Kulturë
Ilir Muharremi: Kosova ende pa film të mirëfilltë
E hene, 28.09.2015, 08:15 PM
Kosova
ende pa film të mirëfilltë
Nga Ilir Muharremi
Filmi tek ne në Kosovë po ecën me hapa të ngadaltë, madje po ngjanë me gazetarinë e ngathtë. Deti i këtij arti është një shkretëtirë e thatë dhe ende tentohet të mbushet me ujë oaza e cila në krahasim me shtetet e rajonit dhe Evropës qëndron e heshtur e pa avancuar totalisht. Nuk është fjala për mungesë materiale , por varfrin e ideve të cilat pasurohen gjatë shikueshmërisë së shumë filmave dhe vizitave të ndryshme nëpër botë. Ose leximi i shumë veprave letrare nga autorë të famshëm të huaj duke filluar nga antikiteti e deri më sot. Ju lutem, lexoni sa më shumë të ketë kush t’ju shikoj ose lexoj. Apo tjetra: thellimi në imazhe të ndryshme me detaje duke kaluar në përjetim ngaqë sytë tanë janë aparat marrës dhe shkrihen me sytë e personazheve. Ky është identifikim nga marrësi deri te sytë e personazhit.
Dikur regjisori ka qenë edhe autor
Po filloj nga skenarët e dobët (nuk qëndron vetëm këtu problemi më vonë do ta përmendi ku fshihet ngecja) ku regjisorët harrojnë se skenarët janë një formë arti e re, më e re se vetë filmi. Në fillim regjisori ka qenë edhe autor. Dialogët shkruheshin pas montimit dhe i jepeshin spektatorit për t’u lexuar në kuadro të veçanta. Skenari lindi kur filmi u bë një art autonom. Skenari u shndërrua në gjini letrare kur filmi u çlirua nga letërsia me qëllim që efektet vizive të jenë krejtësisht krijime të veta. Skenari i sotëm botëror pakësojë ngjarjet aventurore dhe shtoj ngjyrimet psikologjike. Këtu kemi zhvillim të ngjarjes së brendshme, tejet psikologjike. Skenarët tonë ofertojnë me një grumbull ngjarjesh të vakëta, patetike, gjysmake aspak të brendshme, thjeshtë janë imitime të kota nga filmat e huaj në asimetri me ngjarjet e zhvilluara. Skenari i mirë duhet më hollësisht se romancieri të jep detaje veçanërisht për rolin, funksionin e objekteve, pamjen e tyre siç e bëjnë personazhet, pasi aty luhet fati i njerëzve. Skenari i mirëfilltë është krijim i plotë artistik. Pasqyron në mënyrë të pavarur realitetin, me imazh të qartë ngjashëm me llojet e tjera letrare. Tek ne ideja dhe krijimi i skenarit është vetëm sipërfaqësisht, nuk krijohen rrugë përplot pengesash të kohës reale, të çastit në çast, të gërshetuara mirë, të komplikuara brenda ngjarjes. Gjithnjë arsyeja “nuk ka pare për film”, gënjeshtër e kotë është kjo. Përgjigja: nuk ka kokë të denjë për skenar të mirë. Pak lexohet, fare nuk punohet, tërë kohën e kalojnë nëpër kafene me lugë të “makiatos” në gojë duke filozofuar dhe kritikuar kolegët (po ashtu pa punëtorët) kinse unë di më shumë. Nënçmim për t’u veçuar. Duhet besuar më shumë në thënien e Van Goghut: “Në rast se do të punojmë si ka punuar Burgoja, nuk kemi pse dyshojmë për suksesin, se publiku gjithkund njëlloj është”. Pse skenaristët dhe regjisorët tanë punojnë pak? Nuk duhet aspak. Ndoshta ju duhet më parë të pajtohen me varfërinë dhe vetminë. Durimi, puna intensive nga pesë orë në ditë mund të ofron një sukses minimal.
Ideja reale është për tërë njerëzimin
Një film Amerikanë jo shumë i njohur tregon arritjen pa ndihmën materiale. Vetëm pesë aktorë interpretojnë. Ngjarja zhvillohet në pyll, makinë, shtëpi, prapë përsëritet: pyll, makinë dhe shtëpi, kështu gjer në përfundim. Këtu unë veçoj skenarin dhe regjinë. Pse skenarin? Tre të rinj në pyll vërejnë fshehurazi një person i cili gropos diçka. Pasi ikën ai, ata afrohen dhe fillojnë ta zhvarrosin. Gjejnë një trup të pajetë femre. Pas disa skenave përndjeken nga një i afërm të cilit krejt lagjja ia ka frikën. I zë dhe njërin nga djelmoshat e rrah tepër. Si shenjë hakmarrje ata marrin në telefon personin i cili ka varros trupin e pajetë duke kërkuar nga ai të vret njeriun i cili e ka rrahur djaloshin. Ata ja rrëfejnë tërë ngjarjen dhe e kërcojnë që brenda 24 orëve po nuk ndodhi vrasja do ta lajmërojnë rastin në polici. Normalisht që ky njeriu duhet të pranoj një gjë të tillë. Fuqia e skenarit arrihet edhe më tej kur ky person takon personin e kërkuar, por nuk e vret ngaqë kërkon nga ai të dijë se kush ja dëshiron të keqen. Gjë me të cilën zbulon edhe djelmoshat. Çfarë dua të them me këtë? Shembulli vlen për të treguar se një ide reale është reale për tërë njerëzimin, dhe kjo ide i përket të mundshmes dhe interesantes. Fotografia është e thjeshtë, gjë të cilën mund ta bëjnë edhe regjisorët kosovar. Por, ajo çfarë ende ata nuk e arritën janë: skenari dhe ngjarja.
Filmi tjetër që tregon madhështinë e kinemasë veç në ide dhe skenar është “Kabinë telefoni’, në rolin kryesor Colin Farrell. Ai gjatë filmit ndodhet përballë forcës peng mbajtje nga një i panjohur. Tensioni është të dalësh të ikësh, por nuk mund të ikësh, ose do të vritesh nëse nuk ju bindesh urdhrave, apo në kulm (të ngjarjes) do të dalësh nga kabina e “mallkuar” edhe nëse do të vritesh. Tërë skenari dhe ngjarja është vetëm në një kabinë. (Ku as këtu filmi nuk mbështete në forcën materiale, por atë të idesë.) Apo filmi tjetër “I varrosuri”. Një person zgjohet në varrë dhe në dorë ka vetëm një shkrepse. Përpjeke për të dalë është e pamundshme, por ajo që mbanë shpirtin për një orë është liria dhe shpëtimi e që edhe në fund është e pamundshme. Çfarë dua të tregoj? Ideja për skenar, dhe skenari i mirë relakson regjisorin dhe regjisori mund të rikrijoj një film të mirë qartësisht të kapshëm në hapësirë dhe kohë.
Skenaristi dhe lufta
Filmi i mirë nuk është diçka që zhvillohet vetëm në fantazinë e poetit, por një fakt që zhvillohet efektivisht në hapësirë reale, poashtu me figura reale (në natyrë, kabinë telefoni, arkivol...) Nuk mund ta quaj as fantazi, e as realitet i drejtpërdrejtë. Mund të jetë riprodhim i imazhit fotografik. Ajo çfarë më pëlqen nga skenaristët dhe regjisorët tonë, janë vetëm reklamat e shkurta televizive. Mund të hyjnë në krahasim me Evropën. Zgjerimi i idesë si duket këtu tek ne është i lodhshëm, mundimshëm, i papërballueshëm nga skenaristët dhe regjisorët. Më shumë bëjnë reklamë nëpër portale dhe gazeta sesa punë. Nganjëherë reklama për veten shpesh kalon edhe në gënjeshtër.
Skenarët e filmave kosovar më shumë trajtojnë temat e luftës së fundit dhe temat e dashurisë ose dashurinë e përziejnë me luftën. Në këtë të parën lufta na duket qesharake e pabazë, pa ndërtim real dhe me ngjarje të shumta, të përziera, ku nuk ka fillim zhvillim dhe fund. Mos ta flasë për tërheqje apo kulminacion dhe pëlqim. Skenaristi që shkruan për luftën duhet ta përjetojë luftën. Ose e kundërta, duhet të dëgjoj tregime të ndryshme nga njerëz të prekur nga lufta. Nuk po flas për dokumentar, sepse mbetet hapësirë edhe për forcë artistike. Filmi i huaj “Për paqen e botës” në regji të Kolonel Pikard ndërtohet nga materialet e filmarkivit të luftës. Filmi fillon me plane të afërta dhe janë të gjymtuarit të cilët na tregojnë se çfarë është lufta, të tmerruarit që tregojnë tmerrin, të torturuarit torturën, të kërcënuarit kërcënimin, ata në prag të vdekjes vdekjen. Të gjithë ata e kanë parë realisht këtë. Qëllimi këtu është rrënja e të gjithë faktorëve të luftës. Aty nuk ka topa, qytete në flakë, aeroplanë në fluturim, shpërthime, por fizionomi njerëzore. “Por titrat nuk na thonë: Shikoni, kjo është barbaria gjermane!” shkruan për këtë film Bela Balzas. Filmi nuk akuzon gjermanët, por luftën. Subjekti dhe rrënja ndodhet në mesazh të skenarit. Andaj, kjo fuqi depërton në tregun human njerëzor. Ose edhe filmi “The Pianist”, që trajton luftën, tmerrin dhe artin si i kundërt me luftën.
Skenarët dhe regjia e filmave të
dashurisë tek ne nuk trajton as dashurinë e as luftën (fjala për luftën e fundit në Kosovë) që e përzien në dashuri. Pse
gjithnjë dashuria bëhet mish masht me luftën? Dashuria ka forcën e të arriturit
në vetëdijen e saj. Skenari serioz për dashurinë duhet të tregojë se pjesa
dërmuese e njerëzve humbasin vetveten në dashuri. Ose skenarët e dashurisë që
lindin nga skenaristët tonë janë kopje e zbehtë e telenovelave spanjolle,
braziliane, turke etje. Asnjë qenie, madje as ajo më e dashura e jonë nuk është
në posedimin tonë. Në këto skenarë dashnorët ndonjëherë vdesin të ndarë, në
realitet ata gjithmonë lindin të ndarë, ngulmimi për të qenë është i pamundur.
Vuajtja bëhet turpëruese dhe është e vetmuar. Skenarët kosovarë dashurinë dhe
vuajtjen e përzien me luftën. Ose trajtimi i saj pa luftën nuk e arrin formën e
vuajtjes tokësore.