E premte, 02.05.2025, 12:46 AM (GMT+1)

Kulturë

Bedri Tahiri: Filozofia urtake e krijuesit fillestar

E diele, 11.10.2015, 06:43 PM


Filozofia urtake e krijuesit fillestar

(Endrit Kovaçi, Kur zgjohesh nga gjumi, Prishtinë, 2015)

Nga Bedri TAHIRI

Gjimnazi “Eqrem Çabej” i Vushtrrisë, krahas edukimit dhe arsimimit të brezave të rinj, kohëve të fundit, ka zënë të mbarën edhe në fushën e krijimtarisë letrare. Ai, tashmë, është shndërruar në një lulishte të bukur, ku, çdo vit, bulëbërojnë filiza të rinj, që, me aromën e tyre, gudulisin mendjet e etura për dije, madje edhe të vetë mësimdhënësve. Kështu, penat e tyre, të sprovuara edhe në faqet e revistës “Gjimnazisti”, morën guximin dhedolën edhe me libra të suksesshëm. Mjafton të përmendim Ramadan Bozhlanin, Liridon Miftarin, Gloriosa Dobrën, DafinëMusën, Nazmije Zekollin, Remzije Zekollin, Albulenë Shaqirin, Liridonë Ibrahimin etj.

Kësaj plejade krijuesish, në fillim të vitit 2015, iu shtua edhe djaloshi maturant, Endrit Kovaçi, me përmbledhjen e bukur poetike “Kur zgjohesh nga gjumi”.

Që në fillim duhet cekur se poezitë e tij nuk dallojnë shumë nga ato të kolegëve moshatarë. Ato, në përgjithësi, janë shpërthime të fuqishmevrullesh rinore, të cilat u ngjasojnë gonxheve që nuk duan të dinë për borën e vonuar e për acarin tekanjoz, që hakërrohen dhe përpiqen tua ngrijnë petalet.

Gjatë leximit dhe rileximit të kujdesshëm të poezive në dorëshkrim, hetova se kjo penë njomëzake paralajmëron një krijues serioz, nga i cili mund të presim realizime të bukura artistike. Vetë titujt e poezive janë të përzgjedhur dhe mjaft lakonikë, gati secili përbëhet nga një fjalë e vetme, gjë që dëshmon përkushtimin e tij prej krijuesi që synon të ecën përpara. Bota e tij poetike është e larmishme, ashtu siç është edhe vetë jeta, andaj edhe poezitë nuk janë klasifikuar në cikle të veçanta tematike e motivore. Ashtu tok, ato paraqesin një mozaik të shkëlqyer ylberor, që librit i japin kuptim e ngjyrim emocional në përmasat e një shtjelle engjëllore.

Kredoja e tij prej krijuesi fillestar, edhe pse ende adoleshent, preokupohet me tema madhore, me hallet e përditshmërisë, me fatin e popullit e të shoqërisë sonë. Atdhetarizmi është lajtmotiv që si një pe i kuqpërshkon shumicën e këtyre krijimeve poetike. Kështu, që në poezinë e parë “Shqiptar”, ai mëton të na jep një pasqyrë reale të pranisë sonëtë hershme në këto troje:

 

Jemi këtu nga pellazgëria

Këtu i kam trojet e mia

Po unë jam këtu aq moti

Sa para meje ishte veç Zoti

 

Këtë ide e sforcon edhe te poezia “Besa”, duke shpjeguar se fjala e dhënë, besa, për shqiptarët kurrë nuk ka qenë e shkruar në letër, por e skalitur thellë në zemër. Për të, Konstandini është ngritur nga varri, por sot, mjerisht, sikur është lëkundur dhe është zbehur ca.

Siç theksuam më lart, Endriti, edhe pse i ri në moshë, herë- herë, merr guximin e një urtaku të sprovuar dhe jep këshilla e porosi filozofike. Kjo më së miri hetohet në poezinë “Kur zgjohesh nga gjumi”, emrin e së cilës e mori edhe gjithë libri. Pas përsiatjeve të shumta, e ngre lart, deri në lajtmotiv profetik thënien kuptimplote:”E mira të vijë, nëse e ke ftuar”.

Që nga lashtësia është konstatuar se poezia është zëri i vetvetes. Një e vërtetë që e mbështetën edhe teorikët e mëvonshëm. Heroi lirik, zakonisht, është hero autobiografik. Edhe poeti i ri, unin e tij të qetë e të heshtur, sikur e akcepton në vargjete tij brilante. Në poezinë “Hesht” shkruan:

 

Pse njerëzit flasin

Dhe shumë nuk mendojnë

E pikërisht kur duhet të flasin

Më së shumti ngurojnë

 

Djaloshi mendjehollë sikur i ka rënë në të hiles së parasë, pas së cilës sot e gjithë bota po përpëlitet vërdallë. Ky, përkundrazi, atë nuk e çmon mbi gjithçka. Ajo nuk është lumturia vetë, sepse në poezinë “Pasuri” thotë:

 

Jo, paratë nuk janë lumturia e vërtetë

Por, famijla jote që të do përjetë

 

Ai, mbi të gjitha, çmon origjinalitetin dhe të “Identiteti” shkruan: “Nëse nuk je vetvetja, ti nuk mund të fitosh”.

 

Nëpër vargjet e këtyre hartimeve poetike, të organizuara në strofa të bardha e me rimë të brendshme, jashtë rregullave të ngurta teorike, rrahën edhe probleme jetësore të përditshmërisë sonë, si: varfëria e skamja, humaniteti e bamirësia, ikjet dhe ndarjet, përmallimet e këndelljet. Te poezia “Dhuro” fare qartë shihet roli i solidaritetit:

 

Pak nga ti, pak nga unë

Për dikë tjetër, bëhet shumë

 

Mbi të gjitha çmohet çelësi i kësaj bote, dituria. Njeriu pa dituri, është i vdekur, sepse:

 

A ka mundësi të vdes njeriu

në të gjallë të tij?!

Ndoshta, edhe ka mundësi

Se i vdekur është ai që s’ka dituri.

 

Tek poezia e Endrit Kovaçit hetohet edhe një ndikim i lehtë i frazeologjisë sonë të pasur popullore, e cila, gjithmonë e ka ushqyer letërisnë tonë artistike. Kështu, duke folur për punën, të poezia “Mos ndalo”, konstatohet:

 

Të punojmë me aq sa kemi fuqi

Se edhe ujit që rri, nuk i ka hijeshi.

 

Ndjenjat e larta njerëzore të djaloshit poet vërehen edhe tek poezia “Njeri”, ku hapur del kundër dallimeve racore, ngjyrore, gjinore e fetare, sepse:

 

Pse ka rëndësi,

i bardhë apo i zi

kur secili prej tyre

është njeri

 

Shqetësimet e tij për paradokset tona të sotme, janë të arsyeshme dhe me vend. Ato i shpreh në vargjet e poezisë “Drejtësi”, kur ironikisht thotë:

 

Sot, padrejtësia është drejtësia vetë

Po kërkove të drejtën bere padrejtësi...

 

Dashuria, ndjenja më suptile që përbën elementin kryesor të qenies njerëzore, ka trokitur edhe në zemrën e djaloshit dhe ajo, dashnorja, te poezia “Edhe sa?”, zor që të shqitej prej andej:

 

Ishe e bukura e jetës sime

Kishe hyrë në shpirtin tim

Ishe helm i zemrës sime

Më nga ti s’kisha shpëtim.

 

Dhe, nëse në fillim, është hamendur ca, tashti është pajtuar më të dhe:

 

Atë që dje kërkove

Do ta japë sot me dëshirë

 

Dilemat e njeriut janë të shumta, por djaloshi tek poezia “Beteja më e vështirë”, konstatohet se:

 

Beteja më e vështirë është

Ta bindësh veten në jetë!

 

E unë, në të përfunduar, jam i sigurt se Endrit Kovaçi e paskësh bindur veten se është i zoti t’ia mësyjë Panteonit të quajtur POEZI, andaj, si redaktor, i dëshiroj suksese dhe mbarësi në jetë e në krijimtari!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx