E marte, 30.04.2024, 10:56 AM (GMT+1)

Kulturë

Xheladin Mjeku: ''Suferinë'' poetike

E enjte, 15.10.2015, 07:33 PM


“SUFERINË” POETIKE

Ermira R. Jusufi: “SONTE ZEMRA IME FRYMON”, poezi, botoi “MUZA”- Prishtinë, 2015

Nga Xheladin MJEKU

Ermira R. Jusufi (lindur në Vushtrri-Kosovë, më 1983) ka zgjedhur rrugën e  pëlqyer dhe të diktuar nga zemra dhe shpirti i saj poetik, për të shprehur përmes fjalës së bukur artistike gjithë atë, që ia diktojnë ndjenjat shpirtërore. Ajo, tashmë, ka bërë që të jetë e pranishme gjithandej nëpër vendet, ku krijohet e frymohet shqip, me vargun saj që buron nga dashuria për jetën, për të bukurën, për ardhmërinë…

Me krijimtarinë e saj poetike, që po trajtoj këtu, jam njohur që nga koha, kur autorja është përcaktuar të përmbledhë krijimet e saj letrare më të realizuara dhe që mendonte se i shkojnë një organizimi harmonik  të librit të saj.

Ajo vjen te lexuesi me një materie të larmishme poetike, që e krijon në kohë relativisht të gjatë, duke mos iu ndarë asnjëherë kësaj fryme krijuese, në bashkëveprim me muzën nguca keqe, që pareshtur nëpër zigzage të jetës, pa mos e harruar as këngën, që i buron nga shpirti, për ta pasqyruar kështu jetën e saj rinore me gjithë vlerat dhe dashurinë për te. Një “suferinë” e këndshme prej vargjesh, që frymojnë në shpirtin krijues, trazojnë ndjenjat sensitive dhe sjellin aromën e të bukurës, përmes fjalës artistike plot frymëzim.

Monument, figurave historike

Nga poezia programatike dhe pagëzorja e  librit, që si duket ishte provokuese edhe si titull, edhe si trajtim tematik me ndjesi të veçantë dhe mbresa të pakontestuara të autores,  Sonte zemra ime frymon” e deri në ciklin e fundit, takojmë një poezi të përkushtuar mirë dhe plot ngjarje e situata.

Ermira R. Jusufi për asnjë çast nuk ngurron ta bëjë një sistemim të poezive në një ndërlidhje harmonike të temave dhe motiveve të shumta, që koncepton gjithë brumin poetik të librit.       Sajimi i kësaj përmbledhjeje poetike, me mbi gjashtëdhjetë njësi të sistemuara në pesë cikle, si: “Hap portën e zemrës”,“Jehonë në shekuj”, “Ju ma falni frymëzimin”, “Si dallgë deti jeta” dhe  “Zbrit në kujtesën time”, vijnë vallëzimi i një trupe të denjë, me plot vrull frymëzimesh të ndërlidhura me bashkë dyzimin e jetës dhe bëmave të përditshme, me dashurinë e dhimbjen bashkë, duke mos anashkaluar as familjen, të afërmit, dukuritë natyrore, që e shqetësojnë dhe ia nxisin muzën krijuese, për aq sa i jep mundësi trajtimi tematik, duke mos lënë pa prekur ndjenjat  edhe për ngjarje e personazhe emblematike nga bota e artit, kulturës, historisë dhe heroizmit, si një veçanti krijuese. Ajo sjell emra të përveçëm të latuar e skalitur në vargun-bronz, prej ku/reshtareje krijuese dhe motivuese e pa ndalur. Kështu, në ciklin “Jehonë në shekuj” gjejmë të skalitura me fjalën poetike emra heronj/sh, poetësh, krijuesish të vlerave kombëtare e deri te lartësimi i ngjarjeve e vendeve historike, në piedestalin meritor. Të tilla janë edhe poezitë: “Zëri që jehon në shekuj”, “Poeti nuk vdes kurrë”, “Pushka tundi malet”, “Ishte ëndërr Tirana” etj. Te ato shquhet kujtesa e pashlyer për rëndësinë që trajtojnë.

Trungu familjar -  frymëzim i dëshmuar

Dashuria për nënën, malli i pashuar për të, figura e babait e skalitur me një përkushtim, familja e gjërë, pastaj vendlindja me të bukurat dhe historinë e saj, që e mbajnë të lidhur fort edhe njeriun e kësaj treve, të vlerësuar e përkushtuar në çdo periudhë kohore, si një ndërlidhje e motivuar, si në poezinë Ura që lidh kohëra”, ku sjell urën e vendlindjes së saj, të skalitur e të ruajtur në shekuj, që simbolikisht kthen kujtesën dhe dëshminë e një tradite shekullore, të një qytetërimi nga antikiteti i hershëm.

Poezia “Mesazh për jetë e lumturi”, e krijuar në formë të triptikut për nënën, në kujtimin e përjetshëm të autores për të, ku: “Gjithmonë ty të kujtoj,/ Asnjë çast pa ty nuk frymoj,/ Mesazh yt i fundit ishte:/ Jetën e lumtur ta gëzoj!”, ndërlidhet me kohën e kaluar, ku malli dhe dashuria për të nuk ka të mbaruar. Edhe portreti i babait dhe këshillat e përkujdesja e tij për të gjithë familjen vjen e skalitur mire, në poezinë “Ti na kthen vlerat e jetës”.

I gjithë cikli “Ju më falni frymëzimin” sjell një paraqitje të larmishme të peizazheve të vendlindjes, duke u ndërlidhur me jetën e njerëzve të saj, që kushtimisht sajohet një trung i familjes, me vlerat e vendlindjes, si element i qëndrueshëm, ku shquhen poezitë: “Ura që lidh kohëra”, “Kam shumë mall”, “Pse kaq dilemë jeta”, “Dielli zbret mbi vetull mali”, e disa të tjera, që do t’i takojë lexuesi në rrugëtimin e tij këtyre shtigjeve poetike, plot dashuri për vendlindjen, për njerëzit e saj, që e duan dhe e frymëzojnë në rrugëtimin e pa ndalur krijues.

Dashuria dhe thyerjet jetësore, në retrospektivë

Cikli poetik “Hap portën e zemrës” nuk ka dyshim se është e veçanta e krijimtarisë së kësaj përmbledhjeje, ku është konceptuar jeta me të gjitha karakteristikat e saj: prej mundësive, dëshirave, vuajtjeve, ëndrrave për ardhmërinë, me ecejaket enigmatike e plot sfida nëpër shtigjet e saj. Dashuria si përjetim vjen e thurur pa ceremoni fjalësh, ashtu e shprehur lirshëm, me përqafimet që shprehin ndjenjën e virgjër të besimit për jetën e lumtur, ani pse autorja nuk ngurron të shprehë edhe doza pesimizmi, në raste të izoluara, por gjithnjë duke shprehur besimin se asgjë nuk është e  pa riparueshme në jetë, sidomos kur është fjala për dëshirat e saj, që ajo të ketë  frutat e një lumturie e begatie shpirtërore. Ermira R. Jusufi, në poezinë e saj, shpërfaq shpirtin poetik për dashurinë, duke i kënduar himne, nga inspirimi që i buron nga zemra, ku:

Do ta ndajmë bashkë këtë tortë,

Që prejardhjen e ka nga malli,

Nga dashuria vjen, padyshim…

(“Torta e dashurisë”)

Gjatë rrugëtimit të saj nëpër zikzaket e jetës, ajo nuk e fsheh për asnjë çast as burimin e frymëzimeve të saja, inspirimet që ia trasojnë atë rrugë të fuqishme drejt lumturisë. Sytë janë forca magjike, që ia shpalosë gjithë fshehtësitë e jetës, për ta ngulitur thellë në kujtesën e saj atë mrekulli, që e percepton përmes bebëzave zhbiruese të tyre: Syve tuaj të zjarrtë/ Sa shumë u këndova/ Vargje nga zemra/ Gjatë kohë u kushtova”, për ta përmbyllur mendimin e saj, plotësisht e sigurt/  se: ”Ata sy të zjarrtë/ I puth me afsh të rrallë/ Më japin frymëzim jete/ Do t’i ruaj me mall!”, (“Syve që më frymëzojnë”)

Të shumta janë poezitë që për trajtim kanë dashurinë dhe karakteristikat e saj, përjetimet, përballjet, gëzimet dhe ëndrrat e bukura, që krijojnë imazhin e të bukurës. Kështu, do të veçonim disa prej tyre, që ta ngrenë adrenalinën e dëshirave për t’i takuar me kënaqësi nëpër faqet e kësaj përmbledhjeje modeste, por të vlerësuar, si: Hap portën e zemrës”, “Befas më erdhe në jetë”, “Mbëltoje lulen e zemrës”, “Engjëllushe e vërtetë”, “Serenadë dashurie” e shumë të tjera, që e ndërtojnë këtë cikël poetik.

Edhe në ciklet “Si dallgë deti, jeta” dhe  “Zbrit në kujtesën time”,  janë trajtuar laryshi temash, në kontekstin e jetës dhe dashurisë, si përjetim dhe fuqi, që vjen  me forma të ndryshme, varësisht situatave. Veçanërisht në poezitë e ciklit “Si dallgë deti, jeta”, po edhe ndonjëra nga cikli i fundit, paraqesin shqetësimet e herëpashershme, duke sjell/ mëdyshje në rrugëtimin imagjinativ jetësor, që mund t’i ketë ndodhur çdokujt në jetë, ku autorja e ka pikasur mirë dhe i është qasur trajtimit me përkushtim. Shembuj të tillë ka mjaft, ku shkëputëm disa prej tyre për të  ndihmuar në kuptimin sa më të lehtë për këto çështje jetësore, të shtjelluara këtu. Veçuam disa prej tyre, si në poezinë Më ishe dielli”, ku, përkundër një kohe të bukur e plot ëndrra jete,  siç shprehet autorja: “Më ishe dielli/ I ngrohtë zjarr/ Më ishe hëna e pa faj/ Plot dritë netëve të vona/ Pranverave tona pa skaj”, ku për një çast e ndien me dhimbje e shqetësim ndryshimin e asaj situate:

Tani m’u bëre hije,

Me hijen tënde flas,

Me hijen tënde zgjohem,

Me hijen tënde jetoj

Dhe ngushëllohem…

(Po aty )

Të tilla janë edhe shumë poezi tjera, që shprehin guximshëm ballafaqimet me jetën, duke iu kundërvënë me mirëkuptim dhe force, deri në rikthimin e besimit në jetë: “Nëse të është thyer zemra ndonjëherë/ Kurrë mos dysho që kjo ndodh përsëri/ Mos harro, jo të gjithë janë të njëjtë/ Në fat as në fatkeqësi”, shprehet autorja, ndër të  tjera, në poezinë “Përtej thyerjes së shpresave”.

Në paraqitjen më të mirë dhe më bindëse po sjell një citat nga poezia “Dialog i imagjinuar”, ku një dialog i fuqishëm e plot shqetësime, me tone refuzuese dhe ironizuese i dy të dashuruar/ve, i përkushtuar poetikisht, e dëshmon vlerën e fjalës poetike, në raport me ngjarjen e realizuar, si fiksion i dialogut, si  kundërpërgjigje, duke e përmbyllur këtë bisedë me qëndrimin e prerë: “Tashmë, e di mirë që unë më nuk të dua,/ Të lutem, ik që këtej, se nuk më takon mua! (Po aty).

Edhe poezia “Ndoshta, agon një ditë”, që  qëndron si epilog i librit ose që vjen si premtim i një besimi të plotë, se do të kemi edhe shumë vlera e krijimtari të reja nga autorja, ku: “Një ditë tjetër/ Agon e bardhë si fati/ Ndoshta”, flet më shumë  për synimet, në të ardhmen e saj krijuese.

Vlerat, që motivojnë

Mendimi letrar dhe filozofik kanë një harmoni dhe korrespondim të mire, në poezitë e kësaj përmbledhje, ku lidhshmëria dhe trajtimi tematik bashkëveprojnë në shpërfaqjen e vlerave të qëndrueshme dhe të bazuara në faktografinë e jetës, si fiksion i synuar. Ndërtim të tillë takojmë në pjesën dërmuese të poezisë së vendosur vëmendshëm këtu, në ciklet e këtij libri. Po /ashtu, duhet thënë edhe këtë:  në krijimtarinë poetike të Ermira R. Jusufit, përveç vlerave letrare-artistike, që hetohen nga vargu në varg, nga fjala në fjalën tjetër, pothuajse, në çdo  poezi ajo shquhet edhe për gjuhën, tropet, figuracionin dhe metaforat e shumta, që e begatojnë dhe e bëjnë më komunikuese me lexuesin.

Përfundimisht, mund të konsiderojmë se kemi në pronësi një përmbledhje poetike, që vjen e këndshme, me një frymë si suferinë, që i mbush mushkëritë tona me atë kënaqësi prej vargut, plot begati bukatore të një emri, që ka synimet dhe guximin e rrugëtimit të saj, në jetë e krijimtari.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora