E premte, 02.05.2025, 07:43 PM (GMT+1)

Kulturë

Rrustem Geci: Monolog i Priamit

E hene, 05.10.2015, 01:35 PM


Monolog i Priamit

Poemë

- Dashuria ka natyrën e mëmës dhe të atit,

Demoni i saj nxitka trazira dhe lufëra !..

Unë mbret i vetëm i Trojës, zotëria

vet, të gjitha dijet ia fala vendit tim

dhe njerëzëve të mirë të këtij qyteti

liri, hijet që lëshojnë pallatet e mia

janë prej yjeve, prej hënës, e diellit

Troja shumë e çmon lirinë. Pyeteni

filizat e ëndërrave që rriten këtej

ata në ( qeshje ) i kanë shkronjat

dhe në vaj, vuajtjet e dëshpërimin!

Grua e Trojës, grua shumë e bukur

grua e nderuar, dhe nënë e trimave

dashuria e jote lindi tërë këtë qytet

dashuria jonë i dha petale luleve

Në Trojë, populli është zemëruar

Yje ka qielli, dhe ende është natë

dardanët kudo po grumbullohen

ti mbrojnë o t´i djegin kullat e tyre!..

Troja nuk jepet! As Troja nuk falet

Helena, vet e deshi djalin tim, ajo

marrëzisht u dashurua në Paridin

Menelau ishte pa njësyrin e Polifemit

Troja s´ka pse të frikohet, jemi në

vendin tonë. Njëgjakësh jemi dardanët

zemërimi mund të jetë i fshehur

po djali e vajza janë të dashuruar!..

 

2

 

Në Trojë një Trojë kundështon, që

Troja nga zemërimi të mos digjet

yje ka në qiell dhe ende është natë

përpara do të kemi luftë të gjatë

ay plazh që duket tani i shkretë

shpejt do jetë një varr pa varre

luftat të ngjajshme si e jona, edhe

hekurin e fortë e djegin e bëjnë hi!

Iliadë e Homerit e ruajti Trojën

shqipen e lashtë të stërgjyshërve

për Paridin, Helenën, dhe Athënen

do të jetë një ditë me pakëz Trojë

Troja është rrethuar me legjenda

me kafshë gojëdhënash e lugetëri

në Histori rrugët janë të ngushta

mendja hyut e di çka do të ndodhë

në diell trojanët njihen mes vete!..

Troja do mbetet kujtesë misteri

derisa t´ zbardhen hiletë e Akejve

do duhen ndoshta edhe mijëra vjet

e vërteta e Trojës të thuhet, drejt

Luftën nuk e shpika unë, o Zeus

por rrufetë që fshihen pas stuhive

Lejen ua dha shtisi i vullkaneve

dhe njësyshi i Polifemit të Adamit!..

 

3

 

Përderisa dashurinë e dashurojmë

natyra e këtij demoni nuk ndalohet

pyes, a jemi mjaft të mjaftfuqishëm

mjaft të mjaftkujdesshëm, që t´ia

falim, të fundmen dashuri Trojës

gjykojeni vetë at´Kalë gojëdhënash

në oborrin tonë, a s´është turpi ynë

këtë humbje s´do ta quaja ndryshe

pos, mjegullën ma të ultë në planet

Qaj flamuri ynë, qajë dhimbja ime

Se unë Priami, vrava shtëpinë time

pa u spërkatur me asnjë rreze yjesh

Në tërë këtë gjëmë ku tash jemi

s´ ka strehë që mund të na shpëtojë

në këtë mjegull tonën Troja u shua

nga më e ndyta shpatë e armikut

në Trojë gjatë s´do të ketë flamur

as njerëz që qeshin,dhe që punojnë

shtëpitë tona që na i dogji “Kali...”

me asnjë lloj gjaku nuk pastrohen

Troja vdiq pa u bekuar me fitore

këtij vendi do t´i vihet emër tjetër

Në eposet me nam planetare, Troja

është përbashkuesi i të humburve

forca gravitetit të të shuarve, natyra

e kohës,e padukshmëja e dashurisë!..

 

4

 

Kjo botë e dashurive të mëdha

Është përtej mundësive të mia

dhe kjo luftë s´do të jetë e fundit

po mund të quhet një luftë e parë

një djall fshihet çdoherë tek vetja

se flakët që po e djegin Trojën

do ia hanë trupin tërë pellazgjisë

Jo tëgjitha luftat janë të dobishme

këtë ma thoshte gjyshi në Artë!

Të krijosh kohë do të thotë fillim

pagjëmësi jete, dhe ide e bardhë

kjo që tani po ndodhë këtu tek ne

është mjegulla më e ligë në tokë

ku as mes miqëve s´ ka miqësim

Ne vritemi me ata që po na vrasin

kjo është Troja e Priamit, Troja

jonë, Troja që dardanët e ngritën!..

Tani që jam në mes të dy kohëve

asnjë shpresë Trojën s´e shpëton

qytetet mbijetojnë aq sa jetojnë

Lufta e Trojës, s´është në dobinë

tonë, por në dobi të zjarrvënësve!..

Muza sot më thoshte të vërtetën

ende ka shkretira të pabanuara

Troja do ngrihet dhe rindërtohet

por asnjë Trojë s´do të mbijetojë!

 

5

 

Trojë, ti sot armike e ke dashurinë

dhëndërrin Paridin, dhe nusen e tij

Helenën. Dashuria s´ ka pendë, as

krah, që t´ia shkulim e t´ia thyejmë

ta mbys Paridin s´më bie ndërmend

dashuria natyrën e ka prej mëmës

ndërsa fshehjen e trimërinë prej të

atit! Kohën s´ ma bën të dureshme

as bijë e Afërditës, dhe as hija e saj

pyes; çdo bëhet me Akropolin, me

pasuritë shpirtërore të pellazgëve?!

Trojë, ti sot armik e ke dashurinë

nga të erdhi ty ky tigër prej zjarri

apo mos unë jam ajo kafsha e keqe!

Vaji i detit është i njëjtë me timin

kripa e njelmët ia mprehë tallazet

në cekëtina e plazhe ka kufoma

dhe kafka kokash sa për një Kala

vetëm nën qiell të shqipes ka Trojë

vetëm nën qiell të shqipes ka Iliri

edhe i vdekur do kem mall për Trojën!...

Prej lindjes unë e dashuroj Trojën

drerin e ëndrrave e kam në zemër

o fat i Trojës, tragjedi e Priamëve

luftën s´e ndalim! Troja do digjet,

por do digjet,edhe fitorja e armikut!..

Rrustem Geci - Dortmund, 2015



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx