Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Përparim Hysi: Poezi për vete dhe...

| E merkure, 14.10.2015, 01:37 PM |


Poezi për vete dhe...

 

(cikël me poezi)

 

Nga Përparim Hysi

 

Kam shaluar  kalin e kujtimeve

 

Kam shaluar  kalin e kujtimeve

E kam shaluar dhe fshikullin s'ia ndaj

Aq fort jam kapur vegimeve

Sa kapur vegimesh  ofshaj.

 

Ofshaj se zhytem në detin e kujtimeve

Zhytem dhe nuk mbushem me frymë

Zë tund kokën prej përdëllimeve

Dhe hiç nuk e mbaj nostalgjinë.

 

Së pari, zë  e më shfaqet fëmijëria

Shpesh herë zbathur apo me opinga

Pa vijnë vërsnikët dhe varda çudia

Mes tyre, çamarrokëshe, ia bëj prima!

 

Dalim e lozim me ta kodrave

Se fshati ku linda, terrenin kish të thyer

Gëzoj e djersit aty mes lodrave

Eh, moj fëmijëri, sa më ke ngashëryer!

 

Pas fëmijërisë, zë shfaqet rinia

Rinia e  asaj moshe kur lëshoja "lastar?!"

Qe mosha e bukur kur nuk doja t'ia dija

Qe ajo moshë e dashurisë së parë.

 

Kur dashurova, unë u bëra tjetër

Mbi flokët e ashpër një okë brillantinë

Më vjen të qesh tek vargjet i hedh në letër

Ku flitej atë kohë me mua "axhaminë?!")

 

Kujtoja se qiellin kisha zënë me dorë

Si unë, të lumtur? Nuk  gjeje. Nuk mund.

Por ajo dashuri shkriu si dëborë

Dhe unë katandisa veç buzë e hundë.

 

Po koha për plagën a nuk është ballsam

Unë,sërish, rashë në dashuri

Tash s'jam axhami, por  jam burrë azgan

Dhe miken që gjeta, e kam dhe tani.

 

Mandej... u bëra prind dhe zura u argasa

Kulari i halleve qafën ma shtrëngoi

Më plaku më shumë lufta e klasave

Që si shpata e Damokleut mbi kokë më qëndroi.

 

Xhaxhanë ma pushkatuan dhe gjyshin kulak

Sa herë u shtrua pyetja:-Ta heqim nga arsimi!

Si doku në ujë u futa pak nga pak

Dhe u thinj,para kohe, s'do mend, Përparimi!

 

Punoja me ndërgjegje dhe me përkushtim

Regjimi s'më donte ( më shihte me smirë!)

Sa herë kolektivi më propozoi për dekorim

- Ai dekoratë? Pa të rrijë mirë?!!!

 

Dyzet e një vjet, ndoshta nuk janë pak

Fshatrave si "shterpari që s'i qaset stanit" *

Të gjitha këto privime më bënë dhe më plak

Ndaj , tek po shkruaj, ofshaj thellë prej xhanit.

 

* në thonjëza, varg i Naim Frashërit

 

Letër  ESENINIT!

 

Të mahniti Shaganeja, o i bukuri Esenin!

Shih si është Shabaneja ,ah, ta shohësh, miku im!

Ti e pe Shaganenë në një klub a në çajhane

Unë e gjeta Shabanenë, tutje, në një lagje çame.

 

Shabaneja ka  një sy  që të "ha" e gërsisht

Po ta shihje, bukurosh, ti do vdisje dashurisht.

Ka një trup si fidan, një shikim që ngjall të vdekur

Ndaj  u bëra unë duman, helmi buzën ma ka qepur.

 

Është e bukur Shabaneja, por si "lule mos më prek!"

Asgjë s'është Shaganeja (hajd t'i vëmë tek për tek)

Në më vë poshtë me vargje, ( është një sfidë që e pranoj)

Po për bukuroshen çame, mezalla që pe s'lëshoj.

 

Ditëlindja e Dritëroit

 

Tetëdhjetë e katër vjeç! Bukuroshi nga Devolli

Për ty sot e shkruaj këtë vjershë(falmë, në e bukur s'doli)

Kush si ti na ka kënaqur si në prozë e poezi

Ndaj në zemra kemi ruajtur veç respekt e dashuri.

 

Nëpër  ara letërsie,plugun ngul si bujk Devolli

Mbolle grurë poezie made in Dritëro Agolli

Fjala jote sa e çmuar, vargu yt aq i goditur

Dhe tani që je moshuar, nuk përton së doravitur.

 

Dritëro! Je aq i mirë sa një tjetër nuk  ke shok

Ke një shpirt si xhevahir  (për të tjerët, bëhesh copë)

Tek po shkruaj,s'e gjej fjalën( si ta uroj Poetin?)

Por të madh për ty kam mallin, e uroj:-Të mbushësh shekullin!

 

Tiranë, 12 tetor 2015