E merkure, 01.05.2024, 11:01 AM (GMT+1)

Kulturë

Resmi Osmani: Ora

E enjte, 15.10.2015, 07:11 PM


RESMI OSMANI

Tregim

ORA

Bulevardi qendror i Janinës llapste nga bardhësia e dritave sa të merrte sytë. Prapa vitrinave të xhamta, nën efektin e dritave ndrinin,  rrëzëllinin  e feksnin stolitë e argjendta të gjithfarllojshme, stolisur me inxhi e gurë të çmuar, njëra më e bukur se tjetra. Dyqanet vinin rresht, aq të shumtë sa vështirë të zgjidhje. Ishte rruga e argjendarëve. Djaloshi, me një pako nën sqetull, që e shtrëngonte si të kiahte frikë se mos i ikte, kur mbrriti te hotel “Pirro” mbajti këmbët dhe iu afrua hyrjes së dyqanit. I zoti, një plak  në dukje i fisëm e sqimatar, me syze dhe një mjekër të mirkujdesur, i buzëqeshi dhe e ftoi të hynte. Djali e përshëndeti dhe iu afrua me drojtje banakut të qelqtë dhe nisi të kulloste sytë mbi stolitë e vyera që rrëzëllinin e pasqylyseshin. Kadifeja e zezë dhe pasqyrat ua shtonin  edhe më shumë shkëlqimin dhe bukurinë. Më mjë knd të vitrinës ishin antikat.

-Të të ndihmoj? Kemi argjënde nga më të mirat e të vyerat: varëse me kryq për besimtarët kristiamë dhe me gjysmëhënë për ata myslymanë,me zemra per te dashuruarit, byzylykë me thurje nga me te bukurat, unaza stolisur me gurë të çmuar….

-Faleminderit zotri,-e ndërpreu djali- nuk jam për të blerë, po u hedh një sy stolive, por kam ardhur për të shitur.

Mjeshtri e pa me dyshim. Djali dukej si i friguar, greqishten e fliste me theks të huaj, por dhe pamja e veshja e tij s’ fliste për mirë.

-Pa na e rrëfe, çfarë na ke sjellë?

Djali çpështolli pakon dhe vuri mbi banak një kuti që i ngjante një peshtafi punuar me dru të zi dhe stolisur me leskra argjendi: më së shumti me yje rreth  diellit e hëns dhe motive lulore, zambakë e luleshqerra. Mjeshtrit i mbetën sytë te bukuria e saj. Duhet të ishte daha e vjetër. Pastaj djali hapi kapakun. Brenda kutisë që ishte e veshur me kadife mgjyrë allë ishte një orë. Djali e nxori. Mjeshtrit i lodroi një e qeshur  në fytyrën e paqme dhe në sytë I feksi dritë. E mori orën me kujdesin që merret një foshnjë e sapolindur dhe e kundroi ne heshtje, pastaj mori një lente zmadhuese dhe nisi ta shqyrtonte. Në bazamentin e saj, ishte gdhendur viti 1820 dhe emri i mjeshtrit orëbërës Daniel Levi. Kjo për të qe si goditje rrufeje. Duart ju drodhën dhe pati një mpirje trupi, i pataksur e fuqiprerë e uli orën mbi banak si të qe e magjepsur dhe vetë u mbështet që të mos rrëzohej. Djali e vuri re dhe e pyeti:

-Mjeshtër, nuk jeni mirë?

Atij nuk i erdhi mirë që djali ia vuri re tronditjen.

-Jo mor bir,punë moshe një luhatje tensioni, por më kaloi. Nëse më lejohet të pyes, nga vjen kjo orë? Ai dyshonte se mos ishte e vjedhur.

-Një kujtim familjar. Po ndahemi prej saj me dhimbje, se si ta them   koha e solli që të mbetemi  për bukën e gojës.

-Ti vjen nga?

-Shqipëria.

-Mirë. Po e blej këtë rrangallë,-tha ai si me mospërfillje.-Sa kërkon për të?

-Nuk është rrangallë. Ora punon.Kurdise që ta provosh. Djali rrotulloi çelsin e kurdisjes dhe ora nisi tik-takun e saj ritmik të numurimit të kohës.- KJo orë s’ka të paguar, por unë po ta le për njëqind mijë dhrahmi! Zere se ta kam falur!

Mjeshtri u mrrol e u mpak,shpirti i sarrafit dhe kurnacit u ngrit mbi lakminë dhe dëshirën për ta patur me patjetër atë send që ishte punim stërgjyshor, i të famshmit Daniel Levi, argjendarit të Ali Pashait, që kishte mbuluar me xhevahire Vasiliqinë e bukur. Fati ja kishte sjellë si të zbritur nga qielli. S’mund ta linte t’I shpëtonte zogu nga dora. Po ta kishte të vjedhur, djali me siguri do t’a ulte pazarin.

-Nuk e vlen. Me aq para blen një “Roleks”, jetojmë në kohën e elektronikës. Kjo antikë vlen vetëm për zbukurim në buhar të oxhakut. E kush do ta merrte? Të jap gjysmat.

U hëngrën me llafe dhe bënë pazar: jo aq po kaqë, djali bëri sikur u zemërua dhe gjasme bëri të ikte, po mjeshtri durimmadh s’luajti nga e tija. Në fund djali u dorëzua dhe e la për gjashtëdhjet mijë dhrahmi. I duheshin ato para. E mbajti frymën te agjensia e udhëtarëve dhe me xhepin plot u nis për në Athinë,  ku shpresonte të shiste me leverdi monedha të vjetra ilire dhe ikona të Onufrit.

Mjeshtri, i befasuar e i pushtuar nga habia e pështjellimi i së papriturës nga ky takim me dyqind vjet histori, që ishte krijim i duarve dhe mendjes stërgjyshore, e mori orën para duarve dhe nisi ti flasë:”Eja këtu bukuroshe. Mirëse u ktheve në shtëpi! Ku ke qënë këto dyqind vjet? Në ç’vende e vise? Ku të hodhi fati dhe furtunat e luftërave, në ç’oda kështjellash e sarajesh ka rrahur zemra jote me tik-takun, për tu rrëfyer kohën, arhondëve, agallarëve, trimave, kapedanëve ?”

Pas kësaj bëri me ngut një telefonatë.

2

Pesë vitet që kishin ndenjur bashkë në oborrin e Ali Pashajt, me gjithë ndryshimin e moshës, Marko Boçarin e Sulit dhe Çelo Mehmetin e Picarit, i kishin lidhur me miqësi të ngushtë, gati si një vëllazëri. Kishte ardhur koha të ndaheshin. Kapedan Çelua njëzetvjeçar, shkonte të merrte në dorëzim komandën e garnizonit të  pashallëkut të Janinës në Tepelenë. Markua ishte graduar gjeneral i trupave kryengritëse greke të frontit veriperndimor. Për t’i lënë tumirë njerjatërit, e kishin lënë të piqeshin në kafen e Kiço Zagoritit , buzë liqenit.  Çelua sosi i pari. Nuk hyri brenda. Usta Kiçua, oborrin buzë liqenit e kishte shtruar me rrasa guri dhe kishte vene tryezat e rënda nga dru lisi. Ai zgjodhi një tryezë gati buzujit, ku ndjeheshin llapashitjet e dallgëzave që ngrinte era e vjeshtës, që bënte të shushurinin edhe gjethet e rrepeve. Markua nuk mënoi të vinte. U përqafuan të përmalluar. Të buzëqeshur shihnin në sy njerjatërin.Çelua i bëshëm, ishte nga të paktët që Markua nuk arrinte ta vinte poshtë apo ta mundëte ne lojrat dhe ushtrimet luftarake apo goditjet në nishan. Për të këndonin edhe një këngë:

Marko Boçari suliot

Qan e të këput me lot

Se me Çelon se del dot

Është djalë picariot.

Tek solli në mënt fjalët e këngës, buzëqeshi. E tepronin. E donte Çelon  se ishte trim, i fuqishëm e i fortë,  i pathyeshëm si një krep shkëmbi, i mençur si një prijës, i vendosur burrërisht e me besë prej shqiptari. Të tillë kapedanë do t’i duheshin Shqipërisë.

Edhe Çelua e donte vllazërisht Markun. Shihte tek ai të vetmin kapedan që donte ti ngjante: shtathedhur, i hijshëm sa të mbeteshin sytë, i fortë, kordhëtar e qitës i përpiktë, fjalëpakët e fjalëmënçur në kuvend, trim e guximtar që printe në ballë të luftës, me besim në fitore dhe përbuzje për armikun. Ishte lulja e trimave të Çamërisë.

-Kur të sollën në oborr të pashajt, e mbaj mend mirë, ishe si spurik që sapo i dalin pëndët e shkëputet nga foleja, tani je bërë gjith ky kapedan që do të marrësh fluturimin si shqipe. Nuk të kam pyetur, atje në Picar, ke irate?

-Jo. Im atë, e kishte ndarë mendjen të më bënte bari, andaj në vend të pallës së luftëtarit, më vuri në dorë kërrabën. Picari është I bukur, me ujëra e gjelbërim, po mes maleve të labërisë. Pasuria e tij janë kullotat.

-Të dy jemi malësorë. Edhe Suli im i Çamërisë, është i thatë e gjithë gurë, po burrat i ka të sertë e të fortë si stralli.

Usta Kiçua me perparse borë të bardhë, u solli kafe shqeto , llokume me arra dhe nga një bardhak me ujë.

-Për të mira e gëzime, në dasmë tënde dhe me liri të Shqipërisë,- uroi Markua dhe gjerbi kafen .

-Edhe ty, vëlla Marko, të qofshin armët të pathyera dhe korrç vetëm fitore!

-Kam ardhur me kanisk, se jetës s’i dihet: ndahemi e nga ta dimë  si e sjell fati, shihemi më a s’shihemi.  Diç të kam sjellë  për kujtim. Besoj se do të pëlqejë.

Nga një torbë e lëkurtë nxori një send të pështjellë me një rizë të hollë e të bardhë, e uli në tryezë dhe e shpalosi rizën. U duk një peshtaf nga dru i zi, qëndisur e stolisur me argjend të ngallmuar që feksnin e ndrinin. Kapaku ishte i mbyllur me tokëz.

-Hape!

Çelua e ngriti tokzën dhe e hapi kapakun. Brendia e peshtafit ishte veshur me kadife ngjyrë allë, e aty puthitur në folenë e saj ishte një orë.

-Nxire! Dhe shihe mirë.

Çelos i mbetën sytë. Gjë më të bukur s’kishte parë: Ora ekishte fushën porcelan të bardhë, akrepët të zez, shënimin për ndarjen e orëve me inxhi të kuq, rrethi i jashtëm argjend.Ishte ngallmuar në një alabastër në formën e një shkëmbi trekëndor, të bardhë me damarëzime të trëndafilta, të lëmuar që ndrinte e llapste. Nga të dy anët, majtas e djathtas, ishin të pikturuara mjeshtërisht  dy çifte, burrë e grua të veshur me kostume kombëtare, që mbanin përdore dy fëmijë,djalë e vajzë. Burrat kishin të ngjeshura në silah armët. Në krye të shkëmbit kishte qëndruar krenare një shqiponjë.

-Kjo  është ora e Shqipërisë. Shkëmbi  është mëmdheu, burrat, gratë fëmijët, janë familjet tona, populli ynë. Shqipja, zogu i Pirro Burrit, është liria. Armët e ngjeshura janë për të luftuar që të mbrojmë familjet, popullin tonë, shqipërinë. Për këtë ka ardhur ora. Këtë duhet të mendosh sa herë të shohësh akrepat që rrotullohen dhe të dëgjosh zemrekun që rreh tik-tak.Kjo orë thotë që e djeshmja s’është e sotmja dhe e sotmja s’është e nesërmja, paçka që ato ndjekin e sjellin njëra-tjetrën. Koha është si ujët e lumit, rrjedh në një drejtim pa pra e nuk kthehet prapa. Duhet kuptuar kur vjen dhe duhet kapur që të mos ikë. Greqia e kuptoi që ka ardhur ora e saj dhe është ngritur në luftë për ta shporrur Turqinë. Kambanat bien për varrimin e saj. Edhe ora e Shqipërisë ka ardhur. Ali Pashai e ka kuptuar dhe po bëhet gati për luftë që të bëjë mëvetësinë e shqipërisë. Është i heshtur si një pus dhe nuk e dimë se ç’ka ndërmënt të bëjë. I kemi thënë se këtë luftë s’e fiton dot i vetëm.Duhet të bashkohet me Bushatllinë e shkodrës. Po u bënë të dy bashkë bëhet edhe Shqipëria dhe shporret turqia. Tok me Odisenë, Ja kemi thënë edhe  Ago Vasjarit, edhe Thanas Vajës dhe kapedanëve të tjerë, por Pashai ka tjetër mëndje: ta bëjë i vetëm Shqipërinë dhe të marrë mbi vete gjithë zulmën e lavdinë ose  vdekjen. Ne do ta ndajmë fatin me të. Në u dashtë të vdesim do të vdesim.

Markua që s’e kishte zakon të fliste gjatë, heshti. Edhe aq kishte folur shumë. Çelua e mori orën në dorë.

-E porosita te argjendari i pashajt, çifuti Daniel Levi. Besoj të pëlqen.

-Shumë. S’kishte si bëhej më e mirë.Duhet ta kesh paguar shtrenjt.

-Miqësia nuk ka çmim. Lexo se çka shkruar në bazament.

Çelua e ktheu dhe lexoi:

-Kapedan Çelo Picarit nga kapedan Marko Boçari. Janinë, vjeshtë e parë 1820. E përgatiti mjeshtër Daniel Levi.

-Ta gëzosh e të më kujtosh!

Çelua u ngrit dhe e rroku në qafë.

-Edhe unë të kam sjellë një kanisk, jo kaq të vyer sa yti- i tha dhe nxori nga silahu një pisqollë të bukur, me mollzën e dorezës prej argjendi, kutinë e barutit, shufrën e mbushjes dhe të pastrimit- Qëllofsh në shenjë dhe sa herë të qëllosh, të më kujtosh.

Markua u duk i mallëngjyer. E ngjeshi armën në silah por nuk tha asgjë. Fjalët ishin të tepërta.

Kapedan Çelon e priste çeta e labërve kalorës, veshur me fustanella të bardha. I hipi atit dhe me trok morën udhën për në Tpelenë. Markua u kthye në oborrin e pashait.

Ishte koha e burrave. I prisnin beteja të mëdha, ku ata ose do të mbuloheshin me lavdi,ose do të jepnin jetën.

3

Vajza që hyri në atelien e mjeshtër Levit, ishte shtathedhur, belhollë veshur me xhinse, e bukur sa të mbeteshin sytë, ovali I përsosur I fytyrës, hunda e drejtë e nazike, bardhësia e cipës së fytyrës vihej më shumë në dukje nga e zeza e flokëve të gjata. Dukej tip sportiv. Mjeshtri psherëtiu. Kur ndodhej para të tilla bukurive i vinte  keq që ishte plakur.

-Zonjushë me se mund tju shërbejmë? Për gishtat tuaj kemi unaza të vyera, për qafën gjerdanë të artë e të argjendtë, për qafat e duarve byzylykë të stolisur, për veshët vathë me gurë të kuq rubini, të gjitha stoli që do t’ua shtojnë bukurinë, që ç’është e vërteta edhe pa to është fort e hijshme…..

Vajza e la të mbaronte frazat e ritualit profesional, pastaj hyri drejt e në temë:

-Më quajnë Katerina-Roza Boçari, pasardhëse në vijë të drejtë e familjes së Boçarajve- i tha dhe i zgjati letërnjoftimin.-Vij nga Tirana.

-Atëhere zonjusha është greke, pse nuk më flisni greqisht?

-Gaboheni zotëri. Boçarët suliotë kanë qënë dhe janë shqiptarë- e kundërshtoi vajza prerazi. Malet e Sulit janë bjeshkët e Çamërisë - Në Tiranë është arrestuar një kontrabandist i objekteve historike e artistike. Ai ka deklaruar se u ka shitur juve një relike që është e lidhur me historinë e familjes sime. Orën që Marko Boçari i kishte dhuruar kapedan Çelo Picarit. E kishte vjedhur nga Muzeu Etnografik. Kam ardhur ta marr dhe t’ia kthej muzeut. Besoj se do të mirkuptohemi dhe s’ka nevojë të lajmëroj policinë.

-Sot është dita e ringjalljes së  të vdekurve pas afro dyqind vjetëve- tha ai si ti fliste vetes- por jo si fantazma! Vini ju me emrin e vajzës së famshme të Marko Boçarit dhe s’ka shumë që para jush më erdhi një djalosh me një emër nga familja e kapedan Çelo Picarit, si trashëgimtar i asaj dere. Po të jap të njëjtën përgjigje që i dhashë edhe atij. Zonjushë, të më kuptosh, ne bëjmë tregti. Orën e kisha ekspozuar te antikuaret. Një turist gjerman, kur lexoi dy emrat që shkruheshin atje, jo vetëm që u mahnit por edhe u lumturua dhe e bleu duke më paguar aq sa i kërkova.Tha që do t’ia dhuronte Muzeut të Artit në Mynih. Që atëhere kanë kaluar muaj dhe ,zonjushë, s’kam si u kthej atë që se kam! Por them, që atje do të jetë më e sigurtë. Ju e kishit dhe s’dinit ta mbanit!

Vajza mbeti pa fjalë. E ç’mund t’i  thoshte? Ishte një atelje ku shitej e blihej.

-Mund të më thoni gjësendi për atë të huajin?

-Dukej që ishte nga derë e madhe e fisnikërisë së vjetër. Prit se më ka lënë kartvizitën- Hapi sirtarin dhe pasi përpushi një copë herë kartërat e gjeti atë që kërkonte dhe ja dha vajzës.

Roza e lexoi me kërshëri: Baron Ludvig fon Ëisenbah, Mynhen, Bavari dhe më posht ishin telefonat dhe adresa elektronike.

-Ka mundësi t’i bëni një fotokopje?

-Është më e pakta që mund të bëj për ju zonjushë e bukur. Për vete po mbaj kopjen, ju merrni origjinalen.

-Faleminderit. Po për atë personin që erdhi para meje mund të më rrëfeni gjësendi?

-I ri dhe simpatik.Fliste mirë anglisht. Po qe se nuk ka ikur nga Janina, besoj se do të bujtë këtu te Hotel “Pirro”, që është limer i shqiptarëve.

Kishte rënë nbrëmja. Roza desh të shkonte në agjensinë e udhtarëve nga ku mund të soste në Gjirokastër, por udhtimit natën  nuk i dihej dhe ngau për nga hyrja e hotel “Pirro”. Kishte dhoma të pazëna dhe ajo zuri vend. Pyeti recepsionistin në se kishte zenë vend aty një djalosh shqiptar me mbiemrin Picari. Po  dhe ndodhej në dhomë. Lajmëroje të lutem dhe thuaji se e pret në holl Roza Boçari.

Pas pak, djaloshi që zbriti nga shkallët, nisi të kërkonte me sy midis të pranishmëve në holl dhe këmbët e shpunë vetiu drejt vajzës.

-Më falni, ju jeni..

-Roza Boçari, - u përgjigj ajo, pa e lënë të mbarojë fjalën. I riu ishte me shtat mbi mesatar, shpatullgjerë, nën këmishë i dukeshin muskujt, me pamje burrërore, kishte vështrim të vemendshëm dhe atë krenarinë labe që nuk mundohej ta fshihte.

-Dhe më keni kërkuar?

-Po. Na ka sjellë në Janinë e njëjta kërkesë. Ora e trafikuar e Marko Boçarit.

-Ora e Çelo Picarit, që ishte dhuratë e Marko Boçarit dhe që ne në shtëpi tonë e quanim “Ora e Shqipërisë”- saktësoi ai.

-Ke të drejtë.

-Do bujtësh këtu sonte? Nëse s’ke kundërshtim dalim për një kafe? Është ende herët për t’u mbyllur brenda.

- Me kënaqësi- pranoi ajo.- Familjet tona kanë miqësi të hershme, por ne s’kemi patur rast të njihemi.

-Këta më tha edhe im atë para se të nisesha.

4

Zbritën tatëpjetë dhe ecën në bulevardin buzë liqenit që përkundej i përgjumur në mjegullën e lehtë mbrëmësore. Era e vjeshtës shtronte shëtitoret me qilimin e gjetheve të  rrepeve. Neonet çanin mugëtirën, mbi nisinë evogël fluturonin dhe ciasnin pulëbardhat. Mbajtën këmbët te kafeneja e vjetër buzujit. Për çudinë e tyre në murin e saj ishte një pllakë bronzi e shkruar greqisht dhe anglisht. Mbajtën këmbët dhe e lexuan: ”Në këtë kafene e pinin kafen Marko Boçari, Çelo Picari, Odise Andruco me kapedanët e tjerë”. U ulën në bankinat e drunjta. Ishte ngashëryes e mallëngjyes ky takim me historinë dhe dramat e mëdha që ishin luajtur aty: prapa mureve ishin sarajet, muzeu dhe varri i Ali Pashajt. Në liqen ishulli I vogël ku mbeti i vrarë pashai plak. U dukej se në muzgun mbrëmësor dëgjoheshin hingëllimat e kuajve, britmat e luftës dhe buçitja e armëve dhe jehu I këngës”Koka në stamboll/trupi në janinë!” Mundet që në ato bankina dikur të qenë ulur të dy kapedanët dhe ata kishin shkelur në gjurmët e tyre. Qëndronin të heshtur me sytë tretur larg. Nga përhumbja dhe vegimet i nxori djali i shërbimit. Porositën lëng frutash. Ishte rasti të njiheshin. E para e mori fjalën Roza:

-Gjon Boçari, ishte gardist i Skënderbeut. Pas rënies së Krujës, Zonja Donikë e dërgoi në Vlorë, që të kujdesej për zotërimet e saj që ia kishte dhënë pajë i ati. Gjoni ndërtoi një kala në Tragjas. Prej tij rrjedh fisi ynë që ruan e krenohet me atë mbiemër. Boçarët e tjerë shkuan në Sul të Çamërise. Markua është i asaj familjeje, kemi në rremba të njëjtin gjak. Siç duhet ta dish, Markua u vra më 1823 në Karpenesi të Mesolongjit. Para se të vihej në krye të luftës, familjen e nisi nga Parga për në Itali. Bija e tij Katerina, emrin e së cilës unë kam, kishte bukuri e hijeshi marramendëse, aq sa italianët e quajtën Roza, trëndafil. Më vonë, Rozën e mori për shoqëruese dhe damë nderi mbretëresha Amalia e Bavarisë. Me urdhër të Mbretit Ludovik, piktori i oborrit i bëri portretin me veshje arbërore. Ky portret gjendet në muzeun e artit të Mynihut.

Roza nxori nga çanta tabletin dhe shfaqi portretin e Katerina-Roza Boçarit.

Ishte vetë bukuria. Bukuri suliote, bukuri çame! Nën beretën e kuqe të vënë pak mënjanë, derdheshin flokët e zez, posht ballit , vetullat e harkuara, sytë plot dritë, ëndërrues me vështrim diku në largësi, goja e vogël me atë buzëqeshje enigmatike të mezi dukshme në cepat e buzëve,qafa e gjatë , pak e mënjanuar. Polka e qëndisur dhe brezi i argjendtë i shtrëngonte belin e hollë. Dukej sikur i shikonte dhe matej diç tu thoshte.

Roza, trëndafili i Sulit.

-A edi që ti i ngjan shumë! – I tha djali.

-Po e marr si shaka dhe s’po zemërohem. - Qe përgjigja.

-Nga e dije për qënien e orës?

-Ma kishte thënë tata. Ne shkonim shpesh për ta parë. Herën e fundit nuk ishte. Na thanë që e kishin grabitur. U lam adresën që po të mësonin gjësendi, të na njoftonin.

-Kapedan Markua  me kapedan Çelon, u miqësua dhe vllazërua në oborrin e Ali Pashait.Kur erdhi koha që u ndanë, ai i dhuroi atë orë që neë po e kërkojmë. Të dy kapedanët e çuan jetën në luftra, vdiqën dhe prehen në paqe, armët e kapedan Çelos dhe ora mbetën në kullën tonë të Picarit. Djemtë e Çelos, edhe ata luftëtarë, ua lanë trashëgim djemve të tyre. shpesh sendet jetojnë më gjat se ata që i zotrojnë. Ato ishin reliket e një trashëgimie heroike e të shënjtë, që brezat ia kaluan njëri-tjetrit. Gjyshja ime gjykoi se ato ishin pjesë e historisë së shqiptarëve dhe ju dhuruan muzeut, pa e ditur që ato një ditë do të merrnin udhët e botës.

- Blerësi i huaj, adresën e të cilit ne tashmë e dimë, i kishte thënë shitësit se orën, do t’ia dhurojë Muzeut të Mynihut, për ta bashkuar me portretin e Katerina –Roza Boçarit.

-Po ne ç’duhet të bëjmë që t’a kthejmë në shtëpi orën e Shqipërisë?

-Na mbetet të pajisemi me dokumenta dhe të shkojmë në Gjermani, të takojmë fon Ëisenbahun. Besoj se do të kemi mirkuptimin e tij dhe ta kthejmë orën në shtëpi. Ti a do të vish me mua?

-Deri në fund të botës!

5

Disa muaj më pas.

Nga aeroplani i linjës Frankfurt-Tiranë, që u ul në pistën e Rinasit, midis pasagjerëve, binte në sy një çift të rinjsh të zënë për dore.Vajza, shtathedhur, elegante dhe e brishtë, dukej e lodhur, por në fytyrë i endej një buzëqeshje si fillim lumturie, pas një pune të kryer me vështirësi dhe një fati të ri, që pas rastësive të befta, troket në zemër dhe bëhet shkak të buisin ato ndjenja që ndryshojnë rrjedhën e jetës. Djaloshi trupmadh, s’ia ndante sytë dhe dukej që prania e saj ishte shkaku i asaj buzëqeshjeje që ia zbuste atë hije burrërore. Doçka e saj e brishtë, dukej sikur kishte humbur në pëllëmbën e tij të madhe. Në dorën e djathtë, ai mbante një valixhetë të zezë, që nuk e kishte dorëzuar me bagazhet.

Aty gjëndej trofeu,ajo orë që ishte pjesë e historisë së familjeve të tyre dhe e gjithë Shqipërisë. Ajo orë, që si dëshmitare kishte shënuar e përcjellë, minutë pas minute, orë pas ore, ditë pas dite, muaj pas muaji e vit pas viti, gati dyqind vjet histori, me luftëra, fitore e disfata, me hidhërime e gëzime, me lindje e vdekje, duke u trashëguar nga breznia në brezni. Koha rridhte, koha ikte, pambarim e pakthim, ashtu dhe jetët njerëzore, se gjithnjë ka një kohë për të lindur, një kohë për të jetuar dhe një kohë për të vdekur.  Kjo orë , ishte si një organizëm i gjallë, zemra e saj rrihte paprerë: tik-tak,tik-tak si të donte të thoshte: “O njerëz, e djeshmja iku, si e harxhuat? Të sotmen si e jetuat? Për të nesërmen çfarë menduat?”

Dy të rinjtë morën një taksi. U ulën në ndenjësen e prasme. Kur dolën në autostradë, taksisti i pyeti se ku do të shkonin

-Në Muzeun Arkeologjik- qe përgjigja.

Roza e mori valixhetën në gjunjë. E hapi. Ora punonte.  Nga peshtafi u dëgjuan rrahjet me ritmin e tyre të përpiktë.

-E dëgjon? –tha Roza- Duket sikur rrahjet janë më të shpeshta e më tingëlluese! Duket sikur bashkë me ne, pas atyre shtegtimeve, gëzohet që po kthehet në shtëpi.

- Mirserdhe, e dashur, në shtëpinë tënde!

Djali i hodhi vajzës dorën mbi sup dhe e tërhoqi më pranë vetes.

Tik-tak,tik-tak. Ishte koha të shijonin  lumturinë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora