Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Qazim Shehu: Talent i vërtetë ti je…

| E shtune, 03.10.2015, 07:29 PM |


QAZIM SHEHU

 

Talent i vërtetë ti je…

 

Talent  vërtetë ti je

Fry bulçitë e trumbeto

Mister të kuletës ke

Me të në lavdi shko.

 

Parfumo skeletin e lavdisë

Fosile ndjenjash pa cak,

Midis pasurisë e poezisë

Pasuria e ka hak.

 

Pasuria kjo kodoshe e murrmë

I nxit talentet e vërteta

Për ty i bëjnë fjalët lumë

Kur sytë ua ndez kuleta.

 

Kështu gjithnjë s`mund të ndodhë

Kur pasuria të shkojë krejt

Ti do shohësh që ish një lojë

Si ta humbën dinjitetin  njerëzit me talent…

 

SY I FUNDOSUR

 

Nën një sarkofag prej qielli

Trutë e mi zbrazen prej ankthit

Ylli i syrit tënd prej së thelli

Vjen  më jep ndriçim të zbrazët.

 

Si një xixë në fund të gotës

Rri aty e shkëndijon,

E shpik rakinë si lëng të lodhshëm

lëngu më turbullon…

 

… kaq shumë e thith këtë lëng

Sa më duket i kotë mbarimi

E thërras afër,një demon

I heq buzët nga qelq acarimi…

 

NJË GJERDAN ME KËSHILLA

 

Një gjerdan me këshilla na falin të mençurit

Si një gjerdan me perla,

Ndërsa qafës tënde prej mjellme

Një rreze dielli i fal e djela.

 

Më duket se çdo këshillë për dashurinë

Për bukurinë si përcaktim

Vijnë tek ty e vënë kufinë

Humbasin dhe ikin pa zgjerim.

 

Këtë gjërdan me këshilla

Si lakore me ferra rreth qafës e vë,

Ndërsa gjerdanin me perla

Ty ta lë…

 

PA TY

 

Në fillim nuk e dita sa rëndësi kishte

Dhe ndoshta s`kish rëndësi

T`i gdhish netët si fëmijë natën në ahishte

Kur tmerri lëshon dhjetra sy.

 

Më vonë u mësova me këtë tmerr

Në të  u ktheva vetë,

Prej meje trembeshin njerëzit

Mos isha lojtur  krejt..?

 

+++

 

Sa e sa netë i gdhiva pa ty,

Dashuria ime e ndaluar,

S`munda të jap më tepër sy,

Më tepër duar.

Kujtova se të lashë uloke,

Dritëzbehtë në flakë qirinjsh,

Më mirë kështu,forca jote,

Do qe kthyer në përbindsh…