E premte, 02.05.2025, 07:56 PM (GMT+1)

Kulturë

Përparim Hysi: Xhemali që "nuk mbushte" mirë

E hene, 05.10.2015, 01:32 PM


Xhemali që "nuk mbushte" mirë

Tregim

Nga Përparim Hysi

Jo pa qëllim, atë"nuk mbushte" e kam vënë në thonjëza. Mbushte apo nuk mbushte mirë Xhemali, lexuesin e ftoj që të arsyetojë vet. Xhemali,  qe moshatar me mua dhe njihej si kali balash, jo vetëm në fshatin tonë, por dhe në fshatrat për rreth dhe deri në Fier.  Njihej jo se qe me yll në ballë, po për kohën (flitet nga pasçlirimit dhe deri sa u përmbys regjimi i shkuar), qe pak si përjashtim. Djalë në vakt, nuk punonte,por bridhte i lirë siç  bredh i lirë një zog në pyll. Nuk njihte njeri për zot veç nënës së tij dhe,sado që ishte nga një familje e mirë, kish  zgjedhur që,sa fuste kokën atje dhe, për të tjerat, bënte siç i thosh mendja. Nuk e morën ushtar se fëmijërisë kish pësuar një goditje cerebrale dhe e kish bërë belbacak. Atëherë, kur nuk e morën ushtar, thanë për të që"nuk mbushte" dhe ai sikur e pranoi këtë paranomë dhe nuk vinte as në punë. Bridhte kot më kot. Qe i fortë si një dem dhe, po të llogarisje një shkop me një burmë prej çeliku në fundin e tij, atëherë bëhej dy herë më i fortë. Askush nuk guxonte t'i mbrente qetë me të,se e dinin që "nuk mbushte". Edhe ai nuk ia kishte askujt  për pesë, por sado i fuqishëm dhe sado që "nuk mbushte", kurrë nuk i binte kujt në qafë. Ë, në ndodhte se të kishte ardhur fundi, atëherë mbrehu me të dhe përcillu nga kjo botë. Se nuk matej dy herë, për ta dhënë me atë burmakun që, tek ia shihja në dorë, më kujtonte ndonjë luftëtar të kohës së Robin Hudit. Shkonte nga ta çonin këmbët dhe nuk njihte barriera që ta pengonin. Po kush mund ta pengonte atë?

*     *    *

Ndonjëherë, sikur e kërkonte sherrin; sikur donte të vinte në provë fuqinë dhe të"drejtën" që kish mbi të tjerët. Në fermë, tek  stallat e lopëve, kishte një rregull strikt: askush nuk futej tek stallat, pa bërë "karantinën?". Me "karantinë" lexuesi duhet të kutpoj që kushdo që kish punë në stallën e lopëve, së pari, duhet të shkelte mbi një"urnë" me gurkali për dezinfektim. Aty kish një rojë që vetëm për atë paguhej. Në nuk vije këmbët mbi të, roja nuk të linte të kaloje. Mirë,or, mirë, po Xhemali qe pak ndryshe. I kish dhënë vetes liri pa fre dhe nuk të njihte për zot. Iu tek që ta kalonte këtë "vijëdemarkacioni", pa pyetur fare, kish apo nuk kish rojë. Rojë qe një i moshuar, me një këmbë në moshën e pensionit, dhe, kur i kërkoj Xhemalit që të kthehej andej nga kish ardhur, ky,siç kuptohet, ngaqë nuk"mbushte",as që e përfilli. Sado i moshuar dhe qe si një gjethe para Xhemal "Herkulit", roja u nxeh aq, sa pa e bërë të gjatë, me një dorak që kishte në dorë, ia vazhiti kurrizit. Ia vazhiti... dhe kujt? Xhemalit? Po Xhemali "nuk mbushte" mirë. Të gjithë ata që panë skenën, u lebetitën. Rojën e shumëzuan me zero.- Por ç't'u desh, mor i ziu,Ismet që  merresh me Xhemalin?! Xhemali, mbasi e priti dorakun pa ia bëri syri "tërr", ia ktheu:- Mirë bëre që më godite.Zëre se më goditi pepja(babai) im! Dhe u kthye mbrapsht, nga erdhi. Se Xhemali "nuk  mbushte" mirë.

*    *    *

Qe si qe, ishte kusuri i tij, po për fshatin dhe bashkëfshatarët bëhej copë. Dëgjoi që xha Ganiut, karrocierit që shpinte qumështin në baxho, i binin në qafë ca gango në periferi të Fierit. Sa herë që karroca e xha Ganiut i afrohej baxhos," piratët" dilnin nga ferrat dhe sulm. Miërpo këtë herë, xha Ganiu ish marr me vete Xhemalin. "Piratët" zakonin, por sa bën çapin e parë, fluturoi burmaku i Xhemalit dhe, para se  të vinte ky këmbët në tokë,"piratët" i përpiu dheu. Që të nesërmen, xha Ganiu u bë si me krah. Se aty qe Xhemali që"nuk mbushte" mirë.

Shkuam me skuadrën e futbollit që të ndesheshim me një skuadër nja dy orë larg. Xhemali qe nisur me kohë dhe, kur sosëm, e gjetëm atje. Filloi ndeshja dhe paska ndodhur që unë shënova një gol. Xhemali brohoriste mbi të tjerët. Në pushim të ndeshjes, më tha:- Papi (kështu më thërrasin të gjithë ata që më njohin) kam një fjalë me ty.

-Po, hë Xhemal, ma thuaj!

- E di se si më tha ai, shaferi i komprativës muana?

-Çfarë të tha?

-Kur bëre golin ti, më tha:- Xhemal, na këto pesëdhjetë lekë dhe  ma rrih atë Papin njëherë!

-Po ti, si i the?- pyeta unë.

- E di si i thashë:- Unë Papin nuk e rrah dot vetëm, por hajde dhe ti, qëkur të bjerë Papi njëherë, unë ta vazhis me këtë burmakun që kam në dorë. Dhe iku "likthi" se do  ta kisha bërë copa. Ja, i tillë qe Xhemali që" nuk mbushte" mirë.

*    *    *

Katër goca nga fshati ynë u  caktuan me punë në parkun e Patosit. Nga fshati në Fier (me tri turne) rreth 4 -km i bënin në këmbë. Familjarët e kishin të mbledhur mendjen: i shoqëronte vullnetarisht Xhemali që"nuk mbushte" mirë. Ai rrinte në distancë, në dorë burmakun dhe kurrë nuk pati ndonjë shqetësim. Xhemalin që"nuk mbushte" mirë, po ta kishe mik, nuk gjeje më besnik. Nuk  të lëshonte edhe sikur të vdiste. Qëlloi që në fermën tonë erdhi një përgjegjës shumë i mirë. Disa kishin qenë para tij dhe askush nuk u kujdes për Xhemalin. Ky, përgjegjësi, NASI  SAULI (enkas e shkruaj me të madhe), sa e njohu Xhemalin,  e thirri në zyrë dhe i tha:- Xhemal, nga sot do të jesh roje në vreshtë! Xhemali mend qau- se "nuk mbushte mirë,de!"- dhe filloi punën menjëherë. Nuk njihte orar, ditë apo natë, njësoj qenë për të. Rrushi "Hafuz-Ali" i fermës sonë qe me nam në tërë vendin. Kur piqej, kalaveshat ta bënin me sy. Në bllokun ku ruante Xhemali, nuk para afrohej njeri. Se ky"nuk mbushte" mirë. Po ky,Xhemali që nuk"mbushte" mirë, kishte një huq:- Në i kërkoje leje, ia ta jepte atë me pashë. Ha,sa të ngopesh,- thoshte ai.

Qëlloi që Xhemalit i kërkoi për të ngrënë rrush dhe një kolegu im. -Ha,sa të ngopesh dhe të të bëjë mirë!- i tha Xhemali që "nuk mbushte" mirë. Mësuesi hëngri sa hëngri dhe, kur e kish mbushur një trastë plot, tak dhe, sikur ta kish sjell dreqi, u rrëfye vet drejtori i ferëmës. Ky, nga natyra qe sikur i kish ngrënë gomari bukën dhe, po të niseshe dhe nga tituj që gëzonte nga partia e pushteti, të bënte gjëmën. E pa, këtë"kusurmadhin", kolegun tim atje në vreshtë dhe sokëlliu, siç e kish zakon:

-Kush ta ka lënë këtë? Nëna apo babai? Tek bërtiste kështu, dëgjoi Xhemali që "nuk mbushte" mirë dhe  dha frymë mu përballë drejtorit:

-Shoooooku   drrrejtor,- duket qe i tensionuar dhe i mbahej ca  më shumë goja,- këtëna (e kish fjalën për kolegun tim fatkeq),e futa unë në vreshtë dhe nuk ke punë t'i flasësh.

- Pse ti mallin e babait e ke?- bërtiti drejtori që as nuk e dintë në mbushte apo nuk mbushte mirë Xhemali. Xhemali u nxeh ca më tepër dhe ia pat drejtorit:- Se ma la babai muana apo ma la jotëmë, këtë e gjejmë pastajna ne. Ma bëj muana ngarkim, se una i dhashë leje,- i dha fund Xhemali.

Drejtori që sikur ra në zot, tha:- Mirë për të ngrënë, po ky ka ka mbushur dhe  trastën.

-Aha,- tha Xhemali,- për trastën paguan ai, una vetëm për sa ka ngrënë.

Drejtori u çudit me qëndrimimin e këtij rojeje kaq ezber dhe të drejtë dhe,sikur u shkund nga retë e zeza, e fali dhe kolegun dhe Xhemalin aq të mirë. Kolegu nuk e deshi veten,sidomos para Xhemalit që"nuk mbushte" mirë. Për Xhemalin që"nuk mbushte" mirë, ka dhe histori të tjera që janë si një"te deum", se ,për fat të keq, u nda nga jeta në moshë të re. Me këto pasazhe që solla, besoj se lexuesi e ka mjaft që ta kuptojë në mbushte apo nuk mbushte mirë Xhemali. E sa për mua dhe bashkëfshatarët, e kujtojmë si një njeri të mirë që nuk i bënte askujt dëm.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx