rend të parë interesat e përgjithshme të shoqnís kundrejt atyne të individit. Mussolini vetë në riní âsht kenë socialist militant e si i tillë ka ardhë tue përforcue gjithnji bindjen se shteti âsht njisía mâ e randësishme e jetës shoqnore, i denjë për t'u vû mbi vlerat e lirisë e të demokracisë. Në nji intervistë të 1932-shit, dhânun biografit të tij Emil Ludwig për të përkohshmen «Candide», B. Mussolini pohon se kur ishte i ri, mbante gjithnji me vete si talisman, nji medaljon me figuren e Karl Marx-it.
Tashti, Mustafa nuk ka asnji gja të përbashkët me idetë socialiste e, për të, vlera absolute nuk âsht shteti por atdheu, qi përfshin: etnín, gjuhën, kulturën materiale e shpirtnore e besimin.
Në 1941, si pasojë e sulmit gjerman kundër Bashkimit sovjetik, komunistat në Shqipní, të frymzuem prej të huejve, nisin me lëvizë. E gjithë kjo bâhej për me krijue anarkí në vend.
Qeverija e Shefqet Verlacit rrëzohet e në dhetuer të 1941-shit Mustafa Kruja ngarkohet me formue qeverin e ré. Ministri i jashtëm i Italisë, Galeazzo Ciano, shënon në ditarin e vet qi vûmja e Krujës në postin e kryeministrit "i përgjegjë nji lëshimi të mâtejshëm ndaj ekstremistave të nacionalizmit shqiptar".8) Ndërsa në datën 23 dhetuer, Ciano shkruen qi Vërlaci urren Krujen, por s'ka argumenta te forta kundër tij, kufizohet tue thanë se s'mund të qeverisë vendin djali i nji sherbtorit.9)
Qysh të parën herë qi Mustafa vjen në Romë si kryeministër, në shkurt të 1942, siç dishmon Ciano në Ditarin e vet, fillon tue i kërkue italianëve "ndreqje të vogla të kufijve kah Mali i Zi e rishikjimin e flamurit. Nuk e duen, - vazhdon Ciano, tue folë për nacionalistat e Tiranës, -shqipen e «burgosun» midis fashiove e nejeve të Savojës. Çashtja âsht delikate e nuk mund të mos pranohet a priori". Emnimi i Mustafës kryeministër, shkruen konti Ciano, pat bâ bujë, "ndër italianë pse ai âsht shumë nacionalist, ndër shqiptarë pse rrjedh prej nji familje të përvûjtë".10)
Nji tjetër hierark i fashizmit, Mëkambësi i Mbretit, F. Jacomoni, në kujtimet e tija, tue analizue figurën e Mustafës vëren: "nacionalist qi nuk lëshonte pê kur bâhej fjalë për interesat e vendit të vet, por qi inteligjenca e çilun e kultura e shëndosht perëndimore e bâjshin me vlerësue, në tanë plleshmëninë e saj, idenë konfederale e cila duhet të kryesonte atë qi vetvetiu u quente Bashkësía e Romës".11)
Nji tjetër gazetar e shkrimtar italian, Indro Montanelli në nji artikull të botuem në Corriere della Sera në 1942, shkruente për ministrat e qeverisë Kruja: "Ministrat shqiptarë ngjasin njeni me tjetrin. Janë tanë të rinj, jo me vjetë, por si përvojë. Të gjithë veshen thjesht, janë pak të ashpër, por të pregatitun mirë teorikisht. E kaluemja e tyne âsht njilloj: kanë vuejt për vendin e tyne. Idetë e tyne janë të lidhuna me disa dogma themelore: njisía territoriale e Shqipnís, autonomia e mbrendshme, mbrojtja e racës dhe e pasunís kulturore, bashkëpunimi me Italinë mbi bazën e të drejtave e detyrimeve të përbashkëta. Janë të ndershëm e të vorfën. Janë njerëz të veprimit e jo të burokracisë".
Me ndêjt shtrembët e me folë drejtë, këto janë fjalë qi cilido kryetar qeverije do të donte me ndigjue për ministrat e vet, aq mâ tepër prej nji të hueji. Ndërsa për Mustafën, Jacomoni thotë se ai, si njerí i sinqertë qi ishte nuk ja pritonte me shprehë, kur e donte puna, edhe të vërtetat mâ të idhta.12) Por, për Mustafën, përveç shumë idhnimeve, në vjetët e qeverisjes së tij, nuk i munguen sukseset. Nji ndër këto ishte edhe bashkimi i Plavës e i Gucisë me tokë amtare. Janë çasa, qi Nebil Çika, në nji artikull të vetin, përshkruen të jetueme me entuziazmin e birit të dênjë të Rilindjes i cili mâ në fund jeton shuemjen e nji padrejtësie të madhe historike.13)
Me 23 prill 1942, shenon Ciano-ja në Ditar, u rivendos flamuri shqiptar në formën e vet origjinale, pra pa fashiot e liktorit e pa stemën e Savojës. Kurse Jacomoni dishmon qi Mussolini kur i u paraqit promemoria për ketë shndrrim, tue u sjellë kah Ciano-ja, ka thanë: "Kush më ka shty´ me gabue me ndërrue simbolin kombtar të Shqipnís?"14) Ndërkaq qi nacionalistat shqiptar festojshin flamurin e tyne në sheshin e Mëkambësis, italianët pranojshin gabimin e randë qi kishin bâ.
Nji tjetër sukses i politikës shqiptare ishte edhe fakti qi ligja italiane në lidhje me racën, e cila prekte drejtpërdrejt hebrejt, megjithë kâmbënguljen e Romës, nuk u aplikue në Shqipní. Kjo gja do të bânte të mundun strehimin e pajisjen e shumë familjeve hebrejsh të persekutuem me pasaporta shqiptare. Ndër të tjera u mendue edhe nji plan me tërhjekë mshehtas në Shqipní, tue e pajisë me pasaportë shqiptare, albanologun e famshëm austriak me origjinë izraelite, Norbert Jokl, i cili fatkeqsisht përfundoi në mënyrë tragjike pa mundun të përfitojë prej ndihmës së miqve të tij shqiptarë.
"Nji dishmí prej anës së Mustafa Krujës, - shkruen Jacomoni në kujtimet e tija, - të asaj qi ishte «burrnía» e tij, domethânë aftësia me përballue me guxim e shpirtmadhsí krajatat, e pata pak kohë mbasi ai kishte marrë në dorë Kryesinë e Këshillit të ministrave. Kishte shkue te ai konsulli i përgjithshëm i Gjermanisë e i kishte paraqitë nji notë verbale me të cilën qeverija naziste kërkonte dorëzimin e mâ se treqind hebrejve, të cilët, të ikun prej Jugosllavijet, kishin gjetë strehë në Shqipní. Komanda ushtarake gjermane e Beogradit kishte dhânë lajme të sakta rreth emnave e vendeve ku këta ishin strehue në Kosovën shqiptare. Mustafa Kruja erdhi e më kërkoi lejen me i lanë me ndéjt të qetë në Shqipní. Në Shqipní nuk kishte trupa gjermane qi të mund t'identifikojshin hebrejt. Gjithsesi u vendos qi refugjatët hebrej të çvendoseshin në zonën e Gjirokastrës, e cila ishte në kufî me zonën greke, të pushtueme prej trupave italiane. Ata do të pajiseshin me pasaporta shqiptare me emën të rremë, e po t'a lypte nevoja, do të ndihmoheshin materialisht. Këto masa do të bâjshin të mundun qi Mustafa Kruja t'i përgjegjej, mbas pak ditësh, konsullit të përgjithshëm të Gjermanisë, qi të gjitha kërkimet e bâme në Kosovë në lidhje me personat në fjalë s'kishin pasë sukses”.15)
Edhe ata qi nuk e dojshin Mustafën, shkruen Jacomoni, tue pasë parasysh pikësëpari feudalët shqiptarë me në krye Sh. Vërlacin, nuk i mohojshin dy gjana: dashunín për atdheun e vlerat e tija të nalta morale.
Në nji artikull të botuem në Corriere della Sera, Indro Montanelli shkruen:
"Nuk e shihshe Merlika-Krujën tash dhetë vjet, e, kam pá qi kishte ndryshue fort pak. Suksesi e nderimet nuk kanë mundun me shndrrue natyrën e sjelljen e jashtme të këtij burri. Âsht i veshun pak a shumë si u veshte para dhetë vjetësh e nuk i jep rândësí vetes me poza e me fjalë të mëdhaja. Vazhdon me folë me matunî e të jep përshtypjen se thotë të vërtetën".16) E mâ tutje artikullshkruesi shkruen qi jeta e tij ngjet me atë të Mazzini-t e programi i tij âsht ky: due nji Shqipní të bashkueme në kufijtë e vet natyrorë. Due qi kjo Shqipní e bashkueme të zhvillojë jetën e saj në paqen e sigurueme prej Romës.
Edhe E. Koliqi e krahason Mustafën me Mazzini-n: ideolog i shkëlqyem, por politikan qi nuk pati sukses. Gjithsesi, shkruen shkrimtari shkodran, bâhet fjalë për "nji ças në të cilin ngjarjet u bânë mâ të medhaja se njerzit. Faji i kohnave nuk âsht e arsyeshme t'i veshet e t'i ngarkohet njerzve".17)
E ngjarjet nuk pasuen ashtu siç dëshironin Mustafa me shokët e vet, italianët nuk ishin të nji mendje në luftë kundër terroristave, bile prej anës së tyne kishte shpesh edhe sabotime në këtë drejtim. Pamundësia me pá të realizueme politikën e vet, e shtyu Mustafën, siç e dishmon ai vetë te Exposé personnel të botueme te Hylli i Dritës, me dhânë dorëhjekjen.
Pakënaqësí në qarqet fashiste kishte shkaktue gjithashtu edhe fjalimi i tij i mbajtun me 22 nanduer 1942 në Teatro Savoia në Romë. Kuptohet haptas prej këtij fjalimi qi ai nuk âsht nji kukull në duert e kërkuj. N'at rasë, ai nënvizon se Italia e kupton qi vetëm tue respektue pamvârësinë e plotë të Shqipnisë, do të mund të gjejë te shqiptarët mikun e vëllanë e saj për jetë e për vdekë e, shton oratori, edhe Shqipnija, shtet i vogël, duhet të ketë sekretet e veta e shtatmadhorinë e vet, qi don me thânë nji qeverí të fortë.
Ajo çka shtyu përfundimisht Mustafën me dhânë dorëhjekjen ishte vrasja e Qazim Koculit, autoritet i naltë qeveritar në Vlonë. Ishte nji vrasje me natyrë politike e në të njejten kohë edhe hakmarrje. Por kryesisht, Qazimi, patriot e aktivist i Luftë së Vlorës, emigrant politik me Mustafën e njeri i afërt i politikës popullore të këtij të fundit, ishte viktimë e luftës qi Mustafa kishte zhvillue si kundër politikës së bejlerëve e si kundër anarkistave e komunistave. Pamundësia me reague në mënyrën e duhun, bânte qi Mustafa të ndihej përgjegjës për vrasjen e mikut të vet. Qe, si përgjegjet Mustafa, thirrjeve mos me dhânë dorëhjekjen:
"Disá shqiptarë, po kërkojnë prej meje, aq sá s'mund të bâj; ndërsá, do tjerë, po më pengojnë. Un, çdo gjâ nuk kam në dorë. N'anë tjetër, Qazim Koculin e pata çuem vetë në Vlonë. E, për dersá urdhënat e mijë nuk më zbatohen për kapjen e dënimin e shkaktarëve të vrasës së Koculit, o më duhet me e pranuem se e kam vramë un, ose më duhet me dhânun dorëhjekjen.. Un, nuk mund të çvéshem nga vehtja e eme".18)
Në janar të 1943 Mustafa lén qeverinë në duert e Ekrem bej Libohovës.
Edhe pse i kthyem në jetën private, tue u marrë me Fjalorin e tij, Mustafa âsht halë në sy për anmiqt e Shqipnís. Kështu, me 12 tetor 1943, në mes të Tiranës ai pështon për mrekullí, tue u plagosë lehtë, prej nji atentati të pabesë. Janë provat e përgjithshme të strategjisë të terrorit të kuq.
Nji vit mâ vonë, me 15 prill 1944, në Firence, po me atentat, do të vritej prej grupeve komuniste nji prej filozofëve mâ të mëdhaj të shekullit, Giovanni Gentile, e nji tjetër pendë e filozofisë evropiane, antifashist i bindun, Benedetto Croce, tue marrë lajmin e kësaj vrasje të shëmtueme do të shprehej: "Tashti vrasin edhe filozofët".
"Sá shkrimtarë, - pyet Martin Camaj, u-pushkatuen apo u-dënuen për jetë gjatë periudhës së Koliqit si ministër Arsimit e i Krujës si kryeministër? Ju lutem na i tregoni, sepse un si Kosovar nuk kam lexue njikso gjâje. E sa në kohën e Enverit, «birit më të dashur të popullit shqiptar»? Këté na e rrëfejnë e përshkruejnë mâ qartë se çdo tjetër emigrant arsimtarët e vlefshëm, vllaznit Pipa po në fletoren «Shqiptari i Lirë» të New York-ut".19)
Mbarimi i luftës do t'a tregojë se terrori i kuq nuk mund t'i durojë intelektualët e vërtetë, për ata ka vetëm vrasje e burgime; intelektualët besník të kohës së komunizmit do të formohen me nji shqisë të ré, me mungesën e karakterit.

Mustafa: prindi i dashtun

Kur e pyeta njiherë djalin e Mustafës: baba a ka kenë i rrebtë me jú? ai aty për aty u mundue me më gjetë sinonime për me përçanësue ketë anë të karakterit të prindit të vet. Përfundoi me nji fjalë të huej: severo, por qi shqip nuk jepet me skajin "i rrebtë”. I pakënaqun prej skjarimeve qi më dha, mâ në fund shtoi: ”i shtréngutë, por i drejtë”.
N'ata fjalë pashë respektin e nderimin qi biri ushqente për atin e vet, ndjenja të cilat vetëm shembulli vetjak mundet me përcjellë prej nji brezi te tjetri. M'u kujtuen fjalët qi ka shkrue Ernest Koliqi për Mustafën: ”Para se me qénë qytetar, njeriu âsht bír e prind. Unë kam pasun fatin t'a njof t'ân e Mustafës, - nji burrë i thjeshtë nga Kruja, i squet e i urtë, - të cilin i biri, i arrijtun në rrjeshtin mâ të naltë të personaliteteve të botës shqiptare, e rrethonte me nji nderim dashunuer qi më mbushte me habí. Më dukej se ai donte me i a dhurue t'et të gjithë respektin qi bota ushqente për të. Po âmbëlsija pa llasë me të cilën drejtonte familjen? Po njerzija, e rrallë ndër né Shqiptarët, qi përdorte me bashkëshorten e me fmij? Mustafën, qi shum kush e pershkruen si burrë të vrashtë, në rreth të familjes unë e njof të durueshem e të butë, tue u ndéjun sipër me orë djelmve qi kryejshin detyrët shkollore të ditës. Kur i qortonte flitte në mënyrë qi mos me i a cenue personalitetin në formim".20)
Atë qi Mustafa donte për të ardhmen e fëmijve të vet, atë mundohej me e realizue edhe për të ardhmen e Shqipnís, jeta e tij private përfshihet vetëm në nji suazë, në «suazën morale» (Koliqi). Në familjen e tij, dishmon Koliqi qi e njohti prej s'afërmi në Zara, thithej ”nji frymë e shëndoshtë e këndellse njerzore, levitte n'at atmosferë shpirti i thellë i dokeve t'ona, të cilat, kur interpretohen prej nji zot shtëpije méndendritun edhe ushtrohen me rithëm të mbajtun por edhe t'âmbël njiherit, i apin zhvillimit të jetesës së perditëshme nji hijeshí të pashoqe".
Për té atdheu e familja nuk ekzistojnë njena pa tjetrën, e të dyja kanë nji bosht moral të vetëm. Familja âsht atdheu i parë i fëmijës, e aty njeriu fillon me mësue me dashtë Atdheun e vet, kjo âsht vazhdimësia qi Mustafa përpiqej me i transmetue pa prâ bijve të vet.
Edhe vetë ikja e tij prej Shqipnís âsht e lidhun me nji çasë tragjike qi preku votrën e tij. Në shtator të vjetit 1944, ai detyrohet me u nisë për në Vjenë, ku djali i tij mâ i vogël, Besimi, qi studjonte në kryeqytetin danubjan, ishte i sëmundë randë. Mjekët ishin të mendimit qi pranía e babës do t'a ndihmonte djalin me e shkapërcye rrezikun. Mjerisht, djali, me 21 nanduer 1944 jep shpirt, mbas pak ditësh në Shqipní do të jepte shpirt edhe vetë lirija e atdheut tue e lanë Burrin pesëdheteshtatëvjeç pa atme e pa familje.
Por âsht mâ mirë me lanë me folë vetë Mustafën, i cili i ka përshkrue ato çasa në nji shkrim qi âsht ndër mâ të ndiemit e letërsisë së ré shqipe:

"Ngjati kalvari nândëdhetetetë dit.

Por Ti, o bec i njomë, ngushullim i ditëve mâ të vështiravet të tatë-shkretës, Ti edhe gjatë kalvarit, edhe me atë kryq të rândë mbë shpinë, veçë mjaltë derdhe për goje, me kédo. U bâne mâ éngjëll se ishe, fytyra e Jote, shtrimë n'atë shtrat hekuri të ftohët, s'ishte mâ fytyrë njeriu, qi mbas pak javësh do t'u bânte hî, ajo ishte fytyra e nji hyu t'amshuem. As shtriga qi s'Të pat lânë grimë mushknije pa të bréjtun, atë s'kishte guxuem me T'a prekun. Ti, o djalosh i pashoq, as nëpër torturat e atij trupi të tretun si qeriu përditë nga pak s'i harrove asnji herë të dashunit e tú, s'T'u hoq kurrë kujdesi për ta, nuk shkonte ditë qi s'i përméndshe. Për thikat e shtatit t'And s'Të bâni ndonji herë goja of, për tjerët po. Mâ të mbrapmet fjalë qi Të duelen prej goje qenë «familjet t'ona» e «Shqipnija». Ti pyete për to e Yt atë T'u përgjegj me nji rrénë të mëshrirshme. Të tha: «Në Shqipní, për det'e për ajër, kanë zhbarkuem Anglo-Amerikanët; prandej atëdheu i ynë, populli shqiptar, familjet t'ona, miq e dashamirë t'anë kanë shpëtuem" – e vazhdon:
”Në mërgim leve, në mërgim u rrite e në mërgim e dhae edhe mâ të mbrapmen frymë të jetës s'ate djaloshare, o bir i im. Në vént t'And, qi deshe aqë fort, vetëm pesë vjet të lanë me rruem, pesë vjet qi do të kishin qénë mâ t'âmblat të moshës s'Ate, por qi anmiku t'i bâni mâ t'idhëtat. Pate për parim jete me u bâmë njeri për me i shërbyem familjes, kombit e njerzisë; me jetuem jo për vete por për tjerët. Por Ti na lé i ri, tepër i ri, o birth i im. Deshe me u bâmë njeri, por Ti kishe lemë njeri e njeri vdiqe; kalove në të pasosmen për t'u bâmë i përsosun. Ti nuk vdiqe, u ngjalle; vdekun kemi na tjerët, o birth i im, jo ti: kanë vdekun zémrat t'ona, biró!"21)

Lavruesi i Gjuhës shqipe

Shpend Bardhi ishte pseudonimi me të cilin Mustafa Kruja do të botonte studimet e tija gjuhsore në revistat Hylli i Dritës t'Etënvet Françeskanë e Leka t'Etënvet Jezuitë. Ndoshta ai mâ shumë se kurrgjâ tjetër âsht kenë gjuhëtar, e filologjija âsht lamija në t'cilën ka bashkue vullnetin e tij të çeliktë me inteligjencën e mprehtë e kujtesën e çmeritëshme.
I bindun se trajtat e mesme të gjuhës shqipe, pra e folmja e Elbasanit, janë ato trajta qi paraqesin në mënyrën mâ organike zhvillimin e dy dialekteve drejt nji unjisimi të ardhshëm, ai u përpoq me kërkime skrupuloze me kristalizue në rregulla gramatikore palcin origjinal të shqipes e tue zblue ligjët e gjuhës ashtu siç jetojnë në të folmen e popullit.
Poliglot e shkencëtar, ai shkriu tanë forcat e veta tue punue për fjalorin e shqipes. Epistolari i tij, deri në fund të jetës âsht mjet komunikimi për njohjen e gjuhës të asaj treve apo t'atij katundi prej kah âsht personi me të cilin mban korrespondencë. Vende-vende letra bâhet nji pyetsor i vërtetë ku ai interesohet deri edhe për mâ të voglat nuanca të përdorimin të fjalëve të gjuhës amtare.
Fjalori për të cilin folëm mâ nalt ka kenë prej "2400 faqesh formati të madh me 30.000 fjalë të spjegueme shqip" (K. Gurakuqi); kjo pasuní fjalësh ka kenë e ”pajisun me çanësime të përpikta, gjithënji në shqipe, dhe me frazeologjí, skâje, thânje nga goja e popullit dhe shprehje letrare të nxjerruna nga auktorët e motshëm. Zémërbardhësisht dorëshkrimin e çmueshëm i a dhuroi në Tiranë Institutit të Studimeve Shqiptare, i cili i dha fillim botimit. Ngjarjet e ndaluen shtypin. Ajo lândë e pashoqe mbet në duer të komunistave".22)
Âsht e dijtun se ajo lândë fort e çmueshme u shfrytëzue prej nëpunësve të Tiranës pa u citue asnji herë burimi e pa i u dhanë merita autorit të asaj pune kolosale.
Mustafa ka lânë nji vëllim gati për t'u botue, qi mban titullin Kritiqizëm gjuhësore, e qi përfshin të gjitha studimet gjuhsore të botueme e të pabotueme sa ishte gjallë autori.
Ka përkthye gjithashtu volumin e parë të L. von Thallóczy-it, Illyrisch-albanische Forschungen, ka shkrue për Aleksandrin e Madh dhe historinë e Maqedonisë së lashtë, ka lânë nji studim për pelasgjit, nji kronologjí balkanike, nji studim rreth origjinës e emnit tonë, nji tjetër rreth Fjalorit të Frangut të Bardhë, e shumë përkthime mjeshtrore. Tash së fundi ka pá dritën e botimit nji përmbledhje e tija shumë e interesantshme me titullin Anthologjí historike (Sejko, Elbasan 2001).
Simbas Koliqit, stili epistolar i Mustafës "âsht i shkathët e i déndun”, nuk mungon ”tingulli shpotar”, ”gjuha gufon e pastër dh'e pasun”, frazeologjija âsht e natyrshme ”e perdorun me zotsí mjeshtrore”, letrat e tija kanë ”vesk gjuhsuer”; proza e tij âsht ”parashtruese”, gjuha bâhet kështu ”vegël arsyetimi”, ku zbërthehet struktura logjike e ndërtohen "trajtat e perpikta descartiane", stili mbetet shkencor e "gjeometrik" – por gjithkund ndihet nji "frymë e kulluet shqiptare por edhe qartësí kristalore çanësuese".23)
Por, siç shihet edhe prej fragmentit kushtue djalit të vet të vdekun, stili i Mustafës nuk âsht vetëm i shtërnguet e shkencor, ai din me kenë edhe lirik e i lëmuet simbas subjektit qi trajton. E edhe nji herë lexojmë se çka kujtonte Mjeshtri tjetër i letrave shqipe, Ernest Koliqi:
"Kur shkruente mbi ndoj argument qi i a prekte shpirtin, styli i tij ngjyrohej e përflakej por pa rrëshqitë në llasë të nji brydhësije (tendresse) qi nuk përkonte me natyrën burrnore të tij. Shprehet me nji zbunim të përmbajtun, skofiar (delikat) e të ngrohët por jo butlosh. Të shifet në shkrimin kushtue qytetit të Krujës si e âmbëlson mashkullisht fjalën kur çekë sende qi ka për zémër”.24)
Gjuha shqipe për të cilën punoi Mustafa Kruja tanë jetën, ("Në shërbim të njâj gjuhe kombëtare" – ishte titulli i nji kolane ku ai botonte të tijat Qukrrime gjuhsore), nuk u unjisue simbas ligjëve të shkencës gjuhësore, por me urdhnat e disave qi gjuhët dijtën vetëm me i pré. E prej vedit ato qi mbetën, "pendat e standartizueme e të mpîta" (K. Gurakuqi) bashkë me keqeshkrojat e tyne jashta Shqipnís, dijtën vetëm me hosannue e me çue në qiell ketë regres të turpshëm.
Unjisimi ase bashkimi âsht vetëm nji vlerë abstrakte nëse kriteret në bazë të cilave kryehet nuk kanë karakter shkencor por politik. Historija s'po prânë tue na diftue se shtete të përbâme prej popujsh të bashkuem me dhunë kundra dëshirave të tyne, shpërbâhen. Kjo ndodh jo pse bashkimi në vetvete âsht i keq, por pse ai lloj bashkimi âsht artificial e kundër natyrës së popujve. E njejta gjâ ndodh edhe me gjuhën, por këtu reagimet janë mâ të plogëta, mbasi ndjeshmënía jonë, kur bâhet fjalë për të mirat shpirtnore të kombit, ulë kryet në mënyrë të çuditshme - tue u fikë në topitjen e arsyes së plogësht.

Syrgjyn gjallë e syrgjyn vdekur

Në 1951 prej podit të Shéjzave, qi në gjysën e dytë të njizetit qindvjetë kje nji ndër t'paktat zâne me autoritet në universin e letrave shqipe, lëshohej nji britmë e thekun:
"Gjindja gjakut arbnuer ndodhet në nji pikë të jetës së vet qi shkakton rrënqethje n'ata të cilët ndiejnë dishka për vendlindje e për shqiptarizëm. Si komb kemi rá gjallë e ngusht dhe gjendjen e mjerë t'onë nuk ka mundësí t'a zgjidhi robi: sot vetëm Zoti e ká në dorë. Si individa kemi rá edhe mâ ngusht sepse nuk dijmë ç'drejtim t'u apim ndiesíve e mendimeve qi na vlojnë në zémër e në shqise; as nuk njofim kénd në shekull qi të na thotë nji fjalë ndriçuese” (Shéjzat, 1959, fq. 81).
Fatmirsisht mbas gati nji gjysë shekulli Shqipnija âsht lirue prej komunizmit, por pa mujtë me u çlirue prej pasojave qi kjo sëmundë, e cila ekzaltoi të metat e shqiptarit e mbyti vlerat e tij, i ka lanë njeriut të lodhun shqiptar. Atëherë nuk mbetet veçse me shikjue me nji sy tjetër, mâ të kthjellët, edhe Mustafën me shokë. Ata u përpoqen me n'a shmangë pesëdhetvjet vuejtje. A kanë bâ gabime? Shkrimi i Shéjt thotë qi edhe i drejti gabon shtatë herë në ditë. E tue kthye kryet mbrapa, për me mësue prej gabimeve e me dënue fajet:
"Jemi të shtërnguem t'u thomi Shqiptarve, kushdo qofshin e çfardo parimesh t'ushqejnë, se asnji prej tyne s'ka dalun fitues – si Shqiptar – nga lufta e dytë botnore, pasojat e së cilës rrenuen punën e patrjotave të Rilindjes. Jemi të gjithë të mundun. Kushdo qi mendon ndryshej, gënjen veten. Të mundun, jo të rroposun. (...) Jemi fillikat vetëm, para nji problemi viganuer. Me akull të mendes, pa mashtrime romantike, lypet të shikojmë realitetin. Babelja shqiptare ka për suazë Babelen botnore. Ngjarje të paprituna munden me na dâmtue edhe mâ tepër, por munden edhe me na çelë nji shteg shpëtimi. Duhet të rrijmë gatí me përfitue nga këthesat e historís".25)
Tue rilexue këta rreshta cilido mundet me nxjerr përfundimet e veta, pasojat janë reale, shkaku i tyne âsht mungesa e vetëdijes historike. E Burrit të Krujës, njeriut të matun e të squet qi mori pjesë në ngritjen e flamurit në Vlonë, në Konferencën e Paqes në Paris, në lëvizjen fanoliane të 1924-shit e në ngjarjet e Luftës së dytë, si shumë të tjerëve, Shqipnija i fali nji jetë: syrgjyn gjallë e syrgjyn vdekun. Mustafa Kruja vdiq në Niagara Falls (USA) me 27 dhetuer 1958, tue pasë kalue pjesën mâ të madhe të jetës në mërgim.
Ai, ka shkrue penda e Koliqit: ”ushqei besim në fuqín e punës”, ”ushqei besim në fuqín qytetnuese të kulturës”, ”tue luftue paragjikimet dhe tue lirue trút e bashkatdhetarve nga mjegulla e padijes”, ”ushtroi, pa lakime, normat mâ fisnike të burrnís shqiptare"; Mustafa, përfundon Koliqi:
”Dijti të flîjoje n'altar të Shqipnís të mirat mâ të shtréjta njerzore dhe shqiptare: nâmin dhe popullaritetin. Potera e prozhmuesave nuk i a mbuloi kurr zânin e ndërgjegjes qi e shtynte me marrë qendrime shpesh në kundërshtim me andjen e turmave. Deshti mâ fort Shqipnín se popularitetin e vet. E ky shembull âsht shum i rrallë si në Shqipní ashtu në botë".26).

1)GURAKUQI Karl, Testamenti i Mustafa Krujës, në Shéjzat, 1959 (III), n. 11-12, fq. 382.
2)VALENTINI G., Mustafa Kruja come studioso, në Shêjzat, 1959 (III), n. 1-2, fq. 5.
3)Shih: LOK LIMTHI (pseud. Tahir Kolgjini), Mustafa Kruja. Perendoi mâ i Ndritëshmi Hyllë i Nacjonalizmës Shqiptare, në Shêjzat, 1959 (III), n. 1-2, fq. 8.
4)Shtatëdhetëvjetori i lindjes së Mustafa Krujës, në Shêjzat, 1957 (I), n. 2-3, fq. 70.
5)Shih: Ora e Shqipnisë, 10 Kallnduer 1928; edhe artikullin e Dom Lazër Shantojës: Mustafa Merlika Kruja, në Tomori, 19 Dhetuer 1941 (II).
6)SHANTOJA L., Mustafa Merlika Kruja, në Tomori, 19 Dhjetor 1941 (II).
7)Fjalimi i Shk. P. Anton Harapi O.F.M., në Hylli i Dritës, 1944 (XX), n. 1, fq. 6.
8)CIANO G., Diario 1937-1943, kujdesue prej R. De Felice, Rizzoli, Milano 19963, data 11 nanduer 1941, fq. 556.
9)CIANO G., vep. cit., fq. 570.
10)CIANO G., vep. cit., fq. 591.
11)JACOMONI F., La politica dell'Italia in Albania, nelle testimonianze del Luogotente del Re Francesco Jacomoni di San Savino, Cappelli Editore, Rocca San Casciano 1965, fq. 138.
12)JACOMONI F., vep. cit., fq. 182.
13)Shih ÇIKA N., Tomori, 24 Janar 1942 (III).
14)JACOMONI F., vep. cit., fq. 297. Përmbi arritjet tjera të M. Krujës shih: Mustafa Merlika-Kruja. Exposé personnel, në Hylli i Dritës, 1997 (XXV), fq. 135-147.
15)JACOMONI F., vep. cit., fq. 288-289.
16)Corriere della Sera, 21 Maj 1942.
17)Shtatëdhetëvjetori i lindjes së Mustafa Krujës, në Shêjzat, 1957 (I), n. 2-3, fq. 73.
18)LOK LIMTHI, art. cit., fq. 9.
19)Shih: KOSOVARI (pseud. Martin Camaj), Vështrim i thjeshtë krahasues, në Shêjzat, 1963 (VII), n. 5-8, fq. 240. "Un si Kosovar" – i referohet thjesht pseudonimit me të cilin botohet shkrimi.
20)Shtatëdhetëvjetori i lindjes së Mustafa Krujës, në Shêjzat, 1957 (I), n. 2-3, fq. 71-72.
21)Zêmër prindi, në Shêjzat, 1958 (II), n. 7-8, fq. 221-222.
22)Shih: GURAKUQI K., Testamenti i Mustafa Krujës, në Shêjzat, 1959 (III), n. 11-12, fq. 382; KOLIQI E., Shtatëdhetëvjetori..., art. cit., fq. 74. Në nji artikull tjetër, Koliqi saktëson faktin qi bâhet fjalë për dymbëdhetë tefterë të cilët mbetën në Institutin e Studimeve Shqiptare. Shih: Mustafa Kruja si njerí kulture, në Shêjzat, 1972 (XVI), n. 9-12, fq. 306, shenimi n. 5.
23)Shih: KOLIQI E., Shtatëdhetëvjetori..., art. cit., fq. 75; VALENTINI Z., Mustafa Kruja mjeshtër gjuhe, në Shêjzat, 1972 (XVI), n. 9-12, fq. 307-312; Ibid., Mustafa Kruja come studioso, në Shêjzat, 1959 (III), n. 1-2, fq. 2-5.
24)Mustafa Kruja si njerí kulture, në Shêjzat, 1972 (XVI), n. 9-12, fq. 306.
25)Artikulli nuk mban firmë, por autori âsht përsërí Ernest Koliqi; shih: Vetëdije historike, në Shêjzat, 1961, n. 1-2, fq. 2.
26)KOLIQI E., Nji trashigim shpirtnuer, në Shêjzat, 1959 (III), n. 1-2, fq. 2.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora