E merkure, 01.05.2024, 09:12 AM (GMT+1)

Kulturë

Dijana Dukaj: Bisedë me Prof. Dr. Anton Nikë Berishën

E enjte, 15.10.2015, 10:08 AM


Bisedë me prof. dr. Anton Nikë Berishën shkrimtar, studjues i letërsisë dhe profesor në Universitetin e Kalabrisë (Itali)

PUNA TË NDIHMON TË NJOHËSH E TË PËRJETOSH MIRFILLI JETËN DHE TË JESH MË SHUMË I VETËVETES

Nga Dijana Gj. Dukaj

1. Në një varg studimesh tuaja letrare në mënyrë të vijueshme e keni vështruar letërsinë si art i fjalës. Ku janë arsyet që pikërisht kësaj dukurije i kushtuat kaq shumë rëndësí?

Është krejtësisht e natyrshme që letërsia të studiohet para së gjithash si art i fjalës. Vetë fakti se letërsia është strukturë e veçantë gjuhësore shprehse, nga e cila dalin kumte të shumta poetike, detyra e parë e studiuesit është të merret me këtë strukturë gjuhësore si art i fjalës, pra t’i ndriçojë veçantitë shprehëse dhe komunikuese të tekstit. Vepra letrare poetike apo struktura gjuhësore poetike ndryshon nga çdo tekst tjetër jo letrar dhe jo poetik për shumsinë e mendimeve që mund të dalin nga ajo dhe për mundësinë e jashtëzakonshme të komunikimit e të ndikimit të saj. Fjala e përdorur dhe e shtjelluar me mjeshtëri në tekst, ku synohet para së gjithash shumëkuptimsia e jo njëkuptimsia e fjalëve (që është veçanti e teksteve të tjera), e bën veprën letrare, pra dhe letërsinë sa të mëvetsishme e të qensishme, po aq dhe të papërsëritshme. Kush e studion letërsinë si tematikë, si fakt historik ose për qëllime të ngjashme, ai “noton” jashtë qensisë së artit të fjalës.

2. Ai që ka përcjellë me vëmendje punimet apo studimet tuaja për shkrimtarët tonë e vëren lehtë se jeni marrë me veprat dhe autorët më të rëndsishëm si, bie fjala, De Radën, Zef Skiroin, Fishtën, Mjedjen, Poradecin, Ernest Koliqin, Dushko Vetmon, Martin Camajn, Azem Shkrelin, Anton Pashkun etj. A është i rastit ky përcaktim ose a është synim dhe bazë e punës suaj studimore?

Në fillim të punës si studjues i letërsisë jam marrë me dukurinë e përkimeve poetike të letërsisë gojore me letërsinë e shkruar në përgjithësi dhe të letërsisë sonë në veçanti. Kjo gjë më ka mundsuar të njoh mirëfilli veçantitë e artit të fjalës dhe veçantitë e shtresave e të llojeve të tij. Duke e njohur rrjedhën e zhvillimit të llojeve të artit të fjalës të përcjellë gojarisht shekuj me radhë, kam kuptuar ndryshimet që ka pësuar arti i fjalës, po dhe rëndësinë e lindjes së letërsisë së shkruar dhe ndikimin e madh që ajo bëni tek njeriu.

Është e vërtetë që në punimet dhe studimet e mia jam marrë me veprat dhe me autorët më të shquar të letërsisë sonë, disa prej të cilëve i përmendët edhe ju. Ky veprim nuk është i rastit: duke u marrë me vepra që paraqesin kulmet e letërsisë sonë, pra vlerat më të mëdha, studiuesi e provon përballë tyre veten dhe dijen e vetë. Pra, veprat e rrafshit dhe të cilësisë së tillë jo vetëm të ofrojnë më shumë, po edhe kërkojnë më shumë. Unë kam mësuar jashtëzakonisht nga shkrimtarët tanë të shquar dhe nga veprat e tyne. Natyrisht kam mësuar edhe nga veprat e shkrimtarëve dhe të studiuesve të letërsive të tjera. Dija për artin e fjalës nuk duhet kufizuar, fjala vjen, te letërsia kombëtare ose te disa letërsi. Edhe në letërsitë e ashtuquejtura “të vogla” janë krijuar e krijohen vepra të mëdha arti. Është gabim i madh të thuhet se popujt “e vegjël” nuk krijojnë vepra të mëdha artistike.

3. Letërsisë gojore dhe veçantitë e saj si art i fjalës i keni kushtuar një pjesë të jetës suaj. Cila ka qenë rëndsia dhe roli i kësaj letërsie në rrjedhën e zhvillimit e të gjallërimit shpirtëror dhe artistik të njeriut tonë?

Më shumë se gjysmë shekulli jam marrë me studimin e letërsisë gojore, qoftë në përgjithësi, qoftë vetëm me letërsinë tonë gojore e me llojet e saj.

Kur jam marrë me studimin e letërsisë gojore, përherë e kam patur në mendje një mendim të studiuesit të shquar kroat dhe profesorit tim në studimet pasuniversitare në Universitetin e Zagrebit, prof. Zdenko Shkrebit: “Edhe letërsia gojore është letërsi në kuptimin e plotë të fjalës; format që na ka lënë antikiteti më i vjetër, të cilat ruhen në mjediset shoqrore të pazhvi­lluara, por edhe në mjediset konservative fshatare, po ashtu si dhe letërsia bashkëkohore janë art i fjalës. Letërsia gojore përmban në vete cilësi karakteristike të letërsisë dhe çdo përpjekje që letërsia të definohet si art i fjalës dhe të caktohet lënda e studimit të letërsisë, duhet të ketë parasysh letërsinë gojore dhe, në defini­cionin e përgjithshëm, duhet të inkuadrojë dhe veçantitë e saj”.

Letërsia gojore për njeriun tonë pati një rëndësí të madhe e të shumëfishtë: ajo e përcolli dhe e pasuroi atë shpirtërisht dhe artistikisht që nga fillimet e gjallërimit të tij. Meqënëse njeriu ynë shkrimin e përdori shumë vonë, përmes llojeve të ndryshme letrare gojore ai përjetësoi artistikisht dukuri e ngjarje të shumta jetësore, flijime e ngadhnjime individuale e kolektive, që lidheshin ngushtë me veprimin, me botëkuptimin dhe me shpirtin e popullit, me mirëqenien dhe me lirinë e tij. Letërsia gojore me llojet e saj të shumta e përcolli njeriun tonë shekujë me radhë dhe bëri atë që format e tjera të krijimtarisë shpirtrore nuk mund t’a bënin ose e bënin pjesërisht. Më duhet të them se dukuritë e ndryshme të jetës njeriu ynë nuk i shprehu dosido, po përmes një strukture tekstore poetike të përftuar me përkushtim dhe mjeshtëri sa shumë prej tyre të mahnitin edhe sot me artin e tyre të jashtëzakonshëm.

Nëqoftëse rëndsinë e letërsisë sonë gojore e të llojeve të saj doshirojmë ta dëshmojmë, fjala vjen, përmes kultit për këngën, atëherë po sjell mendimin e Luigj Gurakuqit i cili thotë: “Edhe te deka, Shqyptarët shkojnë tue këndue, permenden edhe sot emnat e nja tre a kater malsorvët, djelm t’rí prej Shalet, që i kënduen kângën vedit tuj shkue me u-pré. Nder merzina e nder t’veshtira t’luftës e shkojnë prap kohën me kange; janë t’per­menduna e n’zâ vallet e lodrat e Toskvet rreth dashit qi vertitet n’hell n’mjedis të fushës ku ka zânë vend ushtrija; e nder luftarë t’yne ndodhet gjitherë nji Titreo i rí, qi me kângë t’vet i trimon t’vllaznit e i shtyn me i ra burrnisht anmi­kut e me i-u-hjedhë pa frigë n’shpinë tuej gjimue kanonet (topat) e tuej u derdhun plumet si breshni”.

4. Brenda letërsisë gojore jeni marrë me studimin e epikës gojore, sidomos me këngët kreshnike. Pse i veçuat këto këngë për studim përballë llojeve të tjera të letërsisë sonë gojore?

Në studimet e mia për letërsinë gojore epikës sonë gojore i jam kthyer disa herë, në mënyrë të veçantë këngëve kreshnike. Arsyet janë disa, por, këtu po përmend vetëm dy: vlera e tyre e jashtëzakonshme shprehëse poetike, lashtësia, bota mitologjike dhe ajo e matriarkatit, që bëjnë bazën e tyre, dhe domosdoshmëria që t’u kundërvihem disa mendimeve e vlerësimeve tendencioze të disa studiuesve, shqiptarë dhe të huaj, që janë marrë me këto këngë.

Disa nga rezultatet për këto këngë dëshmohen në studimin tim Kângë që përligjin pasuninë shpirtnore të shqiptarit e të botës së tij. Mbi kângët kreshnike shqiptare (“Faik Konica”, Prishtinë 2008) të ribotuar edhe në veprën time Antologji e kangëve kreshnike shqiptare (“Faik Konica”, Prishtinë 2008) dhe të përkthyera edhe në italisht: Approccio ai canti albanesi dei prodi (Luigi Pellegrini Editore, Cosenza 2010).

Një pjesë e madhe e veprës sime “Qasje poetikës së letërsisë gojore shqipe (“Rilindja”, Prishtinë 1998) i kushtohet epikës sonë gojore, qoftë kur e marr në vështrim punën e studiuesve të huaj kushtuar këngëve kreshnike, qoftë vlersimet dhe argumentet që sjell unë për t’iu kundërvënë mendimeve tendencioze të disa studiuesve.

Në studimin e përmendur, përveç që kam sjellë një varg të dhënash për vlerat shtjelluese dhe poetike të këngëve tona kreshnike, kam bërë edhe krahasimin e afrive dhe përkimeve të tyre me llojet e tjera të letërsisë sonë gojore, sidomos me disa lloje të poezisë dhe me përrallën. Veprova në këtë mënyrë për të dëshmuar rrënjët e përbashkëta të këngëve tona kreshnike me llojet e tjera të letërsisë sonë gojore, sidomos në rrafshin e sistemit të të shprehurit poetik, po dhe atë tematik. Me një fjalë, këngët tona kreshnike janë krijme shumë të lashta dhe burimore, i përkasin botës sonë, janë frymzuar nga ajo botë dhe atë botë e kanë përjetsuar në art.

Përkimet tematike me epikat e tjera gojore të popujve të Siujdhesës Ballkanike dhe më gjërë janë sa të natyrshme aq dhe të pashmangshme.

5. Prej 21 vitesh jeni ligjërues në Universitetin e Kalabrisë (Itali). Sa ka ndikuar puna dhe qëndrimi në këtë Universitet në studimet tuaja letrare në përgjithsi dhe në studimin e letërsisë së arbëreshëve të Italisë në veçanti?

Në Universitetin e Kalabrisë jam nga nëntori i vitit 1993. Kur arrita aty kisha botuar disa vepra nga fusha e studimit të letërsisë gojore, të letërsisë së shkruar, po dhe dy romane për fëmijë dhe një roman për të rritur. Me një fjalë, kisha një përvojë në studimin e letërsisë dhe në krijimin e veprave poetike. Kisha botuar edhe një punim për veprën “Këngë të Milosaut” të De Radës dhe për veprën “Kânga e sprasme e Balës” të Gavril Darës ose punimin për Rapsoditë e arbëresheve, që shënojnë fillimin e punës sime për studimin e kësaj letërsie.

Puna në Universitet dhe njohja e pandërmjetme me letërsinë e arbëreshëve të Italisë, po edhe me disa shkrimtarë italianë bashkëkohorë dhe me veprat e tyre, sidomos me disa shkrimtarë të gjallë, të cilët pastaj i bëra dhe miq, si Françesko Grizi (Francesco Grisi), Serxho Paolo Foresta (Sergio Paolo Foresta), Domeniko Korradini H. Brusard (Domenico Corradini H. Broussard) e ndonjë tjetër, më hapën dritare të reja jo vetëm për njohjen e autorëve konkretë e të veprave të tyre, po edhe për rëndësinë e letërsisë për çdo mjedisi shoqërorë.

Njohja e çështjeve kryesore të natyrës së letërsisë e të qensisë së saj si art i fjalës është e domosdoshme, por njohja e veprave konkrete, e mënyrave të ndryshme të shtjellimit e të përftimit si struktura të mëvetësishme shprehëse poetike, është vendimtare. Dihet se çdo rregull dhe çdo përcaktim teorik i letërsisë e ka bazën në veprat konkrete e në përvojën e krijuesve të tyre. Pra, leximi dhe njohja e disa veprave konkrete për mua qe e qensishme. Më duhet të përmend veçanërisht njohjen e disa veprave të letërsisë së arbëreshëve të Italisë, që bëjnë pjesë në kulmet e artit tonë të fjalës, qoftë kur kemi të bëjmë me disa lloje të letërsisë gojore, qoftë me disa vepra të traditës së shkruar.

Me një fjalë, gjatë kohës që punova në Universitetin e Kalabrisë, ku edhe sot bëjë punën e profesorit të letërsisë shqipe, kam mësuar dhe jam përpjekur që veprat e mia studime, romane ose të tjera, të jenë në rrafshin sa më të lartë dhe sa më cilësore. S’ka dyshim se gjatë qëndrimit në këtë Universitet kam botuar (në Prishtinë dhe në Kozencë) disa nga veprat e mia më të dashura e më të rëndësishme.

6. Sipas jush, cilët janë disa nga faktorët që përcaktuan nivelin e lartë artistik të letërsisë arbëreshe të Italisë?

Për t’u përgjigjur në pyetjen tuaj duhet më shumë kohë dhe më shumë vend. Megjithatë, po them shkurtazi disa mendime e të dhëna.

Së pari, shkrimtarët arbëreshë, veçanërisht poetët, patën si bazë traditën letrare gojore arbreshe, sidomos rapsoditë që kishin sjellë me vete të parët e tyre dhe i kishin bartur prej një brezi në tjetrin duke i pasuruar e ndryshuar. Mjafton të lexojmë, fjala vjen, disa nga Rapsoditë e arbëneshëve të zgjedhura e të botuara në librin tim “Antologji e poezisë gojore arbneshe”. Antologia della poesia orale arbëreshe (Rubbettino, Soveria Mannelli, Catanzaro 1998) për t’u bindur për rrafshin e lartë shtjellues dhe shprehës poetik të tyre. Pra, shkrimtarët arbëreshë u nisën nga tradita arbëreshe dhe e shftytëzuan atë në veprat e tyre të shkruara, disa nga të cilat bëjnë pikat kulmore të letërsisë sonë të të gjitha kohëve si “Këngët e Milosaut” (1836) të De Radës, “Kânga e sprasme e Balës” e Gavril Darës, “Te dheu i huej” dhe “Mili e Hajdhé” të Zef Skiroit, “Emira” (Drama) dhe “Kângtorja arbneshe” (poemë kushtua dashunisë) të Françesk Anton Santorit e ndonjë tjetër.

Së dyti, letërsia e pasur italiane, qoftë ajo e traditës ose bashkëkohore, si dhe përkthimet e shumta në italisht të veprave të autorëve të shquar të letërsive të tjera të mëdha, të cilat shkrimtarët arbëresh i lexonin në gjuhën italiane, kushtzuan krijimin e veprave artistikisht të ngritura dhe cilësore.

E deshti fati që shkrimtarët arbëresh nuk ishin të kushtzuar nga rrjedhat politike dhe detyrat që, kishin fjala, vjen, shkrimtarët tanë të Rilindjes, ku veprës letrare iu ngarkuan qëllime e detyra politike dhe shoqërore për zgjimin dhe pasunimin e ndërgjegjes kombëtare ose shpëtimin e atdheut pas 500 vjet robërimi nga Perandoria Osmane.

Ndoshta edhe një përbërës tjetër duhet të përmendet: kthimi i shkrimtarëve arbëresh në të kaluarën e idealizuar, përjetësimi i Motit të Madh në artin e fjalës, që mundësonte futjen në përdorim të imagjinatës krijuese, që është përbërës shumëfish i rëndsishëm për hartimin e veprës letrare.

7. Viteve të fundit keni studiur dy autorë të letërsisë sonë të vjetër: Gjon Buzukun dhe Pjetër Budin. Për ketë dëshmojnë dy studimet tuaja monografike kushtuar veprave të tyre: “Meshari – vepër e hartueme nga Gjon Buzuku” (2014) dhe “Pjetër Budi poet dhe prozator” (2015), të dyja të botuara në Kozencë dhe në Prishtinë. Pse iu kthyet letërsisë sonë të vjetër?

Me veprën e Gjon Bdek Buzukut isha marrë edhe më parë: më 1988 kisha botuar puniminKrijimtaria letrare gojore shqipe dhe “Meshari” i Gjon Buzukut” (“Jeta e re”, nr. 3, f. 272-292), ndërsa për Pjetër Budin kisha shkruar më 1987 punimin me titull Poezia e Pjetër Budit dhe vargu gojor, të cilin e botova më 1989 në gazetën “Rilindja” të Prishtinës (Më 01. 07 dhe më 08. 07. 1989, f. 12.). Në këto punime kisha vështruar vetëm një aspekt që hiqte peshë në krijimtarinë e këtyre shkrimtarëve. Që atëherë isha bindur se duhet t’u kthehesha veprave të tyre; ato meritojnë vështrime nga kënde e aspekte të shumta e të ndryshme.

Studimi i sërishëm i tyëe më bindi edhe më shumë për vlerat e tyëe të mëdha si gjuhë dhe tekste letrare.

8. Çfarë sjellë të veçantë studimi juaj për “Mesharin” e Buzukut dhe cilat janë dëshmitë që ju kanë bindur të thoni se ajo është vepër e hartuar e jo e pëkthyre siç është thënë deri tani?

Besoj se studimi im “Meshari – vepër e hartueme nga Gjon Buzuku” sjell disa rezultate të veçanta. Para së gjithash dëshmon se “Meshari” nuk është një vepër e përkthyer prej Gjon Bdek Buzukut, por e hartuar – e shtjelluar prej tij. Këtë e dëshmon fakti se në të janë botuar edhe katër poezi – lutje të Buzukut, ku ai përmend emrin e vetë dhe thotë se lutet për prindërit e tij dhe për njerëzit e gjakut të tij:

u tý të lus, e m ? afërë muo Dom Gjonit (…)

E muo shkatëro të shkruomitë e gjithë katet mive.

E tý tue t u pëlqyem, përzë oratëtë e m?

qi u m tý përd?, për muo

e për gjithë njerëzit të m? ? gjakut sim,

e për miq të m? e pr anëmiqt të m?.

Pa dyshim këtë tekst e krijoi Buzuku dhe nuk e përktheu nga asnjë libër.

Po ashtu versionet e ndryshme të përkthimeve të tekstit të njëjtë, siç ndodhë, fjala vjen me tri variantet e Psalimit 130 (ka dhe tekste të tjera), me tri përkthime të ndryshme (brenda pesë faqesh), dëshmojnë se Buzuku nuk ishte përkthyesi i vetëm i teksteve të përfshira në “Mesharin” e tij. Pra, në vepër Buzuku përdori edhe përkthimet e autorëve të tjerë nga vise të ndryshme të Shqipërisë. Këtë gjë e kam përligjur me krahasimet që u kam bërë teksteve të tri vaianteve të përkthimit të Psalmit 130.

Po përmend edhe një fakt tjetër: ndërhyrjet e Buzukut (rreth katërqind) si sqarime për tekstet e përfshira në “Mesharin” dhe burimet biblike nga janë marrë ato, duhet të jenë të autorit të veprës.

Një analizë e atyre që njohin tekstet biblike dhe teologjike do të nxjerrë në dritë edhe ndonjë pjesë që është hartuar nga Buzuku e nuk është përkthim.

9. Në këtë studim Ju e quani Gjon Buzukun poetin e parë të traditës sonë letrare të shkruar. Me çfarë e përligjni ketë mendim?

Kur njeriu i analizon me vëmendje disa tekste të botuara në “Meshar”, sidomos katër tekste që kanë formën e lutjes - poezisë, nuk e ka të vështirë të thotë se Buzuku është poeti ynë i parë që njohim deri me sot. Për shkak të vendit të kufizuar në këtë bisedë, po sjell një pjesë të poezisë së parë në gjuhën e Buzukut:

Zot, ti qi bane qiellë e dhënë,

afërë vet? venë oratëtë e m?.

E për të madhet mishërier tande

e për të kënduomit

qi u tý këndonj këta Psalma sod,

u i p?denji tue t u lutuni u tý të lus,

muo shrbëtorit tit mbi këtë jetë

ti të denjonesh muo me më dhanë

shëndet ? mendjet e ? korpit,

e mot u me b?m pendesënë përpara mortsë sime.

Rreth katër poezive të Buzukut, studiuesi, Moikom Zeqo, thotë: “Krijimet e mësipërme janë shkruar me frymëzim, duke imituar shkëlqyeshëm stilin solomonik. Në to Buzuku paraqitet si poeti i parë origjinal në gjuhën shqipe. Është një poet i një fryme evropiane për sa i përket kultivimit të gjuhës së tij si dhe të mënyrave konceptuale bashkëkohore që bëheshin e përdoreshin nga shumë poetë të tjerë bashkëkohës në kontinentin tonë. Duket koncepti i kulturës Perëndimore evropiane në këto krijime”.

10. Studimin tuaj “Pjetër Budi poet dhe prozator” e hartuat pas dy monografive të botuara dhe një përmbledhje me punime kushtuar veprës së këtij autori të shquar të letërsisë sonë. Cilat ishin arsyet që i hytë hartimit dhe botimit të studimit tuaj monografik (të botuar në Kozencë, Pellegrini Editore, dhe në Prishtinë, Shtëpija botuese Faik Konica)?

Studimin për Budin i kam kushtuar rreth katër vjet punë. Vështirësitë për t’a hartuar këtë monografi kanë qenë të shumta. E thoni edhe ju në pyetjen tuaj: duhej shkruar një studim monografik për veprën e Budit pasi ishin botuar dy të tilla dhe një përmbledhje me punime kushtuar veprës së tij. Një libër i katërtë kushtuar veprës së Budit do të ishte një përsëritje e rëndomtë, një përfolje e asaj që është botuar, ose një studim i mëvetësishëm, që sjellë dhe ndriçon diçka që nuk është thënë për këtë vepër të veçantë e të rëndsishme të traditës sonë.

Krijimeve origjinale të Budit u bëra ëlexim dhe një qasje tjetër: përafrimi dhe studimi i i tyre në dritën e Biblës dhe të literaturës biblike e teologjike. Në studimin tim pata për bazë konceptin e Budit që shprehet mjaft qartë në parathëniet dhe pasthëniet e veprave të botuara nga ai “Doktrina e krishtenë” (1618), “Pasqyra e të rrëfyemit” (1621) dhe “Rituali romak” (1621). Ajo që pohon Budi në to dëshmohet në mënyrë të thellë e të gjithanshme me tekstet e veprave që i përmenda.

Studimi i poezive dhe i prozave origjinale të Budit dhe lidhja e tyre e thellë dhe e shumanshme me Biblën, më mundësoi të shoh e t’a vështroj ndryshe poezinë dhe prozën e Budit (si prozator Budi nuk kishte studiuar më parë në mënyrë të mirëfilltë). Krahasimi i poezisë së Budit me psalmet, me Letrat e Shën Palit ose me pjesë të ungjijve, pastaj sqarimi i përsëritjeve në poezinë dhe në parathëniet e në pasthëniet e Budit, që e kanë bazën në Bibël; krahasimi i poezive të tij me mendimet që ai shpreh në parathënëe dhe pasthënie të tri veprave të përmendura, të gjitha këto kanë mundsuar të ndriçohet krijimtaria e Budit në një dritë tjetër.

Edhe fakti se Budi bënë përkthime të lira, shtron domosdo që të bëhen analiza të imta për të parë se çfarë është burimore – origjinale e Budit e çfarë është përkthim. Fjala vjen, në veprën “Rituali romak” Budi ka futur tekstin që bënë fjalë për gjëmën në traditën shqiptare. Ky nuk mund të jetë një tekst i përkthyer, edhe pse është futur tek një libër që mendohet të jetë i përkthyer. Ose, nëse një tekst në italisht ka gjashtë rrjeshta e në përkthimin e Budit ka trembëdhjetë rrjeshta, nuk di si mund të përkufizohet një gjë e tillë: tekst i përkthyer, përshtatje e lirë ose diçka tjetër.

11. Jeni autor i pesë romaneve për të rritur dhe i dy romaneve për fëmijë, të cilët janë pritur mirë nga lexuesi dhe kritika. Sa e kanë ndihmuar dhe sa e kanë penguar ato punën tuaj studimore dhe shkencore?

Është e vërtetë se krahas studimit të letërsisë e të punës shkencore jam marrë edhe me hartimin e veprave poetike. Duhet të them se punën time krijuese në fushën e letërsisë e kam filluar me poezi për fëmijë (të botuara në revistën “Pionieri” nga viti 1964) dhe për të rritur (të botuara në revistën letrare “Jeta e re” nga viti 1965). Edhe libri im i parë i botuar ëshë një përmbledhje me poezi për fëmijë “Kthimi i Skënderbeut në Krujë” (Rilindja 1970). Pastaj i jam kthye prozës dhe kam botuar shtatë romane dhe vepra të tjera poetike.

Nuk është e lehtë të thuhet se e ndihmojnë ose e pëngojnë dy fushëveprimtari të ndryshme njëra – tjetrën: puna studimore dhe puna krijuese poetike.

Se të dyjave u kam kushtuar shumë kohë, këtë e them pa asnjë mëdyshje. Kështu, për hartimin e romanit “Gjin Bardhela i arbresh. Etja e gurzueme” kam punuar për rreth shtatë vjet.

Ndoshta marrja me disa lloje krijuese mundëson shmangien e përsëritjeve brenda një lloji. Fjala vjen, pas një studimi monografik në të cilin punon rreth katër vjet, të vazhdosh menjëherë me një studim tjetër, mundësia e përsëritjes është e madhe. Ngjashëm do të ndodhte edhe kur përfundon një roman e fillon një tjetër. Pra, punët e ndryshme sa e pëngojnë njëra – tjetrën, aq edhe e ndihmojnë. Ndodh ashtu siç thuhet në jetë: në çdo të mirë ka një të keqe dhe në çdo të keqe ka një të mirë.

Është dhe një punë tjetër pse krijuesi merret me lloje të ndryshme të krijimtarisë: ai ndien nevojë që gjërat e njëjta ose të ndryshme t’i shprehë në mënyra e në forma të ndryshme. Po marr një shembull: unë kam botuar një varg punimesh e studimesh për letërsinë e arbëreshëve të Italisë, po atë që kam thënë në romanin “Gjin Bardhela i arbnesh. Etja e gurzueme” nuk e kam thënë dhe nuk ka qenë e mundur ta them në punimet e natyrës studimore. Vepra poetike, në këtë rast romani, është formë që të mundson të thuash diçka krejt tjetër dhe shumë më të thellë për shpirtin e arbëreshëve të Italisë e të fatit të tyre. Përmes artit të fjalës mund të shprehen fshetësitë më të mëdha të botës së brendshme të njeriut dhe të mjedisit shoëror.

12. Vitin e kaluar teatri amator i Kishës së Shna Ndout të Tuzit shfaqi në skenën verore në Bratilë për mërgimtarët dramën tuaj “Dritë në zemër” (përshtatje e veprës suej “Ujvarë drite në zemër”) që i kushtohet Nënë Terezës. Ju ishit i pranishëm në këtë shfaqje të veçantë. Si e përjetuet ju, si autor, tekstin tuaj në gojën e artistëve, në ambientin dhe në skenën e hapur, ku ishin të pranishëm qindra vetë?

Teatri amator i Kishës së Shna Ndout të Tuzit me realizimin skenik të tekstit tim “Dritë në zemër” përligji një rrafsh të naltë profesional, të cilin do t’a dëshironin edhe teatrot më të njohur. Shfaqja dëshmoi një përkushtim të jashtëzakonshëm të artistëve, të regjisorit e të koreografit, të cilët me punën cilësore dhe me aftsitë e tyre dëshmuan se janë profesionistëtë vërtetë të skenës e jo amatorë. Teksti i “thatë” i dramës u “ngjallë” në skenën verore, ku edhe shkëmbi i lartë rreth 50 metra, që bënë ballin e saj, u shndërrua në diçka që flet dhe komunikon. Skena e natyrshme dhe e jashtëzakonshme e “Bratilës” mundësoi që shfaqja të zhvillohet në katër rrafshe (nivele) skenike: në majën e shkëmbit – Zâni i Hyjit; rrafshi vijues Zâni i Birit të Hyjit, Krishtit; rrafshi tjetër, kryesori, fjalët – zâni i gjallë i Gonxhe Bojaxhiut – Nânës Tereze, thënë përmes Matidla Junçaj, dhe i nënës së saj, Rozës (Dranës), ndërsa anash, në të djathtë, skena e vazhduar me të braktisurit, të kujdesur nga motrat - Misionare të dashurisë (të veshura me sarin e “tyre” të famshëm) e bëri shfaqjen fort të veçantë dhe i pushtoi thellësisht të pranishmit duke bërë një përshtypje të fuqishme në të.

Më duhet të përmend sidomos zonjushën Matilda Junçaj, e cila luajti rolin e Nënë Terezës, me çfarë dëshmoi shkathtësinë e artistes së mirëfilltë, duke sjellë në skenë figurën e saj në mënyrë të natyrshme dhe komplekse. Më duhet të veçoj, po ashtu, punën profesionalisht të ngritur të regjisorit, Nikollë Buqi Gjonaj dhe të skenografit, Nikollë Lucgjonaj, po dhe të tjerëve. Të gjithë, pa përjashtim, ishin, siç i quajta në fjalën time në fund të shfaqjes, engjuj të dërguem nga Hyu përmes Nânës Tereze.

Natyrisht për gjithë punën dhe për suksesin e madh të shfaqjes meritën kryesore e ka organizatori dhe drejtuesi shpirtëroror i Kishës dhe i Teatrit amator të Tuzit, Atë Pashko Gojçaj, i cili jo vetëm me ketë rast, po vite me radhë organizoi takime të tilla duke mbajtur gjallë frymën shpirtërore dhe artistike të besimtarëve të vetë e jo vetëm të tyre.

13. Në veprimtarinë tuaj të pasur krijuese dhe studimore duhet të përmendet edhe puna dhe përkushtimi për ndriçimin e veprës së Agneze – Gonxhe Bojaxhiut, Nënë Tereza. Për të keni botuar mbi dhjetë libra, midis të cilëve po përmend romanet: “Nata e dritës”, “Dritë në shtjellën e gërbulës”, mandej librat “Nâna Tereze: Jeta âsht vetë jeta e Zotit në ne (Tekste. Testamenti shpirtnor dhe letra të Nânës Tereze)”, “Shën Pali dhë Nâna Tereze”, “Shën Marija dhe Nâna Tereze” dhe “Doracak për Nânën Tereze”. Çfarë iu nxiti të merreni me aq përkushtim me figurën e saj?

Janë disa arsye që një pjesë të punës sime në këto pesmbëdhjetë vitet e fundit ia kam kushtuar Nënë Terezës. Njëra ndër arsyet kryesore është domosdoshmëria e njohjes së mirfilltë të punës dhe të flijimit të saj. Në disa vepra që janë botuar në botën tonë kushtuar asaj dhe nga ajo që dëgjon kur njerëzit tanë flasin për Nënë Terezën del se puna e saj nuk njihet. Shpesh thuhet se ajo ishte një bamirëse ose se ka ndihmuar të varfërit nga më të varfërit. Këtë veprim e kanë bërë dhe e bëjnë shumë njerëz në botë dhe sikur Nëna jonë t’a kishte bërë vetëm këtë punë nuk do të përmendej, nuk do të shpallej Nënë, Nënë e botës.

Ajo që e shqetësonte përtej masës Nënë Terezën ishte kur i thoshin se është punëtore sociale, që ua zgjidhte problemet jetësore të varfërve, siç mendojnë edhe shumë njerëz të botës sonë. Nënë Tereza ishte dhe bënte një punë shumë më të qensishme dhe më të vlefshme. Veprimi i saj mbështetej në parimin e rëndsishëm biblik: Dueje të afërmin tând porsi vetveten (Mt 22, 39). Për t’a përmbushur ketë parim hyjnor, nuk mjafton t’i japësh ndihmë sociale dikujt, t’ia zgjidhesh për një çast problemin e gjallimit, po duhet me e dashtë me dashuninë e Hyjit, duhet të flijohesh për të parë dhe kursyer, ashtu siç duhet për të dashur vetë Hyun: Dueje Zotin, Hyjin tând, me gjithë zemër (Mt 22, 37). Pra, Nënë Tereza synonte që dashurinë e Hyjit ta përhapte midis njerëzve dhe njerëzit t’i afronte te dashuria e Hyjit, që ata të duheshin mes tyre me dashurinë e Tij. Me flijimin e saj e të motrave të saj ajo dha shembullin se si njeriu duhet të veprojë në jetën e përditshme.

Nëna pjesën më të madhe të jetës e flijoi sidomos për të varfërit e më të varfërve, për të braktisurit, për ata që nuk kujdesej më askush, as familja, as shoqrija. Pra, këta njerëz ajo i deshi me dashurinë e Hyjit dhe u flijua për ta, pra bëni gjithçka që ata edhe për pak çaste të përjetojnë e të ndjejnë dashurinë e njeriut që e ka burimin në dashurinë e Hyjit.

Për të dëshmuar këtë dashuri po sjell dy mendime të Nënës për motrat e saj, me të cilat jetonte e vepronte: “Po nisem për Amerikë, mirëpo zemra ime, mendja ime dhe gjithë qenia ime mbetet me ju...S’kam frikë t’ju lë për arsye se e di se ju jeni dhurata ma e madhe që Zoti më ka dhënë” apo “Nuk e di çka provojnë njerëzit e tjerë, por unë i dua motrat e mia ashtu siç e dua Krishtin, me gjithë zemër, me shpirt e me mendje, me të gjitha forcat e mjia”. Pra në ketë mënyrë Nënë Tereza i deshi, u kujdes dhe u flijua edhe për të varfërit e më të varfërve, për të braktisurit dhe për të gëbulurit.

Duke folur për dashurinë e Nënë Terezës për njerëzit dhe flijimin e saj për ta, shkrimtari ynë, Visar Zhiti, thotë: “Siç duket, Zoti ndjeu nevojën e përsëdytjes së Krishtit mbi Tokë dhe zgjodhi një grua për barazi. Caktoi një shqiptare, s’dihet për ç’shpërblim ndaj kombit tonë të martirizuar (...), ndoshta në shekullin më apokaliptik të njerëzimit...”

14. Për punën tuaj krijuese dhe shkencore keni marrë disa shpërblime në rrafshin kombëtar dhe në atë ndërkombëtar. Cila është për ju domethënia e një shpërblimi dhe a ndikon ai në shtimin e përgjegjsisë për krijimtari më cilësore?

Në çaste të veçanta të jetës së krijuesit një shpërblim i dhënë me meritë, ka rëndësi dhe mund të jetë shtysë e mirë për punë të mëtejshme. Mjerisht, shpesh shpërblimet te ne jepen për arsye të tjera e jo për vlera të mirëfillta. Ato kyesisht janë shpërblime miqsh dhe interesash: unë ty e ti mua ose njeriut që është i imi.

Megjithatë, duhet thënë se krijuesi përnjëmend  nuk mendon për shpërblime. Ai jeton dhe është i njehsuar me krijesën e vetë letrare poetike dhe nuk e lodh kokën për punë të tilla. Krijuesi që mendon paraprakisht për shpërblime, ai përfton vepra që do të kenë jetë të shkurtër. Kur zhbëhet ose zhduket miqësia dhe interesat, vdesin dhe ato vepra, nuk i përmend më askush.



(Vota: 17 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora