E premte, 17.05.2024, 10:03 PM (GMT+1)

Kulturë

Fran Gjoka: Kur ke atdheun, ke gjithçka

E diele, 04.10.2015, 07:43 PM


KUR KE ATDHEUN, KE GJITHÇKA

Me atdhetarin, leksikografin dhe poetin  Sadulla Zendeli-Daja që jeton prej 50 vitesh në Suedi

Nga Fran Gjoka

Z. Sadulla, ju përshëndes dhe ju uroj jetë të gjatë dhe mbarësi në punët atdhetare dhe shkrimore. Nisur nga fakti që kohët e fundit në libraritë e Tiranës ka dalë libri monografik “Ju dua më shumë se veten”, kushtuar jetës dhe aktivitetit tuaj atdhetar e shkrimor në Suedi, mendova t`ju drejtohem me disa pyetje për të mësuar më shumë për jetën dhe aktivitetin tuaj.

Si fillim dëshiroj të di se si e keni pritur librin “Ju dua më shumë se veten”, që shkrimtari ynë i njohur Viron Kona, ua ka kushtuar juve me rastin e 80-vjetorit të lindjes?

-Ju falënderoj për intervistën. Viti 2015 që është në vazhdim, për mua ka qenë një vit jubilar jo vetëm se u bëra 80 vjeç, por edhe sepse pata disa gëzime të veçanta që përbëjnë ngjarje të rëndësishme  të jetës, aktivitetit tim atdhetar dhe krijues. Njëra ngjarje ka qenë më e bukur se tjetra. Pasi shtëpia e nderuar botuese Toena, botoj në vitin 2014 fjalorin tim shqip-suedisht me 35 mijë fjalë, për të cilin punova rreth tetë vjet, në vazhdim, përurimi i parë u bë në Tiranë, vijoi atë  vit në Gostivar, kurse gjatë vitit 2015 ky fjalor madhor u përurua edhe në disa qytete të Suedisë. Gjatë vitit 2015 përjetova ngjarjen më të bukur të jetës sime, vendlindja ime, Gostivari, me rastin e 80 –vjetorit tim, më vlerësojë me titullin e lartë “Qytetar nderi” i Gostivarit. Ndërkaq një tjetër trëndafil i mrekullueshëm zbukuroi buqetën e  gëzimeve të mia, libri monografi “Ju dua më shumë se veten”, që më dedikoi shkrimtari i njohur shqiptar Viron Kona. Dëshiroj t`ju them seky libër, është  jo vetëm një vlerësim i lartë i punës sime atdhetare, ashtu dhe i krijimtarisë sime shumë vjeçare, por edhe një gëzim i rrallë që i dha më shumë vlerë jetës sime, më dha fuqi të jashtëzakonshme për të vijuar me pasion, durim dhe energji të reja punën time atdhetare dhe krijuese.

Libri është një shpërblim i madh që u bëhet mundimeve dhe përpjekjeve të mia. Duke përfituar nga rasti e falënderoj shkrimtarin shqiptarë Viron Kona për punën e madhe frymëzuese  dhe të kujdesshme që ka bërë. Ai ka shkruar një libër voluminoz, ndërkohë që mënyra se si e ka mbledhur,përpunuar dhe organizuar materialin e gjerë,mund të them se është mjaft  e lavdërueshme dhe meriton vlerësime dhe falënderime të shumta. Ndërkaq, punës së madhe voluminoze dhe cilësore të Viron Konës, i janëbashkuar në libër edhe mjaft artikuj përshëndetës nga shumë miq e të njohur nga Shqipëria, Kosova, Gostivari, Suedia etj., të cilët i falënderoj nga thellësia e zemrës, duke iu uruar shëndet, mbarësi dhe lumturi të kenë gjithnjë në jetën dhe punët e tyre të mëdha krijuese dhe atdhetare.

Shkrimtari shqiptar, shkruan me shumë dashuri dhe respekt për jetën tuaj atdhetare dhe aktivitetin tuaj në fushën e arsimit dhe krijimtarisë në prozë dhe asaj poetike. Mendoni se, ai, duke jetuar në Tiranë dhe ju në Suedi,  e ka krijuar të plotë njohjen ndaj jush për të shkruar atë libër monografi?

-Lidhur me faktin se si ia ka arritur Viron Kona të realizoj të plotë dhe të merituar veprën e tij “Ju dua më shumë se veten”, them se përgjigja i takon në radhë të parë atij. Për sa më përket mua, vlerësoj maksimalisht librin që ai ka shkruar, duke veçuar përpjekjet e mëdha që ai ka bërë, që, ndonëse larg meje, ka ditur t`i materializojë me aftësitë dhe zotësitë e tija krijuese, por edhe me shfletimet e shumta për jetëshkrimin dhe veprën time, duke treguar durim dhe këmbëngulje për t`i shkuar deri në fund dhe i nderuar punës së nisur nga vet ai. Jam takuar shpesh herë me Vironin në Tiranë, kemi ndenjur orë të tëra duke bashkëbiseduar lirshëm,unë duke kuptuar jo se ai po bënte një libër,por sepse dëshironte të shkruante artikuj rreth aktivitetit tim. Më ka emocionuar shumë puna e tij.Ndërkohë,Viron Kona,duke qenë i ftuar disa herë në Suedi si shkrimtar i njohur edhe atje, ka qenë për vizitë tek unë në ujdhesën Ëland në Suedi, atje  ku unë jetoj dhe krijoj për më se 50 vitesh. Them se për një njëri me energjitë  dhe pasionin që ka Viron Kona, periudha  e njohjes sime nga ana  e tij, ka qenë e mjaftueshme për ta realizuar librin “Ju dua më shumë se veten”, i cili mua më bën krenar, më nderon dhe më emocionon.

Në libër shkruhet se ju keni punuar gjatë gjithë periudhës prej 50 vjetësh në vendin nordik, duke qenë një person shumë aktiv në hapjen dhe funksionimin e shkollave shqipe në Suedi, ashtu dhe një krijues i suksesshëm në fushën e prozës dhe poezisë. A mund të na bëni një panoramë të shkurtër rreth aktivitetit tuaj atdhetar, arsimor dhe shkrimor?

-Kam lindur në Sërmnovë të Gostivarit më 3 qershor 1935. Shkollën fillore e kam kryer në vendlindje, ndërsa tetëvjeçaren në Vrapçisht të Gostivarit. Gjimnazin (dega e ekonomisë) e fillova në Gostivar  dhe e vazhdova në Strumicë - shkollë, profesionale për drejtor kooperative. Kreva, gjithashtu, edhe shkollën politike njëvjeçare në Shkup. Në vendlindje kam punuar drejtor kooperative dhe llogaritar financier në Sipërmarrjen  e Hekurudhës, Shkup, dega në Gostivar. Si intelektual,kam nisur që herrët aktivitetin atdhetar, duke iu kundërvënë në mënyra të ndryshme pushtetit të atëhershëm komunist në ish Jugosllavi. Aktiviteti im u bë halë në sy të regjimit të asaj periudhe famëkeqe rankoviçiane, i cili nisi të më përndjek në mënyra të ndryshme,por edhe duke ma vështirësuar jetesën, deri duke ma bërë të pamundur më tej qëndrimin në Gostivar.Ishin kushtet e rënda dhe presionet sllavo komuniste serbe që më detyruan që më  28 nëntor 1966, të mërgojë në Suedi.

Që në fillim më duhet të them se në Suedi gjeta besimin tek ëndrrat e mia për  arsim e kulturë, gjeta mbështetjen për  lirinë e shumëkërkuar të bashkëkombësve të mi shqiptarë. Fillimisht kreva kursin paraprak të gjuhës suedeze e, në vazhdim, arrita të diplomohem  për shkencat filozofike në Universitetin e Upsallës, njëri ndër universitetet e njohura të botës.Studiova dy vjet gjuhën shqipe në Universitetin e Sofjes, dega e Albanologjisë, duke pasur  shef të katedrës albanologjike profesorin e shquar Thoma Kacorri. Më pas kreva shkollën e lartë të bibliotekave në qytetin Boras dhe punova shef i bibliotekave të shkollave në qytetin Nybro. Gjatë kësaj periudhe u angazhova për hapjen e shkollës shqipe dhe, që nga 5 marsi i vitit 1975 nisa të punojë arsimtar i gjuhës shqipe në Nybro me 12 nxënës. Aty pata nderin të isha ndër të parët mësues të gjuhës amtare në Skandinavi, në këtë vend me liri dhe demokraci si rrallë tjetër vend në botë. Ndoqa rrugën e mësuesisë, duke pasur si lajtmotiv në radhë të parë arsimimin e fëmijëve të emigrantëve shqiptarë të ardhur në Suedi për mbijetesë dhe për një jetë më të mirë. Hapa shkollën e parë  shqipe edhe në Emmaboda me 5 nxënës dhe në Kalmar me 10 nxënës. Në komunën Nybro, përveç  shkollës shqipe, me bashkatdhetarët formuan shoqatën e parë shqiptare me emrin “Ilirida”. Në ishullin Ëland, ku banoj, kam hapur  një restorantin me emrin “Shqiponja”, në ballë të të cilit kam vendosur dukshëm dy flamuj: njëri i Shqipërisë dhe tjetri i Kosovës. Shqiponja u qëndron të dyve mbi krye, shqiponja e lirisë.

Për sa i përket veprës dhe krijimtarisë sime,ajo është e gjerë:së pari, në fushën e atdhetarisë, duke qenë vazhdimisht aktiv dhe pjesëmarrës në  tubimet e shpeshta të mërgimtarëve shqiptarë në mjaft qytete të Suedisë, por edhe në diasporë së bashku me djemtë e mi, të cilët më kanë shoqëruar vazhdimisht, duke qenë përkrah meje sidomos  në demonstratat për lirinë e Kosovës. Së dyti, në fushën e arsimit, ku veçon puna ime si mësues i së parës shkollë shqipe  në qytetetsuedeze Nybro, Emmaboda dhe Kalmar.Së treti,është puna ime e gjerë leksikografike,si dhe ajo në prozë dhe poetike. Është vlerësuar veçanërisht puna e madhe këmbëngulëse për hartimin e  katër fjalorëve shqip - suedisht dhe suedisht – shqip, ashtu dhe shumë librave në prozë dhe poetike e botuar në Shqipëri, Rumani, Kosovë dhe Suedi.Nga librat në prozë poezi mund të përmend: “Ditari i dhimbjeve”, “Ditari i kujtimeve të paharruara”, “Moj e dashura Arbëri”, “Gostivari në zemrën time”, Punimi me titull: Historia e shqiptarëve nga viti 600 p e deri më 1973, ku spikatin: “Vjeshta e përgjakur”, “Gurra e Shën Milit”, “Drejt Gostivarit”, “Tmerri i Vardarit”, “Ditë mortore  për shqiptarët”, etj. Kam në prag botimi fjalorin Shqip-Suedisht dhe Suedisht-Shqip për shkollën fillore dhe të mesme etj., si dhe librin e titulluar “Ringjallja e Arbërisë”, që shpresoj ta përuroj në panairin e këtij viti në Tiranë.

-Do  të vini në panairin e librit këtë vit?

-Po, unë kam ardhur në të gjithë panairet e librit në Tiranë. Kam munguar vetëm një herë sepse më ka penguar gjendja jo e mirë shëndetësore. Sa herë kam ardhur, kam ndjerë kënaqësi, pasi kam vënë re rritje të dukshme të vlerave të librit. Është bukur kur shikoj  që njerëzit në Shqipëri e konsiderojnë panairin e  librit ndër ngjarjet më të bukura të vitit.

Gjithë jetën keni punuar për përhapjen dhe konsolidimin e gjuhës shqipe në shkollat suedeze, madje jeni iniciatori për nisjen e mësimit të gjuhës shqipe të fëmijëve të bashkëkombësve shqiptarë në Suedi. Mund të na thoni diçka për këtë nismë dhe realizimin e saj?

Kur shqiptarët shkonin në emigrim nga ish Jugosllavia, serbi nuk u ndahej, u qepej dhe donte të vihej gjithnjë në krye, donte rolin e çobanit. Në qytetin suedez Nybro shkollë shqipe të regjistruar nuk kishte. Kishte shkolla për të huaj. Fatkeqësisht fëmijët shqiptarë ishin të regjistruar në shkolla të ashtuquajtura shkolla serbo-kroate, ku merrnin pjesë fëmijët e nacionaliteteve: serb, kroat, maqedonas, bosan, arixhi etj. Kjo ndodhte se pasaportat e tyre mbanin shtetësi jugosllave. Në Suedi unë pashë se shpirti i bashkatdhetarëve ish i etur për gjuhën dhe kulturën e tij të trashëguar brez pas brezi nga të parët tanë. Atëherë zgjodha nga bashkatdhetarët tre persona, që do të kërkonin hapjen e shkollës shqipe në qytetin Nybro, dy persona në qytetin Emmaboda, dhe dy persona të tjerë në qytetin Kalmar.Në Nybro kishte më shumë nxënës shqiptarë që merrnin pjesë në shkollën jugosllave. Pas bisedës me Drejtorin e Seksionit të Arsimit në Nybro zotin Harald Magnusson, ai ra dakord që katër drejtorët e shkollave nëntëvjeçare të mblidheshin në klasën e arsimtarit serb dhe të bisedohej me nxënësit  shqiptarë sa e zotëronin gjuhën serbokroate dhe sa atë shqipe. Në këtë mbledhje duhej të merrja pjesë edhe unë. Filloi mbledhja në prezencën e nxënësve të shkollës jugosllave, ku merrnin pjesë tetë nxënës shqiptarë. Zoti Harald Magnusson urdhëroi arsimtarin e gjuhës serbokroate të bisedonte dhe të pyeste fëmijët shqiptarë: Sa ata dinin gjuhën serbokroate dhe sa atë shqipe? Arsimtari serb pyeti një nxënës shqiptar:“-Kakosi ljepi Lulzime!” (Si je, bukurosh Lulzim!).- “Nuk di!”-u përgjigj ai shqip. Pyeti edhe një vajzë, edhe ajo iu përgjigj: “-Nuk di”.Arsimtari serb i tha drejtorit se këta nxënës vijnë nga Kosova dhe kanë një dialekt tjetër të serbokroatishtes, kurse ne i kemi në klasë që tua mësojmë gjuhën letrare serbokroate. Unë  rrija i qetë, sepse i njihja mashtrimet e serbëve. Fëmijët që ishin nxënës në atë klasë, ishin bijë emigrantësh të ardhur nga Struga, Ohri, Gostivari,  Tetova dhe Kosova. Drejtori Harald Magnusson m`u drejtua mua:

-Ju zoti bibliotekist, bisedoni shqip me fëmijët shqiptarë!

Shihja gjatë gjithë kohës fëmijët në klasë se si reagonin dhe iu drejtova me një përplasje duarsh që t`i zgjojë se m`u dukën sikur flinin në mendimet e tyre fëmijërore. Të gjithë drejtuan vështrimet nga unë.

-“Unë jam shqiptar dhe flas shqip. Nëna ime e ka emrin Kadime, motra ime  e ka emrin Lindita, gjyshi im e ka emrin Zenel Gurra. Unë njoh baballarët dhe nënat tuaja, Adilin, Isenin, Qenanin, Ramizin, Hamitin, Safetin, Selajdinin, Nurjetin... A më kuptoni mua, se ju kështu bisedoni në shtëpi gjuhën shqipe! Ju e keni parë flamurin shqiptar me shqiponjën dykrenore?

-Po! Po! Edhe ne kështu folim në shtëpi,-tha një vajzë.-Atje larg, ku ne e kemi shtëpinë te gjyshi e gjyshja, na ka lindur një motër e vogël, por ata nuk na lënë që ajo ta ketë emrin Liridonë.

Me fjalët e kësaj vajze, m’u duk sikur armiku qet me armë zjarri e unë nuk kam dhimbje, por një dëshpërim që më nxiste të qajë...

-Dilni, ecni këtu, këtu afër meje, t’u shoh, se qenki shumë të mirë!

Tetë nxënësit dolën nga bankat, m`u afruan dhe filluan të më kapnin për duarsh. Aq rëndësi kisha, aq shtypje në shpirt,  sa nuk më ra pika e gjakut në tru a zemër e të piskas si i çmendur.

Drejtori Harald Magnusson, duke  iu drejtua arsimtarit serb, ngriti dorën, tregoi me gisht dhe i tha: “-Prej nesër, fëmijët shqiptarë nuk do të vazhdojnë në klasën serbokroate. Ata do të kenë shkollën e vet shqipe, gjuhën që e flasin në shtëpi”. Dolëm në korridor, ku ndodheshin gazetarët e gazetës “Brometern”.Më 5 mars 1975 ata  shkruan: “Ambitiös skolbibliotekari undervisa även i albanska” (Bibliotekisti i shkollave ambicioz ligjëron edhe në gjuhën shqipe). 5 mars 1975. Shkolla shqipe u hap më vete me arsimtarin Sadulla Zendeli-Daja...”

Gazeta Barometern, e mërkuar, 5 mars 1975 Nybro.

Prej kësaj date të bekuar filloi mësimi shqip në Småland të Suedisë, duke  i  ndarë nxënësit shqiptarë nga shkolla serbokroate 4 orë në javë mësim  në  gjuhën e ëmbël shqipe. Kjo ishte.Përveç profesionit bibliotekar, u bëra edhe mësues. Mësuesi ka detyrë fisnike. Pa u vonuar bëra çmos që të hap tunele drite dhe të bëja edhe të pamundshmen që fëmijët tanë të mos e harrojnë gjuhën dhe atdheun. Si mësues, nga dy orë në javë i shtova në katër orë në javë. Paga mujore si shef i bibliotekave ishte më e lartë se paga e arsimtarëve, në një diferencë goxha të madhe.Zgjodha të ndihmojë nxënësit, të ndihmojë bashkëkombësit e mi hallexhinj e jo të pasurohem...Kisha bagazhin atdhetar, përvojën e nevojshme arsimore suedeze, dashurinë për gjuhën shqipe.

Këto më dhanë guxim për të hapur shkollën shqipe, të punojë pa u lodhur duke hartuar fjalorë gjuhe apo studime gramatikore, se këto u duheshin bashkëkombësve, fëmijëve...Këto përpjekje i pasqyrova edhe në poezitë e mia.Ja njëra prej tyre dhe që i kushtohet kësaj ngjarjeje:“Gjuhën tonë të bukur,/Me zell ta mësojmë,/Me fjalën e ëmbël shqipe,/Këngët t`i këndojmë.

Cili ishte reagimi i bashkëkombëseve shqiptarë?

-Atë ditë, kur filluam mësimin në gjuhën shqipe, bashkë me nxënësit erdhën edhe  prindërit. Disa qanin fshehurazi, që të mos i shihnin fëmijët. Ishte një atmosferë entuziaste dhe prekëse. Të dytën a të tretën ditë të fillimit të mësimit, duke kaluar pranë shtëpisë së Adil Zhutës, prindi i një nxënësi, pashë në oborrin eshtëpisë së tij Adilin me të dy vëllezërit, Selejdinin dhe Nurjetin, që kishin rrëzuar një dem dhe e kishin therur në oborr. Unë nuk u paraqitanë
moment, pasi kisha mësim në shkollën Fagerslätt.Pas një ore më thirri një polic. Ai më tha se Adil Zhutën e kishin marrë në Polici` dhe, memirësi e qetësi, m`u lut të shkojë edhe unë në zyrat e Policisë për hallin e Adilit.Sapo hyra në rajonin e Policisë, t`i ndihmojë këtij shqiptari
të madh, Adili më tha në gjuhën shqipe: “-O Dajë, këtajanë “të çmendur”, më kanë marrë përse e kam therur demin në oborrin tim. Këtëmish nuk do ta haj askush tjetër, përveç atyre që i kanë fëmijët në shkollënshqipe, bashkë me ty i nderuar Dajë, që na  hape shkollën e parë”.

Në Suedi është e ndaluar të theret edhe një pulë pa kontrollin e
veterinerit dhe, jo në shtëpi, por në thertore...

Në vitin 2005, u festua 30-Vjetori i asaj ngjarjeje të madhe. Në vazhdim, mësimi shqip vijoi me mësues Raif Mehmetin,një shqiptar me ndjenja të thella atdhetare. Nga nxënësit shqiptarë, të cilëve unë u dhashë mësim, dolën 95 intelektualë. Vetëm në qytetin Nybro, ku nisi shkolla e parë shqipe dhe ku punova për 27 vjet me radhë,  janë sot mbi 50 të punësuar në sektorë të rëndësishëm. Po kështu, edhe mbi 40 të tjerë në qytetin suedez Kalmar kanë dalë profesionistë të shquar...Tashmë që kanë kaluar 40 vjet, numri i shkollave ku fëmijët shqiptarë mësojnë gjuhën e vendit të tyre është i madh. Çdo krahinë suedeze, ka shkolla ku jepet edhe gjuha shqipe. Kur u hap shkolla e parë, thuajse isha i vetëm, kurse sot në të gjithë Suedinë numërohen mbi 150 arsimtarë, që japin mësimin shqip dhe paguhen nga shteti suedez, ndërsa janë afër 10 mijë fëmijë emigrantësh që në shkollat suedeze mësojnë edhe gjuhën shqipe.

-Në librin kushtuar juve, shkruhet se ju së bashku me bashkëkombës keni çelur edhe një shoqatë me emrin “Ilirida”. Mund të na shpjegoni diçka?

-Pak javë pasi hapëm shkollën në gjuhën shqipe në Nybro, biseduam me disa bashkatdhetarë  sesi të shkëputnim shqiptarët nga shoqata serbe e qytetit ku ata ishin të regjistruar anëtarë të saj dhe të krijonim një shoqatë shqiptare. Këtë duhej ta bënim në mënyrë që, edhe ne shqiptarët të ishim të organizuar, pasi vetëm kështu mund të përfaqësoheshim dhe të mbronim më mirë liritë dhe të drejtat e komunitetit tonë.

“-Në Suedi, - thotë albanologu Ulmar Kvik, - zëri i vetmuar nuk ka peshë. Duhet të kesh një organizatë, si bazë, për të pasur sukses! Bashkimi bën fuqinë...”Serbët në Nybro ishin komunitet i fuqishëm, nuk u interesonte që shqiptarët  të shkëputeshim, kështu që u bënë pengesë që ne të krijonim shoqatë më vete. U deshën shumë përpjekje, që më në fund të arrinim të krijonim shoqatën tonë. I vumë emrin “Ilirida”. Kështu, shoqata emër-bukur “Ilirida” funksionon edhe sot, madje është mjaft e njohur për veprimtaritë që kryen, si ato me karakter atdhetarë, duke ndihmuar çështjen kombëtare, ashtu dhe veprimtaritë e shumta festive e kulturore. Sigurisht këto përpjekje nuk kaluan pa pasoja për mua. Nëpërmjet ambasadorit jugosllav në Suedi, shteti jugosllav më  kërcënoi atëherë për atdhetarizmin dhe u mor vendimi të më ndalohej kthimi në vendlindje për një periudhë 20 vjeçare. Këtë vendim ma komunikoi në mënyrë kërcënuese ambasadori jugosllav i asaj kohe, në Suedi. Sigurisht që tek unë nuk pinin ujë të tilla presione, kisha  punën time atdhetare...

Nga sa kam shfletuar nga libri i Konës, ashtu dhe nga shtypi, juve jeni autor i disa fjalorëve të veçantë suedisht-shqip dhe shqip-suedisht, madje ky i fundit i botuar nga “Toena” në vitin 2014 përmban 35 mijë fjalë. Cili ka qenë motivi që ju obligoi  të angazhoheni për një kohë të gjatë me këtë fjalor?Cili është interesimi akademik shqiptar dhe ai suedez për këta fjalorë?Po lexuesi, si i ka pritur fjalorët?

Puna ime leksikografike është e gjerë. Mund të përmend: Fjalorin tim të parë  suedisht-shqip,17000 fjalë (Suedi, 1994), Fjalorin e  dytë suedisht-shqip, 28.500 fjalë (Suedi 2004), Përkthimin e Fjalorit për fëmijë katërgjuhësh shqip-anglisht-italisht-suedisht nga autorja Meri Toçi(versioni shqip-suedisht nga Sadulla Zendeli-Daja) Toena 2011, Në vitin 2014, botova Fjalorin shqip-suedisht me 35 mijë fjalë, vepër madhore për shkollën dhe bibliotekën, Botimet Toena, Tiranë 2014. Ky fjalor, është përuruar në Panairin e librit 2014 në Tiranë, në Gostivar, si dhe në qytetet Nybro dhe Malmë, të Suedisë. Angazhimi akademik ka qenë i madh veçanërisht për fjalorin me 35 mijë fjalë shqip-suedisht. Janë aktivizuar në redaktim, korrektim dhe me këshilla dhe ndihmesë të shquar prof. dr. Xhevat Lloshi,(Tiranë) prof. dr. Rami Memushaj,(Tiranë) prof. dr. Shefkie Islamaj (Prishtinë) si dhe shumë autoritete të gjuhës letrare, ashtu dhe pedagogë të universitetit të Tiranës dhe atij të Prishtinës. Kam pasur gjithashtu ndihmesën dhe mbështetjen e madhe të  albanologut, përkthyesit dhe poetit të njohur suedez, Ullmar Kvik(Qvick) i cili vlerësohet “Miku i Madh i Shqiptarëve”, po ashtu dhe nga institucione të gjuhësisë suedeze, të cilët i falënderoj për ndihmesën e madhe që kanë dhënë në këtë fjalor madhor.

Tani vazhdon procesi i shpërndarjes së fjalorit në biblioteka të trojet shqiptare dhe në Suedi, ashtu dhe në shitje të lirë. Jam i kënaqur me këtë interesim dhe tërheqje të këtij fjalori, që është vlerësuar vepër madhore si për gjuhësinë dhe leksikografinë shqiptare, ashtu dhe për atë suedeze.

Ju jeni me origjinë nga Sërmnova e Gostivarit në Maqedoni, ndërsa keni rreth gjysmë shekulli që jetoni në Suedi. Si keni mundur të ruani dhe mbani gjallë gjuhën shqipe, zakonet dhe traditat shqiptare në këtë vend të largët?Ua trashëgoni këto fëmijëve, nipërve dhe mbesave?Si veproni?

-Gostivari ka qenë dhe është vazhdimisht në zemrën time. Kështu e kam titulluar edhe një libër kushtuar Gostivarit, jetës së banorëve të tij, që janë njëherazi bashkëqytetarët e mi të nderuar dhe të respektuar. Unë shkoj thuajse çdo vit në Gostivar, kam shtëpinë atje, ashtu dhe në fshatin tim Sërmnovë.Lidhjet i kam ruajtur me mënyra të ndryshme,por ato kanë qenë edhe lidhje shpirtërore dhe emocionale,por edhe të shoqëruara me aktivitetin tim të gjerë për t`i mbajtur ato të gjalla tek vetja,te familja ime dhe te bashkëkombësit e mi në Suedi.Nuk e kam pasur të lehtë, veçanërisht kur për 20 vjet më ishte ndaluar me ligj shkuarja në vendlindje.Gjithsesi “kush kërkon gjen”,thotë proverbi,kështu që unë nuk kam reshtur së qeni shpirtërisht në vendlindje,por edhe duke kontribuar me vepra, veçanërisht me libra gjuhësorë,që janë të shumtë,me libra kulturorë,me përkthime,me organizim aktivitetesh që kanë pasur në themel të tyre kulturën,zakonet,traditat e mrekullueshme shqiptare. Lidhja me bashkëkombësit, ka qenë hallka  e parë dhe vendimtare për t`i mbajtur të gjalla dhe të freskëta këto lidhje. Me ardhjen e demokracisë, veçanërisht me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, këto lidhje janë zhvilluar dhe gjallëruar së tepërmi, unë jam ndjerë shpirtërisht mirë e më mirë. Kur ke atdheun, ke gjithçka. Për sa u përket fëmijëve, nipërve, mbesave dhe rrethit tim të gjerë familjar, fisnor e miqësor, mund të them se trashëgimi i traditave shqiptare tek ata është në vend të parë dhe në rend të ditës. Në librin “Ju dua më shumë se veten”, shkrimtari Viron Kona ka ditur ta pasqyrojë këtë dhunti shqiptare, duke e trajtuar edhe në mënyrë frymëzuese për brezat që vijnë. E falënderoj edhe për këtë arritje z.Kona, këtë vlonjate të sinqertë dhe të dashur, që tashmë është njëri nga njerëzit më të afërt të mi, të familjes, por, me sa kam parë e dëgjuar, edhe i bashkëkombësve të mi shqiptarë në Suedi, ashtu dhe i vetë suedezëve, mirëpritësve tanë të mrekullueshëm që e duan shumë popullin shqiptarë, gjuhën dhe kulturën tonë.

-Cili është kontributi juaj ndaj Gostivarit dhe banorëve të tij?

-Kam ndihmuar Gostivarin si me literaturë gjuhësore dhe leksikografike të krijuar nga unë, ashtu dhe me kontribute të tjera në fushën e kulturës dhe të traditave. Kontributi im është i vazhdueshëm në fushën e leksikografisë dhe të gjuhës shqipe. Jam i lumtur që në Gostivar jam kurdoherë i mirëpritur, kam miq dhe shokë të panumërt që i dua dhe më duan.

Aty kam përgatitur që më parë edhe vendin e prehjes së përjetshme,por pret ajo, sepse kam ende shumë e shumë punë të tjera për të bërë.

Nga mediet kemi mësuar se në muajin qershor të këtij viti,Gostivari ju ka nderuar me titullin e lartë “Qytetar nderi” i Gostivarit. Çfarë emocionesh ka shkaktuar tek ju ky titull nderi, që ju është dhënë pas 50 viteve në emigracion në Suedi?

-Po, Gostivari, vendlindja ime  më nderoi, më vlerësoi dhe më respektoi shumë duke më dhënë titullin e lartë “Qytetar nderi”.

Mendoj se është vlerësimi më i madh që më është bërë në jetë, është ky një shpërblim i përpjekjeve, vuajtjeve, sakrificave, por dhe i punës dhe mundimit tim krijues, si dhe i veprimtarisë për t`i shërbyer pa u lodhur mëmëdheut dhe idealeve të mëdha të rilindësve tanë, ashtu dhe tërë popullit shqiptar sot, i cili, padrejtësisht jeton në troje të ndara. Shqipëria, atdheu mëmë, siç jemi mësuar ta quajmë, është i vetmi vend që është i rrethuar nga bashkëkombës të tij. Mendoj se nuk do të jetë e largët dita që të realizohet ëndrra shekullore e bashkimit të popullit tonë në kuadrin e Evropës së bashkuar. Veprat e mia letrare kanë në qendër veçanërisht atdhetarizmin dhe ëndrrën e madhe të rilindësve për lumturinë dhe begatinë e merituar të popullit tonë, një popull që ka një histori dhe kulturë të jashtëzakonshme, një pozicion gjeografik të lakmuar, ashtu dhe një shpirt të madh dhe human. Cilësitë tona si popull janë të vlerësueshme nga e gjithë bota. Mjafton të përmendim se vetëm nga popullsia  shqiptare e  Maqedonisë kanë dalë personalitetet me famë botërore si Nënë Tereza e famshme, që ka madhështuar botën, apo nobelisti Ferid Murati nga Llakavica e Gostivarit.Gjithsesi për t`iu rikthyer pyetjes suaj,desha të falënderoj nga zemra komunën e Gostivarit,kryetarin e saj z.Nevzat Bejta,të gjithë stafin dhe këshillin e komunës, popullin e mrekullueshëm të Gostivarit për nderin e madh që më bënë.Sa të jetoj dhe të marrë frymë, ata do të jenë nëzemrën time,gjithnjë të shtrenjtë dhe nga më të dashurit,ashtu si e tërë Shqipëria jonë.

-Si shkoi dhe u zhvillua ajo ceremoni?

-29 qershori i vitit 2015, është një kulm, një ditë e jashtëzakonshme. Nuk kam qenë kurrë ndonjëherë në jetë më i gëzuar dhe më i emocionuar. Ceremonia filloi në sallatën e kulturës së qytetit. Aty krahas një aktiviteti me rëndësi që cilësohet “Dita e Komunës”, ku u ekspozuan arritjet dhe punët e  bëra gjatë një viti, u vlerësuan edhe shumë bashkatdhetarë të mi me tituj dhe dekorata nderi, kurse unë pata kënaqësinë dhe privilegjin e madh të nderohesha me titullin e lartë “Qytetar nderi” i Gostivarit, ashtu dhe me Çelësin e qytetit.

“Ju dua më shumë se veten”

Më pas ceremonia vijoi në sallën e komunës së Gostivarit, midis të tjerëve edhe një grup miqsh ardhur nga Tirana: Fatmir dhe Irena Toçi, shkrimtari Viron Kona,miqtë e përbashkët Bujar Poçari dhe Mal Buçpajaj, të cilët në takimin e zhvilluar, në prani të medieve më dhuruan librin: “Ju dua më shumë se veten” si dhe një portret mjaft të bukur, dedikuar mua nga familja e shkrimtarit Viron Kona. Ishte një takim sa përurues për librin, po aq edhe mbresëlënës, i cili bëri përshtypje të madhe në Gostivar, duke u pasqyruar të nesërmen në gazeta, televizion dhe radio.

Gjej rastin edhe njëherë t`i falënderoj Komunën dhe popullin e Gostivarit për nderin e madh që më bënë, ashtu dhe miqtë e ardhur posaçërisht nga Tirana, por, edhe të gjithë ata që më dërguan letra, mesazhe urimi për atë ngjarje të madhe të jetës sime. Të gjithë i falënderoj nga zemra për nderin dhe respektin e treguar ndaj punës dhe aktivitetit tim atdhetar e krijues.

Faleminderit!



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora