Kulturë
Ilir Muharremi: Arti dhe liria
E diele, 04.10.2015, 07:54 PM
Arti dhe liria
Nga Ilir Muharremi
Nëse artisti përdorë historinë dhe pikturën tregimtare, mund të fitoj vetëm me forma të modernitetit. Të njëjtën gjë që e kishte Shagalli i cili pikturonte fshatin e tij të lindjes përplot histori të vogla. “Ja pra një artist që në kohën e suprematizimit i mbetet besnik pikturës tregimtare” thotë Gerard Garouste. Qëllimi i artit të sotëm është të krijoj dhe fitoj një vlerë të veçantë. E veçanta pajtohet me universalen dhe totalitetin. Piktura nëse varet nga ideja, nuk është e nevojshme të ekzistojë e burgosur në kanavacë, mjaftojnë vetëmjaftueshmëria e saj, qëllimi është të përshkojë botën. Cili artist nuk e dëshiron këtë? Fjala është për shpërndarjen e universalitetit, e jo për propagandë. Nga tejngopja e gërmadhave tradicionale piktorike, nga rregullat e vjetra, artisti është i obliguar ta kërkojë lirinë. Dora që spërkat shpirtin në telajo vetëm përmes kësaj force mund të kalon mbi krijim. Shagalli fatkeqësisht nuk ka kapërcyer dhe nuk ka krijuar asgjë të re. Mbështetje gjeti tek figura, i lidhur pas subjektit ose përrallave. “Në pikëpamjen time është koncepti i origjinës që organizon formën” thotë Garouste. Ky mendim i tij na kthen tek burimet e së shkuarës veçanërisht religjioze për të cilat ka respekt të madh. Por, krijimi kundër reales bëhet i dyshimtë për tentimin e revolucionit totalitar. Tendenca e çdo artisti është të krijoj dialog ndërmjet veprës dhe vështruesit. Lëvizja dhe loja, ose çlirim dhe pranimi tentojnë përmes ndeshjes të shmangin realen. Kontestimi shtë i madh ndaj reales, por arti prapë nuk ikën nga ajo. Eduard Hoper e fuqizon imazhin real kur thotë: “Ndoshta kam pikturuar vetminë e një qyteti të madh”. Skena këtu është e gjallë vitrinat janë transparente dhe dritaret të cilat nuk e lejojnë spektatorin të shohë ç’ndodh përtej. Ky imazh fotografik nga gjetja reale në artistiken nxjerrë bashkëveprimin dhe përcaktimin nga vështruesi. Artisti nuk është krijues në këtë rast, por i vëmendshëm. Por, artisti përsonalizon jetën e jashtme me atë brendshme, nuk tejkalon asgjë, vetëm rrëshqet mbi të bukurën. “Arti i madh është mjet i jashtëm i shprehjes së jetës së brendshme të artistit” thotë Hoper duke e personalizuar vizionin. Mirëpo a ekziston ndonjë botë jo personale? Ajo botë vdesë pa u vërejtur. Në momentin kur personalizohet absorbon nga e brendshmja në të jashtmen. Artisti nuk ka për qëllim afrimin e shëmtisë totale, por lartësimin e së bukurës. E bukura lartësohet kur refuzohet realja, ndonëse jo totalisht vetëm disa aspekte këtu hyjnë në lartësim. Nëse mediokriteti do ta shprehte monotoninë, artisti obligohet përmes imagjinatës dhe memories ta bëjë këtë më poetike, romantike dhe filozofike.
Nëse arti shtyn forcën drejtë pafundësisë, më konkrete është ideja për të sesa gjetja e kësaj pafundësie, ndonëse mungon fillimi i përcaktuar. Nëse piktorët jetonin me të dukshmen në tokë, e padukshmja qe prezentë pafundësisht. Nuk e kam për qëllim ta dërgojmë idenë në abstrakt, por t’i lëmë hapësirë pavetëdijes e cila vepron nën rregullat e fatit. As këtu nuk mund ta përcaktojmë të vërtetën e pavetëdijshme të themi se e kemi kapur esencën. Ndryshimi për të ndodh në çdo sekondë, derisa arrin te dora dhe plasimi. Kjo rrugë më shumë i jep mundësi momentit të nxjerrë një përcaktim për të vërtetën që ndodh në çdo çast brenda ndryshueshmërisë. “Arti është imazh i krijimit” bërtet Paul Kle. Arti është imazh i kuptimit të formësimit dhe funksionit i quajtur krijim. Në anën tjetër Kandisky pohon: “Vepra e artit lind nga artisti”. Vepra e artit kuptohet në formë intime personale nga artisti dhe distancohet përmes teknikës së veçantë të tij. Kandikskyn do ta veçoja për arsye se veprën e shkëput nga artisti si mjet të pavarur, por subjekt të gjallë ekzistencial dhe real. Ajo tanimë merr formë vetvetiu. Ajo nuk krijohet siç jemi mësuar nga mjeshtrit e mëdhenj, por jetësohet. A mund të ekzistojë një vepër arti që nuk është në marrëdhënie me natyrën ose më brendësinë e vetë artistit? Veprën e artit ne e gjejmë nuk e krijojmë, ajo ndodhet gjithkund në hapësirë, në kozmos. Çdo riprodhim nuancash, formash, vijash, subjektesh na shpie në pafundësi. “Rikthehemi te natyra” këshillon Ogyst Herben. Të rikthehemi ashtu si duam ne e jo si imponon ligji i natyrës. Mbetemi gjithmonë nën kufijtë e natyrës. Bëjmë kombinime nga e brendshmja në të jashtmen ose e kundërta. Nëse rikthemi te Sezani kemi interpretimin e jashtëm të natyrës me vëllime gjeometrike. Ndërsa, Van Goghu rënkon për ngjyrën e natyrës dhe i kthehet ashtu si do ai. Kështu arti në shpie në një luftë të dhimbshme me qëllim të arritjes se mjeshtërisë së natyrës. Vepra këtu na del si shprehje e një realiteti të pastër. Realitet mes dy kombinimesh. Piktorët harrojnë se origjina e artit është tek ndjenja. Në vitet e ’40-ta forca për kapërcimin e pikturës, skulpturës, poezisë dhe muzikës nuk mungonte. Kërkesa qe te arti në akord sepse risi shpirtërore qe kjo. Estetika e lëvizjes shkatërron imazhin e vjetër statik. Këto vite sollën unitetin në art. Qëllimi ishte në unitet fiziko-psikik.
Nëse piktura është një gjeometri e pastër siç thoshte Bissiere, atëherë edhe ndjenja është një gjeometri e pastër. Ndjenja kalon përmes përcaktimit të idesë dhe mendjes. Nëse tentojmë ta paraqesim përmes dorës direkt ndjenjën, nuk kemi fare logjik këtu. Krijuesi i sinqertë nuk mund ta planifikoj si arkitekti rrugën e krijimit dhe përfundimin me planifikim. “Dora duhet të lëviz drejt së panjohurës” thotë Bissiere duke u kujdesur për ruajtjen e ndjenjës nga kërcënimi i rrezikut të greminës. Ndonjëherë piktori është në të gjitha veprat e tij. Nëse Matisi emocionin e paraqiste drejtpërdrejtë në vizatim, ajo qe e mundshme vetëm nëpër mjetit më të thjeshtë. Matisi është më logjik kur thotë: “Për ta çliruar të bukurën, natyroren, unë studioj shumë përpara se të bëjë një vizatim me penë”. E bukura qëndron jashtë historisë, ose historia transformohet në bukurinë. Matisi vetëdijeson të bukurën me intimitetin e gjendjes shpirtërore të tij. Modelet që i përdorë tenton t’i çlirojë ta pushojnë e më pas bëhet skllav i tyre. Bëhet fjalë për rrëmbim nga modeli te krijuesi. Në të njëjtën kohë ndjejnë absorbim. Në këtë liri vet piktori e kufizon. Arti i tij bëhet shumë mekanik dhe merr fund kur bëhet proces logjik sikur ndërtimi i një shtëpie. Nga vjetërsia e këtij objekti kemi monotoninë dhe përtesën për t’ju kthyer prapë. As Matisi nuk mundi ta ndaloj forcën e të imituarit kur thotë: “Arti imiton natyrën” për të vazhduar “ me karakterin jetësor që i përçon veprës së artit puna krijuese”. Imitimi këtu është më shumë rikrijim sepse jeshilja nuk është jeshile për barin e as bluja për qiellin. Intensiteti emocional ngritë kontrollin. Në anën tjetër skulptori Brancusi arritjen e sensit real të gjërave e mbërrin vetëm nga thjeshtësia. Ky guxim për përcaktim real është vetëm në dukje, në formë, në pjesë të jashtme. Nëse forma e jashtme nuk është e vërteta, atëherë si vërtetohet thelbi pa formën e jashtme? Imitimi sipas këtij skulptori është i mangët sepse ndodh vetëm në sipërfaqe të jashtme të sendeve. A duhet hequr forcën e të imituarit? “Të shohësh është një gjë, të shkosh atje është një gjë tjetër”, supozon ky skulptor. Nëse e shikon, nuk e kupon saktësisht esencën nga çasti në çast sepse ndryshon në vete, poashtu edhe perceptimi për të. Nëse shkojmë atje, prapë ndryshon për të treguar saktësisht se çfarë ishte në të vërtetë ajo atje. Nëse përpiqemi të polemizojmë veprën e artit, ose krijuesi ta shpjegon ndjenjën, mund ta deformojmë mendimin, dëshirën dhe ndjeshmërinë. Këtu paksa tingëllon paralajmërimi i artit abstrakt. Kur them abstrakt nuk mund ta përkufizojmë tamam ashtu, sepse ka formë dhe pikënisje. Ndoshta mund të pajtohemi me mendimin e piktorëve të zhurmave të rrejshme të artit abstrakt të cilët vërtetojnë këtë gjë me braktisjen absolute të imitimit dhe deformimit të formave të natyrës. Nuk është fjala për deformim, por refuzim të botës së jashtme. Qëllimi është nga vetëlindja dhe varshmëria nga vet ne, tek gjurmët e fshehura. Kur thuhet gjurmët, mendohet të krijuara për tu vërejtur dhe për tu ringjallur në vepër arti. Kjo është vetëkuptim e jo krijim. Këtu ngecin mendimet e piktorëve abstrakt. “Një peizazh , mund të na mohojë” shprehet Kamy. Nuk ndodh për shkak armiqësisë ndaj neve, por për arsye të ndryshueshmërisë dhe çdo gur mund edhe të jetë i huaj. Çdo peizazh në vështrim, është në radhë të parë i brendshëm.
Ekspresionizmi abstrakt nuk nxori ndonjë teori, program ose manifest, por e vuri në lojë gjithë qenien. Njerëzit shpesh prodhojnë edhe çnjerëzoren. Momentet e vërtetojnë këtë. Veprimet e tyre mekanike në çaste qartësie bëjnë nganjëherë edhe gjeste idiote shpesh edhe të pakuptimta. Kjo rrjedh nga pafajësia. “Unë më tepër se t’i ilustroj, dua t’i shprehë ndjenjat e mia”, thotë Pollock. Kjo përballje direkt me të jashtmen ruan deri në një shkallë origjinalitetin e ndjenjës. Qëllimi ishte të krijohet veprimi e jo imazhi.