Kulturë
Përparim Hysi: Ruhu nga Kapua!!!
E shtune, 10.10.2015, 11:52 AM
Ruhu
nga Kapua!!!
Tregim
Nga Përparim Hysi
Tek kisha marr rrugën për tek klubi "Taivani", kur mbrrita tek rruga "Myslym Shyri", përballlë meje pashë dikë të njohur. Po hamendësoja: është apo nuk është ai? Sidoqoftë, thashë me vete: po e provoj, njëherë, e të dalë ku të dalë. Kur tjetri erdhi dhe ca më afër,e zbraza (sikur flisja me vete,se ku i dihej?):-Ruhu nga Kapua! Sa mbarova këtë thirrje, mu tek hunda ime, ky, tjetri, ndaloi dhe, pa e zgjatur, ma pati:- Pse ç'të ka bërë Kapua? Epo tani nuk mbeti gjë tjetër, por t'i hidheshim njëri-tjetrit në qafë.
Sa mbaroi ky përqafim kaq i nxehtë, e ktheva nga rruga e drejt mu në klub.
* * *
U futëm në klub dhe aty shkëmbyem "kredencialet" që, për aq e aq kohë, i kishim shkëputur. Qemë riosh atëherë kur u njohëm me njëri-tjetrin. Unë mësues dhe ai agronom i lartë. Si jabanxhinj që ishim në atë fshat, flinim në të njëjtën dhomë dhe nuk lamë "gjynah" pa ia treguar njëri-tjetrit. Veç tjerash, "ngjanim", pa u miqësuam. Kohën e lirë e kalonim bashkë dhe, në kishim ndonjë moment të vështirë, i qemë gjendur njëri-tjetrit. Sado që ishim të një moshe, në kaq vjete pa u parë, e kishim pak të vështirë që ta njihnim njëri-tjetrin,se në moshë të tretë ndodhin ndryshime të mëdha që gati të tjetërsojnë. Kur them kështu, flas për kondicionin fizik. Se,për vete, kam vënë bark dhe koka është bërë si një bostan larush. Kur punonim e jetonim me Kapon, qeshë si grurë halëzi nga flokët dhe i hollë nga trupi,sikur nuk haja bukë, po bar. Kapoja kish,po kështu si unë, trup të hajthëm dhe flokët të verdhë si ajo tërshëra kur piqet. Në e njoha pas kaq vitesh, kjo ndodhi jo nga flokët, por nga një nishan që kishte nën njërin sy. Ky nishani qe si pikë ku u mbështeta dhe lëshova atë thirrjen:- Ruhu nga Kapua!
* * *
Po, me të vërtetë, ç'është kjo thirrje dhe ç'fshihet pas asaj? Siç e gjykoj, them që ia vlen që ta njohë dhe lexuesi. Se ndodh që, megjithëse ke dikë me të cilin njihesh dhe mendon se e ke shok, ky që të hiqet si shok, fshehurazi ruan një ligësi dhe mezi pret rastin që të të poshtërojë a të të shohë keq e më keq. Kështu ndodhi dhe me mikun tim, Kapon. Ai nuk qe nga rrethi ynë (unë jam nga Fieri) dhe nuk e kuptoja që pse ky kuadër bujqësie ishte emëruar nga një rreth tjetër në një fshat nga më të largët, kur Fierit nuk i mungonin agronomët e lartë. Por ajo kohë qe e çudirave që nuk çudisnin njeri. Kur them kështu, nuk ishte për t'u çuditur se një kushëri imi, me arsim të lartë bujqësor ishte emëruar në atë rrethin nga ishte Kapoja. Dhe kur kushëriri im u orvat të ndërrohej me Kapon, përgjigja qe e prerë:- E di partia! Kur e"dinte partia", më tej çdo orvajtje qe e kotë, vetëm në ndodhte ndonjë mrekulli.
Pra, mua dhe Kapon na kishte bashkuar halli. Na u puqën "urat" dhe u bëmë miq. Unë kisha më shumë kohë të lirë dhe bridhja azat. Ai, duke qenë i vetmi me arsim të lartë në gjithë kooperativën, vetëm në mbrëmje kish kohë të lirë. Atje, para se të na zinte gjumi, u binim "halleve" kryq e tërthor, duke ia zbrazur barkun njëri-tjetrit. Qe simpatik dhe i shkathët, nga ai lloj që nuk ia hante qeni shkopin. Hynim në ato" ujërat" ku rrihnim detin me lopatë dhe zinim e pinim me filxhan. Unë më tepër se ai. Vet puna e tij, mes brigadave të kooperativës, e bënte që të kishte kontakte me aq e aq njerëz. Po unë bodecin tim e ngulja vetëm tek çupat. Me demek, Kapoja, meqë ishte agronom, i kalonte në "revistë" një për një! Ky, ndonjëherë, vinte tym nga koka dhe unë po me timen. -Hë,- i thosha,- kë "trajnove" sot?
-Ore,- ma preu,- pse çfarë e di ti, se atë mendjen tënde kam unë. Mua po më nxjerr koka tym,se kishte kaluar sekretari i parë (i partisë) dhe në një parcelë me pambuk kish parë nja dy-tri bimë"kuskute" dhe kish lëshuar sokëllimën:- More kryetar, kini agronom ju apo nuk kini? Nëse vij këtu dhe njëherë dhe gjeta "kuskutë", agronomi është i pushuar. E mbylla shkarpën dhe mezi prita "luftën" me kuskutën. Kur u kthye natën tjetër, "kuskutën" e kish mundur dhe buza po i qeshte.
-Mos më thuaj që e ke vetëm nga "kuskuta",- sulmova unë. Tani, i thashë, një rrugë e dy punë: hëm"kuskutën", hëm dhe "urupkën". Me "urupkën",aludoja për ndonjë nga ato që, të thuash të drejtën, qenë të bëra si me dorë. Thuhej se dikonte ujë. Epo riosh qemë dhe, sipas moshës, bëhej dhe kuvendi.
* * *
Aty nga muaji mars qëlloi që erdhën për stazhin e partisë tri vajza. Erdhën dhe, tek njëra, më kulluan sytë. Qe si topolake, me një sy të madh dhe, tek qeshte, sikur të ndillte tutje, në hapësira pa cak. Mua më haheshin kumbullat, por dhe miku im, dervish nuk qe. Ai më i përmbajtur, unë kisha nevojë për fre, ai për shtyrje. Mirëpo koha ka treguar se kush ngutet, rrëzohet kollaj. Më i fituar është ai që e merr shtruar. Pastaj,e ç'më lidhte mua me stazhieret kur ato kishin ardhur enkas për bujqësinë. Instruktori që do merrej me to, qe Kapua. Kapo, të paça fatin! Nga dreqin nuk qeshë agronom? Hahesha me veten dhe, kur erdhi Kapoja, u kurdisa:- Bëj si bëj dhe ma sill në "shtrungë" atë syfilxhankën,- i them unë.
-Ja, prit sa të gëdhihet dhe do ta kap prej veshësh dhe do ta sjellë,- ma ktheu duke qeshur.
E Kapo! E Kapo!
Një ditë kur qenë pjekur lulet e diellit, Kapoja mbrriti me një qeskë në duar. Me një qeskë? E, ku kishte qeska atë kohë? Me një boçe të vogël basmaje me fara të qëruara. - Të të bëjnë mirë,-tha,- tek e la mbi tavolinë. Unë sado që u gëzova për darovinë, nuk m'u ndënjë pa e shpuar:- Paske rënë në të"njomë",o Kapo "mavria".
Duke u përtypur, e shihja që një tis këndellje i kalonte në fytyrë. Kapo "agronomi" jo vetëm kishte mundur "kuskutën", por kish rënë vërtet në të "njomë".
Stazhiereve sikur po u mbarohej afati, kur një ditë Kapoja më tha:- E more vesh? Ajo "syfilxhanka" do të lërë shëndenë sa të mbyllet viti.
- Pse?- i thashë mos u zbraz tek ti. Pyetjes sime as që i kushtoi fare rëndësi, po, pa folur, më zgjati një letër.
-Ç'është kjo letër?- pyeta.
-Pse nuk di të lexosh?- ma ktheu.
E hapa letrën dhe lexova:
E dashura dhe e shtrenjta ime, Drita! Letrën po ta dërgoj nga Tropoja ku më nisën me një ekip për të ndihmuar Veriun. Kur të kthehem ( qëndrimi ësht të tri muajor), do të shkëmbejmë nishanet. Aty, ku bën stazhin, është dhe një "shoku" im i vjetër. Quhet Kapo dhe është agronom. Me të kam mbaruar dhe të mesmen dhe të lartën. Porosia ime për ty është:- Ruhu nga Kapua! Është edepsëz dhe ,sa të jem në komitet të partisë, aty ka për të ngordhur.
Të puth, Ligori.
-Ore, mirë Ligorin që e paske "shok", po letra si të ra në dorë?
- Ma dha ajo, syfilxhanka,siç e quan ti. Se ku ta dija unë që Ligorin e paskam patur "kaq shok?!".
Siç shihet, "syfilxhanka" u "ruajt" nga Kapoja deri sa sh.Ligor zbriti nga Veriu. Më tej. nuk di a vazhdoi kjo "ruajtje", se sh.Ligor, aty nga vjeshta u martua.
Por,sidoqoftë, mes meje dhe mikut tim të mirë, mbeti ajo shrephja" Ruhu nga Kapua!"