E shtune, 03.05.2025, 08:49 AM (GMT+1)

Kulturë

Tefik Selimi: Frymëzime të bukura artistike e poetike

E hene, 28.09.2015, 07:45 PM


Një vepër me frymëzime të bukura artistike e poetike ...

Nga Tefik Selimi

Elhame Gjyrevci është poete nga fshati Vragoli, komuna e Fushë Kosovës. Ajo tani jeton si e mërguar në Danimarkë. Me hartimin e poezive është marrër qysh nga një moshë fare e njomë, si fëmijë. Ajo, si e re, pati një dashuri të madhe në leximin e veprave letrare. Ajo me kohë i ka lexuar disa nga shkrimtarët tanë shqiptarë, si: Ali Podrimjen, Rexhep Hoxhën, A. Huruglicën, V. Kikajn, R. Kukajn, I. Kadarenë e shumë të tjerë. Sa ishte Elhamja në shkollën fillore, hartimet e saja ishin plot figura fjalësh, por edhe plot figura mendimesh. Shih për këtë “dhunti” arti, ajo pak më vonë botoi dy vepra letrare, si: “Fjala e mirë” (poezi) dhe  vepra e dytë “Kokomilo” (tregime). Elhame Gjyrevci është e lindur më 1960 në fshatin Vragoli të Fushë Kosovës. Ajo, në vitin 1991, për shkaqe ekonomike, mërgoi në Danimarkë. Siç dihet, kohës së fundit, kjo poete ka bërë emër në jetën letrare. Është një zë që po reflekton në artin letrar. Ajo (Elhamja), nga fëmijëria hyri në botën  magjike të shkruajë poezi e tregime. Ndonëse larg vendlindjes, ajo nuk e harroi familjen, vendlindjen, shkollën, Kosovën etj. Ajo pak ditë më parë botoi përmbledhjen e parë me vargje “Fjala e mirë”, e cila vepër është një “tufë” pozish me motive të ndryshme. Vepra e saj është një margaritar në krijimtarinë letrare. Siç vërehet, kjo poete ka hyrë me ngulmë në vargun magjik të poezisë. Andaj, poezia e saj është plot vrull poetik, e cila reflekton kah një poezi e çiltërt me imazhe të bukura artistike. Janë këto poezi që dalin nga frymëzimet e saja të thella poetike. Vepra fillon me poezinë “Kënga e lirisë”. Është kjo një poezi simbolike. A ka më bukur se ti këndosh lirisë?! Kjo është hyrja e veprës. Një poezi program. Pse jo? Ajo këndon: ”Sikur të isha flutur a zog/ dhe të fluturoja/ atje ku më pëlqen mua/ do të shkoja/ degë më degë/ do të bëja jetë/ çerdhen do ta ndërtoja/ atje ku unë dua vetë/ (f.5). Kjo është poezi e dhimbshme dhe të përkujton vargun e F. Shirokës, i cili qau për vendlindjen, Shkodrën, të cilën shumë kohë nuk e kishte parë. Po kështu, autorja e veprës, duke jetuar në Danimarkë, sikur e kaplon malli e zjarri shpirtëror për Shqipërinë, e cila shton: “Kjo zemër më këndon/, për ty, o Shqipëri/ por prapë me lëngon/ kur të shoh në varfëri” f.9). Pra, këtu është dashuria për atdheun, Shqipërinë mëmë. Po këtë dashuri e shfaq edhe për heroin tonë kombëtar, Skënderbeun, dhe shton: “Lufta jote kurrë s’do të harrohet/ nëpër shekuj do të kujtohet”f.10). Apo: “Flamuri ynë me dy ngjyra/ nga të parët na ka mbet”/ i kuq ish gjaku i tyre/ Shqiponja ata vetë” (f.11). Autorja në fjalë shkruan poezi edhe për trimat e lirisë, për pavarësinë, për Amerikën, për Shqipërinë, për Kosovën me zemër të madhe, për vdekjen e presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova, për shqiponjën, Prishtinën, për Ulqinin, për femrën arbëreshe, festën e lirisë, për odat shqiptare, për gjuhën tonë, për fjalën e mirë, për dallëndyshet, për vendin e huaj, për vendlindjen, për varret, për të shtrenjtën nënë, për shkollat, për vëllaun, motrën, për krishterët dhe myslimanët, për dashurinë e jetës, për të bukurën kosovare, për mësuesin, për  dashurinë e parë, por ka shkruar edhe për xhelozinë, gëzimin, mjerimin, vetminë, buzëqeshjen, për librin, për  pëllumbin e bardhë e të tjera motive. Për Kosovën, ajo shprehet zëshëm e plot vrull dashurie, kur shton: “Sa të dua Kosovë/ sa mall ndjej për ty/ s’ka kund në botë/ vend më të  bukur se ti” (f.12). Poetja,  E. Gjyrevci, sikur të  gjithë njerëzit që u gëzuan për pavarësinë e Kosovës, më 2008, edhe kjo ndjeu gëzim dhe, ja si këndoi: “Të erdhi dita/ Kosovë/ Pavarësinë/ Ta festosh dhe  ti/ Me këngë e  valle/ Me flamur si një shtet i ri”(f.14). Për Amerikën, vendin më madh mik, poetja këndon fjalë miradije, ku thotë: “Me ndihmën tënde, Amerikë/ Edhe ne po gëzojmë liri!”(f.15).  Poezia e kësaj poeteshe është e ndikuar nga vargjet e shkrimtarëve tanë, si nga Naimi, V. Pasha, F. Shiroka etj. Poezia e saj “Shqipëri, ëndrra ime”, poetja shton: “Nëpër rrugë me makinë/ në mend më binin vargjet e Naimit/ sa bukur e këndoi Shqipërinë” (f.16). Duke lexuar veprën e E. Gjyrevci “Fjala e mirë”, s’ka si t’mos vërehet qartë vargu popullor, që tingëllon bukur dhe ka artikulim joshës. Ja si shton në poezinë “Kosovë me zemër të madhe”: “Ah, Kosovë e vogël je/ zemrën e madhe ti e ke/ si zambak ke dalë mbi dhe...” (f.17). Këtu autorja vajton e qan se ka ikur larg atdheut dhe ka shkuar në vend të huaj, ku thotë se:  “... asgjë të lumtur s’kam përjetuar/, porse Kosovë kurrë s’të harroj/ lotët më rrjedhin kur të kuptoj” ( f.17). Edhe vitin e vdekjes së Presidentit historik dr. Ibrahim Rugova, E. Gjyrevci nuk e harron, se ishte muaji janar, muaji i zisë. Pse jo? Kjo datë nga askush nuk do të duhej të harrohet. Poetja, këndon: “President Rugova/ të respektuan bota mbarë/ por më së shumti të deshi/ e të respektoi/ populli shqiptar” (f.18). Kjo poete që jeton larg, në Danimarkë, ngjarjet e luftës së fundit të vitit 1999 nuk i ka harruar, por ato i përkujton, si nënat tona, të cilat i humbën fëmijët e tyre gjatë luftës. Kjo është dhembja më e rëndë e tyre në jetë. Nuk ka më dhimbshëm se fëmijët që janë vrarë e janë masakruar nga dora e zezë serbe. Ajo shton: “E kur pranvera vjen/ fëmijët lozin në livadh/ ajo vajton ditën dhe natën/ lotët i rrjedhin pa u ndalë” (f.26). Po fjalë të ëmbla ka për nënat tona, të cilat janë të bukura e trimëresha. Ajo shton: “Ti moj nënë shqiptare/ ti moj trimëreshë/ bukurinë që ta fali Zoti/ porsi një hyjneshë” (f.27). Kjo poete di të ngre zërin e kushtrimit dhe e fton popullin për fitoren e Kosovës, dhe shton: “Çohuni, o burra, o sot o kurrë/ për Kosovë e për flamur/ e punoni natë e ditë/ që Kosova të dalë në dritë” (f.31). Te kjo vepër poetike e E. Gjyrevci ka “fërkime” nga kënga popullore. Zatën, kjo “formë” nuk ia zbret vlerën poezisë së saj, por, përkundrazi, ia shton “joshësinë” më bukur. Ja si tingëllon vargu i saj: “Mi ke flokët si valë deti/ syri yt si ngjyrë qielli/ shtat të gjatë e bel hollë/ shumë e bukur, arbëreshja jonë” (f.34). Kjo poezi është e tëra  nën hijen e vargut popullor. Shqipërinë dhe Kosovën, poetja e sheh si një trung të pandarë. Ajo është e lidhur me te dy pjesë të shqiptarisë, dhe  shton: “Jetën e kam të lidhur/ për ty, oj Kosovë/ Shqipërinë s’e harroj dot/ se ajo ëshë nëna jonë”(f.35). Në këtë veprë të Elhame Gjyrevcit hetojmë edhe ndikime nga poetët tanë të medhenj. Tek poezia “Nëna sokoleshë”, poetja shton: “Nënë, moj mbaj zi/ djali yt ra për liri/ nuk e deshi robërinë/ mbrojti nënat sokolesha/ që lidën trima e trimëresha” (f.39). Kjo poezi të përkujton poezinë e Nolit, “Anës së lumenjve”. Edhe vargu i V. Pashë Shkodranit tingëllojnë në veprën e  kësaj poeteshe. Në poezinë “Vasha shqiptare”, poetja, shton: “E, sot, moj Shqipëri, e mjera Shqipëri/ Vashat tua po i blejnë shkijet/ ndër shqiptarë s’ka qenë adet/ të shitet vasha për ca lektë” (f.80). Këtë fenomen tronditës e tragjik e paraqet poetja, Elhame, e cila, si thotë, “nuk ka ma zi për këta baballarë/ që i shesin vashat e tyre për shkja”. Po ashtu, para kohës së luftës, shërbimi sekret serb i pati helmuar shkollarët tanë, e cila “ngjarje” i preku gjer në palcë jo vetëm nënat, por edhe prindërit tanë. Ajo ngre zërin e protestës dhe shton: ”Mos harroni të gjitha që shkjau i bëri/ vetëm se ne ishim gjak i pastër shqiptari”(f.51). Kjo është poezi prekëse dhe e dhimbshme.  Pra, është poezi e dhimbshme për një kohë të rëndë, të cilën e ka përjetuar populli ynë shqiptar. Po ashtu, fundi i veprës autorja na del si një “mësuese” e urtë, fjalë ëmbël e përgëdhelëse. Ajo pajtohet të jetë njeriu i mirë, i cili duhet të  reflektojë tek secili njeri që ta ketë zemrën e butë, me kulturë dhe ka fjalë të mira, e cili “mjet - fjala” nuk hahet, nuk pihet, por as nuk ka presje e as pikë, por dëgjohet dhe njerëzit i bashkon për jetë të jetës. Poezia e E. Gjyrevcit  e “prek” vargun e  F. Shirokës dhe, ja si shtonë autorja: “Fluturo dallëndyshe”: “Mbi ato male/ e ato shkrepa/ fluturo dallëndyshe/ në ato vende të shkreta”. Apo: “Fluturo e fluturo/ shko atje larg/ me nxitim/ se atje është vendi im”(f.64). Poetja në fjalë e ka trajtuar mjaft mirë edhe plagën e mërgimit. Ja si ia thotë vargu i saj: “Kthehuni, o vëllazër këtu/ në vendin tonë të punojmë/ atdheutn tonë ta lulëzojmë”(f.65). Apo: “Larg shumë larg jemi/ këtu në vend të huaj/ a thua kur do të kthehemi/ në Kosovë për të jetuar!”(f.68). Në këtë vepër poetike dallone disa nga poezitë që tingëllojnë bukur, si: “Vala e detit”, “Vajzë e bukur”, Të dua djalë” e disa të tjera. Ndërsa, poezitë që janë  të ndikuara nga letërsia popullore, janë: “Fustanbardhja”, Ku të duash ti”, “Prilli”, “Vjeshta” etj. Vepra poetike e E. Gjyrevcit është e “përzier” me poezi për të  rritur, por edhe për fëmijë. Megjithatë, është një vepër që lë gjurmë në artin letrar.



(Vota: 2 . Mesatare: 1.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx