Kulturë
Bardhyl Maliqi: Kostandin Vogli - ''Treni i Jugut''
E merkure, 14.10.2015, 12:16 PM
“TRENI I JUGUT”
Një vepër që përfaqëson etnotipin humanist të shqipëtarëve
Nga Dr. Sc. Bardhyl Maliqi
Gjykimi mbi një vepër letrare mund të kryhet nga shumë pikëvështrime, të cilat në thelbin e vet janë qëndrime të një lexuesi të specializuar nga leximi i një teksti në kontekstin bashkëkohor ose referencial. Sot do të ndriçojmë veçanësinë e një vepre letrare në funksion të paraqitjes me vertetësi jo vetëm të një realiteti të njohur, që ka të bëjë me fatin e hidhur të popujve në Luftën e Dytë Botërore, por më tepër se kaq. E parë në optikën e kërkesës për ta vendosur analizën e romanit “Treni i jugut”” në kohën e vet, në rrethanat historiko-shoqërore, që e përftuan atë apo në kontekstin e kulturës sonë kombëtare, madje dhe të drejtimit letrar realist, që preferon ky autor në të gjithë veprën e vet tregimtare (Ura e prishur, Kur vidheshin yjet), novelistike (Masakra) e romaneske (Çudia e ujqërve e Robër lufte) etj.
Në lidhje me analizën në funksion të hetimit të anëve biografike të shkrimtarit, të vetëdijes dhe pavetëdijes së tij mjafton të kujtojmë se bregdetasit ( banorë të Nivicës, Shenvasilit, Lukovës, Piqerasit e Qeparoit), që përbëjnë grupin e robërve të luftës, të cilët vihet në qendër të romanit, nuk janë kush tjetër veç bashkëvendasit e tij me në krye të atin, që qëndron pas kryepersonazhit Gjergj. Pra është e qartë se një ngjarje rrënqethese, siç qe marrja rob e internimi në kampet e përqëndrimit në Gjermani, posaçërisht në Melburg. Peripecitë e privacionet e shumta në udhën vajtje e kthim i atyre që mbijetuan nga masakra naziste është në fokusin e subjektit artistik të veprës. Kjo e vërtetë lakuriqe zë vend në ADN-ën e veprës, ndaj dhe nëntitulli i romanit “Treni” ndodhet në çdo qelizë të veprës, pra nuk mund të hiqet, zbukurohet apo tjetërsohet. Për robërit e luftës nuk ka pasur kurrë ekuivalent zbbukurues apo fjalor eufemik. Edhe për ekstremistët e sotëm apo të djeshëm, që nuk e pranojnë Holokaustin apo shfarosjen e hebrejve në dhomat e gazit, ka mijra fakte, që dëshmojnë racizmin e tyre në dritën e diellit, ndaj fshehja në këtë rast pas radhëve të partive politike ekstremisht të djathta nuk është shpëtim, por demaskim, pasi ka një Yad Vashem dhe Kongres të Senatit të SHBA-së, që flasin; por ka dhe një histori të Shqipërisë që dëshmon.
Pra, “Treni i jugut” me qëndrimi ndaj hebrejve spikat si një vepër letrare e mbështetur jo vetëm në një truall real ngjarjesh, por edhe në etnotipin dhe humanizmin e njohur të shqiptarëve. Me këtë vepër veç të tjerave autori Konstandin Vogli bëhet zëri i Shqipërisë që flet, sakrifikon dhe vihet në mbrojtje të hebrejve. Natyrisht përfshirja e dashurisë mes një vajze hebre, Marthës dhe shqiptarit Gjergj, si një linjë e dytë veprimi, që ndërkallet brenda linjës së parë: luftës, robërve dhe viktimave të saj; shënon njëherazi një prej arritjeve kryesore të veprës. Është arritje sepse Martha të mbetet në kujtesë për feminitetin, delikatesën, bukurinë dhe tragjiken e vet dhe dashuria mes saj dhe shqipatrit Gjergj, një dashuri që nuk mbështetet në ethet e mishit dhe hormonet e testoteronit, në ereksion dhe harbim (sy me të cilin e shohin të tjerët Marthën, veçanërisht ushatrët e vendeve aleate.) Përkundrazi Dy dashuritë e saj: ajo e oficerit nazist, majorit Gerard, megjithëse e njëanshme, pasi Martha e respektonte ndjenjën e tij dhe përfitoi prej saj, por nuk ju përgjigj dhe nuk mund t’i përgjigjej asaj, pasi nuk mund të ngrihej mbi etnotipin e vet hebre, dhe as nuk mund të tregohej mosmirënjohëse. Ndërsa në dashurinë e dytë mes Mardhës dhe Gjergjit kemi një lidhje të mbështetur jo vetëm në bukurinë fizike, por kryesisht një lidhje të bukur shpirtërore. Mirëpo ky qëndrim romantizues në këtë linjë veprimi nuk mund ta shpjegojë as urrejtjen dhe masakrën gjermane veçanërisht ndaj çifutëve dhe as mbrojtjen që gjetën ata në Shqipëri dhe mes shqiptarëve. Romancieri ka dhënë thelbin e etnotipit shqiptar: besën, mikpritjen dhe humanizmin e njeriut shqipar në përgjithësi, dhe mbase intuitivisht ka mundur të hedhë më tepër dritë në raportet shqiparo-hebraike, në shtresëzimin hebraik në kulturën shqiptare. Vetëm në rrethin e Sarandës ka disa dëshmi kokëforte të kësaj kulture, siç janë: Varri i çifutit në Fterrë dhe peligranazhet që kryheshin atje, Sinagoga Hebraike në mes të qytetit të Sarandës, objekt muzeal dhe turistik i denjë për respekt apo disa mbiemra që i gjejmë njëherësh edhe këtu edhe në Izrael. Pra shkurt, ashtu siç konkludon dhe dëshmon me të drejtë studiuesi i njementë prof. Shaban Sinani në veprën e tij monografike "Hebrenjtë në Shqipëri - prania dhe shpëtimi", (ku folklorizmat dhe fabulat romaneske kthehen në faktologji) se shtresëzimi kulturor greko-romak dhe ai bizantino-osman ndodh njëherësh edhe me shtrsëzimin e kulturës hebraike dhe qëndrimin human ndaj hebrenjve në Shqipëri. Dhe kjo pavarësisht nga qëndrimet politike të shqipatrëve në çështjet e tjera. Norbert Joklin si albanolog hebre e kanë dashur dhe respektuar të gjithë shqiptarët. Po kështu Ajshajni i madh është larguar për në SHBA i paisur me pasaportë shqiptare nga qeveria mbretërore, ndërsa Robert Shvarc respektohej si përkthyes hebre nga komunistët shqiptarë.
Në një aspekt tjetër, ashtu si edhe veprat e tjara në prozën e Kostandin Voglit ky roman, së bashku me novelën “Masakra” formojnë një pëkujtimore gati të gdhendur me daltë për historinë e përgjakshme, tragjike dhe rrënqethëse të bregdetit tonë e posaçërisht të dy fsahatrave binjake: të Shen Vsilit dhe të Nivicës. Vogli gdhendi nje vepër të madhe! Kjo është e vërteta, jo thjesht pse rrahu një temë pak të trajtuar në letërsinë tonë, por edhe pse e mishëroi atë me mjaft vërtetësi. Po evidencoj disa të vërteta të thekshme siç na vijnë nga jeta dhe gjejnë një pasqyrim adekuat në këtë vepër:
Vuajtjet e paskajshme të robërve të luftës, vrasjet e tyre të pabesa, pafajshmëria e tyre. Këtu dëshmohet se ata u morën nga arat dhe nga banesat për t’u pushkatuar apo internuar.
Bindja e verbër e hirarkëve nazistë dhe ushtarëve të kthyer në robër në shpirt ndaj Hitlerit, vrasjet, torturat, qëndrimet e tyre çnjerëzore përgjakin gjithë narracionin e kësaj vepre, siç përgjakën realisht trojet e atdheut dhe kampet e përqëndrimit.
Difirencimin e tyre të prerë me popullin e thjeshtë gjerman, të ndershëm e punëtor, që jo vetëm i mëshironte, por edhe i mbështeste, ndihmonte dhe inkurajonte robërit e luftës duke i trajtuar si njerëz me dinjitet.
Të vërtetën se dashuritë janë si lulet e parakohshme, që mund të çelin edhe në mes të thëllimit. Edhe dashuria pa përgjigje e një oficeri nazist me Marthën, një vajzë hebreje nga qyteti i Janinës, edhe dashuria reale, por e pafat e Gjergjit me Marthën, a nuk janë të tilla?
Faktin se ndaj hebrejve popuj të ndryshëm ballkanikë nuk kanë mbajtur qëndrim të njejtë në kohën e luftës, ashtu si edhe sot, që në roman rrefehet nga njera anë me spiunimin, vjedhjen, djegien dhe rrënimin e banesave të tyre në Janinë dhe në Selanik dhe nga ana tjetër në përpjekjen e shqiptarëve të burgosur për t’i fshehur dhe shpëtuar nga pushkatimi robërit hebre të luftës.
Diverencimin edhe mes vet popullit grek ndaj hebrejve: fqinjët e Marthës i japin strehë dhe mbështetje vajzës së kthyer, që i gjen familjarët të pushkatuar dhe shtëpinë të rrënuar si dhe bashkëvendasve të saj të burgosur që i mbështesin shqiptarët në fshehjen e hebrejve nga pushkatimi dhe masakruesve të tyre.
Qëndrimin jo gjithmonë të drejtë e tolerant të aleatëve që mbështetën luftën antifashiste të popujve të Ballkanit nga njera anë dhe verbërinë e shqiptarëve që nuk arritën t’i kuptonin në kohë komunistët hipokritë dhe të indoktrinuar, që do të dominonin pushtetin politik në Shqipëri.