E merkure, 01.05.2024, 12:00 AM (GMT+1)

Kulturë

Stublla: Shpendi Topollaj - enciklopedia që ecën

E enjte, 15.10.2015, 06:40 PM


SHKRIMTARI SHPENDI TOPOLLAJ OSE ENCIKLOPEDIA QË ECËN

(Rreth librit “Stile & Lapsa”  - kritika letrare dhe portrete)

NGA SHEFKI  STUBLLA - Magjistër i Historisë së Kulturës

Mendoj se lexuesit tonë të nderuar nuk mund t`i japim informacion më të saktë sesa parafjala në hyrje që i bëri Luan Memishaj (Lepenica) librit “Stile dhe Lapsa”.

Që në fillim të këtij shkrimi po deklaroj: se pas kësaj fjale të hyrjes, nuk e ndiej veten të kualifikuar që të jap ndonjë vlerësim më shumë për veprën e Shpendi Topollajt. Por, për këtë vepër të shkëlqyer, vetëm po shfaq disa mendime dhe përshtypje personale.

Autori i librit, Shpendi Topollaj, emër i përveçëm, i cili lakohet në të gjitha rasat, përveç rasës emërore ku mbetet përherë në trajtën e shquar, si njeri dhe krijues me dije të madhe. Sipas meje, ky shkrimtar është enciklopedi që ecën. Është autor i dyzet veprave të ndryshme; nga të cilat, secila për vete tërheq lexuesin dhe inspiron se si duhet analizuar një çështje e caktuar nga jeta.

Falë kulturës së gjerë të leximit dhe shkathtësisë së gjykimit gjakftohtë, lexuesit shqiptar i ofroi edhe librin “Stile dhe Lapsa”, në të cilin shkurt e shqip jep mesazhin e vështrimit kritik objektiv. Qasja ndaj shqyrtimit analitik të tematikës kam përshtypjen sikur Shpendi, bashkëpunon me autorin e veprës për të cilin flet dhe atë e konsideron si partner me të cilin kuvendon dhe haptas ia thotë anët e mira po edhe të metat eventuale të krijimit gjegjës. Askujt nuk ia fashit, përkundrazi, gjithsecilit ia ngjall dëshirën për t`u marrë me shkrime. Më pëlqen shumë mendimi i kualifikuar i shfaqur, me bazë. Po ashtu, më pëlqen që Shpendi nuk e shfaq mendimin me fjalë të rrumbullakosura. Flet duke mos eksperimentuar. Andaj, kjo qasje e trajtimit të çështjeve jep rendiment të lartë mendimesh të shëndetshme, dobiprurëse, të cilat motivojnë. Është një kallëxues i veçantë i vlerësimit. Shkruan pa zjarrmi. Asnjë mendim nuk e lë pezull. Përdor me vend mendimet e njerëzve të mëdhenj në armaturën e mendimit shqip, duke përforcuar shtyllat e vështrimit nga pika e vrojtimit objektiv.

Tematika e kritikave letrare “Stile & Lapsa” është shumë e larmishme: në qendër ka vendosur trajtimin dialektik me të gjithë universalitetin e tij, për tematikën që analizon, si: dashuria nuk ka moshë, të krijosh duke krishtëruar, komunikimi muzeor, flakadanët e lirisë, në krah dhe përballë, Labëria në Kuvende, këtu bie erë, familja e atridëve, mall për Ulqinin në këngë, simboli i shpirtit të pastër strugan, më thuaj diçka të bukur, poeti i dashurisë pasionante, midis dy dashurive, njëqindenjëzet ekstra fabula, merr jetë ëndërra e përkthyesit të shquar, hapat e fitores së madhe, Moisi Elezi - një gjeneral i madh popullor, etj.

Personazhet për të cilat flet Shpendi rrezatojnë dije, edukim, motivim, për ta shpënë lexuesin përpara dhe për ta nxitur për lexim. Gjuha e tij është e pasur, e stolisur me fjalë të bukura shqip, simfoni e shfaqjes së mendimit. Fjalëve u jep shpirtin, emocionin, ngrohtësinë, dhe afron lexuesin me autorin e veprës të cilën e shtjellon. Është një këshillë e mirë se si duhet lexuar dhe analizuar një roman, novelë apo tregim. Është një sprovë e leximit krijues.

Tërë ky spektër temash të analizuara i shërbejnë misionit që ka kritika letrare për të prezantuar dhe ndriçuar të vërtetën e jo t`i përgjigjesh pyetjeve të përgatitura më parë, por të rievokosh një shikim të përgjithshëm të problemeve të mëdha të estetikës që shtrohet në tekst. Të ndriçosh çështje, që nga ana e tyre, të çojnë në ndriçimin e të tjerave. Të arrish një analizë të tillë të tekstit që janë shpjeguar edhe problemet e veçanta që përmbahen në të.

Thënë shkurt, stili i Shpendit më bëri për vete. Më frymëzoi që edhe unë t`i kuptoj veprat që i ka lexuar ai. Më bindi me fakte dhe argumente, sinqerisht dhe përfundimisht. Ndezi tek unë kandilin e ndjeshmërisë reale, pa teprime. Më ngjalli botën e mendimit me qasjen didaktike, Kjo aftësi e tij për të depërtuar te lexuesi me vlerën e kritikës që bën ai, të përligj parapëlqimet, duke bindur lexuesin se nuk është fjala thjesht për këtë apo atë preference, por për vlera dhe forcën e shprehjes së mendimeve në një vepër letrare. Krejt këtë Shpendi e bën nga qëndrimi i tij i pavarur, sepse kemi të bëjmë me një njeri që nuk bie pre e ndonjë debati. Kjo është kompetencë e njeriut të ditur, si përfaqsues të një opinioni që punon pa hile apo dhe pa inat ndaj askujt. Është kompetencë e njeriut të lindur me këtë dhunti.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora