E marte, 30.04.2024, 07:58 PM (GMT+1)

Kulturë

Konferenca: "Camaj letërsia tjetër”

E premte, 16.10.2015, 10:45 AM



Si e kam njohur Camajn, shkrimtarin e lartësive

Nga Ismail Kadare

Ndjesia e parë që provon lexuesi kur hyn në botën letrare të Martin Camajt është ajo e lartësisë. Pa përjashtuar përftimin eufemik të shprehjes, atë që ka lidhje me gjithë shkrimtarët e mëdhenj të një letërsie, te Camaj shprehja merr një kuptim të mirëfilltë. Në shumicën e veprave të tij, në mjediset e përshkruara, në klimën e tyre, te personazhet, ajri, madje dehjet e shëndetshme apo të turbullta që vijnë prej tij, janë ato të alpeve.

Sipas Ernest Koliqit, adhurues e njëherësh mentor i shkrimtarit, ky luks gjeografik lidhet me zanafillën e shkrimtarit. Lartësitë e bjeshkëve, më saktë Dukagjini, ku ai kishte lindur, kishin gjetur, më në fund, te biri i tyre, mjetin e vet shprehës.

Është një mendim i fisëm, nga ata që sa ç’kuptohen me lehtësi, aq edhe kanë nevojë për plotësim. Është e vërtetë se visoret dhe klima në veprën e Camajt të kujtojnë shpesh ato të vendeve veriore, madje tepër të skajshme, si Islanda, por ato afrohen çuditërisht me klimën e teatrit grek, nëpërmjet të njëjtit fill të padukshëm që, siç e ka vënë re francezi Jean-Pierre Faye, kultura parake shqiptare përkitej me antikitetin.

Rrugëtimet e brendshme të ndjeshmërisë artistike mbeten shpesh të pazbuluara prej nesh. Por kjo nuk pengon që në një tjetër hartë ato të kryqëzohen, ashtu siç ndodh me sagat islandeze, doket e vjetra ballkanase dhe artin antik.

Ka gjasë që më shumë se te këto, te vetmia e shkrimtarit të gjendet shkaku i thellë i këtij mënjanimi. Martin Camaj ka qenë, pa dyshim, shkrimtari më i vetmuar shqiptar i gjysmës së dytë të shekullit të njëzetë. Duke i strehuar ngjarjet dhe personazhet e veta në një lartësi, që iu siguronte pavarësinë, ka kujtuar ndoshta se do ta mbronte artin e tij prej ndikimit të katrahurës shqiptare, asaj së cilës kujtonte se i kishte lënë lamtumirën.

I larguar tepër i ri nga atdheu, i cili çdo ditë e më tepër bëhej i huaj për të, për shkak të komunizmit, ka kujtuar se atë ç’ka humbur e ka gjetur disi në Kosovë, por ky nuk mund të ishte veçse një iluzion. Ka ndërruar truall përsëri, madje e ka lënë Gadishullin dramatik të Ballkanit, për një tjetër gadishull, më pak të tillë, atë të Apenineve, gjersa edhe prej andej është larguar përsëri. Po të kishte qenë muzikant ose piktor, më lehtë ndoshta do ta kishte shkëputjen, por arti i tij lidhej me gjuhën shqipe, atë vargor të rëndë, të cilën as mundte e ndoshta as donte ta ndërronte dot.

Te viset e arbëreshëve, ku, ashtu si Koliqi, shkonte shpesh, gjente vërtet një spikamë të botës shqiptare, por kishte gjasë që, ndonëse e pabezdisshme prej doktrinës, ajo spikamë e zbehtë, më shumë se zëvendësuese, ishte thjesht një trishtim.

E ka kuptuar se përderisa poeti Zef Skiroi, ndonëse i lindur në këto vise, i kishte quajtur megjithatë “te dheu i huaj”, aq më tepër do të ishin të tilla për të. Një tjetër Zef, ai i Serembes, një shekull e ca më parë, e kishte shpjeguar të fshehtën:

Arbëria që prapa detit na kujton

Se ne të huaj jemi te ky dhé.

Ishte gjithmonë ajo, Shqipëria, që në epoka të ndryshme rrezatonte të njëjtin trazim.

I vendosur më në fund në Lenggries të Bavarisë, në këmbë të alpeve gjermanike, që i kujtonin bjeshkët e Dukagjinit, e ka ndier se ato, në fund të fundit, nuk ishin veçse pamje. E ka ndier përfundimisht se ashtu si Filokteti antik, me plagosjen e tij të pashërueshme, ai gjithashtu nuk do ta kapërcente dot mungesën e atdheut.

Dhe atëherë, duke e parë se nuk i largohej dot më, ka bërë atë, për të cilën me siguri ka kujtuar se s’do të ndodhte kurrë: të dëgjonte lajme që vinin andej, pikërisht prej katrahurës, së cilës i ishte larguar me aq ngulm. Të dëgjonte ç’ndodhte me atë popull, me zhurmat e tij, me kambanat që po heshtnin, me burrat që kishin ulur kryet, me gratë e hijshme, së fundi me gjuhën shqipe dhe me shkrimtarët dhe fatin e tyre ziplot.

Një qerthull, nga ata që duket se krijohen prej harmonive të epërme, po mbyllej, më në fund, për të sqaruar raportet e ndërlikuara të shkrimtarit me lirinë dhe me vendin e vet. Liria dhe Shqipëria ishin të ndara. Së bashku ngjanin ende të pamundura.

Martin Camaj, ashtu siç iu qëllon rrallëherë shkrimtarëve, u rrek të kapërcejë pikërisht të pamundurën. Ishte ky epilog që, në trajtë testamentare, u shpreh në fjalët e tij, drejtuar gjithë shqiptarëve, e natyrisht kolegëve të tij, pak kohë përpara se t’i linte lamtumirën kësaj bote: “Ndonëse të ndamë për një gjysmë shekulli, unë jam i jueji e ju jeni të mijtë”.

2.

Letërsia shqipe është krahasuar disa herë me një ngrehinë të rreptë e të ftohtë, gjysmë kështjellë, gjysmë manastir. Fillimet e saj si letërsi murgjish, e kanë nxitur ndoshta një përftim të tillë.

E paktë, e tkurrur tragjikisht, për shkaqe dhe rrethana që dihen, me një ndalim të gjatë shumëshekullor, me një periudhë dygjuhëshe, latine dhe shqipe, me alfabet të padashur, madje të demonizuar në ceremoni zyrtare fqinjësh, ka mbërritur në shekullin e njëzetë, ku, në kundërshtim me shpresën, e ka pritur një zezonë e re: censura dhe vetëcensura, fajtore për të cilat nuk ishte askush tjetër veç vetë Shqipërisë.

Ndonëse e tillë, e ngushtë, përherë e pamjaftueshme, spartiate e pa madhështi të jashtme, si gjithë vlerat shpirtërore të krijuara përmes vështirësish, e rrezatonte megjithatë një hije të rëndë. Ndërkaq, për një paradoks të madh, në vend që të ishte mikpritëse ndaj shkrimtarëve që do të plotësonin mungesat e saj, bënte të kundërtën. Portat e saj rrinin më shumë mbyllur se hapur. Prej tyre ishin nxjerrë përdhunshëm personazhe të mëdha, ikja e të cilave bënte që të ngjanin edhe më të zbrazëta hajatet dhe qelat e saj.

Përpara këtyre portave u gjend një ditë Martin Camaj. Nuk ishte i nxjerrë jashtë mureve, si Fishta, Konica, Koliqi, por kjo nuk e bënte më pak të ndërlikuar problemin e tij. Kishte qenë thjesht nënshtetas i atij vendi që quhej Shqipëri, por asnjëherë brenda kullës letrare. Ka gjasë që për një kohë të gjatë, në nënvetëdijen e tij shestohej e paarritshmja: të bënte pjesë një ditë në atë fis apo në atë urdhër trillan.

Brenda kullës, përveç hijeve të mëdha, ishin shkrimtarë të gjallë, të ngjashëm me ta, por të padashur, si Lasgush Poradeci ose Mitrush Kuteli. Siç ishin të pakuptueshëm për epokën brenda së cilës u gjendën, ashtu do të ishin më pas, kur epoka të ndërrohej. Studiuesit do ta kishin më të lehtë të pohonin se, meqenëse në një epokë të tillë mizore nuk mund të krijohej letërsi, ata e kishin braktisur krijimin letrar.

Ndërkaq, pikërisht në kohën e vështirë ishin krijuar disa nga perlat më të çmuara të të gjitha epokave, si vjershat “Gremina” dhe “Flaka” të Poradecit ose “E madhe është gjëma e mëkatit” e Kutelit e ndoshta të tjera vlera, që do të zbuloheshin më pas.

Pyetje të shumta do të lindnin: ç’do të bëhej me këto perla? Do të mohoheshin, ngaqë bezdisnin klishetë dhe mendjet e ngushta, apo mashtrueshëm do të kalonin në tjetër kohë?

Edhe më të vështira do të ishin pyetjet për aradhen e shkrimtarëve që kishin lindur ose ishin rritur në epokën që quhej e gabuar. Për shkak të saj, e pas rrëzimit të saj, ata do të quheshin gjithashtu të gabuar e do të binin bashkë me epokën, apo fati i tyre do të vendosej pas ligjesh të tjera, e nga një tjetër verdikt?

Martin Camaj nuk i lejoi vetes asnjëherë që, duke përfituar prej lirisë që i jepte mërgimi të shkruante kundër sivëllezërve të tij në Shqipëri. Ishte e vërtetë se në kohën që ai kujtohej e bëhej merak për ta, ata nuk u kujtuan kurrë për të, por kjo nuk e shtyu asnjëherë t’u mbante mëri për shpërfilljen apo harresën e tyre të gjatë. Ishte i ndjeshëm për gjendjen e tyre, për optimizmin e rremë e për ankthin e fshehur me kujdes midis festës po aq të rreme.

Në vetmi, rrallëherë i kuptuar nga njerëzit, Camaj vazhdonte veprën e tij, duke u përpjekur të ruante dritësimin e saj alpin, qoftë në poezitë, qoftë në prozën e tij. Ishte pakti i tij i pandryshueshëm me artin, me lartësitë e bjeshkëve nga kishte dalë, e ku një ditë shpresonte se do të kthehej.

S’due me qenë si moti i lig, kumtonte në një nga vjershat, duke shpallur kështu kthjelltësinë e fisme mbi pasionet politike, e sidomos mbi mllefet, pa të cilat ishte vështirë të përftohej bota shqiptare.

“Poezia shihet si formulë për ngadhënjimin e tragjikes”, shkruante për veprën e tij poetike studiuesja gjermane E. Glaser. Ai vetë do të sqaronte se “prej letërsisë kam pasë gjithçka, edhe vullnetin për të jetue”. Që nga përmbledhja e parë “Një fyell në male” e vitit 1953, në Prishtinë, e gjer te “Palimpsesti”, i botuar më 1991 në Munih e Nju-Jork, pak kohë përpara vdekjes, shtrihen dyzet vite krijimtarie të pandërprerë poetike.

Poezisë së tij, ndonëse e një drejtimi që gabimisht dukej i huaj në letrat shqipe, modernizmit europian, kryesisht hermetizmit, përkundër paragjykimeve shkollareske, i shkon natyrshëm kostumi shqiptar. Arti i madh është njëherësh i kohës e i gjithëkohës. “Këngët e Milosaos” e De Radës, e cila disa vite më pas do të mbushë dy shekuj jetë, na tingëllon po aq e freskët e moderne sot, sa në vitet kur u shkrua.

Në art asgjë e epërme nuk është e përjashtuar, e aq më pak përjashtuese. Kështu janë poezitë e Camajt, romani i shkurtër “Djella”, me shoqërimin poetik, që si një pasqyrë iu hap udhë rreshtave të prozës, veprat e tjera, si “Dranja” dhe “Karpa”, ku në të parën u rrek të sendërgjojë fatalitetin a mallkimin, me fjalë të tjera, të rrokë të parrokshmen e të shprehë të pashprehshmen, tundim jo i rrallë i shkrimtarëve.

