Kulturë
Qazim Shehu: Talent i vërtetë ti je…
E shtune, 03.10.2015, 07:29 PM
QAZIM SHEHU
Talent i vërtetë ti je…
Talent vërtetë ti je
Fry bulçitë e trumbeto
Mister të kuletës ke
Me të në lavdi shko.
Parfumo skeletin e lavdisë
Fosile ndjenjash pa cak,
Midis pasurisë e poezisë
Pasuria e ka hak.
Pasuria kjo kodoshe e murrmë
I nxit talentet e vërteta
Për ty i bëjnë fjalët lumë
Kur sytë ua ndez kuleta.
Kështu gjithnjë s`mund të ndodhë
Kur pasuria të shkojë krejt
Ti do shohësh që ish një lojë
Si ta humbën dinjitetin njerëzit me talent…
SY I FUNDOSUR
Nën një sarkofag prej qielli
Trutë e mi zbrazen prej ankthit
Ylli i syrit tënd prej së thelli
Vjen më jep ndriçim të zbrazët.
Si një xixë në fund të gotës
Rri aty e shkëndijon,
E shpik rakinë si lëng të lodhshëm
lëngu më turbullon…
… kaq shumë e thith këtë lëng
Sa më duket i kotë mbarimi
E thërras afër,një demon
I heq buzët nga qelq acarimi…
NJË GJERDAN ME KËSHILLA
Një gjerdan me këshilla na falin të mençurit
Si një gjerdan me perla,
Ndërsa qafës tënde prej mjellme
Një rreze dielli i fal e djela.
Më duket se çdo këshillë për dashurinë
Për bukurinë si përcaktim
Vijnë tek ty e vënë kufinë
Humbasin dhe ikin pa zgjerim.
Këtë gjërdan me këshilla
Si lakore me ferra rreth qafës e vë,
Ndërsa gjerdanin me perla
Ty ta lë…
PA TY
Në fillim nuk e dita sa rëndësi kishte
Dhe ndoshta s`kish rëndësi
T`i gdhish netët si fëmijë natën në ahishte
Kur tmerri lëshon dhjetra sy.
Më vonë u mësova me këtë tmerr
Në të u ktheva vetë,
Prej meje trembeshin njerëzit
Mos isha lojtur krejt..?
+++
Sa e sa netë i gdhiva pa ty,
Dashuria ime e ndaluar,
S`munda të jap më tepër sy,
Më tepër duar.
Kujtova se të lashë uloke,
Dritëzbehtë në flakë qirinjsh,
Më mirë kështu,forca jote,
Do qe kthyer në përbindsh…