E premte, 02.05.2025, 07:44 PM (GMT+1)

Kulturë

Pjetër Cara: Mos ma zër diellin!

E hene, 05.10.2015, 06:55 PM


Jetëshkrimi dhe veprimtaria krijuese letrare

e poetit, shkrimtarit, studjuesit dhe kritikut

PJETÊR CARA

Ka lindur në fshatin Perlat Epër të Mirditës në vitin 1939. Pas mbarimit të arsimit pedagogjik ka punuar si mësues Gjuhë-letërsie dhe drejtues në shkollat e vendlindjes. Në vitin 1970, pas mbarimit të shkollës përkatëse, është emruar oficer drejtues në Kufi e më vonë në Polici në sektorin e Edukimit e të Kuaddrit. Gjatë jetës e punës së tij ka shkruar e botuar poezi e tregime, novela e romane, èse e studime të ndryshme letrare. Për rezultate të larta në punë dhe për figurë të pastër morale është dekoruar nga Kuvendi Popullor i republikës së Shqipërisë me “Urdhërin Naim Frashëri, Për ruajtjen e mbrojtjen e Kufirit dhe për Shërbime të shquara shtetërore e shoqërore në fushën e edukimit e të sigurisë”. Veprat e tij ndodhen në Bibliotekën Kombëtare, në bibliotekën e qytetit të Durrësit dhe në bibliotekën e qytetit të Rrëshenit. Kjo veprimtari krijuese përmbledh këto vepra letrare:

 

Vëllime poetike:                              Vëllime në prozë:

*Poezi rinore (1957-1977).                 *U shenb një botë (studime letrare -2008)

*Një këngë e vonuar (1994, 2011)        *Ta lëmë prapa të shkuarën (èse, pamfle- 2011)

*Rrjedhin Ujvarat (2008)                  *Ankthi i lirisë (skica e tregime- 2013)

*Mos ma zër diellin (2011)                            *Dega e thyer (novela- 2013)

*Mos është çmendur koha (2011)                *Zemra të plagosura (roman- 2013)

*Fyelli i bariut (2011)                                      *Rrëfimi i Fatmir Murrizit (roman- 2013)

*Replikë me dashurinë (2011)           *Brengat e jetës (Kujtime e refleksione- 2013)

*Bisedë me poezinë (studime letrare- 2013)

*Prurjet e reja, risi vazhdimësie (studime- 2013)

për zhvillimet letrare.

*Shqiponjat e lirisë (dramë- 1959)

 

Për gjithë këtë veprimtari krijuese, si kontribut i çmuar për pasurimin e letërsisë shqipe, është pranuar në ish LSHASH dhe, me shpërbërjen e saj, tani është antar i klubit të shkrimtarëve e artistëve të qytetit të Durrësit.

 

MOS   MA   ZËR   DIELLIN!

 

Mos ma zër diellin,

se më verbon drita e qirinjëve!

Dhe kur mugëtira e braktis qiellin,

Ai i zgjon ngadal’ ëndrrat e fëmijëve.

 

Mos ma zër diellin,

se nuk ka më ëmbëlsi flladi!

Dhe gëzimet aspak nuk të velin

kur buzqeshjet lozin te plazhi.

 

Mos ma zër diellin,

se end pëlhurën e saj errësira!

Dhe korbat klithmat i mbjellin

në syt’ e dashurisë nëpër rrëpira.

 

Mos ma zër diellin,

se vdes përgjithmon’ ngjyra e klorofilit!

Dhe tingujt e kohës më nuk i vjelim,

as shpirtin s’e deh kënga e bilbilit.

 

Mos ma zër diellin,

se imazhin e së bukurës ma tret!

Dhe sëmundjet vdekjen e ndjellin

kur në vend të ylberit muzgu zbret.

 

Mos ma zër diellin,

se rrugën e ardhmja honeve e humb!

Dhe fara s’ e përgatit më miellin

e jeta të keqen kurrë nuk e mund.

 

Mos ma zër diellin,

se më verbon drita e qirinjëve!

Dhe kur mugëtira e ngrys qiellin,

Ai ngadal’ ëmbëlson gjumin e fëmijëve.


D  Y  Z  I  M  I... 1

 

Ankthi m’ tërhiqte si karremin mbi filispajë

që të mësoja mir’ si krijohet refraktimi,

si vrapojnë hijet atje poshtë në ograjë,

qysh për figurat ndër filma bëhet Dyzimi.

 

Tersllëku i jetës e plotsoi këte boshllëk

me yryshin e ngjitjeve dhe t’ brengave të saja.

Si fantazëm nëpër kohëra me mjaft ustallëk,

ndërgjegjes i ngjitej Dyzimi porsi damllaja.

 

Shpeshherë ai të ledhaton me një buzqeshje

e t’ lanë e të lyen me parfum lëvdatash.

Kur urtsia i kthen shpinën, e shpon me ngërdheshje,

dhe intrigat kakarisin porsi karvan patash.

 

Kujtesa e din që koha nuk peshohet me ar,

veç fytyrën e disave e bën si teneqe

që në mëngjes duket bukur si krishti mbi kalvar,

kurse në dark’ ulurinë si mostër e keqe.

 

Kujdes, ore kujdes, më thon’ njerëzit e mirë!

Ne zvarritemi n’ shekullin e elektronikës,

ku karakteri shfaqet si ylberi n’ zefirë

dhe burrëria po dergjet tek arat e Dikës...!

 

Çudia e mërzitur pëshpëriti tek ura:

sëmundja e Dyzimit ka prekur shumë veta!

Pastaj s’ ka gjë në dalin një apo dy figura,

pas të vjelave përsëri do t’ kujtohet jeta...!

 

1. dyzimi- Prani ose bashkëjetesë e dy sendeve, dukurive  e cilësive që kundërshtojnë e përjashtojnë njëra-tjetrën.


I  M  I  T  I  M  I

 

Je i dashur, je i ëmbël, je i mirë!

I them shpeshherë një miku të vjetër.

Gjithmonë luftove të ishe i lirë

dhe s’ ia ke lën’ asnjë njeriu tjetër.

 

“Mos ma vrugo qeren me tis euforie,

se thyej qafën në mes të sokakëve.

Donin t’ isha dordolec i çdo miqësie

dhe korrier nëpër zyrat e burokratëve.

 

Të mendoja e të flisja si eprori,

të bërtisja e t’ ecja si kryetari.

Por zemrimi në çengel te kraharori

shtegut t’ jetës imitimin seç e vari.

 

Shpesh kokfortësia është gjetur n’ hall

para zgërdhimjes së disa servilëve.

Prisnin mjeranët t’ bëhesha si papagall,

për t’ ua kreh bishtin të gjitha hileve.

 

Por ç’ e do, se virusi i imitimit,

u mbuall zyrave në sfera të larta.

Dhe kalbëzoi rrënjët e gjelbërimit,

duke e vrarë ndershmërin’ me lëngata.

 

Ç’ ma ke shpuar me hosten fort kujtesën

të të them se si kam rendur në rrëpira!

Mbijetesa për lirinë dhe për besën

paska qenë dhe do t’ jet’ më e vështira!

 

P Ë R C J E LL J E...

 

Mënyja e humorit tim sot ishte mërzia,

oreksi s’ i binte fare grepit të urisë.

Pickoheshin midis tyre mendimet e mia,

se nuk i duronin dot hilet e ligësisë.

 

Mos e kruaj me parinë, se ajo të han kokën,

më thoshte me të madhe njëri si më pizeveng.

E po njëqind herë nuk përkulem të puth tokën,

prandaj të dalë ku të dalë, nuk më mbetet peng.

 

Të lutem, ky është kushriri i kushririt tim,

Ka një hall...por nejse, nejse, të vemi te klubi...

Donte t’ ma hante kokën me llokume shoku im

që ndërgjegjja të gdhihej me çizme hajduti.

 

Një syverdhë bënte bilancin e dashurisë:

“Ej, murg, kulloti pak sytë, apo s’ ke dëshirë?”

M’ fal, e kam mbyllur rrubinetin e kënaqsisë,

kështu më urdhëron Hankeja ime e mirë.

 

E ke kokën, si gdhëri i pishave të Shkretës,1

m’ thoshte eprori zevzek kur e gjuaja me shpoti.

Luftova t’ i fshija me pecetën e t’ vërtetës

jargët e intrigantit, se m’ jepnin shum’ alergji.

 

Kështu brodha gërxheve t’ jetës me mirësjellje

nga piramidat deri te shtegu i katundit...

Por a do të mbarojë ndonjëher’ kjo përcjellje?

Patjetër, kur t’ na përcjellin n’ banesën e fundit!


1.         Shkreta (Krujë) – fshat me tradita në pyjet e malësisë së kësaj treve.

 

P Y LL   G A Z E T A SH...!

 

Një diell prej mijëra të vërtetash

te pragu i shekullit vjen për vizitë.

Do të futet në një pyll gazetash

që këtij t’ i japë pakëz dritë...

 

Por mllefet çukitnin të vërtetën,

ashtu si sorrat disa coftira.

Harron kalemi me u marr’ me jetën

e pyllin e mbulon shpejt  vransira...

 

Udhëton ky diell drejt qiellit blu

që t’ ngrihet në horizont sa më lart.

Por ca pelivan’ ashtu kuturu,

vërsulen si shejtàr’ diku në start.

 

E qëllojn’ diellin ta bëjnë trokë

që t’ harlisen arave me stresin...

Harrojn’ se ka njerëz këtu në tokë

që për dritën e tij ata vdesin.

 

Historia larg përtyp mynxyrën

nëpër degët e shpeshta te pylli...

Prit, thot’ dielli, t’ ia ndriçoj fytyrën

që n’ ball të kohës t’ duket si ylli!

 

Po mardhin sythet e zhvillimit

n’ skutat e këtij pylli të gjërë.

Mos e zini vlagën e plehrimit

që dieli t’ ia jap’ dritën të tërë.

 

Ju lutem, as punoni dhe natën,

që pyllin ta rritni më së miri!

Ia prisni përherë krajatën  1

që këte diell ta fusë te gjiri!


1. krajata, ën– degët, shkurret, ferrat, mbeturinat e tepërta që pengojnë dritën.


PËRSE   NA   I   PRISH   VARRET?

 

Sa shumë u tretën të parët tanë

që guri të pushojë në vend të tij!

Erdhën vandalët dhe shkuan e vanë,

por këtu lanë prapa një ves të ri...

 

Urrejtja çirret n’ kujtesën e kohës

për rastet që u ndodhën të parëve.

Kur llahtaria në furin’ e llohës,

me shkelm na prishi gurët e varreve!

 

Tani ndryshime sjell historia,

në zemra vazhdon të fryj’ fllad lirie...

Por doli e kërleshur çmenduria

nga një pyll i shpeshtë prej lajthie.

 

Dhe vuri para t’ mirën e të ligën

me i bër’ kurban për djallin me brirë!

Klithte maje plehut t’ na fuste frikën

dhe varret i prishi atje n’rrëpirë!

 

Mundi i ngriti me thonjë e duar

që aty ku ranë të pushonin paq!

Me qefin dhimbjesh i kemi mbuluar,

gjakun dhe eshtrat i përdorëm për llaç!

 

Me syt’ e tyre shkruam atëherë

fjalët obelisk dhe lapidar.

Që të mos vdesë kujtimi i mjerë,

yjet i ndrisin porsi llampadar’!

 

Përse, or lanet, po na i prish varret?

A s’ e din, lëvrin’ gjaku i një fisi?

Mos të humbi mendja sot te brezaret

që ta çosh hallin atje ku nisi?

 

Shtator   1992.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx