Kulturë
Qazim Shehu: Hatixhe Erebara, poete e vezullimeve
E diele, 04.10.2015, 06:44 PM
HATIXHE EREBARA,
POETESHË E VEZULLIMEVE LIRIKE
NGA QAZIM SHEHU
Poezia e Hatixhe Erebarës më solli një mbresë të këndshme me shprehjet e thjeshta e me mënyrën e të kënduarit pa poza, me një tematikë e cila jep botën e një gruaje që shkrihet në lëkurën e protagonistit të njeriut të thjeshtë; me ndjesitë e buta të një nëne që fëmijët i ka larg, me bukurinë e çiltërsinë e një shprehje poetike që të mbetet në mendje.
Poezia e saj, ndarë në cikle, e sjell gjithë atë tematikë të së kaluarës në ngjyrime dramatike të monizmit-tranzicionin e vështirë të postdiktaturës-po edhe kur rrok këto tema ajo nuk mallkon – veç satirizon e godet. Pse? Se është nënë dhe poeteshë – dy cilësi bukur të mira. Me ngulm, i sillet dashurisë për njeriun: për të afërmit, për bashkëshortin, fëmijët e saj, miqtë e njerëzit e dashur.
Me ngulm, pastërtisht e mrekullisht, vizaton çaste nga jeta e ndërthurur ku gëlojnë detaje mbresëlënëse, të freskëta, prej nga buron malli, dhimbja, trishtim, e, ndonjëherë, humbja , por kurrë, Hatixhe Erebara, nuk i largohet besimit për atë diçka më të mirë, më të bukur që nuk mërgon kurrë, po mbetet aty në mendjen dhe zemrën e poetes – pa rënë kurrë në një pesimizëm, as në dehidratim të arsyes njerëzore.
Poezia mbjell farën e shpresës e prej saj rritet bima e dashurisë njerëzore , kjo është motoja e jetës së saj, po njëherit prirja e natyrshme e një njeriu të të qenit poet. Edhe pse realiteti është dizversiv, edhe pse kohrat politike dhe ideologjike për një poet shqiptar kanë qenë në kufirin midis të mundshmes dhe të pamundshmes, kjo poeteshë nuk humbet ekuilibrin shpirtëror – përkundrazi përmes prishjes së balancave të jetës – kërkon të vendosë atë që është: harmonia, paqja, dashuria dhe krenaria e një gruaje të gëzuar për jetën e vetë dinjitoze.
Poezia e Erebarës ndërtohet mbi një strukturë të thjeshtë mendimi, një fillim i bukur që buron në një konstatim, pastaj një vërtitje e idesë nëpër hapësirat e mendimit – e, më pas, një konkludim. Konstatmi nuk është një vërejtje e kotë me gjetë diçka, as improvizimi i çastit, po refleks i një përvoje të jetuarit poetikisht me jetën, përmes shqetësimit që mund ta ketë vetëm një poet i vërtetë. Ndaj edhe metafora vjen aq natyrshëm: “Natë e kaluar në qetësi/ Përgjoj çdo pëshpërimë/-“......shprehet ajo. Ose: “Si një livadh të gjelbërt/ brenda zemrës tënde hyra/ në kohë të acareve të verbërta/ qëndrova tek ti dhe u mbylla/”. Vargje të tilla, plot lakonizma e fuqi impresionuese ndjenje gjen me shumicë në librin e saj, në to nuk është vështirë të mos dallosh e ndjesh mendimin e qartë, ndjenjën subtile, lirizmin brilant, kthjelltësinë e këtij lirizmi që tregon se poezia kur i drejtohet frymëzimit të jetës, bukurive të saj – nuk ka sesi të mos thuren vargje të tilla të bukura.
Poezia
e saj e përcjell kumtin e jetës-përvijimin e një filozofie të thjeshtë. Ky kumt
qëndron te marrëdhëniet njerëzore se ato nuk mund të ndërtohen pa fisnikërinë e
gruas, të nënës, apo motrës.”Pikojnë yje mbi sytë e tu,/ e çelur, dehëse, lule
prilli,/erashkë freskuese je për mua,/vajzë bukuroshe ,lule manaferri..” Çdo
vajzë e mirë, grua apo nënë, do gjejë aty këtë fisnikëri të botës femërore, një
fluger që vërtitet nga era e ngrohtë e një shpirti të madh. Prandaj tonet
lirike e ngrenë këtë poezi në nivelin e një leximi të këndshëm, larg pozave apo
manierizmave, sjellin sinqeritetin dhe brishtësinë e dashurisë së një nëne për
jetën. Poezia e saj të fton për rimarrje të vetvetes kur je i mërzitur, të
zgjeron tabllo të thjeshta - kur jetën e sheh ngushtë, të mpreh gjykimin kur
duhet të mos lodhesh në meditime të kota. Ajo të sjell naivitetin dhe
brishtësinë, elokuencën dhe harmoninë duke të diktuar e imponuar ndjenja të
sinqerta, aq të nevojshme për kohën tonë - kur fryjnë erëra te thata të
politikës dhe konfliktualitetit social.Hatixhe Erebara është një poeteshë që
sfidon moshën,sfidon kohën e të jetuarit kot,ajo shpërfaq ato mendime dhe
ndjenja që përfshijnë një kohë të gjatë dhe ndërton kumte hapësinore me
njerëzit e afërt që i ka larg.”bijë,fjalën tonë,/kurrë mos e harroni/kjo fjalë
me ju vjen si balonë,/ me të ëndrrat larg t`i çoni...”Në jetën e saj për 40
vjet ajo pati larg babanë pa e takuar kurrë, dhe tani ka larg fëmijtë, po me
një ndryshim : se komunikon me ta.Kjo largësi e sjell ndjenjën e mallit dhe të
dashurisë,sjell në poezinë e saj një timbër të butë dhe afron imazhe të
freskëta me koloritin e fjalës së thjeshtë.Jo më kot titulli :Pikojnë yje
mbi sytë e tu e sjell veçanërisht këtë
gjë dhe na bën të mendojmë ashtu si tituj të tjerë :fotot flatrojnë si
engjëjt,apo:kanë ikur të gjithë hijet veç hijeve të kurbetit.Janë këta tituj që
përbëjnë nervat lëvizës të disa cikleve në poezi dhe mjaftueshëm na sjellin një
botë të pasur që lundron në mallin e saj, mall nëne.Edhe pse është një poete
lirike ajo nuk ka droje të përshkruajë e të ngacmohet nga motive sociale,
politike, të kapë motive të përditshmërisë e në këtë kuptim shfren ndjenjat e
saj të mospajtimit me të djeshmen e të sotmen.”Në varfëri,mjerim,/rrëshqet
gjarpri larosh,’t`i ikësh atij si mallkim,/të shkosh larg,/po ku të
shkosh...”Duke ardhë nga një shtresë që vuajti hijen e persekucionit të
diktaturës, në shumë poezi shprehet dhimbja dhe evokohet portreti i atyre
njerëzve që vuajtën burgjet me pa të drejtë.Duke u ndalur konkretisht(si poezia
për Myfitin)ajo sjell me dy tre detaje pikërisht atë kohë të mizorisë dhe
çmendurisë që solli dënimin e sa e sa njerëzve.”Tu ngjitën si djalli të
vranë,/ditë e gjakosur s`fshihet dot,/të vranë kulçedrat ,të shanë,/përse të
ranë,se dimë as sot...”Në përgjithësi poezia e saj sjell një botë të
çlirët,lirike,me hove të qeta e vargje të thjeshta, një poezi që vjen nga
dashuria e madhe për jetën,për të dashurit e vet,duke dhënë kudo frymën
pajtuese të një gruaje ose të një nëne.Kjo lloj poezie shkruhet me një sinqeritet
të thjeshtë po të besueshëm, me një ritëm dhe kadenca të buta që përvijojnë dhe
lejojnë të hetohet spontaneiteti dhe natyrshmëria e një poeteshe që e ndjen atë
që shkruan, nuk e sajon,sepse kjo poeteshë është vetvetje dhe u rri larg
manierizmave apo ngjashmërive dhe përpjekjeve të të dukurit interesant.Kështu,
kjo lloj poezie lexohet me kënaqësi dhe të mjafton për të kuptuar një botë
njerëzore transparente, një botë të trazuar dhe të sillesh rreth saj për të
kuptuar ngjyrat e fjalës.”Një radhë yjesh u
shpërndanë,/humb madhështi e tyre,/diku, nëpër botë ranë,/na iku dritë e
syve...”.Sepse ngjyrat e fjalës tek kjo poeteshë sjellin njerëzoren,
përditshmërinë dhe perfeksionohen me një regjistër të thjeshtë të të
shprehurit,regjistër që shkruhet me aromën e ditëve të bukura dhe të trishta,
të ditëve me mall e dashuri për jetën,kohën që kalon, por pa rënë kurrë në
pesimizëm, veç duke tentuar t`i marrësh jetës atë që është me e bukur edhe pse
vitet shkojnë...Poezia e Erebarës vezullon ashtu si valëte Drinit, Lumit
tragjik që një pjesë të trupit të vet e lë jashtë,brenda trojeve shqiptare të
okupuara. “ndizet qielli, tërbohet,/egërshan seç gjëmon,/Dri i lashtë, ti
zgjohu,/zgjimi jot mirë na bën”...Ajo vjen nga qyteti i Dibrës së Madhe,nga ky
qytet i vjetër dhe në poezinë e saj ndihet fisnikëria e qytetarisë
shpirtmadhësisë dhe dinjitetit të këtij qyteti që është një refles motesh të
shkuara dhe të sotme.Vezullimet lirike të poezsë së saj shtrihen brenda këtij
dimensioni kohor dhe mbarten e përçojnë dritë të butë ,hellësisht të këndshme
edhe sot.”Në trëndafilë lulëzonte pranvera,/dorë e butë i përkëdhel,/aromë e
jetës si përhera,/vjen dhe zemrën ma çel...”Kështu poezinë e saj ne mund ta
lexojmë në aspektet e këndshikimeve të mendimeve të një përditshmërie që
shtrihet në një kohëhapësirë të gjatë.Si poete e vërtetë, larg ndjenjave të
dyzuara, ajo nuk ngurron ta thotë atë që mendon, ndryshe nga shumë poetë të
cilët mistifikojnë figurën dhe abstragojnë mendimin për tu treguar
modernë.Moderniteti i kësaj poeteshe qëndron në thjeshtësinë dhe thellësinë e
ndjenjës, brenda një sinqeriteti që shpërfill prapësitë e kësaj bote dhe
konturon pamje njerëzore përmes imazhesh fluide.Kështu krijohet vetvetiu ajo që
quhet afërsia artistike midis poetit dhe lexuesit, një afërsi që pulson përmes
krahasimeve, metaforave apo epiteteve plot përqasje jetësore.Ne shpesh na
pëlqen kjo lloj poezie, sepse nuk futet në tornon e një mjeshtri maniak
formash, po ajo rrjedh e lirë dhe konform kësaj lirshmërie i gjen vetë format
aq natyrshëm dhe bukur duke arritur një nivel të mirë artistik.