E hene, 07.10.2024, 09:20 AM (GMT+1)

Mendime

Skënder Buçpapaj: 2014 - viti kur nuk u ndërtua asgjë

E diele, 28.12.2014, 05:15 PM


2014 - VITI KUR NUK U NDËRTUA ASGJË

NGA SKËNDER BUÇPAPAJ

Viti 2014 'socialist' në Shqipëri kaloi në shenjë të stigmatizimeve ndaj vitit 2013 'demokratik', çka na i kujtoi stigmatizimet gjysmëshekullore që iu bënë në këtë vend vitit 1938.

U largua, me ritme të papara, administrata militante pd-iste dhe u zëvendësua nga administrata militante ps-iste.

U bë gjithnjë e më largët ajo kohë kur Shqipëria do të ketë një administratë të qëndrueshme profesioniste, qytetare.

U bënë vetëm çndërtime, duke rrënuar ndërtimet e paligjshme kaotike të periudhës së tranzicionit. Ato janë aq shumë saqë, po të vazhdohet me ritmet - konsiderueshëm të larta - aktuale të prishjeve të tyre, çndërtimi do të kërkonte të paktën një dekadë.

U çthanë disa nga ndërtimet e thëna nga regjimi i mëparshëm. Për shembull, përfundimisht, në jugun e Shqipërisë nuk do të ndërtohen më hidrocentrale. Kështu, viti 2014 shënon mbylljen e perspektivës së zhvillimit energjitik të Shqipërisë. Ashtu siç ndodhi gjatë gjithë periudhës së 'ndërtimit socialist' të vendit, ashtu siç ndodhi gjatë gjithë periudhës së tranzicionit, në jug nuk do të ndërtohen hidrocentrale. Sepse ato do t'i cënuakëshin parqet kombëtare. Ndërsa në veriun e Shqipërisë nuk ka më se ku të ndërtohen hidrocentrale.

U ritha vetëm Rruga e Arbrit, e cila do të rifillojë së ndërtuari më 1915, në bazë të marrëveshjes së nënshkruar në Beograd në mes qeverisë kineze dhe qeverisë shqiptare. Le të shpresojmë.

Asnjë vepër e projektuar nuk nisi, asnjë vepër e nisur nuk vazhdoi, asnjë vepër e lënë përgjysmë nga 2013-a nuk mbaroi së ndërtuari nga 2014-a.

2014-a ishte vit i moratoriumit të ndërtimeve.

Mirë, po pranojmë se gjatë vitit 2014 u punua për ndërtimin e imazhit të Shqipërisë. Këtu autorët dhe përkrahësit e kësaj teze kanë parasysh kryesisht Lazaratin. Kanë parasysh kandidimin zyrtar të vendit në BE. Kanë parasysh ardhjen e Papës Françesk në Shqipëri. Kanë parasysh dronin në Beograd. Dhe nuk përmendin se po gjatë këtij viti pati ndodhira të cilat e asnjësuan - për të mos thënë më shumë - ndikimin e atyre zhvillimeve ndërtuese të imazhit të Shqipërisë. Nëse të parat janë investime, të dytat janë kundërinvestime. Dhe nuk është ndalur, nuk është ngadalësuar prirja që kundërinvestimet t'ua kalojnë shumëfish investimeve.

E njëjta gjë edhe në Kosovë. Vetëm 4 njohje të reja. Ndërkohë që premtimet kishin qenë se do të ndodhnin njohje të shumta dhe të rëndësishme. Asnjë përfitim politik, ekonomik apo diplomatik nga dialogu me Beogradin. Veriu kolonizohet me serbë. Pjesa tjetër e vendit zbrazet nga rinia shqiptare që largohet masivisht nga vendi për mungesë perspektive. Dhe, çka është më ironike, kjo dukuri përshkallëzohet pas koalicionit të pakuptimtë PDK-LDK.

Nga mbarimi i vitit 2014 edhe në Tiranë një marrëveshje tripartiake PS-PD-LSI për kthimin e deputetëve 'demokratë' në Kuvend. Marrëveshja arrihet në prag të zgjedhjeve për pushtetin lokal, kur mbaron gjysma e mandatit qeverisës të cilin PS e mori më 2013. Frytet e kësaj marrëveshjeje klienteliste të radhës nuk do të pasyrohen në punësime, në ulje taksash, në më shumë dritë, më shumë ujë të pijshëm, nuk do të pasyrohen në reforma, në përmirësimin e jetesës së qytetarëve, në përmirësimin e rendit, në përmirësimin e klimës politike. Nuk do të ketë më shumë shtet ligjor, nuk do të ketë më shumë demokraci, nuk do të ketë më shumë mirëqenie të përgjithshme. Thjesht do të ketë hapësirë të bollshme korrupsioni edhe për kreun e opozitës, ashtu si gjatë gjithë tranzicionit. Nuk do të ketë kërcënime për hapjen e dosjeve të spiunëve të Sigurimit të Shtetit. Nuk do të ketë më denoncime për korrupsion në prokurori.

Pandëshkueshmëria do të vazhdojë. Krimi dhe korrupsioni do të vazhdojnë të largohen në drejtim të paditur. Do të ketë vetëm akuza dhe kundërakuza spektakolare në Kuvend dhe në media.

Gjatë këtij viti qeveria vazhdoi me stilin e nihilizmit dhe të premtimeve, si në kohën kur ishte opozitë.

Në Evropën demokratike arritjet e një mandati të një qeverie maten me veprat e kryera - sa vepra të vogla, sa vepra të mesme, sa vepra të mëdha.

Më 2015, sigurisht, qeveria 'socialiste' do ta ketë shumë më të lehtë t'i bëjë krahasimet me vitin 2014 se me vitin 2013.



(Vota: 2 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora