Kulturë
Viron Kona: Pa ngrehu në mësim!
E hene, 12.10.2015, 04:28 PM
Ti që përtyp çamçakëz,
pa ngrehu në mësim!
-tregim-
Nga Viron Kona
-O babi, më dëgjo pak se çfarë do të tregojë, - i tha Bubulinoja të atit porsa hyri në shtëpi.
-Hë Bubulino, çfarë do më tregosh. Me siguri ndonjë prapësi tënde të re.
- Jo, o babi, jo. Po, dëgjomë një herë.
- Mirë, po të dëgjoj, vetëm fol shkurt.
- Mësuesja, o babi, që të na frikësonte, na tha një ditë: “Atë nxënës që përtyp çamçakëz në klasë, do ta ngre në mësim.”
- Dhe, që prej asaj dite, juve nuk përtypni më çamçakëz gjatë orës së mësimit. Këtë do të më thuash?
-
Jo, o babi, jo. Unë për vete, sa herë që mësoj dhe dua që të ngrihem në mësim,
fut një çamçakëz në gojë dhe nis të përtypem e të bëj poça. Atëherë, mësuesja,
më thotë:
- Pa çohu pakëz në mësim ti Bubulino, të shohim se sa i zoti je t’i bësh poçat këtu në dërrasën e zezë!
-Ore, qenke i mençur ti! - deshi të bëj shaka i ati.
-Ashtu është, o babi, i mençur jam. Por sot, ngaqë mësimi ishte shumë i lehtë, e gjithë klasa përtypte çamçakëzë. Disa nxënës bënin poça të mëdhenj dhe i pëlcisnin m’u përpara mësueses, që ajo t’i shikonte dhe t’i ngrinte në mësim. Mësuesja, o babi, u inatos shumë dhe s’dinte se kë të ngrinte më parë.
-E po, ç’bëri pastaj mësuesja? - pyeti babi i Bubulinos gjithë kureshtje.
Mësuesja e skuqur nga inati, na tha:
- Bëni poça ju, bëni, pa jua rregulloj unë qejfin. Pa nxirrni të gjithë nga një fletë të bardhë përpara! - dhe na bëri provim, o babi, na dha disa pyetje nga mësimi i orës së kaluar, që ishte shumë i vështirë...