Kulturë
Përparim Hysi: Poezi për vete dhe...
E merkure, 14.10.2015, 01:37 PM
Poezi
për vete dhe...
(cikël me poezi)
Nga Përparim Hysi
Kam shaluar kalin e kujtimeve
Kam shaluar kalin e kujtimeve
E kam shaluar dhe fshikullin s'ia ndaj
Aq fort jam kapur vegimeve
Sa kapur vegimesh ofshaj.
Ofshaj se zhytem në detin e kujtimeve
Zhytem dhe nuk mbushem me frymë
Zë tund kokën prej përdëllimeve
Dhe hiç nuk e mbaj nostalgjinë.
Së pari, zë e më shfaqet fëmijëria
Shpesh herë zbathur apo me opinga
Pa vijnë vërsnikët dhe varda çudia
Mes tyre, çamarrokëshe, ia bëj prima!
Dalim e lozim me ta kodrave
Se fshati ku linda, terrenin kish të thyer
Gëzoj e djersit aty mes lodrave
Eh, moj fëmijëri, sa më ke ngashëryer!
Pas fëmijërisë, zë shfaqet rinia
Rinia e asaj moshe kur lëshoja "lastar?!"
Qe mosha e bukur kur nuk doja t'ia dija
Qe ajo moshë e dashurisë së parë.
Kur dashurova, unë u bëra tjetër
Mbi flokët e ashpër një okë brillantinë
Më vjen të qesh tek vargjet i hedh në letër
Ku flitej atë kohë me mua "axhaminë?!")
Kujtoja se qiellin kisha zënë me dorë
Si unë, të lumtur? Nuk gjeje. Nuk mund.
Por ajo dashuri shkriu si dëborë
Dhe unë katandisa veç buzë e hundë.
Po koha për plagën a nuk është ballsam
Unë,sërish, rashë në dashuri
Tash s'jam axhami, por jam burrë azgan
Dhe miken që gjeta, e kam dhe tani.
Mandej... u bëra prind dhe zura u argasa
Kulari i halleve qafën ma shtrëngoi
Më plaku më shumë lufta e klasave
Që si shpata e Damokleut mbi kokë më qëndroi.
Xhaxhanë ma pushkatuan dhe gjyshin kulak
Sa herë u shtrua pyetja:-Ta heqim nga arsimi!
Si doku në ujë u futa pak nga pak
Dhe u thinj,para kohe, s'do mend, Përparimi!
Punoja me ndërgjegje dhe me përkushtim
Regjimi s'më donte ( më shihte me smirë!)
Sa herë kolektivi më propozoi për dekorim
- Ai dekoratë? Pa të rrijë mirë?!!!
Dyzet e një vjet, ndoshta nuk janë pak
Fshatrave si "shterpari që s'i qaset stanit" *
Të gjitha këto privime më bënë dhe më plak
Ndaj , tek po shkruaj, ofshaj thellë prej xhanit.
* në thonjëza, varg i Naim Frashërit
Letër ESENINIT!
Të mahniti Shaganeja, o i bukuri Esenin!
Shih si është Shabaneja ,ah, ta shohësh, miku im!
Ti e pe Shaganenë në një klub a në çajhane
Unë e gjeta Shabanenë, tutje, në një lagje çame.
Shabaneja ka një sy që të "ha" e gërsisht
Po ta shihje, bukurosh, ti do vdisje dashurisht.
Ka një trup si fidan, një shikim që ngjall të vdekur
Ndaj u bëra unë duman, helmi buzën ma ka qepur.
Është e bukur Shabaneja, por si "lule mos më prek!"
Asgjë s'është Shaganeja (hajd t'i vëmë tek për tek)
Në më vë poshtë me vargje, ( është një sfidë që e pranoj)
Po për bukuroshen çame, mezalla që pe s'lëshoj.
Ditëlindja e Dritëroit
Tetëdhjetë e katër vjeç! Bukuroshi nga Devolli
Për ty sot e shkruaj këtë vjershë(falmë, në e bukur s'doli)
Kush si ti na ka kënaqur si në prozë e poezi
Ndaj në zemra kemi ruajtur veç respekt e dashuri.
Nëpër ara letërsie,plugun ngul si bujk Devolli
Mbolle grurë poezie made in Dritëro Agolli
Fjala jote sa e çmuar, vargu yt aq i goditur
Dhe tani që je moshuar, nuk përton së doravitur.
Dritëro! Je aq i mirë sa një tjetër nuk ke shok
Ke një shpirt si xhevahir (për të tjerët, bëhesh copë)
Tek po shkruaj,s'e gjej fjalën( si ta uroj Poetin?)
Por të madh për ty kam mallin, e uroj:-Të mbushësh shekullin!
Tiranë, 12 tetor 2015