Ndërkohë në të dytën përpiqet të shkojë edhe më larg, i ndjellë prej një magjistareje lojcake, gjuhës shqipe, prej përdorimit të së cilës, siç thotë vetë: “e kam ndie veten shpesh virtuoz, d.m.th, jam në gjendje të thom shqip gjithçka due!”.

E po kështu vijnë veprat e tjera, si romani “Rrathët”, dy dramat e përkora, për të mbërritur te novelat e gjata, “Pishtarët e natës” dhe “Rrungajat në mars”, ato “fletë të lume” në letrat shqipe, po të përdornim shprehjen e Koliqit, e që ndoshta përbëjnë majën më të lartë të artit të tij.

3

Në tetorin e vitit 1981, një nga stinët më të zymta të tiranisë shqiptare, rrethanat e sollën të takoj Martin Camajn. Isha i ftuar në Panairin ndërkombëtar të librit në Frankfurt, kur, në mbarim të një konference shtypi, gjatë së cilës iu isha përgjigjur pyetjeve jo të lehta të gazetarëve, m’u afrua një burrë i gjatë e i hijshëm që, me njëfarë mëdyshjeje, më foli shqip: quhem Martin Camaj, a mund t’ju flas? E kisha dëgjuar emrin e tij, madje diçka kisha lexuar prej tij në revistën “Shejzat” të Koliqit, që botohej në Romë e gjendej me vështirësi në Tiranë. I thashë, natyrisht, që mund të flisnim dhe ai shtoi se kishte ardhur enkas nga Munihu për të më dëgjuar.

Një mik i tij shqiptar që e shoqëronte, ka përshkruar vite më pas në shtypin e diasporës ato pak minuta të takimit, kryesisht mëdyshjen dhe shqetësimin e tij se mos, duke më folur, më dëmtonte.

Ishim aty, në atë sallë të zhurmshme, shkrimtarë të të njëjtin vend e të së njëjtës gjuhë, por të largët si dy qenie, më saktë, dy fantazma të planetëve të ndryshëm. Ishim dy Filoktetë, gjithmonë me të njëjtën plagosje të njohur të pashërueshme, njëri që e kishte atdheun, por jo lirinë, tjetri, me liri, por pa atdhe.

Folëm diçka, në vështrim të parë të rëndomtë, por që, me siguri, nuk kishte të bënte me atë çka do të duhej të flisnim. Rreth dhjetë vite më pas, Werner Daum, intelektual dhe diplomat i shkëlqyer gjerman, mik i përbashkët i imi dhe i tij, personazh i dorës së parë në ngjarjet dramatike të Tiranës 1990, më ka takuar në Paris, për të më sjellë ndër të tjera përshëndetje nga Martin Camaj.

Me ndërmjetësinë e diplomatit u vendos midis nesh një shkëmbim i përkorë mesazhesh, madje u caktua dhe një takim në Munih, ku do të udhëtoja dy muaj më pas, në mars të vitit 1992, në një forum ndërkombëtar shkrimtarësh.

Ky takim nuk ndodhi kurrë, për shkak të ikjes së tij të parakohshme, pikërisht në muajin mars të atij viti. S’më mbetej veçse, me ndihmën e shoqërueses sime, gazetares së “Frankfurter Rundschtau”, Verena Nolte, që e njihte dhe e çmonte, të kërkoja varrezën ku pushonte, për të vënë një tufë lulesh sipër tij.

Nëpërmjet Werner Daum-it, kisha arritur t’i tejçoj disa mendime për veprën e tij. Por ato ishin tepër të pakta në krahasim me atë çka do të duhej të thuhej. Një pjesë e tyre janë shprehur në këtë hyrje të botimit të veprave të tij të plota, tetëmbëdhjetë vite më pas, e gjithmonë janë pak. Të tjerat e kanë kohën e tyre përpara, atëherë kur vepra e shkrimtarit do të ketë qasjen e saj të plotë të lexuesit, atje ku nis një jetë tjetër e artit të letrave, ajo që përtëritet prore, në pafundësi.

Epokat dhe popujt zakonisht nuk bëjnë gabime në vlerësimin e artit të madh. Edhe kur gabimet ndodhin, nuk janë veçse të përkohshme. Gjithmonë vjen ora kur të vonuarit mbërrijnë dhe të munguarit shfaqen. Kështu kanë për të zënë vendet e tyre Anton Pashku i Kosovës dhe Zef Zorba i heshtur, dhe të tjerë ndoshta, të cilët, prej rastit ose rrethanave, janë penguar diku.

Tiranitë, krahas nervozizmit dhe stuhive kalimtare, janë përpjekur të krijojnë portat e rreme e të gabuara. Në ngrehinën e përkorë të letrave shqipe, atje ku është duke zënë vendin e vet Martin Camaj, ashtu si në çdo panteon, hyhet vetëm prej një porte, asaj të madhes. E ajo portë, siç e tregon emri, nuk njeh veçse arsyet e mëdha.

Siç është thënë dikur, De Rada i paharrueshëm, në një përshkrim të natës së pashkëve, ka rrëfyer për “engjëjt që e bëjnë veç gostinë e tyre”. Në tryezën e epërme, ku kanë zënë vend krenajat e letërsisë, nuk ngjiten zhurmat e vogla e as afrohen profilet e rëndomta. Atje ka përherë mirëkuptim e harmoni, ndaj e kremtja vazhdon përherë dhe ndriçimi i shandanëve nuk sos.

___________

Martin Camaj

Larg atyne që flasin si unë

 

Fishkllin erë ndër shelqe të ngime

me ujna prrojesh

veshtroj, te zanafillja, truemje

se si falen dreqit shpirt e korp,

be të forta

mbi gur, qiell e dhe.

 

Jam larg atyne që flasin si unë

sa hana që bie prej rrezje në rreze

e pi qumësht n´vedra lanun jashtë

për me vu mazë.

 

Hutini i shkambit n'agim

dhe guri n'ujë përpijnë tingullin

e kuvendit të keq: n'agim

njeriu bekon diellin si unë!

 

 

Mbramja ashtë larg

 

Mbramja ashtë larg

e ti je atje mbi kodër të blerueme

ku gurzit që bashin zhurmë

i përpiu dheu.

 

Ti je atje me të bijën e heshtjes

e me shoqe tjera e mendon për mue.

Unë jam në detin e tingujve

 

e ndër gjujt e mij ndieva

peshen e tramit tue u ndalue me turr.

Mandej i lëshova vendin një të vjetri

e mes tallazit të krahve thashë:

mbramja ashtë larg e ti andej lumit.

 

Heshtja prek qiellin me dorë

E ti atje mbi kodër të blerueme

njeh gjurmët e diellit npër qiell.

 

 

Mosha e Qenit apo Ditëlindja

 

Kremtuem gjith natën i ri e i vjetër kohën

që vdiq e vrame në mue.

E thanë: askush s'do të lypi gjak

për të.

 

Ajo nuk ishte festë, por drekë!

 

Në mëngjes mbas dere qentë

me sy keqardhës e të butë

nuk pritshin eshtna, por mue

me u nisë me ta shtigjeve bri lumit

teposhtë.

 

 

Lule

 

Sonte më lajmëruen se ka vdekë një njeri

Prandej jam i trishtueshëm, Lule.

 

Dashunia ashtë e vetmja shtyllë guri

Kur andej gardhit fluturojnë

Shëgjetat e akullit.

 

Dy zemra bashkë janë ma rrufeprojse

Se dy shpata tu për tu

Me teha përjashta

Ideja e sosjes, Lule,

kur je ti pranë ik si shpend i egër

andej kah vjen terri.

 

 

Nji ditë e ka edhe korbi

 

Erdhi nje korb te dheu i bute nen shkrepa.

Ai s´dinte me ndjekun vallet e pllumbave

pale e pale nen hijen e ullive.

E u ruente mos me lshuemun za

mes gazullimit te pergjithshem

per mos me prishe

ritmin e flatrave nder valle.

Kur te e vona pllumbat kthyen ne banesa,

e ndiu vehten korbi pellumb ne shpirt.

 

 

Drekë Malsore

 

Sot ashtë marrë një gjak.

Dy plumba lëshuen përdhe një burrë.

Sot ashtë marrë një gjak.

Nën tunin e spatës

Pëlset rrashta e kaut te prroni.

(Drekë të mëdha po bahen sot!)

 

Sot ashtë marrë një gjak.

 

Gjama e burrave tërbueshëm

Përzihet me erën e mishit ndër zjarme.

E gjethi i Vjeshtës bie i djegun mbi kapuçat e bardhë

Ndë tryeza, jashtë

Natë. Në vorrezat mbi kodër

Tokë e re, hanë e re.

Ujqit janë ulë prej malesh

E pijnë gjak në përrue.

 

 

Gjakmarrja

 

Vetmia ka thithë erën e bjeshkës

dhe fije bari as fletë nuk lòt.

Të mnershëm janë korbat e zèz

në pushim mbi qarrat e vjetër

maje mali në vapë.

Mendja e njeriut nën hije shestòn

udhë gjaku

e sosjen e pagjës në mak e vrrî.

 

 

Fill i Gjetun

 

Natën që shkoi u fikën dritat e mbeti

qyteti në terr deri n’agim.

 

Amvisat kërkuen llampat vojguri

e s’i gjetën në terr.

 

Në nadje ra dielli e zbeu

faqet e rrokaqiellëve.

 

Në nadje vrejta rrethin e andrrave

në truell

e gjeta fillin e tretun

në pikën e ndaljes së dritës.

 

 

Leter nga Jugu

 

Larg në nji tjetër botë jam

e shikoj kah mali :

rêt ruejn majën kujdesëshëm

pse ajo âsht e vetmja mbështetje

e qindresës së tyne në ajr.

Harrova gjithshka, Lule,

në botën e malit e të qiellës

unë pasqyrë e pandame e rêve.

Po të shkruej se këndej

sa shkambi ka ngjyrën

e faqeve të rrezituna.

Muret e shpijave janë kështjellë

të rrxueme me frangjija të panjehuna

e njimij sy më shikjonë

npër to kur parakaloj

në pikë të mjesditës pa hijen teme për bri.

 

Lule, sonte ndoshta do të bijë

shi i nxhetë në Jug

e nesër do të shoh mes avullit

ylberin e shtrëngatës së kalueme

e atëhere kam me kthye te ti.

 

 

Ditë shiu në Merturin e Gurit

 

Bariu krah-thatë te ura e zjarmit lodhet

ndërmend

për dhitë damtare përjashta:

në gotën e çveshun drite grihen syzit

e hardhiave nën gurë e unurë.

 

Dhe tret ndër andrra të përhime:

mbi rrasat e gurit në Mertur

plasin sytë e sqepve grimë-grimë

nën dhambët e ujqve,

kokrra groshe e drithi në palaré.

 

Gjeli këndoi në tra

e u zgjuen prej gacash ndër unë

pendlat – bletë e gretha bashkë:

mija zane plasën në trutë e bariut.

Dhe u çue krejt dheu në kambë

me lata e topra edhe armë të vjetra

e u lëshuen ndër ujq.

 

Mejti shiu në Merturin e Gurit

dhe dielli u ndejt në perëndim

me rreze të lodhuna

në mishin e ujqve mbi dhambët e majeve

kortarë-kortarë.

 

 

Aty si tash para se me ardhë Fiset

 

Aty si tash para se me ardhë fiset

Ishe

Me tambël në plasaritjen e currave

e me themele në ujin e njelmë.

Të dhanë vetëm një emën: Shkodra.

E të thirrën qytet me kunora

E të hodhën përkrye gur e hekurat e para.

U zgjove e përgjakun sa herë

E u kqyre në pasqyrën tande.

Me emën grueje u lave ndër ujna

T’lumenjve dhe ndeje me petka të reja

Në shkamb

E ndritun ballë diellit mbi fusha.

 

 

Gjarpri e Grueja

 

Ajo mbramë harroi trupin e vet

Zbuluet

E në mëngjes e gjeti pikturë të varun

Në murin e gjanë dhetë pashë:

E kqyri dhe e kqyri e u zhduk.

Petkat e saj teren buzë detit

Me këmishën e gjarpnit mbi gurë.

Shtërpia tha se vjen prap,ajo, po

Deri mbasdite.

Mbasdite vonë, gjarpni i rrejtun

Doli prej nëngurit

E iu zgërdhesh vetmisë ndërsy,

Veshi këmishën e vjetër e shkoi

Me fjetë

 

 

Motiv Arbëresh

 

Në driza janë gjarpij’t e zez

E ti je e xhveshun nën diell.

Në driza janë gjarpijtë e zez

E rrijnë buzë në buzë,

E rrijnë buzë më buzë,

E jeta e tyne ashtë e bardhë,

E bardhë e bardhë nën diell,

E jeta e bardhë e bardhë,

Nën diell e bardhë, e bardhë.

 

Mjaltëzat lagin me mjaltë

Gurzit e prrojeve të thata.

 

Retë e Oqeanit

Eci krahas me to

Nëpër ditën e gjatë.

Aty ku vete

Asht skaji i kohës së matun

Me rrahje zemre milionësh

Në kërkim të nji emni.

 

Retë me rrajë thella në det

Rriten e bahen lisa:

Ndër gryckat e tyne fantazma

Konkisdadorësh

Vjelin pemë.

 

 

Fuqia e Konës

 

Ngjyra e verdhë e fletëve

Shkurtoi dritën në faqe të veta

E të katundit jugor mbi kodrinën

Bote së kuqe.

 

Para derës rrin Kona

Me barrën e randë në gji,

Dashunon rrezet e pemëve të vokta

 

Në kanistër

Para burrit kalamendë gjumi.

 

Tjerr Kona në furkë:

Ngrohtësia e pejve të leshtë shpërtheu

Prej gishtavet

E lëvizja e fëmijës në parzëm

E dridhi në kënaqje të paskaj

 

 

Motiv i Vjetër në Kthim

 

Shtatë vasha u çuen peshë

Kur ngjyra e korbit fluturoi

Përmbi shtyllën e jetës:

Sqepi i dukej i verdhë, gati i bardhë

Mes pendlave të zeza.

 

Shtatë vasha u quen peshë

E u turrën vrap me funda

Në duer sa qethi mbas korbave

E vetëm me za i tretën si plafa të murmë

Nën karmat e vendit tim.

 

Po s’erdhët ju, vasha,

Kur të zbardhen pusat e ujit

Në lumë përpara agimit,

Ngurzohen edhe duert e foshnjeve

Në palare.

 

 

Valle Rugove

 

Shkyenje qiellin, zurla,

e kaltersia e sferave te nalta

le te bije mbi ne si shi.

 

Kamba e tupani cajne token e me duer

vrikllojme na shpatat e me duer sutat

ne mal i kapim ne pike te vrapit.

 

Mos e ulni zanin, kangtare, pse me bie

nder gjuj lodhja e moteve dhe ritmi i ndalun

dyshe m´a ndan krahnorin.

 

 

Nji stinë e humbun

 

Verës sa nji mëngjes me vesë

nuk ia pau kush ballin simjet

me sy të përlotun të sjellun

kah mali.

 

Vjetit nuk i mungon asnji ditë

në kalendar e i dhimbet

e mbramja pikë e dyllit në djegie:

e sotmja ka ndijen e dridhjes

së fletëve të shqemes

para dhambëve të sutës.

 

 

Malli për jetë

 

Lyp dashuninë e syve të mbyllun,

dy molla të tejpashme

me bërthamë zjarmi në mes.

 

Zemra e qindrueshme

rrok mallin e pamort

e pika shiu bien

mbi rreshpe të pangishme.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora