E premte, 02.05.2025, 09:37 AM (GMT+1)

Kulturë

Mehmet Elezi: Hebrenjtë dhe Republika e Kanunit

E premte, 09.10.2015, 04:27 PM


Mehmet Elezi

Hebrenjtë dhe Republika e Kanunit

Sprovë

Botimet Fishta

2015

Mehmet Elezi po më befason sërish. Kjo sprovë e denjë për një monografi shkencore sqaron shumë pyetje që i lindin natyrshëm çdo shqiptari të sotëm. Me argumente të forta, citime njerëzish të shquar të shkencës e artit, me figura artistike dhe një gjuhë të pasur e të pastër shqipe, Mehmeti na zbërthen brendinë dhe vlerat e Kanunit, kësaj vepre monumentale të shqiptarëve që meriton të hyje në trashëgiminë botërore dhe njëkohësisht faktin pse hebrenjtë në Shqipëri u ruajtën 100%, madje numri i tyre në fund të Luftës së dytë ishte mbi dhjetë herë më i madh se para Luftës, përkundër asaj që ndodhi edhe në shtetet tona fqinjë.

Ja disa pragrafe nga libri.

f.14

Për shkak të politikës zyrtare kundërkombëtare, gjatë sundimit të Enver Hoxhës nuk është zënë kurrë në gojë shpëtimi i hebrenjëve. Për të ka filluar të flitet vetëm pas hapjes së Shqipërisë. Në dhjetëvjeçarin e fundit kryesisht. Sipas Xhesen Uilliams, producent i filmit dokumentar BESA, shpëtimi i hebrenjëve nga shqiptarët “është ndër ato historitë e jashtëzakonshme, të cilën,…pjesa tjetër e botës s’e ka dëgjuar kurrë. Është ndër ato histori që duhet treguar…”

f.17

Mbrojtja që shqiptarët u bënë hebrenjëve nga holokausti, ftillohet pa dyshim edhe me Besën. Krist Maloki thotë se fjala besë “përmban  në vete një forcë aq magjike…sa nuk i gjindet shoqja ndër gjuhë të huaja”. “Fuqia morale e therorisë dhe e vetmohimit që përmblidhen në fjalën besë me të vështirë kuptohen prej kujtdohit e ma më të vështirë mund të gjinden në ndonji popull…”

Siç pohon Konica, “fyerja më e rëndë në Shqipëri është ta quash dikë të pabesë”.

f.33

Vëllau dhe shkjau

Një malazez i arratisur u strehua në një shtëpi në Shalë. Shtëpia kish dy vëllezër. Qeveria e Malit të Zi premtoi një pushkë, një revole dhe një shumë parash për cilindo që do ta dorëzonte të gjallë ose do të jepte prova për vdekjen e tij.

Vëllai i madh, i zoti i shtëpisë, për një farë kohe, u largua diku me punë. Gjatë mungesës së tij, vëllai më i vogël ra pre e joshjes. Vrau mikun dhe lypi shpërblimin. Shpërblimin ia dhanë.

I zoti i shtëpisë u kthye dhe mësoi fatin e mikut të shtëpisë.

Çfarë të pagoi princi i Malit të Zi për këtë?- e pyeti vëllain e vogël.

Vëllai i vogël i kallëzoi.

Nuk të ka dhënë aq sa duhet. Na, mere edhe këtë!

Dhe i bie me plumb në lule të ballit.

Kurrë ndonjëherë më parë shtëpia e tij s’e kish trtadhëtue mikun. Ai e vajtori me dhimbje të thellë vdekjen e vëllait, por nderi i shtëpisë duhej vënë në vend. Burri prej Malit të Zi kish qenë në besë të tij.

Vrau vëllain për një gjak të huaj, me të cilin historikisht kishin qenë në armiqësi. Vrau vëllanë për shkjanë.

Por shkaju kishte qenë mik në atë shtëpi!

f.52-53

Më shumë se vënia e gishtit të dorasi, valakama kundër Kanunit tingëllonte si alibi. Asnjë zgjidhje e qendrueshme nuk mund të shpejtohej dhe nuk mund të shpejtohet duke sharë mbarë e mbrapsht Kanunin. Çerdhja e krimit të sotëm nuk mund të kërkohet te Kanuni, aq më pak te sharjet e çfarëdo lloji. Çerdhja e krimit quhet mungesë shteti ose shtet i lig, i dobët e i korruptuar. i krimbur, me stërkëmbës nga brenda.

f.56

Kanuni i Lekë Dukagjinit saktëson se “shpia e të vramit nuk mujtte me ndjekë as me vra tjetërkënd prej vllazënsh, nipash e kushrinjsh të gjaksorit, pos gishtit, dorasit”.

Gjeçovi plotëson në një vërejtje se “e kërkuemja e gjakut prej shpisë së dorërasit mbarë nuk ka qenë. Këtë e dëshmon edhe fjala e Kanunit “Gjaku për gisht””

f.62-63

Edith Durhamit i vjen keq se princin e Dukagjinit e kishte shkishëruar Papa, këtë nuk e meritonte, sepse ”duke vendosur djegien e shtëpive dhe gjobat, ai ka bërë çmos që të pakësonte zakonin e lashtë të gjakut”.

A shkoi kali te ara, a ara te kali?

Kuajt e katundit banin dam në ara e livadhe. U ba kuvend:

Me i thurë arat e livadhet

Mos me i lëshue kuajt me kullotë lirshëm, por me i mbajtë mshelë, ndo me i ruejtë me çoban.

Ra kali i njanit e ia prishi arën shoqit. U kapën keq.

Njani: pse s’e thure arën, a e kemi pasë ba me kuvend me i thurë krejt?

Tjetri: pse e lëshove kalin, a e kemi pasë ba me kuvend me i mbajtë kuajt ngujue?

Të dy kishin të drejtë, po puna u dashke da. Shkojnë te Azem Hoxha.

-A shkoi kali te ara, a ara te kali? Pyet Azem Hoxha.

-Jo, shkoi kali te ara.

-Atëhere damin ka me pague i zoti i kalit!

Ke vra çikën tande

Nji burrë kish pasë nji çikë të fejueme, çika nuk pret ditën e dasmës po kërcet e ik te burri tinëz. I ati preket, pse s’prite moj bijë me të përcjellë qysh asht rendi, por ike hajnisht? I ndohet mprapa dhe e vret të bijën. Baba i dhandrit, ku e kish pasë të fejueme çikën, ia lyp gjakun: ma ke vra nusen e djalit, thotë. Ky ia kthen: kam vra çikën teme.

Isë Buletini, dajnae këtë punë!

Isa Buletini kish qenë te Azem Hoxha i Dollapit, në Koçanaj. Thotë po i a la Azem Hoxhës me e da.

Azem Hoxha pyet babën e çikës:

-Kur e vrave çikën, qe veshë në tesha çikash, a në tesha nusesh?

-Në tesha çikash qe veshë.

-Ke vra çikën tande, nuk i ke borxh kujt.

Nan rrugë, a mbi rrugë?

U ankuen te Azem Hoxha i Dollapit se i kishin dalë përpara në rrugë një çike në shpat mbi lumë, e kishin çnderue me zor.

Azem Hoxha mendohet.

-Ku ka ba vaki kjo punë, pyet, ndan rrugë a mbi rrugë?

-Mbi rrugë, i thonë.

Shpati i malit nëpër të cilin priste rruga e hollë, krejt i thiktë.

-A jo, po të ish me e ngrehë zhag me zor, ma kollaj e ka pasë me e shti pjetposhtë ndan rrugë se me e ngrehë thikë përpjetë mbi rrugë. Mbi rrugë asht dalë me kambë të veta, pra s’ka pas zor aty.

f.65

Me veshin tjetër ndigjoj tjetrin

Kishte shkuar njëri te Sali Rrusta i Deçanit për të pleqëruar një punë. Derisa fliste ky, Sali Rrusta e kishte mbyllur njërin vesh me gisht. U çudit ky kur e pa ashtu e po e pyet Sali Rrustën:

-Pse kur po foli unë ti po e mshel njanin vesh me gisht?

-Po e msheli njanin vesh me gisht, se me veshin tjetër duhet me ndigjue palën tjetër, se edhe ai tjetri ka me thanë diçka. E kur t’i ndigjoj të dy palët, atëhere muj me pleqnue drejt, tha Sali Rrusta.

f.68

Sipas një pohimi që sjell Mark Krasniqi, imzot Pjetër Bogdani (1655-1689), ipeshkv i Shkupit, njëherësh shkrimtar e atdhetar luftëtar i madh, brenda tri orëve kish pajtuar 24 gjaqe mes myslimanëve të fisit Krasniqe dhe katolikëve të fisit Gash.

f.83

Kanuni ishte fyer e shkelmuar, ishte zhiguar e nxirë pafundësisht nga diktatura dhe drejtpërdrejt nga diktatori, ishte paraqitur si ama e tërë të ligave të dheut, si supërpërbindësh, i cili, sa më shumë pi gjak, aq më shumë i shtohet etja për gjak. Edhe një Kadare me përmasat e tij e kish të pamundshme me dalë krejt hapur në kundërvënie me qendrimin zyrtar, megjithëse në roman (Prilli i thyer) guxon shumë. Vetë shkrimtari ka pohuar se duhej paguar një taksë, për të pasur mundësinë me shkrue e me botue veprat.

f.88

Buthton bën një pyetje tjetër: për ç’arsye (të pashpallur) sistemi ligjor i të drejtës dokësore shqiptare, që mblodhi dhe kodifikoi Gjeçovi, nuk u njoh si vlerë kombëtare e trashëguar? Pas Luftës vsë Dytë Botërore u vu paiada në shenjestër. U përçmua e u përdhos si më e madhja kundërvlerë. U shkelmit e u drumit.

Urrejtja e pushtetit komunist për katolicizmin, si përçues i vlerave kombëtare e perëndimore, duhet të ketë qenë një shkak për këtë dhunim.

Diskriminimi për Veriun nacionalist e konservator duhet të ketë qenë një tjetër shkak.

Por edhe më shumë..

f.98

Konkursi i bukurosheve, i cili më pas do të quhej Miss sipas gjedhës amerikane, në kontinent është bërë vonë pjesë e projekteve artistike kombëtare. Në një vend të kulturës e të artit si Italia, për herë të parë është organizuar më 1939. Ka qenë quajtur Miss Sorriso (Miss Buqëqeshja). Afërsisht në të njëjtën kohë organizohej në Shqipëri. Jo në skena vezulluese, por në një shesh rrethuar me kulla të përhimta guri, me pisha dhjetori me borë, me male të mrrolta shungulluese. Çiltërsisht. Pa bërryla çizmesh të përkthyera në përfitime gjitfarësoj.

f.100

Në se në thelb të Kanunit nuk është gruaja, nuk janë nderi e prona, as gjakmarrja jo, atëhere kush është?

Në thelb të Kanunit është Vetëqeverisja Demokratike. E vetmja qeverisje që njeh ai.

Mbretëria e Kanunit është Republikë Demokratike pa kompromis. “Thelbi i Kanunit të Maleve..asht pjesa kushtetuese ose statutore, rrajësisht e pandryshueshmënisht republikane”, nënvizon At Zef Valentini. Ky statut “asht në themel një magna charta libertatum radikale, simbas së cillës çdo shqiptar asht njeri i lirshëm, aq sa mos me njoftë auktoritet të vërtetë pse Zotit e ligjës…”

f.114

Barazia e gjakut u shkel e u përdhos nga lufta e klasave.

Nderi, Besa, Miku e institute të ngjashme u shpallën mbiklasore, pra armiqësore. Mund të bëheshin të pranueshme vetëm nëse shiheshin me syrin klasor.

Prona dihet, shkoi në bisht të sorrës.

Kanuni u shpall kundërvlerë.

f.126

Shqiptari ishte shndërruar në qiraxhi në vend të vet. Nuk ndiente ngrohtësinë e Atdheut. As peshën. Asgjë që peshonte nuk ishte jotja.

Vetë koncepti për atdheun u politizua deri në shëmti. Atdheu tradicional u shpall joatdhe. Atdhe mund të jetë vetëm atdheu socialist. Atdhetarizëm mund të jetë vetëm patriotizmi socialist. Proletarët s’kanë atdhe. A nuk e thotë Manifesti Komunist? Partia mbi të gjitha. Parti gjithë bota!

Ky politizim e tëhuajësoi edhe më Shqipërinë me bijtë e saj.

f.129

A mund të ketë shërbyer Kanuni i Lekë Dukagjinit si frymëzim e si vetëdije morale për shpëtimin e hebrenjëve në Shqipëri?

Në dheun shqiptar hebrenjtë ishin Mik.

Ishin në Besë.

Ishin Ndore.

Ishin fqinj.

Ishin Ndorejetë. Amanet.

Ishin rob Zoti në ditë të ngushtë. Gjaku i secilit syresh ishte i barabartë me gjakun e kujtdo tjetër.

f.133

Besimin fetar shqiptarët e shohin më shumë si çështje shpirtërore dhe më pak si shprehje e vetvetsësisë. Para se me u ndie myslimanë a të krishterë, ndihen shqiptarë.

f.156

Në Shqipëri lufta e klasave kish qenë më vrastare se në Rumaninë e Çaushevskut. Varfëria deri në uri. Mungesa e lirive deri në marrje fryme. Shtypja deri në marrje jete. Megjithatë u shmang urtësisht skenari rumun. Një diktaturë me buzë dhe mjekër që i kullonin gjak, në Tiranë u përmbys pa gjak.

f.161

Tradicionalisht kishat dhe manastiret serbe në Kosovë janë mbikqyrur prej shqiptarëve. Nën pushtimin osman një tullë s’ua preku kush. Mark Krasniqi dëshmon se një ndër këta mbikqyrës njihet pikërisht Isa Boletini. Mbrojtësit e kishave serbe kanë qenë shpallur vojvodë të kishës.

f.165

Edith Durham ka parë se ushtarët serbë këshillonin shoqi-shoqin mos me vra gratë e fëmijët shqiptarë shpejt e shpejt “siç theren delet”, por me i vra ngadalë…Serbët u bënin atyre “prerje të vogla në noçkat e duarve, në bërryla e në qafë, që të zgjaste shumë vdekja…kërcenin përqark viktimave që vdisnin, duke shkërbyer drithmat e tyre të fundit”!

Për të njëjtat skena flet edhe O. Herberti. Ai shton se “nuk ishin të pakta rastet kur serbët kapnin gratë shtazëna, vinin baste nëse fëmija ishte djalë apo vajzë dhe i vrisnin për të parë”.

f.166

Dimitrie Tucoviqi: “Kryengritësit shqiptarë, kur zinin rob oficerë dhe ushtarë serbë, i çarmatosnin dhe i lironin. Ndërsa soldatska serbe s’kursente as fëmijët e shqiptarëve”.

f.180

Sër Edvin Piërs ka treguar pesë cilësitë si tipare të shqiptarëve:

kalorësia, mirësjellja, pavarësisa, toleranca, besnikëria.

f.194

Sipas Ismail Kadaresë

“Kodi zakonor shqiptar, Kanuni, bashkë me poezinë epike gojore, e sidomos me Eposin e Kreshnikëve, bën pjesë natyrshëm në arealin epik evropian, midis Digenis Akritasit, Nibelungut, Këngës së Rolandit, Këngëtimit të Sidit dhe Sagave nordike”.

Aty “sheh klimën e tragjedive të vjetra”.

“Mund të thuhet se është vështirë të gjendet një tjetër jetë që të ndodhet kaq pranë teatrit, sa ajo e përshkruar në kodin zakonor të shqiptarëve. Hijet dhe maskat ngjajnë, dhe kjo nuk është e rastit. Ç’prej mijëra vjetësh shqiptarët kanë qenë në kufi me grekët”.

Mblodhi Bardhyl Selimi, 7 tetor 2015



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx