E shtune, 03.05.2025, 08:02 AM (GMT+1)

Kulturë

Xheladin Mjeku: Jetëshkrimi si opsion dhe dashuri

E marte, 29.09.2015, 08:46 PM


JETËSHKRIMI SI OPSION DHE DASHURI

Viron Kona: “NËNDETËSJA”, tregime, SHB “WEST PRINT” – Tiranë, 2015

Nga Xheladin MJEKU

Viron Kona (1950) me dashuri të padiskutueshme jeton me botën e artit letrar dhe ecën kujdesshëm nëpër zikzaket sfiduese dhe provokuese të jetës, duke ndërtuar kështu fuqishëm botën e tij të veçantë krijuese me përballjen e situatave dhe personazheve tematikë këtu e dekada me radhë. Në prozën e tij që e kultivon me dashurinë prindore, duke e mikluar artistikisht deri në imagjinatë, ai sjell freskinë e leximit tek receptuesi, gjithnjë duke i sjellur laryshi temash e ngjarjesh, që për asnjë  çast nuk e bëjnë të ndihet i lodhur dhe i mërzitur gjatë rrugëtimit nëpër faqet e librave të tij. Përkundrazi, ngjarjet që trajtohen në të gjithë librat e tij kanë frymën e jetës plot gjallëri, aromën e detit dhe dashurinë e njeriut për të ardhmën dhe ndryshimet në kohë. Një synim i këtillë i autorit e bën të kërkuar dhe të dëshiruar çdoherë e më shumë, meqë me penën e tij nuk ngurron të sjell risi në akcilin prej botimeve që ia dhuron opinionit dashamirës prej adhuruesi të  prozës së tij, qoftë për fëmijë apo për të rritur.

Një “trallisje” të papërmbajtur ma krijoi edhe mua, kur po shfletoja librin e tij më të ri me tregime “Nëndetësja”, duke ma  pështjelluar kohën e leximit me pushimet që po bëja në Plazhin e Durrësit. Në fakt, pas një takimi tepër miqësor dhe të këndshëm me autorin dhe krijuesit e studiuesit e devotshëm Prof. Murat Gecajn dhe Sejdo Harkon, u ktheva në pikën e qëndrimit të përkohshëm me familjen për pushime, i paisur me disa tituj të rinjë librash, të botuara nga këta miq. Kisha me vete edhe disa “amanete” që duhet t’ua sillja edhe njerëzve tjerë këtu në Kosovë, por nga kurreshtja që të shoh se çfarë kanë sjellur të reja në këto botime, pamëdyshje u ngatërrova përfundimisht me tregimet e “Nëndetëses” së Viron Konës, pa pasur kohë të konsultohem me librat tjerë, që më ishin grumbulluar dhe gjasonte në një minibibliotekë këtyre ditëve. Ishin këto pushimet më të këndshme me shoqërimin e miqëve dhe librave të tyre, padyshim, që ma shkurtuan kohën dhe ma mrekulluan qëndrimin në bregdet.

Tregimi që bashkëdyzon historinë dhe realitetin

“Nëndetësja” e Viron Konës po qante ujërat e jetës me fuqinë e rrëfimit plot ngjarje e situata nga më të ndryshmet, duke trajtuar kështu një të kaluar plot kujtime e ngjarje, gërshetuar me jetën e tanishme, në frymën e kujtimeve dhe bashkëdyzimeve të  mundshme, që lexuesit ia mundëson ndërlidhjen e kohërave me lehtësi dhe ua sjell pasqyrën e të kaluarës, sa emocionale, po aq edhe reale. Në frymën e kësaj që thash janë ndërtuar trembëdhjetë tregimet e kësaj përmbledhje, që në tërësi paraqesin një  prozë të pashkëputshme temash e ngjarjesh, për të pasqyruar përshkrimin me besnikëri  të jetës reale me veshje të një petku imagjinar, që të reflektojnë botën artistike-letrare në sfond të realizimit të mirë të këtij përshkrimi në bashkëveprim, deri te kuptimi i  realitetit historik dhe përjetimeve të botës së re. Një narracion i ndërlidhur dhe me plot forcë rrëfimtare sjell para nesh një prozë të shkëlqyer, që mund të kuptohet edhe si një tërësi ngjarjesh përmbledhur këtu, por edhe si tema të veçanta, që secila syresh flet për një ndodhi, që paraqet një pamje filmike, duke lënë mbresa të pashkyera.

Si çdonjëri libër, edhe ky që po i bëjmë një vështrim të shkurtër lëndës së tij tregimtare, sjellin një pasqyrim të  qëndrueshëm të ngjarjeve të ndryshme, por që koinçidojnë me afrinë dhe kohën e ndodhieve, duke paraqitur një prozë tregimtare të realizuar mirë. Tregimet: “Kamerieri i Ismail Qemalit”,“Antigona”,“Helmeta”,“Një gotë uzo”,“Eukalipti”,“E qeshura”,“Nëndetësja”, Hakmarrja e mizës”,“Është, edhe e bukur”,“Delfini i vogël”,“Bluza me zingjir”,“Mbrëmja e maturës” dhe “Shenjtëria e lexuesve”, janë temat përmbajtësore që sjell autori Viron Kona, për të provokuar intuitën e lexuesit, që me durim dhe kënaqësi të nis shtegtimin e tij këtyre “pikave strategjike” të krijimeve letraro-tematike.

Po të shikohej njëfarë rregulli që bëjnë autorët në harmonizimin e lëndës shkrimore, ashtu si i shkon mirë një libri, duke i kushtuar vëmendje ndërlidhjes së temës, atëherë kësaj përmbledhje tregimesh, do të duhet paraprirë tregimi “Shenjtëria e lexuesve”. E them këtë, nga fakti se kjo tufë tregimesh, që në njëfarë mënyre rrijnë varg zingjiror i pashkëputur në trajtimin dhe evokimin e ngjarjeve të jetuara e përjetuara, të cilat i takojmë këtu, mund të paraqitej si një prozë e pa shkëputur, tip romani, që do ta kapërdinin me shumë lezet brezi i të vegjëlve dhe të rinjët, që kanë për dëshirë dhe adhurojnë tema të këtilla, sa letrare, me një gjuhë të pastër e plot metafora, poaq edhe edukativo-meditative, duke evokuar të kaluarën dhe duke sfrocuar bindshëm qëndrimet intelektuale të një shoqërie që po kalitet me kohën dhe sfidat e një e tranzicioni dhe rruge të pandalshme drejt evropianizimit.

Shumë interesante janë trajtimet e personazheve në tregimin “Kamerieri i Ismail Qemalit”, ku gërshetohen dy kohërat, duke kuptuar qëllimin e autorit, që përveç ngjarjes, synon ta sjell edhe frymën edukative, duke reflektuar mesazh të qartë, ku fëmiu që shërbente për Ismail Qemalin, të kuptonte jetën me të rejat që e sfidojnë, drejt ardhmërisë, duke ia kujtuar edhe shkollimin, si një detyrë dhe obligim kombëtar. Historia kujtohet e gërshetohet fuqishëm edhe me “Antigonën”, duke sjellur edhe këtu të vërtetën historike dhe realitetin që paraqet studenti, me përfundimin:

“- Një arsye tjetër, që më bëri të flisja me aq dashuri e pasion për “Antigonën” e Sofokliut, është emri i saj.

- Emri?! - pyeti ai disi me habi.

-Po, profesor. Antigona, quajnë… edhe nënën time…” (fq. 26).

Edhe në tregimet tjera, si “Helmeta”,“Delfini i vogël”, etj. autori nuk mbetet larg realiteteve të jetuara për asnjë çast. Ai madje i shtron ngjarjet aq kushtimisht sa të  parafytyrohen si episode filmike që mbahen në kujtesë si diçka të përjetuara, me saktësinë e përshkrimeve të gjithçkaje përreth.

Tregimi “Një gotë uzo”, vjen si realizim me elemente dhimbjeje për babain, por edhe me përshkrimin e dashurisë së madhe për kohën sa jetoi, për afrinë dhe respektin prindor, që kushtimisht mund të merret si mesazh i fuqishëm për lexuesin, duke ndryrë thellë në kujtesë atë që quhet  “dopjo”, që zbërthyer në realitet, nënkupton dy vlerat e mbetura kujtesë nga babai: atë që njihet si edukim dhe frymëzim për jetë dhe, e dhimbshmja, kujtesa për ditët e fundit të shoqëruara edhe me përkujdesjen që të ndihet mirë dhe të krijoi rehatinë shpirtërore, duke ia përmbushur dëshirat e tij prej prindi. Respektim i plotë prindor dhe mall i pashuar në kujtesë!

“Nëndetësja” edhe më tutje vazhdon rrugëtimin e saj në mendjet dhe kujtesën e lexuesit. Por tash si rrëfim i veçantë, duke sjellur njohuri të shumta për një veprimtari shumë interesante, që një periudhë kohore është konsideruar si qështje kombëtare, meqë ka qenë pjesë e ruajtjes dhe sigurisë së atdheut, bashkë me enigmat që kanë mbajtur thellë në ujërat e detërave tanë. Një qëndrim i befasishëm i autorit, që aty vjen si gazetar i përkushtuar në tema e ngjarje të veçantisë së rrallë, ku brenda një dite dhe një qëndrimi disa orësh ia del të zbërthej këtë enigmë, jo vetëm për vete, po edhe për opinionin tjetër shumë të interesuar, që e kujtonjë veç si imagjinatë, pa mos pasur as më të voglën  mundësi të mësojnë më tepër për te. Kjo “Nëndetëse” vjen këtu edhe si temë, edhe si ngjarje, edhe si titull libri; vjen si simbolikë e shumfishtë, që Viron Kona ia del ta shpalos dhe ta nxjerr në sipërfaqe, për ta njohur pastaj të gjithë, se cilat ishin ato mjete metalike të përmasave të mëdha që zhyteshin thellë në ujërat e detërave tanë. Ndërkohë, autori nuk ndalet me kaq. Ai insiston që kjo ngjarje të mos mbetet veç si informatë, por shkon më tutje, duke kërkuar që këto nëndetëse të trajtohen pasuri kombëtare e shtetit, duke u ruajtur e mbrojtur nga dora shkatrrimtare. Kjo vjen në një moment kur  dhjetëra kamion të ngarkuar me pjesë të këtyre mjeteve po shkonin drejt asgjësimit në një depo. Autori nuk përmbahet pa ngritur zërin e arsyes që të shpëtohen këto fakte historike, duke aluduar në ngritjen e një Muzeu detar, për të ruajtur dëshmitë e ngritjes së Flotës ushtarake, të nëndetëseve, të pjesëve teknike të marinës, etj. Kjo flet bindshëm se Viron Kona ka një diapazon të gjërë të njohurive edhe në fusha të tjera, përveç letërsisë që e krijon me dekada. Ky mesazh që lëshon “Nëndetësja”, padyshim se meriton të  merret si vlerë pozitive dhe obligim moral e kombëtar, se në këtë mënyrë kultivohet kultura e dashurisë për të mirat kombëtare e shtetërore, duke ruajtur e përkujdesur në  çdo sferë të jetës.

Edhe tregimet tjera, si: “Eukalipti”,“E qeshura”,“Hakmarrja e mizës”,“Është, edhe e bukur”, etj. janë vlera që konsumohen këndshëm nga lexuesi, por këtu shquhet tregimi “Mbrëmja e maturës” për temën e trajtuar, që herë të bën ta ndiesh dhimbjen, herë të kujton botën intriguese të njerëzve, që fshihen pas tisit të hollë të një perdeje që vet e kanë ngritur, për t’u demaskuar  pastaj hapur nga njerëzit kompetentë të shkollës, të cilët u përpoqën t’i fajësojnë në fillim. Një shtjellim interesant të ngjarjes që sjell këtu Viron Kona, bën të kuptojmë se ai është kurreshtar të prek ndieshëm veset e shoqërisë sonë për të kthyer vëmendjen tek vlerat e mirëfillta edukative dhe frymën e mirëkuptimit.

Po të ndalemi tek çdonjëri prej tregimeve druaj se ia cënojmë vullnetin lexuesit që të  rilexoj atë që ia zbërthejmë këtu, prandaj këtë mundësi e lëmë të hapur duke shfrytëzuar mundësitë  e cytjes drejt njohjeve dhe zbulimeve të fshehtësive narrative, që e përshkruajnë gjithë këtë përmbledhje tregimesh, mbase shumë të kapshme  për shtresa të ndryshme lexuesish.

Stili i thjeshtë dhe fuqia e komunikimit letrar

Viron Kona, fal përvojave tashmë të njohura si krijues, prozator, analist dhe udhëpërshkrues me një bagazh të gjërë librash të botuara e ribotuara, jo vetëm në vend, ka sjellur këtu edhe një thesar të vlerësuar, që përveç vlerave letrare dhe artistike, sjell edhe vlera gjuhësore, strukturë të mirëndërtuar me figura, trope, metafora e gjuhë të rrjedhshme të të shkruarit, që e bën lexuesin të ndihet shumë komod gjatë leximit, duke komunikuar rrjedhshëm me personazhet, me ngjarjet dhe me vendet, që në toponiminë tonë janë shumë të begata. Këtë begati formash e strukturash ndërtuese si rrallë kund i hasim te Vironi, madje edhe në veprat tjera, që tashmë kemi pasur rastin t’i kemi, t’i lexojmë  dhe t’i shijojmë me ëndje.

Stili i thjeshtë i shkrimit, pa ndonjë ngarkesë fjalësh e përshkrimesh, duke u futur drejtpërdrejt në ngjarje, mosngarkimi me pamje e fraza të shumta, që nganjëherë e bëjnë të  mundimshëm leximin e veprës letrare, bëjnë që libri të lexohet me një frymë. Këtu duhet veçuar edhe mundësinë e shtjellimit të temave, duke kujtuar se mund ta lexojmë si krijimtari në tërësi, që konsideroj se i shkon një novele a romani, po deshëm, apo si shkrime të veçantë, që secila në vete vijnë të ndërtuara si ngjarje narrative, por gjithnjë duke ruajtur gjuhën komunikative dhe rrjedhshmërinë e tematike të ngjarjeve. Një komunikim i çiltër përmes shkrimit ngërthen  në vete shumë vlera, që padyshim se ia shtojnë interesimin e lexuesit në çasjen në këtë libër tregimesh.

Mbyllja, apo një zbërthim i dëshiruar

Në këtë përmbledhje tregimesh gjejmë të realizuar ngjarje komplekse për nga mënyra e shtjellimit. Pashtu, gjejmë të ndërtuar mjeshtërisht dhe me pedantëri çdonjërin tregim, që paraqesin, kushtimisht e them, një botë të përzgjedhur ngjarjesh e temash që ndërlidhen në kohë dhe hapësira, ku ato preken si ngjarje.

Viron Kona, prozator i spikatur, sidomos në fushën e tregimit të shkurtër për fëmijë e të rinjë, gjithnjë e suksesshëm po i qaset shkrimit të prozës, me një përkushtim të veçantë, duke i bashkuar brezat në një temë, ngjarje apo vepër letrare. Në këtë shkrim mbresash bëmë një   zbërthim shkurtër të akcilës njësi të shtjelluar me kujdes, ku spikat fryma poetike e komunikimit me lexuesin, me gjuhën e çiltër dhe frymën edukative, si gjithnjë në krijimtarinë e tij.

Një mbyllje të këtij shkrimi nuk mund të konsiderojmë se kemi përmbushur plotësisht atë që meriton të thuhet për një vepër letrare të këtillë, por veçse një analizë paksa të përafërt me kuptimësinë e lëndës së shtjelluar, një prekje të përciptë nëpër gjithë këtë lundrim ujërave të qetë të komunikimit krijues-lexues, që vazhdon të jetë i pranishëm gjithnjë më bindshëm në botimet e tij, që nuk kanë të ndalur.

Karavanit të pafund të shkrimeve e botimeve të Viron Konës i prin fuqishëm bota e muzave të tij, duke krijuar vepra të reja e të realizuara mirë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx